Emisioni “Vetting”
Në 2 tetor 2024, në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të emërohej Ilir Binaj, një nga personat më të përgatitur në fushën e auditimit dhe me eksperiencë ndërkombëtare në kompani prestigjioze.
Emërimi i drejtorit të përgjithshëm do të ishte një sinjal pozitiv për administratën tatimore, pasi fryma perëndimore dhe niveli akademik të jepnin shpresë për ndryshime dhe reformë. Megjithatë ardhja e drejtorit të ri do të ishte një formalitet, ku shkelja e përsëritur dhe mungesa e transparencës do të rrënjoseshin si standard për të bërë karrierë në administratën publike.
Duke këqyrur CV-në e kryetatimorit, Ilir Binaj kupton se anomalitë që tregojnë, ashtu si ish-drejtori Ceno Klosi, edhe Binaj e ka ushtruar dhe po e ushtron detyrën në konflikt interesi, konflikt që vazhdon edhe sot.
Por kjo nuk është një histori e vetme. Paraardhës të tij janë larguar pas hetimesh për abuzime, ndërsa struktura e institucionit është zhytur në një rrjet emërimesh politike, kontratash të dyshimta dhe kapje të brendshme.
Në 3 vitet e fundit, Tatimet do të ndërronin 3 drejtora duke ekspozuar krizën institucionale dhe krizën në menaxhim pasi drejtori i fundit i larguar Ceno Klosi, sot deputet i Partisë Socialiste është nën hetim nga SPAK për mashtrim dhe falsifikim të dhënash.
Kriza e administratës tatimore dokumentohet te raporti i performancës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i publikuar në gusht 2022, që për ironi të fatit është bërë me kërkesë të ish-drejtorit Ceno Klosi.
Por cila është historia e kryetatimorit Ilir Binaj?
Ilir Binaj ka një eksperiencë të gjatë në fushën e auditimit dhe taksave, ku për më shumë se 15 vite ka punuar ne kompani te ndryshme vendase dhe të huaja. Ai është i certifikuar si Auditues Publik në Kaliforni, si Kontabilist i Certifikuar Global i Menaxhimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe si Auditues Ligjor në Shqipëri.
Duke lexuar CV-në në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kupton se kryetatimori Ilir Binaj është një ndër personat më të aftë, që është vendosur në krye të institucionit.
Pyetja që ngrihet është e thjeshtë: Pse një njeri me kompani private, me fitime të larta, i punësuar në kompani ndërkombëtare duhet të marri përsipër një punë që e ka rrogën shumë të ulët në krahasim me punën e mëparshme?
Ka disa arsye që Ilir Binaj mund të ketë bërë atë që ka bërë dhe vazhdon të bëjë, por fakt i pamohueshëm ngelet shkelja e ligjit në vazhdim dhe konflikti i interesit i vazhdueshëm me detyrën.
Madje mund të thuhet se mungesa e ndëshkimit nga SPAK ndaj ish-kryetatimorit Ceno Klosi, mund t’i ketë dhënë kurajo Ilir Binajt dhe çdo zyrtari të lartë për të mos u trembur nga konflikti i interesit. Kujtojmë se Ceno Klosi nuk duhet të ishte bërë as zv.ministër dhe deputet sepse vazhdon të jetë në konflikt interesi, pasi aktualisht ka një kompani private në Angli “First Bar Limited”, që e ka fshehur te formulari i vetëdeklarimit.
Sipas avokates Margarita Kola, shembujt e mëparshëm në konflikte interesi me detyrën dhe mungesa e ndëshkimeve sjellin mungesën e frikës dhe respektit ndaj ligjit. Në këtë rast, konflikti lidhet me babain e kryetatimorit Binaj.
Konkretisht Agim Binaj ka dy kompani auditimi, “TPA Albania shpk” dhe “ASC CPAs” në Shqipëri, të cilat janë të regjistruar te Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar.
Por problemi ka nisur me emërimin e Ilir Binajt në tetor 2024, pasi drejtori i Tatimeve nuk duhet ta kishte pranuar detyrën pasi i ati zotëron kompani auditimi, gjë e cila është në konflikt të hapur interesi.
Sipas avokatit, Muharrem Doku, ish-drejtor i auditit të Tatimet “rasti konkret ka shkelje”.
“Për rastin që ju thoni, është e vërtetë që ka konflikt interesi për arsye se çdo punonjës i administratës shtetërore publike, në momentin që fillon punë, sidomos në Administratën Tatimore, duhet të deklarojë konfliktin e interesit”, tha për “Vetting” avokati Doku.
Të njëjtin qëndrim për këtë çështje ka edhe avokati Arben Llangozi.
“Në qoftë se drejtori i Tatimeve kryen veprime konkrete mbi subjektet që ka babai i vet, padyshim që kemi konflikt interesi, por përveçse ka konflikt interesi, duhet parë me vëmendje nëse ka vepra penale të korrupsionit sepse njëkohësisht një person që kontrollon një subjekt që babai e auditon, duhen parë edhe veprimet. Mund të ketë veprime fiktive, që konflikti i interesit ka shkuar më tej në korrupsion”, u shpreh për “Vetting” avokati Llangozi.
Në këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ka shkelur disa nene të Ligjit nr. 9920/2008 “Për Procedurat Tatimore”, i ndryshuar, duke qenë njëkohësisht në konflikt interesi personal, konflikt interesi familjar dhe shkelje disiplinore institucionale.
Nenet 17, 22, 26 dhe 82 përbëjnë bazën ligjore mbi të cilën çdo institucion mbikëqyrës, përfshirë Ministrinë e Financave, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, mund të ndërhyjnë për hetim dhe shkarkim nga detyra.
Sipas ish drejtori të auditit te tatimet avokatit Muharrem Doku, kjo çështje është shumë e komplikuar edhe për vetë punonjësit e administratës tatimore.
“Duke qenë se këto kompani figurojnë në emër të babait të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, aty nuk mund të ushtrojnë kontroll punonjësit e administratës tatimore sipas ligjit sepse ata mendojnë që rrezikojnë vendin e punës”, u shpreh për “Vetting” avokati Doku.
Një ligj tjetër që mund të hyjë në veprim është Ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”, që ndalon shfrytëzimin e pozitës dominuese dhe çdo formë ndikimi që cenon barazinë mes operatorëve.
Në këtë rast, lidhja familjare mes drejtuesit të institucionit që mbikëqyr kompanitë e auditimit dhe dy kompanitë private që zotërohen nga babai i tij ngre dyshime për favorizim të mundshëm, si në trajtimin tatimor, ashtu edhe në aksesin ndaj klientëve apo kontratave. Një hetim nga Autoriteti i Konkurrencës do të mund të zbulonte nëse këto kompani kanë përfituar avantazhe për shkak të lidhjeve familjare me një funksionar publik. Në thelb, kur babai i një kryetatimori zotëron dy kompani auditimi, krijohet një zonë gri që minon integritetin e sistemit tatimor sepse çdo kontroll, vendim apo politikë e ndërmarrë nga i biri mund të perceptohet si e ndikuar nga interesat familjare. Ligjërisht ky është një rast që duhet të hetohet nga SPAK pasi kemi indicie që tregojnë se kjo situatë favorizon interesat familjare dhe personale të një zyrtari të lartë.
Sipas avokatit Llangozi, pasojat që prodhohen në këtë rast ngelen në momentin e emërimit të këtij zyrtari të lartë.
“Duhet të ishin verifikuar të dhënat nga personi që e përzgjedh dhe në momentin që ka një shkelje të tillë, nuk duhet të emërohet”, deklaroi avokati Llangozi.
Evgjeni Bashari e ILDKPI “kyç” gojën për konfliktin e interesit të kryetatimorit
Për të verifikuar të dhënat e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, “Vetting” i bëri një kërkesë zyrtare Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për formularin e vetëdeklarimit dhe deklarimin fillestar të pasurisë.
Institucioni që drejtohet nga Evgjeni Bashari dhe dirigjohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Arbër Basholli, prej 8 muajsh i ka bërë bllok redaksisë “Vetting”, duke mos dorëzuar asnjë dokument të zyrtarëve të lartë, në shkelje të hapur të ligjit për sigurimin e transparencës për mediat dhe qytetarët.

Në rastin e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, ILDKPKI-ja duhet ta kishte verifikuar deklarimin e punësimit në momentin që Ilir Binaj ka bërë vetëdeklarimin.
Por “Vetting” ka zbuluar një tjetër konflikt interesi, që implikon drejtpërsëdrejti Inspektoratin.
Sipas deklarimit të pasurisë për vitin 2024, të dhëna të siguruara nga “Spending.al”, platformë e AIS-it, për deklarimin e dytë dhe jo të parin, Ilir Binaj ka deklaruar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave se nga 1 janari 2024, deri në fund të dhjetorit 2024 ka qenë i punësuar te kompania ndërkombëtare e auditimit “Crow LLP”.
Sipas formularit të dorëzuar në ILDKPKI, Ilir Binaj ka patur të ardhura në vlerën 53 mijë dollarë vitin e kaluar. Por problem është se Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve nuk mund të jetë i dy-punësuar, aq më pak te një kompani auditimi ndërkombëtare, e cila ka edhe një degë të sajën në Shqipëri.
Sipas avokatit Llangozi, kjo ngelet për t’u verifikuar nga Inspektorati në qoftë se kryetatimori Ilir Binaj ka qenë i dy-punësuar dhe ka qenë në konflikt interesi.
“ILDKPKI-ja duhet të fillojë një hetim dhe të merren masat e duhura nga ky institucion për veprime apo mosveprime që bien ndesh me detyrën”, u shpreh avokati Llangozi.
Ligji Për Procedurat Tatimore (nr. 9920/2008, neni 26) ndalojnë që drejtuesit e Administratës Tatimore të kenë çdo formë punësimi apo përfitimi financiar nga kompani private.
Sipas avokates Margarita Kola, ligji e ngarkon inspektoratin jo vetëm të dijë se çfarë personi që bëhet titullar ka si rrethana rreth konfliktit të interesit, por edhe të investigojë në lidhje me rastin në mënyrë administrative, të gjejë informacion se çfarë konflikti interesi mund të ketë ky titullar.
Fakti që kryetatimori Ilir Binaj ka deklaruar se ka qenë i punësuar në “Crow LLP” edhe gjatë periudhës kur drejtonte Tatimet, është shkelje e drejtpërdrejtë e këtyre ligjeve.
Sipas avokatit Llangozi, “një person nuk mund të jetë i dypunësuar, aq me tepër kur ka një rol drejtuesi në një institucion sepse do të pengonte mbarëvajtjen e punës”.
E thënë thjeshtë, Ilir Binaj nuk mund të jetë njëkohësisht i punësuar në shtet dhe punonjës i një kompanie kontabiliteti që operon në fushën që ai vetë kontrollon.
Ligji për parandalimin e konfliktit të interesave (nr. 9367/2005, neni 3) ndalon që një funksionar publik të ketë lidhje financiare me një kompani që ka aktivitet në të njëjtën fushë që ai mbikëqyr. “Crow LLP” është kompani ndërkombëtare e kontabilitetit dhe auditimit dhe Drejtoria e Tatimeve monitoron pikërisht këtë sektor në Shqipëri.
Pra, drejtori ndodhet në një konflikt interesi të pastër si drejtues në administratën publike, pasi duhet të mbikëqyrë profesionin që e ushtron vetë.
Sipas avokatit Muharrem Doku, nëse një zyrtar i lartë në administratën tatimore deklaron që nuk ka biznes, në këtë institucion ka struktura që mund të konstatojnë që një punonjës i caktuar mund të ketë biznese.
“Me ligj kjo nuk lejohet. Çdo punonjës i administratës, e sidomos i administratës tatimore, nuk lejohet të ketë dy biznese, të punojë në shtet dhe të ketë zyrë private. Kjo është shkelje e ligjit”, deklaroi ish drejtori i auditit te tatimet, Muharrem Doku.
Edhe pse kryetatimori është i punësuar në kompaninë mëmë jashtë Shqipërisë, kjo nuk e shmang konfliktin e interesit me “Crow LLP”, e cila ka degë të licencuar në Shqipëri, të regjistruar si pjesë e rrjetit ndërkombëtar “Crow”.
Ligji nuk dallon nëse marrëdhënia është me degën shqiptare apo me kompaninë mëmë, mjafton që ekziston interes ekonomik te një subjekt që vepron në territorin shqiptar.
Kjo do të thotë se çdo vendim i Ilir Binajt si drejtor Tatimesh mund të perceptohet si i ndikuar ose i pambështetur në paanshmëri. Ligji për deklarimin e pasurive dhe interesave private (nr. 9049/2003) kërkon që çdo zyrtar të deklarojë saktësisht marrëdhëniet financiare që mund të krijojnë konflikt interesi.
Në këtë rast drejtori ka deklaruar thjesht “të ardhura nga paga në “Crow LLP” pa specifikuar se kompania ka degë aktive në Shqipëri dhe kjo mund të përbëjë deklarim të pjesshëm ose të rremë, që është vepër penale sipas nenit 257/b të Kodit Penal.
Përgjegjësi në këtë rast ka edhe Inspektorati që drejtohet nga Evgjeni Bashari, pasi në momentin që kryetatimori Ilir Binaj ka bërë deklarim për dy-punësim, duke qenë edhe pjesë e administratës tatimore, ILDKPKI-ja duhet të kishte filluar hetimet dhe të merrte masat.
Por ky mund të mos jetë deklarimi i parë i zotit Binaj, pasi konflikti me kompanitë e familjes hapin shtigje me kompani offshore dhe koncesionet problematike. Në Shqipëri, dega e kompanisë “Crow LLP”, është “Crow Al” dhe ka kontrata auditimi me institucione shtetërore si Qendra Studentore 1 dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit OST.
Sipas avokates Kola, rasti me Tatimet është një konflikt i pastër interesi, pasi babai punon për kompani auditimi, ndërkohë që kryetatimori Binaj ka vazhduar në të njëjtën kohë të punojë në një pozicion publik dhe në anën tjetër punonte për një kompani auditimi
Kryetatimori fshehu lidhjet me kompaninë “Crow”! Shkeljet e Ilir Binajt që “ha” më dy “lugë” edhe në shtet dhe privat
Agim Binaj, babai i kryetatimorit, Ilir Binaj zotëron dy nga kompanitë më të rëndësishme në fushën e auditimit, “TPA Albania” shpk dhe “ACS”. Ilir Binaj ka qenë aksioner tek të dyja kompanitë dhe në momentin që ka marrë detyrën te tatime ka shitur aksionet e veta.
“TPA Albania” është në pronësi të babait Agim Binaj, Laura Gjinalit dhe kompanisë së huaj “VALERIANA Holding”. Disa ditë përpara se të merrte detyrën, Binaj do t’ia shiste aksionet e veta Laura Gjinalit.
“TPA Albania” shpk është një kompani në sektorin e auditimit e themeluar në vitin 2013 nën emrin TPA HorWath Albania, duke përdorur markën TPA, e cila është e drejtë ekskluzive e kompanisë “Crow International” me seli në Nju Jork. Kjo e fundit është kompania ku vetë Ilir Binaj ka qenë i punësuar gjatë kohës që ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
Sipas avokates Kola, në këtë rast sipas informacioneve të vendosura nga “Vetting”, nuk kemi vetëm një shkelje.
“Në mendimin tim kemi dy shkelje ligjesh, një të shmangies së konfliktit të interesit dhe tjetra të ligjit për dypunësimin”, tha avokatja Kola.
“TPA Albania” është themeluar në mars 2013 nga aksionerët Agim Binaj, Laura Gjinali, Ilir Binaj dhe kompanitë me degë në Vjenë të Austrisë. Gjatë këtyre viteve kompania do të ndryshonte dhe sillte disa herë kompani të huaja brenda grupit aksioner. Por një detaj shumë i rëndësishëm zbërthen skemën e kompanisë dhe lidhjet e kryetatimorit.
Nëse shohim në të gjitha CV-të zyrtare, Binaj e ka fshehur lidhjen me kompaninë ndërkombëtare “Crow LLP”. Edhe te faqja e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, ku tashmë ai është kryetari rezulton se nuk e ka vendosur në CV këtë fakt. Nëse shohim faqen e kompanisë, rezulton se numri i Drejtorit të Tatimeve është ende aty dhe ngelet si pikë kontakti midis bizneseve dhe atij vetë.
Sipas avokatit Muharrem Doku, në këtë çështje ka edhe ndikime të tjera, që mund të favorizojnë subjektin e babait të tij si biznes, me marrëdhënie të ndryshme të subjekteve për ti mbajtur llogaritë, ose bilancet e të gjitha.
Një nga problemet që ka hapur konflikti i interesit është edhe e shkuara e kryetatimorit, që ka audituar monopolin e Lotarisë Kombëtare, e cila u dha me koncesion për 10 vite nga qeveria e Partisë Demokratike, për t’u modifikuar si marrëveshja nga qeveria aktuale në 2016. Madje pasi ndryshoi emrin dhe i mbaroi afati, ish Lotaria Kombëtare, ish-“Olg Project” ose “LK INVEST” është audituar nga kompania e babait “TPA Albania”.
Lotaria Kombëtare i është dhënë me koncesion në vitin 2013 kompanisë austriak Albanisch Osterreichische Lotterien Holding Gesellschaft” duke sjellë përplasje midis qeverisë nga Partia Demokratike dhe Partisë Socialiste asokohe në opozitë.
Në vitin 2016, Novomatic Gaming Industries do të blinte kompaninë austriake, duke përfituar indirekte dhe kontratën koncesionare të Lotarisë Kombëtare.
Në 10 vite aktivitet kompania do të dilte vetëm me humbje, ku edhe pse dilte me humbje do të vazhdonte aktivitetin, ku pasqyrat financiare do të auditoheshin nga “TPA Albania” e Ilir Binajt. Shpeshherë kompania do të ishte në qendër të vëmendjes për humbjet e vazhdueshme, në një kohë që gjatë aktivitetit të saj pati monopolin e lotarisë kombëtare.
Duke bërë përllogaritjet për shpenzimet dhe të ardhurat e kësaj kompani kupton që ka amortizim të lartë të pajisjeve dhe rroga të lartë që ndikojnë te bilanci negative. Të mos harrojmë që nëse kompania do të dilte me fitime, do të paguante 15% tatim, që për një kompani me xhiro kaq të lartë do të ishin të ardhura shtesë në buxhetin publik.
Mbas vitit 2023, kompania do të ndryshonte emrin nga “Lotaria Kombëtare” në “LK INVEST” së bashku me aktivitetin e saj duke e specifikuar në fushën e konsulencës financiare.
Nga të dhënat e siguruara nga “Vetting” rezulton se “LK INVEST” ka patur probleme pasi nuk ka deklaruar dhe paguar detyrimet tatimore sipas ligjit. Sipas auditit, informacioni i përcjellë nga Drejtoria e Tatimeve VIP nuk saktëson nëse është paguar apo jo detyrimi duke e lënë të paplotë rakordimin, problematike e cila qëndron dhe në muajin shkurt, mars, prill, maj, qershor të vitit 2018.
Dritëhijet e drejtoreshës së komanduar, vëllai fitoi tendera nga posta
Në qershor 2024, Ceno Klosi do të jepte dorëheqjen nga tatimet për t’u ngritur në detyrë si zv. ministër në Ministrinë e Infrastrukturës, edhe pse ishte dhe është nën hetim nga SPAK për falsifikim dokumentesh dhe fshehje pasurie.
Në vend të tij, përkohësisht do të vendosej Elidjana Çelaj, e cila më parë ka punuar në sektorin bankar dhe te Posta Shqiptare. Por ashtu si ish-Drejtori, edhe për Çelaj ka dyshime për mënyrën se si ka operuar gjatë kohës që ka qenë e punësuar në institucionet publike.
Ish-kryetatimorja ka përfituar një kompani të dhuruar nga Adrian Xhillari, i arrestuar për skandalin e naftës Virgin, e cila ngre dyshime të forta për afera sepse ky nuk është i vetmi rast kur ka dhurime.
Biznesmeni Adrian Xhillari, i njohur si administrator i kompanisë Tea Construction & Petrol sh.a, është një nga emrat më të përfolur në skandalin e njohur të “Naftës Virgin”, një prej aferave më të mëdha financiare në sektorin e karburanteve në Shqipëri.
Sipas hetimeve të prokurorisë dhe raporteve të mediave, kompania që ai drejtonte dyshohet se ka tregtuar rreth 4.4 milionë litra karburant të papërpunuar, të futur në treg pa paguar taksat dhe akcizat përkatëse.
Në vitin 2018, Xhillari u arrestua në Gjermani pas një urdhri të Interpol Tiranës, ndërsa Prokuroria kërkoi 15 vjet burg për akuzat e “fshehjes së të ardhurave”, “mospagimit të taksave” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Kujtojmë se shtrirja e hetimeve lidhet me kohën kur Xhillari ia ka dhuruar aksionet e veta të kompanisë “Ecs Eco Climate Solution” Elidjana Çelajt.
Historia e kësaj kompanie nis me themelimin në 16 tetor 2012 nga Edmond Jaupi, Adrian Xhillari dhe Elidjana Çelaj, ku Çelaj ka kontribuar me kapital 3 mijë 500 euro, Jaupi me 17 mijë 500 euro dhe Xhillari me 14 mijë euro.
Më 14 maj 2013, Xhillari ia dhuron aksionet e veta Elidjana Çelaj dhe në 19 Maj 2014, Edmond Jaupi ia dhuron pjesën e vet Çelajt, e cila bëhet zotëruese e plotë e shoqërisë. Pas disa javësh në 25 korrik 2014, Çelaj ia dhuron mbrapsht vëllait të saj, Edmond Jaupi.
Është e dyshimtë se si palët i kanë dhuruar njëra-tjetrës një kompani që ka asete me vlerë 700 milionë lekë ose 7 milionë euro dhe me xhiro vjetore 2 milionë euro. Por përveç transaksioneve, historia e kompanisë ka lidhje me tenderat dhe aferat publike.
Elidjana Çelaj do të ishte pjesë e postës shqiptare si zv. Drejtoreshë e Përgjithshme me titullar ish deputetin e Partisë Socialiste, Laert Duraj.

Gjatë kohës që Duraj ka qenë Drejtor i Përgjithshëm, kompania “Ecs Eco Climate Solution” që Çelaj i ka dhuruar vëllait të saj, Edmond Jaupit, ka përfituar tendera nga Posta Shqiptare, për të cilët ka patur ankesa në Komisionin e Prokurimeve Publike. Sipas “Openprocurement.al”, pjesë e platformës së Open Data Albania këto tendera paraqesin indicie për korrupsion.
Kjo kompani ka fituar dy tendera nga Posta Shqiptare, të parin “Mirëmbajtje Kondicionerash dhoma e serverave, UPS dhe shërbim 32 baterish” në qershor 2018 me vlerë 4 milionë lekë ose 40 mijë euro dhe të dytin “Rikonstruksion i Zyrave Postare të Filialit Posta Shqiptare sh.a. Tiranë” me ofertë fituese 10.7 milionë lekë ose 107 mijë euro.
Tenderi i fundit ka patur dyshime të forta për korrupsion sepse është skualifikuar kompania me ofertën më të ulët, e cila nxirrte jashtë loje ofertën e “Ecs ECO Climate Solution”. Më 10 janar 2019 “Colombo” shpk ka paraqitur ankesë duke pretenduar që është skualifikuar padrejtësisht, por Komisioni i Prokurimit Publik nuk e ka pranuar ankesën nga kompania. Madje kemi konflikt interesi në dukje, pasi vëllai i zv.drejtoreshës së Postës Shqiptare ka lidhur kontratën për tenderin e rikonstruksionit të zyrave, i cili është kundërshtuar te Komisioni i Prokurimeve Publike, gjatë kohës që Çelaj ka qenë në detyrë.
Kompania e vëllait të saj, Edmond Jaupi ka përfituar edhe 590 milionë lekë fonde nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, të dy tendera me ankesa dhe probleme, ku sipas “Openprocurement.al” ka indicie për korrupsion dhe favorizim të fituesit.
Duke analizuar emërimet dhe lidhjet brenda administratës tatimore kupton se interesat private dhe publike ndërthurin një rrjet interesash të padukshme, ku njerëzit që punojnë në të kanë lidhje indirekte financiare. Në rastin konkret e afërmja e Elidjana Çelajt, Klarita Jaupi ia ka shitur aksionet e kompanisë tjetër KPT shpk me vlerë totale 135 mijë euro Laert Durajt dhe Hysni Xhuraj.
Shitja e aksioneve ngre dyshime të forta për afera sepse në vitin 2015 kompania “KPT” shpk ka dalë me humbje, ashtu si do të dilte dhe në vitin 2016 ndërkohë që aksionet janë shitur brenda muajit tetor. Pra, ish Drejtori i Postës Shqiptare, Laert Duraj dhe Edmond Jaupi kanë patur njohje me njëri-tjetrin, duke ekspozuar një konflikt të mundshëm interesi, aq më pak që ish deputeti socialist Duraj i ka blerë aksionet e një kompanie të falimentuar me vlerë shumë të lartë.
Por në administratën tatimore, një nga personat brenda kupolës drejtuese të Tatimeve, Estela Dura, është e afërmja e Laert Duraj.
KLSH nxjerr në pah abuzimet tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nxjerr në pah një tablo të gjerë shkeljesh administrative, neglizhencash të përsëritura dhe mungesë përgjegjësie institucionale.
Auditimi evidenton një sërë problematikash të rënda që lidhen me mënyrën se si funksionon administrata tatimore në praktikë.
Auditi vëren se procedurat e kontrollit tatimor janë jashtë afateve ligjore. Hetimet tatimore zgjasin me muaj e vite përtej kufirit gjashtëmujor të parashikuar nga manuali i brendshëm, duke krijuar një stok të madh dosjesh të pezulluara që shkon deri te 805 kontrolle të mbetura në proces nga viti 2017. Kjo situatë tregon mungesë të plotë koordinimi midis drejtorive të riskut dhe atyre të kontrollit, si dhe mungesë transparence në përzgjedhjen e subjekteve që kontrollohen.
Një tjetër shkelje e rëndë është keqmenaxhimi i burimeve njerëzore dhe neglizhimi i rekomandimeve të mëparshme të auditimit. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se një numër i madh rekomandimesh nga auditime të kaluara nuk janë zbatuar, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ka ndërmarrë asnjë masë për personave që kanë shkelur ligjin. Madje, struktura e disa drejtorive nuk përputhet me atë të miratuar nga qeveria, me pozicione të pambushura dhe sektorë që funksionojnë nën kapacitet.
Sipas ish-drejtorit të Auditit te Tatimet av. Muharrem Doku, gjatë periudhave që ishin fushatat zgjedhore, janë rekrutuar punonjës pa kontrata pune dhe pa dhënë provimin në departamentin e administratës publike. “Kjo kuptohet që është bërë për fushatë zgjedhore”, tha avokati Doku.
Avokati shton më tej se në kohën që ka qenë drejtor auditi te Tatimet, ka dëgjuar se janë goditur shumë biznese, që nuk i shkonin për shtat qeverisë.
“Gjetjet që ka evidentuar Kontrolli i Lartë i Shtetit sipas mendimit tim janë të sakta”, konfirmon për “Vetting” avokati Doku.
Auditi evidenton gjithashtu probleme serioze me menaxhimin e aseteve publike dhe inventarizimin, ku materiale e pajisje nuk janë dorëzuar nga ish-punonjës, ndërsa procesi i kalimit të aseteve në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ka mbetur pezull. Kjo ka çuar në mungesë gjurmueshmërie për pasurinë publike në përdorim nga administrata tatimore.
Në fushën e kontrollit tatimor, auditi ka zbuluar se rreth 20 % e kontrolleve përfundohen pa asnjë rezultat konkret, duke ngritur dyshime për efektivitetin real të punës në terren dhe për mënyrën si përzgjidhen subjektet që kontrollohen.
Një tjetër gjetje shqetësuese është raportimi financiar i pasaktë, ku gjobat dhe penalitetet përfshihen si të ardhura nga kontributet shoqërore apo sigurimet shëndetësore, në kundërshtim me udhëzimet ligjore. Kjo krijon një pasqyrë të shtrembëruar të bilancit financiar të Drejtorisë së Tatimeve.
Në raport përshkruhet një administratë tatimore e ngarkuar me burokraci, pa standarde të unifikuara, me mungesë kontrolli të brendshëm dhe me përgjegjësi që nuk mbahen. Raporti ngre shqetësimin se këto shkelje nuk janë të rralla, por sistematike, një simptomë e një strukture që funksionon më shumë për të prodhuar shifra sesa për të garantuar ligjshmëri dhe transparencë në mbledhjen e Tatimeve.














