Forcat Ajrore Izraelite kanë nisur përsëri sulme intensive në Rripin e Gazës. Mediat izraelite njoftuan se janë sulmuar objektiva në Qytetin e Gazës dhe vende të tjera në brezin bregdetar. Para nisjes së sulmeve kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e akuzoi Hamasin militant islamik për shkelje të armëpushimit në Rripin e Gazës dhe urdhëroi sulme të reja.
Ushtria ka marrë urdhër për të kryer menjëherë sulme “intensive” në Rripin e Gazës, tha zyra e tij. Sipas Zyrës për Mbrojtjen Civile të kontrolluar nga Hamasi, gjatë një sulmi në Khan Yunis u vranë pesë vetë. Një zëdhënës tha se midis tyre kishte edhe fëmijë. Kurse në Qytetin e Gazës u vranë dy persona dhe katër u plagosën. Një ndërtesë banimi në lagjen al-Sabra u godit, tha zyra.

Përleshje të armatosura pavarësisht armëpushimit
Sipas Ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, sulmet ishin përgjigje ndaj një sulmi të organizatës terroriste Hamas kundër ushtarëve izraelitë si dhe ndaj vonesës në dorëzimin e trupave të pengjeve të vrarë, për të cilin është rënë dakord.

Stacioni televiziv izraelit N12 raportoi se palestinezë të armatosur kishin sulmuar ushtarë në Rafah, duke përdorur ndër të tjera edhe një raketë antitank. Në sulm ishte gjithashtu i përfshirë edhe një snajper. Hamasi deklaroi më vonë se nuk ishte përgjegjës për sulmin ndaj ushtarëve. Sipas dëshmitarëve okularë palestinezë pas sulmit ka pasur goditje me artileri në disa zona në zonën e Rafahut. Gjithësesi deri tani asnjë nga informacionet nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur./DW













