Natën mes të shtunës, 25 tetor, dhe të dielës, 26 tetor 2025, në orën 03:00, akrepat e orës do të kthehen një orë pas, duke shënuar kalimin nga ora verore në orën diellore. Ndryshimi do të na lejojë të flemë një orë më shumë, por pasditet do të errësohen më herët. Ora diellore do të qëndrojë në fuqi deri më 29 mars 2026, kur do të rikthehet sërish ora verore. Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi është shfrytëzimi më efikas i dritës natyrale gjatë ditës dhe kursimi i energjisë përmes reduktimit të ndriçimit artificial.
Në vjeshtë, akrepat kthehen një orë pas për të përshtatur ditët me më pak dritë dielli. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ndryshimi i orës ndikon në ciklin e gjumit dhe të ritmeve biologjike, duke shkaktuar lodhje, nervozizëm, vështirësi në përqendrim dhe luhatje humori. Për këtë arsye, shumë studiues propozojnë që ora verore të mbahet gjatë gjithë vitit, për të shmangur stresin që sjell ndërrimi gjashtëmujor.
Ndryshimi i orës u aplikua për herë të parë në Evropë gjatë Luftës së Parë Botërore, për të kursyer energji, dhe u rikthye në përdorim gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe krizës së naftës në vitet ’70. Direktiva e Bashkimit Evropian e vitit 2001 e formalizoi praktikën e ndërrimit të orës dy herë në vit, në mars dhe tetor.
Megjithatë, prej disa vitesh, Bashkimi Evropian po diskuton heqjen e këtij ndryshimi, pasi studimet tregojnë se kursimet e energjisë janë minimale, ndërsa ndikimi në shëndet është i dukshëm. Në vitin 2018, Komisioni Evropian propozoi ndalimin e ndërrimit të orës, duke u mbështetur në një konsultim publik ku 84% e qytetarëve u shprehën pro heqjes së saj. Deri më sot, propozimi nuk ka marrë ende miratimin përfundimtar nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian.













