Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, ka zhvilluar në universitetin e Grazit një takim me rektorin Peter Riedler dhe i ka treguar historinë për mjekun shqiptar që shpëtoi 80 gjirokastrit nga pushkatimi i gjermanëve. Velaj u ka kërkuar që një prej auditorëve të universitetit të mbajë emrin “Salla Dr. Vasil Labovit.

Fate Velaj njofton se, pas vendosjes së tabelës (5.2.2026) në shtëpinë ku ka jetuar Lasgush Poradeci, së shpejti do të vendosim edhe një për Dr. Vasil Labovitin.
“A ju kujtohet romani “Darka e gabuar” i Ismail Kadaresë?
A ju kujtohet Dr. Gurameto, që përfaqëson Dr. Vasil Labovitin — mjekun që shpëtoi 80 gjirokastrit nga pushkatimi i gjermanëve, vetëm sepse fliste gjermanisht, pasi kishte studiuar në Graz (1922–1932) dhe respektonte “Betimin e Hipokratit”? Pikërisht ai mjekoi dy ushtarë gjermanë të plagosur nga partizanët…
Sot, në Universitetin e Grazit, takova rektorin Peter Riedler dhe i tregova këtë histori, duke e përmbyllur me kërkesën që një prej auditorëve të universitetit të mbajë emrin “Salla Dr. Vasil Laboviti”.
Gjithashtu, biseduam për thellimin e partneritetit me Universitetin e Shkodrës.
Pas vendosjes së tabelës (5.2.2026)në shtëpinë ku ka jetuar Lasgush Poradeci, së shpejti do të vendosim edhe një për Dr. Vasil Labovitin.“- shprehet Velaj.









