• Kontakt
Monday, October 20, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Vrasja me tritol e Isuf Jaçajt dhe hetimet që çojnë drejt rrjeteve kriminale në Tiranë e Fier

22:32 : 19/10/2025
në AKTUALITET, KRONIKE, KRYESORE

Natën e 5 tetorit, qetësia e Sarandës u thye nga një shpërthim i fuqishëm. Zhurma e motorëve dhe zëri i detit u përzien me britmat e banorëve.

Në një nga rrugët e qytetit, një makinë u përfshi nga flakët dhe brenda saj, një burrë mbeti i bllokuar.

58-vjeçari Isuf Jaçaj nuk arriti të mbijetojë. Një shpërthim me eksploziv i mori jetën në çast.

Ekspertët konfirmuan se bëhej fjalë për një sasi të konsiderueshme tritoli të vendosur poshtë makinës. Një atentat i planifikuar me kujdes, që synonte eliminimin e menjëhershëm të tij.

Shpërthimi ishte i pastër, i ftohtë… dhe profesional. Por kjo nuk ishte hera e parë që mbiemri Jaçaj përmendej në dosjet e Policisë.

Lexo edhe:

Sulmi me tritol ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci, nën hetim edhe mafia shqiptare

Zhupa: Policia e shtetit po dështon në garantimin e rendit dhe sigurisë në Sarandë

Pak muaj më parë, në një tjetër atentat, të birit të tij i ishte vendosur eksploziv në makinën personale, në një ngjarje që fatmirësisht nuk shkaktoi viktima.

Në atë kohë, ai ndodhej në burg, i arrestuar për një plagosje me armë zjarri në Sarandë.

A ishte shpërthimi i 5 tetorit 2025 një hakmarrje ndaj djalit të tij?

Një mesazh për heshtje?

Apo vijim i luftës së heshtur që prej vitesh përfshin emra të njohur të botës së nëndheshme në jug të vendit?

Një zinxhir ngjarjesh që të çon drejt një historie hakmarrjeje, heshtjeje dhe frike.

Kush qëndron pas këtij shpërthimi? Cilat janë lidhjet mes babait dhe djalit, mes viktimës dhe krimit?

Dosja e një historie që zbërthen një nga ngjarjet më tronditëse të viteve të fundit në jug të Shqipërisë.

VRASJA ME EKSPLOZIV

Ora ishte 22:50 kur në qytetin e Sarandës u dëgjua një shpërthim i fortë. Ishte data 5 tetor 2025, kur në lagjen nr.3, Policia gjeti një makinë të shkatërruar që pas shpërthimit u përfshi edhe nga flakët. Në makinën tip “Toyota”, u gjet trupi i pajetë i një personi, që më pas u identifikuar si 58-vjeçari Isuf Jaçaj.

Për rreth një orë, para se të ndodhte ngjarja, ai kishte qenë në një lokal aty pranë me disa miq. Më pas është çuar nga tavolina dhe është drejtuar për tek makina që e kishte parkuar shumë afër lokalit dhe do të shkonte në shtëpi. Sapo ka ndezur makinën, lënda plasëse e vendosur poshtë saj, që dyshohet të ketë qenë rreth 500 gramë eksploziv, ka shpërthyer. Shpërthimi sipas Policisë është kryer nga distanca. Janë hasur vështirësi në dokumentimin e plotë të ngjarjes, pasi nuk ka kamera sigurie nëpër biznese që të kenë filmuar qodtë momentin e shpërthimit, apo momentin kur është vendosur eksplozivi në makinë.

Pas një ngjarje të tillë, veprimet e para hetimore lidhen me viktimën. Të shkuarën e tij, familjen dhe rrethin shoqëror, në mënyrë që të ngrihen pistat për zbardhjen e ngjarjes.

Isuf Jaçaj, vitet e fundit punonte në sektorin e turizmit, duke transportuar turistët me skaf drejt destinacioneve të ndryshme në bregdetin e Sarandës.

Në arkivat e Policisë së Sarandës, emri i Isuf Jaçajt figuron i regjistruar në dy ngjarje ku ka mbetur i plagosur. Fillimisht në një shkëmbim zjarri ku u hodhën edhe granata në vitin 1996, në lagjen nr.4, në Sarandë, kur edhe u arrestua pasi në shtëpi iu gjetën një pistoletë dhe një krehër me fishekë. Vite më vonë Jaçaj përfshihet në një tjetër ngjarje, ku fatmirësisht i shpëton plumbave. Më 13 tetor të vitit 2011, Policia arreston një 28-vjeçar nga Fieri, me banim në Sarandë, pasi dyshohej se kishte qëlluar me automatik ndaj dy personave.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:45 në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Adem Shena”, në lagjen Nr. 3 në Sarandë. Autori i dyshuar, Edjon Muskaj, sot pronar i disa bizneseve në Sarandë, qëlloi tri herë me automatik në drejtim të automjetit tip “Mercedes Benz”, me targa të huaja, ku ndodhej Isuf Jaçaj dhe drejtues mjeti ishte Arjan Lushkaj, nga Mallakastra, me banim në Sarandë. Menjëherë pas të shtënave autori i dyshuar u largua me një automjet tip “Audi A4” ngjyrë gri. Policia gjeti në vendin e ngjarjes dy gëzhoja dhe fishekë.

Megjithatë, asnjëra nga këto ngjarje nuk rezulton të ketë lidhje me atentatin me eksploziv të datës 5 tetor 2025, ku Isuf Jaçaj mbeti i vrarë.

Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Sarandës, janë fokusuar tek një krim i mundshëm me motive hakmarrje, që lidhet më shumë me djalin e tij, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, për akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”. Jaçaj është babai i 31-vjecarit Klaus Jaçaj, i cili dushohet se strehoi një nga autorët e dyshuar për ngjarjen e ndodhur më 17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku u plagosën Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama nga Kamza.

Madje, ekzekutimit me eksploziv të Isuf Jaçajt, i parapriu një tjetër ngjarje, po me eksploziv në makinë, por fatmirësisht pa të lënduar. Disa ditë pasi kishte ndodhur plagosja në Sarandë, konkretisht më 21 korrik 2025, kur Klaus Jaçaj ishte ende në kërkim, një person i maskuar me maske silikoni, vendosi eksploziv tek automjeti i tij, duke e shkatërruar atë plotësisht. Kjo ngjarje vijon të mbetet ende pa autor.

Atentati me eksploziv ndaj Isuf Jaçajt, bëri që për disa ditë me radhë, qyteti i Sarandës të blindohej nga forcat speciale RENEA dhe FNSH. U kryen disa kontrolle në qytet, por edhe në zonat periferike të Bashkisë Konispol, me qëllim gjetjen e provave që mund të çonin në zbulimin e ngjarjes.

HAKMARRJE NDAJ DJALIT

Ngjarja, që për grupin hetimor, dyshohet të jetë bërë shkak për atentatin me eksploziv ku mbeti i vrarë Isuf Jaçaj, ka ndodhur rreth orës 15:00, të datës 17 korrik 2025. Në lagjen nr. 4, të Sarandës, 43-vjeçari Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, plagosi me armë zjarri Gëzim Hajdarajn, 33 vjeç dhe Ernest Lamën, 25 vjeç, nga Kamza.

Të dy këta persona rezultojnë me precedentë penalë në Sarandë, pasi më 8 janar 2025 kishin kundërshtuar forcat e policisë në rrugën “Skënderbeu” por kishin fituar sërish lirinë. Pas plagosjes, Hajdarajt iu gjet nga Policia një armë zjarri pistoletë dhe u arrestua në spital. Policia dhe FNSH u vunë në kërkim të dy personave.

Autori kryesor dyshohej Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, 43 vjeç, i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, aktualisht në proces gjyqësor në Sarandë për “goditje për shkak të detyrës”. Konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, pasi gjatë veprimtarisë në Greqi ka shkëmbyer zjarr edhe me Policinë greke disa vite më parë.

Ramadan Canaj, në prill të vitit 2005 ka ekzekutuar në Athinë 51-vjecarin Pushkin Kuspa, për arsye hakmarrje. Ne 31 janar të vitit 2008, gjatë ndjekjes për t’u arrestuar ai ka shkëmbyer zjarr me Policinë greke dhe u arrit të arrestohej në fund të shkurtit të vitit 2008. Ai rezulton me precedentë edhe për grabitje me armë në Greqi. Në sistemin e policisë greke rezulton i rregjistruar me 7 emra, 6 atësi dhe 10 mbiemra. Pas daljes nga burgu, në maj 2019 u tentua të ndalohej nga policia greke në rrugën “Patisia” në Athinë teksa drejtonte një mjet “Smart”. U largua duke i dhënë gaz mjetit deri sa u përplas. U ndoq dhe u arrestua bashkë më një shqiptar tjetër. Policia i gjeti një pistoletë, një thikë dhe 5 gram kokainë. Mjeti, i cili mbante targa false, rezultoi i vjedhur në 11 tetor 2018 në Notia Proastia.

Në kërkim u shpall edhe Erjon Canaj, 35 vjeç, vellai tij. Canaj në dhjetor të vitit 2022 u akuzua për dhunimin e rojës së spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt të vitit 2024 është arrestuar në banesë me 2 pistoleta por është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës më 29 prill 2025.

Pas plagosjes së datës 17 korrik në Sarandë, Ramadan Zoto u largua nga vendi i krimit, derisa u kap i armatosur në Korçë paraditen e 22 gushtit 2025. Dy prej personave që ndodheshin me të në vendngjarje ishin vetëdorëzuar më herët.

Policia e Sarandës zbardhi dhe dokumentoi plagosjen me armë të dy personave nga Kamza në qytetin bregdetar. Për ngjarjen, përveç vëllezërve Canaj, ishin shpallur në kërkim edhe Artan Murataj 43 vjeç dhe Klaus Jaçaj 31 vjeç. Dyshohet se ngjarja lidhet në një konflikt për zënien e një sipërfaqe toke, përgjatë vijës bregdetare. Dy të plagosurit nga Kamza pretendonin se dy vëllezërit Canaj u kishin zënë një pjesë të sipërfaqes së tokës. Ata kishin kërkuar takim për të sqaruar situatën, por situata kishte dale jashtë kontrollit kur ishin takuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Sarandës, më datë 17 korrik 2025, në orën 14:58, në pamjet e kamerës së biznesit “Kozi Bistro” në rrugën “Ismail Qemali” në lagjen nr.4 Sarandë, shfaqen dhe vihet re se vijnë 2 persona të identifikuar nga specialistët e policisë në komunitet si shtetasi Ramadan Vladimir Zoto (Canaj) dhe Artan Murataj, 43 vjeç, banues në Sarandë, të cilët pasi kalojnë ecin dhe futen në ambientet e brendshme të lokalit, ulen në tavolinë në krahun e djathtë të hyrjes së tij.

Dosja e Prokurorisë

Më datë 17.07.2025, në orën 14:59, në pamjet e kamerës së biznesit “Kozi Bistro” në rrugën “Ismail Qemali” në lagjen nr.4 Sarandë, në pamje vihet re se shtetasi Artan Murataj dhe Ramadan Zoto (Canaj), i cili çohet nga tavolina ku po qëndronte i ulur dhe nga brezi nxjerr një send në dukje armë zjarri pistoletë dhe drejtohet për në ambientet e jashtme te lokalit aty ku qëndronin të ulur shtetasit Gezim Hajdaraj dhe Ernest Lama. Njëkohësisht çohen në këmbë edhe shtetasit Erjon Canaj dhe Klaus Jaçaj, të cilët ndodheshin të ulur në tavolinën në zonën e jashtëm të lokalit.

Në një moment shtetasi Artan Murataj pasi shikon shtetasin  Ernest Lama duke u larguar shkon dhe afrohet drejt tij dhe fillimisht e qëllon  me grusht në pjesën e kokës dhe më pas me shkelma dhe më pas humbasin nga fushëpamja e kamerave. Njëkohësisht, shtetasit Klaus Jaçaj dhe Artan Murataj ecin në ambientet e verandës së lokalit me drejtim  nga stadiumi i qytetit të Sarandës derisa humbasin nga fushëpamja e  kamerave, ndërsa shtetasi Erjon Canaj, pasi vesh shapkat, të cilat i kishte te tavolina ku qëndronte i ulur, ecën në të njëjtin drejtim si shtetasit Ramadan Canaj, Klaus Jaçaj dhe Artan Murataj.

Në vijim të zbardhjes së ngjarjes ndër të tjera janë marrë dhe deklarimet e shtetases Agathulla G., si dhe shtetasit Angjelo M., të dy punonjës në lokalin ku ndodhi ngjarja. Gruaja që është marrë në pyetje, ka deklaruar se ka qenë në afërsi të lokalit, ku ndodhet picerie dhe nga kuzhina ka parë që para lokalit, në trotuar ka qenë një person i shtrirë në tokë, të cilin ajo nuk e njihte. Ky person i ka kërkuar që të merrte ambulancën dhe çantën e tij. Ajo ka marrë çantën dhe ia ka dhënë kamarierit me emrin Angjelo, i cili e ka lënë në banak, ku dhe u gjet nga Policia. Kjo shtetase ka deklaruar se nuk i njeh personat e plagosur as ata që qëlluan, pasi nuk i ka parë, duke qenë se ndodhej larg.

Ndërsa personi tjetër që është marrë në pyetje, me emrin Angjelo, ka qenë i punësuar si kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe ishte turn i dytë në punë.

Kamarieri Angjelo M.

Dua të shpjegoj se në lokal u ulën dy persona, të cilëve nuk u ishte marrë porosia akoma. Unë në atë kohë ndodhesha në banak, pasi po ndihmoja me porositë e tjera ndërsa kamarieri tjetër ndodhej te pjesa e picerisë. Në këtë moment unë dëgjova vetëm një të bërtitur dhe shkrepjen e armës ku më pas unë dhe banakierja, shtetasja Eriselda Rr. u futëm menjëherë në kuzhinë edhe mbyllëm dyert. Kur ndodheshim në kuzhinë dëgjuam disa njerëz, të cilët donin të hapnin derën e tualetit.

Pas disa minutash, pasi nuk kishte më zhurmë, ne dolëm nga kuzhina dhe pamë një person, i cili ishte i plagosur dhe po qëndronte i shtrirë në rrugë, në hyrje të lokalit. Unë shkova dhe mora disa shishe ujë dhe prisnim ambulancën të arrinte. Dua të sqaroj se unë nuk e njihja shtetasin i cili ishte i plagosur madje nuk e kisha parë ndonjëherë.

Sipas Prokurorisë, nga provat e marra ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Artan Murataj dhe Klaus Jaçaj kanë ndihmuar autorët e dyshuar të kryerjes së veprës penale, për largimin dhe fshehjen e tyre me qëllim shmangien e tyre nga organet e hetimit dhe policisë.

Më datë 19 korrik, dy ditë pas ngjarjes, Artan Murataj është paraqitur në Komisariat. Duke qenë se kishte shkaqe të bazuara për të menduar se kishte rrezik ikjeje, ndaj tij është proceduar me urdhër ndalimi po atë ditë. Nga ana e policisë gjyqësore, në orën 23:30 është ekzekutuar urdhri i ndalimit të prokurorit ndaj Artan Muratajt, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ndërsa Klaus Jaçaj ka vijuar t’i shmanget përballjes me Policinë edhe për disa ditë, derisa më 24 korrik është arrestuar

Gjatë kohës që i biri qëndronte në arrati, babai i tij, Isuf Jaçaj, i cili humbi jetën në atentatin me eksploziv të 5 tetorit 2025, i ka telefonuar të birin duke i kërkuar të dorëzohej në Polici.

Telefonata: Duhet të dorëzohesh vetë në polici për përkrahjen e autorit të krimit, në të kundërt do të vijë unë të gjej ku je fshehur dhe të dorëzoj në polici me duart e mija, keni plagosur dy të rinj kupton…

Klaus Jaçaj ndihmoi autorin e plagosjes të fshihej në shtëpinë e tij më pas i mundësoi largimin drejtë Korçës, pas këtyre veprimeve katër ditë më pas në 22 Korrik, Klaus Jaçajt i hodhën makinën në erë me eksploziv.

Por gjatë kësaj kohe, Klaus Jaçaj ishte kërcënuar seriozisht me jetë, ku i kërkohej që të dorëzonte autorin e plagosjes, Ramadan Canajn.

Mesazhi: Dorëzo Ramadan Canajn, në të kundërt do të vrasim ty dhe familjarët e tu…

Në fakt, se sa serioz ishte ky kërcënim do të provohej në ditët në vazhdim, edhe pas arrestimit të Ramadan Canajt.

Më 21 korrik 2025, pak ditë pas përplasjes me armë, i vendoset tritol makinës së Klaus Jaçajt. Në atë kohë, Jaçaj ishte person në kërkim në lidhje me plagosjen pranë stadiumit të qytetit. Nga shpërthimi u shkatërrua plotësisht makina e parkuar, por pati dhe dëme të shumta në një banesë dhe në një automjet tjetër. Policia rrethoi zonën dhe ngriti pika kontrolli në hyrje daljet e qytetit, por deri më sot askush nuk është arrestuar në lidhje me këtë ngjarje. Kamerat e sigurisë kishin fiksuar një person të dyshimtë me maskë silikoni, por nuk u arrit të identifikohej.

Policia e Sarandës

Më datë 21 korrik 2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit Klaus Jaçaj, 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17 korrik 2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.

Pas shpërthimit tragjik në Sarandë, ku humbi jetën 58-vjeçari, hetuesit nisen nga pyetja kryesore: Kush kishte interes të kryente këtë sulm dhe pse?

Në vendngjarje, Policia gjeti mbetje eksplozivi të tipit C-4 ose tritol, çka tregon për një nivel profesionalizmi që e tejkalon një konflikt të zakonshëm personal. Ekspertët e kriminalistikës zbuluan se mekanizmi i shpërthimit ishte i ngjashëm me disa raste të mëparshme në jug dhe në Tiranë.

Grupi hetimor ka dyshime se porositësit e atentatit mund të jenë nga Tirana, pjesë e një rrjeti kriminal që ka lidhje edhe me trafikun e lëndëve plasëse dhe porositjen e ekzekutimeve. Eksplozivi nga ana tjetër ka dyshime se mund të jetë siguruar në Fier, një zonë ku vitin 2023 u dokumentua një rast i trafikut të eksplozivit.

Në këtë pikë, hetimi kthehet pas në kohë:

Në vitin 2023, policia e Fierit arrestoi Albi Meçinin, një 35-vjeçar me precedent penal, i kapur me 21 kilogramë eksploziv. Aksioni u krye më 28 shtator të vitit 2023 në qytetin e Fierit, pas informacioneve në rrugë operative, ku Meçini bashke me dy të tjerë u kapën me 21,6 kg lëndë eksplozive. Albi Meçini është i dyshuar edhe për rrëmbimin dhe zhdukjen pa gjurmë të dy personave në Sarandë, Fatmir Sulovarit dhe Leonard Thodhorit.

Personi tjetër që akuzohet bashkë me të, Ervis Cukali akuzohet si njeriu që siguroi 21 kg eksploziv dhe që u kap në Sarandë nga policia, në një ndjekje spektakolare, teksa bashkë me dy shokët e tij tentoi të shpëtonte duke u hedhur në det.

Tani, hetuesit po kontrollojnë nëse eksplozivi i përdorur në shpërthimin e fundit në Sarandë ka të njëjtin përbërje kimike me atë që iu sekuestrua Meçinit. Një detaj që mund të zbulojë rrjetin e vërtetë pas tragjedisë. Mekanizmi i aktivizimit, sipas burimeve të policisë, ngjante me atë të një atentati ndodhur pak vite më parë në Tiranë.

Në pistën më të fortë: porositësit janë në Tiranë, logjistika në Fier, dhe atentati ndodh në Sarandë. Një trekëndësh i krimit që përfshin tregtinë e lëndëve plasëse, porositësit e atentateve dhe ekzekutorët lokalë.

Hetimi vazhdon, por çdo ditë që kalon, për hetuesit bëhet më e qartë se shpërthimi në Sarandë nuk ishte një rast i izoluar…

Ishte pjesë e një zinxhiri më të madh krimi, që bashkon Tiranën, Fierin dhe Jugun në të njëjtën hartë të errët të botës së nëndheshme. Një histori ku fijet e krimit kalojnë nëpër disa qytete, duke lënë pas vetëm heshtje dhe frikë.

ATENTATET ME EKSPLOZIV

Zhurma e këtij shpërthimi mund të jetë një mesazh.

Një kërcënim për hesape të pambyllura.

Apo paralajmërim për një gjobë të vënë që nuk është shlyer. Por nga ky shpërthim dikush mund të ketë mbetur i gjymtuar. Madje edhe i vrarë.

Shpërthimet e tritolit, të ndodhura jo rrallë në vendin tonë, kanë qenë të gjitha për një arsye të tillë. Dhe veç të tjerash kanë shkaktuar edhe terror tek qytetarët që nuk kanë pasur të bëjnë fare me historinë e askujt.

Eksplozivi konsiderohet si arma që nuk lë gjurmë dhe zhduk çdo provë. Një minë, prodhohet lirë, përdoret lehtë dhe pas shpërthimit të saj autorët është e vështirë të identifikohen.

Një nga autorët e arrestuar për këto ngjarje shprehej në gjykatë: Zgjodha këtë mënyrë pasi nuk doja të ballafaqohesha me viktimën. Eksplozivi nuk lë gjurmë në vendngjarje, kështu ndihesha më i sigurt…”

Përdorimi i eksplozivit në ngjarje kriminale në këto 30 vjet ka pasur një historik që në ndonjë rast bëhet i frikshme. Në vitin 1992 kanë ndodhur 18 ngjarje me eksploziv që erdhën duke u rritur vit pas viti.

Në vitet ’94 – ’95, 100 rastet e përdorimit të eksplozivit ishin të kryera në tri zona në Veri të vendit dhe për këtë arsye ky lloj krimi u konsiderua “krim me origjinë nga veriu”. Por shtrirja e këtyre ngjarjeve në zona të tjera, kryesisht në Gjirokastër bëri që konceptimi të ndryshonte.

Në vitit ’97 – ’99 ndodhën disa ngjarje me eksploziv që u cilësuan akte terroriste, 148 të tilla, 8 shpërthime në banesa gjyqtarësh, pa viktima por me dëme të konsiderueshme. 140 raste të tjera me dëm material rreth 3 milionë dollarë dhe 34 persona mbetën të gjymtuar.

Ngjarje të tilla vazhduan edhe në vitet në vazhdim. Për një periudhë të gjatë Kruja u konsiderua vendi më problematik, kryesisht pas nisjes së punimeve për fabrikën e çimentos. Një akt i mirëfilltë terrorist, i konsideruar në atë kohë si tentativë vrasje e ish-kryeministrit Ilir Meta, ndodhi në dhjetor të vitit 2000, ditën kur do bëhej përurimi i fabrikës.

Më pas, po në këtë zonë, shtyllat e tensionit të lartë u bënë objekt i vazhdueshëm i shpërthimeve me eksploziv. Vitet e fundit, shpërthimet e tritolit u kthyen në një fenomen dhe u bënë të shpeshta, kryesisht në Vlorë dhe Tiranë.

Pjesa më e madhe e atentateve, që kanë shkaktuar plagosjen apo vdekjen e objektivit dhe që janë realizuar me eksploziv, vijojnë edhe sot të jenë pa autor.

Megjithëse, sidomos vitet e fundit, Policia ka goditur disa grupe që realizonin krime të tilla. Madje disa autorë, të kthyer në të penduar, kanë zbërthyer jo vetëm mekanizmin se si funksiononin këto grupe kriminale, por kanë treguar se sa me lehtësi sigurohet tritoli që përdoret në atentate. Kompani të licencuara për përdorimin e lëndëve plasëse, shpesh janë bërë burim furnizimi për grupet kriminale.

Atentate të realizuara me mina të komanduara në distancë apo edhe nga afër me fitil, herë kanë dështuar e herë janë realizuar. Ngjarje të tilla nuk mungojnë thuajse asnjë vit. Por disa prej tyre konsiderohen si akte terroriste.

Madje në vitin 2000, ish-prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi, vendosi rihetimin e të gjitha dosjeve të këtyre ngjarjeve të mbetura pa autor. Duke nisur nga ajo më e rënda, ngjarja e datës 26 shkurt 1996, vendosja e bombës në supermaketin VEFA, që vrau 4 qytetarë e plagosi 11 të tjerë në qendër të Tiranës. Shpërthimi i tritolit në banesën e gjyqtarit, Prel Martini, nëntorin e vitit 1996 dhe në banesën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, më 11 shtator të vitit 1998, ngjarje të ndodhura në Tiranë.

Një sasi prej 25 kg tritol e vendosur brenda një makine “Fiat”, që ngjante si makinë Policie, shkaktoi një ngjarje tragjike më 26 shkurt të vitit 1996 në qendër të Tiranës. Akti terrorist i hedhjes në erë të supermarketit të firmës VEFA pa dyshim konsiderohet ngjarja më e rëndë. Bilanci ishte tragjik, me 4 te vdekur dhe 11 te plagosur. Viktimat e asaj ngjarjeje ishin Vera Dume, Muhamet Karamani, Hasim Karamani dhe Vait Osmani.

Tritoli që rezultoi të ishte blerë në Lushnjë, ishte aktivizuar nga afër me fitil zjarrpërcjellës, nga një person që e afroi makinën pranë derës së supermarketit. Pasi bëri ndezjen, ai zbriti dhe u largua me vrap.

Më 27 shkurt të vitit 2005, rreth orë 23:40, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse kanë gjetur vdekjen Vajdin Lame dhe Artan Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte Vajdin Lame, në rrugën “Dervish Hima”, në Tiranë. Lënda plasëse ka qenë e vendosur në kabinën e ashensorit dhe ka shpërthyer në momentin kur ashensori ndodhej në katin e pestë të ndërtesës, ndërsa ishte duke u ngjitur në katin e tetë.

Artan Arsi kishte mbaruar shkollën me Vajdin Lamen dhe ishin miq të vjetër. Arsi kishte jetuar në Shkodër, por prej rreth 4 muajsh, para se të vritej u zhvendos në Tiranë dhe jetonte me bashkëshorten e dy fëmijët në një banesë me qira pranë Stacionit të Trenit. Arsi punonte si menaxher në një firmë zvicerane për barna farmaceutikë dhe gjatë kohës që nisi të jetojë në Tiranë, takohej çdo ditë me Vajdin Lamen. Edhe natën para se të vriteshin të dy, Artan Arsi ka qëndruar në lokalin e Lames, duke e pritur derisa ai të ndahej nga dy arkitektë italianë, me të cilin ishte ulur në një kënd tjetër të lokalit dhe po bisedonin për rikonstruksionin e ish-kampit të punëtorëve në Durrës.

Sulmi që për shumë vite me radhë kishte mbetur pa autor, ishte realizuar falë një telekomandimi tepër profesional në momentin që dy shokët e fëmijërisë gjendeshin në ashensor, në një pallat pranë ish-stadiumit “Qemal Stafa”, sot “Air Albania”.

Banda e Lushnjës ka ekzekutuar me bombë me telekomandë Enver Rabinë, më 5 mars të vitit 2005, në Tiranë. Rabija ka rënë pre e një kurthi të organizuar nga ushtarët e Aldo Bares. Ata e kishin urdhëruar për të eliminuar një nga ish-punonjësit e Policisë së Shtetit që i kishte sulmuar në vitin 1997.

Por në momentin që Rabija është nisur në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë, bomba që mbante në dorë ka shpërthyer, duke e lënë të vdekur në vend. Historia e mësipërme është treguar para Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga një shok i ngushtë i Rabisë. Dëshmitari Pëllumb Beqiri, një efektiv i policisë në Burgun e Rrogozhinës, deklaron detaje të pathëna të ekzekutimit mafioz të Rabisë. Ai ka treguar se ka takuar Enverin tri ditë para ngjarjes në një lokal në Tiranë. Gjatë takimit, i ka thënë se “banda më do të vdekur dhe më ka lënë një detyrë të vështirë”.

Në dosjen e Prokurorisë shpjegohet ngjarja e ndodhur në orën 04:30 të mëngjesit, në vendin e njohur si “pallatet e sizmikut”, ku u gjet trupi i pajetë i një personi që për shumë kohë mbeti i paidentifikuar. Më vonë rezultoi se bëhej fjalë për shtetasin Enver Rabija. Ngjarja në fillim u hetua në tri drejtime. Si një ngjarje aksidentale, që viktimës mund t’i kishte plasur mina në dorë dhe ishte nisur për ta vënë në ndonjë ndonjë shtëpi. Kjo për arsye se në pallatin ku ndodhi ngjarja jetonin disa prokurorë dhe oficerë policie. Madje jetonte edhe nëna e oficerit Klenti Bano, një oficer Policie që u vra nga banda e Lushnjës. U hetua edhe si një vetëvrasje e mundshme dhe si një ekzekutim. Më vonë rezultoi se bëhej fjalë për vrasje.

Magjistrati i çështjeve civile në Gjykatën e Vlorës, Skerdilajd Konomi, humbi jetën pasi një shpërthim ndodhi në makinën e tij më 9 shtator 2011, teksa gjyqtari shkonte në punë. Atë mëngjes, gjyqtari i ri ishte me mjaft nxitim për në punë. E priste një ditë e ngarkuar me shumë gjyqe. Teksa po hipte në makinën e tij, vuri re që i kishte rënë goma dhe duke qenë se nxitonte hipi në makinën tjetër. Një makinë tip “Benz”, model i vjetër, që kryesisht e përdorte bashkëshortja. Por duket se e gjithë kjo ishte një kurth për të. Eksplozivi ishte vendosur pikërisht në makinën ku ai hipi dhe jo në atë me gomë të rënë.

Konomi udhëtoi vetëm pak metra dhe makina shpërtheu në ecje. Ai mbeti i vdekur, ndërsa pistat kryesore të hetimit ishin vrasja për detyrën dhe konfliktet e pronësisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda rihapi hetimet në vitin 2013, pasi ishte vlerësuar e nevojshme rihapja e dosjes me anë të rivlerësimit të provave që ndodhen në fashikull. Ekzekutimi me eksploziv në makinë, i gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, edhe pse u hetua për një kohë të gjatë, mbeti pa autor. Prokuroria e Krimeve të Rënda pezulloi kryerjen e veprimeve hetimore, pasi u vlerësua se nuk kishte prova të mjaftueshme për identifikimin e autorit të krimit.

Është mëngjesi i datës 9 maj 2012. Ora shënon 7 e 35 minuta. Një shpërthim i fuqishëm trondit edhe muret rrethuese të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Një sasi eksplozivi shpërthen vetëm pak metra larg saj, në një vilë dy katëshe në sheshin mes rrugës që të çon nga Liceu Artistik për në Qytetin Studenti.

Eksplozivi ishte lidhur nga jashtë portës së kësaj vile, ku jetonte zëvendësdrejtor i Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë. Anwar Rizik, 43 vjeç, shtetas palestinez ishte duke dalë nga shtëpia në atë moment. Ai jetonte aty me gruan e tij shqiptare dhe djalin 5-vjeçar. Po nisej për në punë, drejt Fushë-Krujës, por fillimisht do shoqëronte djalin për në kopsht.

Nuk ka arritur të bëjë asnjë hap përtej portës. Sa e hapi, eksplozivi u aktivizua e shpërtheu duke e lënë të vdekur në vend. Fatmirësisht djali i tij i mitur, edhe pse ndodhej vetëm 3 metra larg tij, nuk pësoi asgjë. Ndërsa 43-vjeçari Anwar Rizik, mbeti i vrarë në mënyrën më makabre, duke pësuar gjymtime në pjesë të ndryshme të trupit.

Gruaja e tij shqiptare, e alarmuar nga ngjarja ka nxituar të lajmërojë policinë, nëpërmjet sallës operative. Ndërsa për shkak të distancës së afërt me vendin ku ndodhi shpërthimi, por edhe të alarmuar nga ajo çfarë kishte ndodhur, në vendin e ngjarjes kanë shkuar të parët personeli i Ambasadës Amerikane.

Sipas policisë, eksplozivi ishte vendosur në vendin ku bashkohen dy kanatet e portës. Zona ku ndodhi ngjarja, ka qenë e vëzhguar nga kamera sigurie, por asnjë prej tyre nuk ka fokusuar autorin. Pritej ekzaminimi i kamerave të Ambasadës Amerikane, 20 metra larg vendit të ngjarjes, por nga këqyrja paraprake nga vetë personeli i ambasadës, ka rezultuar se nuk kanë filmuar autorët e ngjarjes.

Inxhinieri Anwar Rizik, i cili prej një viti kishte marrë edhe shtetësinë shqiptare, punonte dhe jetonte prej rreth 14 vitesh në Shqipëri.

Policia shoqëroi disa banorë të fshatit Zall të Krujës, por asnjëherë s’u arrit dokumentimi me prova shkencore për përfshirjen e tyre në atentat. Ngjarja u hetua si vazhdim i disa sulmeve të mëparshme me eksploziv ndaj fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë.

Mesditën e 11 qershorit të vitit 2022, një sasi e madhe eksplozivi e vendosur në makinën e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, shpërtheu duke e plagosur rëndë. I riu ndërroi jetë pak momente më pas, si pasojë e plagëve të rënda. Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, pranë qendrës tregtare. Qytetarë të shumtë u bënë dëshmitarë të pamjeve të rënda dhe ishin të parët që i erdhën në ndihmë Sadikajt, duke e transportuar me një makinë të rastit drejt spitalit.

Aleksandër Sadikaj ishte nisur drejt Memaliaj kur makina “Volkswagen”, me targa AB 077 PO që drejtonte, shpërtheu në ecje. Në një zonë me shumë lëvizje siç ishte vendi ku ndodhi shpërthimi, ngjarja mund të kishte pasoja edhe më të rënda. Por fatmirësisht nuk u dëmtua askush tjetër.

Sipas ekspertëve, autorët mund të kenë qenë duke vëzhguar lëvizjen e tij dhe kanë aktivizuar lëndën plasëse në momentin kur nuk ka pasur makina të tjera afër.

Menjëherë pas vrasjes së tij, Policia nxitoi të tregonte precedentët, duke e konsideruar si një person me precedentë të theksuar kriminal, megjithatë deri më sot askush nuk është në burg për atë ngjarje. Nga ana tjetër, Sadikaj merrej edhe me biznes. Ai ishte pronar i një resorti me pistë hipizmi në Memaliaj, që në fakt ishte vendlindja e nënës së tij dhe kalonte një pjesë të madhe të kohës atje.

Prokuroria e Tiranës hetoi në disa pista, përfshirë edhe atë të larjes së hesapeve për shkak të konflikteve të ashpra ku ishte përfshirë në Greqi. Madje për një kohë të gjatë kishte vuajtur dënimin atje, pasi akuzohej për një vrasje të ndodhur 8 vite më parë në Athinë, për prishjen e pazareve të drogës. Gjithashtu, po hetohej edhe si i përfshirë në një grup të strukturuar kriminal që vepronte një vend të Bashkimit Europian.

Dëshmitë e familjarëve të tij, nisur nga takimet dhe lëvizjet e fundit që kishte bërë pak para vrasjes, orientuan grupin hetimor drejt një biznesmeni nga Fieri, që qëndronte kryesisht në Sarandë, i cili u ekzekutua 6 muaj pas vrasjes së Sadikajt.

Nëna e Aleksandër Sadikajt ka rrëfyer për oficerë e Policisë se djali i saj, para se të vritej kishte qëndruar në hotelin “Blue Sky” në Sarandë, në pronësi të Edmond Papës, duke shtuar dyshimet se familja Papa kishte gisht në ekzekutimin mafioz të 27-vjeçarit. Familja kishte kryer një hetim paralel për të zbuluar vrasësit dhe informacionet i kishin çuar atje. Nëna e Sadikajt, tregonte se i biri nuk kishte qenë i vetëm në këtë hotel, por ishte në shoqërinë e dy personave të tjerë, njëri prej të cilëve Ledjan Alushaj dhe tjetri i quajtur Xhino.

Të dy këta persona, nëna e Sadikajt i konsideron si të përfshirë në ngjarje edhe pse ishin miqtë e djalit të saj. Sipas dosjes së Prokurorisë, Ledjani rezulton se e ka këshilluar Sadikajn që makinën e tij tip “Volkswagen”, të bardhë ta çonte në fshatin Kurjan në Fier, te magazinat e dajës së Edmond Papës. Kjo sipas nënës së tij, me qëllimin për ta rregulluar pas një defekti teknik që kishte automjeti.

Edmond Papa ishte takuar me Aleksandër Sadikajn dy ditë para se të ndodhte shpërthimi në autostradën Tiranë-Elbasan. Madje, emri i tij ishte një ndër kontaktet e fundit në telefonin e Sadikajt, kur u verifikua për llogari të hetimeve. Edhe familjarët e Sadikajt, që në ditët e para të ngjarjes kanë pasur dyshime se Edmond Papa kishte “gisht” në vrasjen e 27-vjeçarit. Këtë ia kishin thënë edhe grupit hetimor. Megjithatë, edhe pse kishte dyshime, Policia nuk kishte siguruar ende prova që ta lidhte direkt apo indirekt Edmond Papën me këtë ngjarje.

Familjarët e Aleksandër Sadikaj dhe shokët e tij, kishin pasur dyshime se vrasja ishte organizuar në qytetin e Sarandës dhe në Kurjan të Fierit.  Ata vazhdimisht janë interesuar dhe angazhuar privatisht për të mësuar detaje me qëllim dhe hakmarrjen për vrasjen e personit të tyre të afërt.

Shpërthimi që tronditi Sarandën nuk ishte thjesht një akt dhune. Ishte një mesazh. Një sinjal, që në prapaskenë, ende sot, ekziston një betejë e heshtur mes grupeve që kërkojnë pushtet, ndikim dhe hakmarrje.

Pas çdo prove të djegur, pas çdo heshtjeje zyrtare, qëndron një rrjet i errët interesash, ku kufiri mes ligjit dhe krimit bëhet i paqartë.

Hetimet zyrtare vijojnë, por në qytet ende flitet me zë të ulët. Sepse askush nuk do të jetë dëshmitari i radhës.

Në fund, mbetet pyetja që nuk gjen përgjigje: A ishte ky shpërthim një paralajmërim… Apo vetëm fillimi i diçkaje më të madhe?

Një histori që nis në Sarandë, por që mund të ketë rrënjë shumë më thella. /Emisioni Gjërat Tona

Etiketa: atentatIsuf Jaçajsarandetritol

Lajme të lidhura

BOTA

Sulmi me tritol ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci, nën hetim edhe mafia shqiptare

19:34 : 19/10/2025
AKTUALITET

Zhupa: Policia e shtetit po dështon në garantimin e rendit dhe sigurisë në Sarandë

12:05 : 19/10/2025
AKTUALITET

Përplasi automjetin në shtyllën elektrike në gjendje të dehur, arrestohet 18-vjeçari në Sarandë

16:46 : 17/10/2025
AKTUALITET

Babai i britanikes që u mbyt në Sarandë: Vajza ime vdiq në duart e gangsterit shqiptar

16:24 : 17/10/2025
AKTUALITET

“Bënë be në Kuran që s’kanë dijeni”/ Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, dëshmon pajtuesi i gjaqeve

11:03 : 17/10/2025
RAJONI

Atentat në Qipro, vritet me armë zjarri biznesmeni dhe presidenti i klubit të futbollit

10:59 : 17/10/2025
Para

“Shkruhet historia!”/ Në Çashkë të Maqedonisë së Veriut zgjidhet për herë të parë një kryetar shqiptar

TË GJITHA

Horoskopi ditor, e Hënë 20 tetor 2025

22:57 : 19/10/2025

“Shkruhet historia!”/ Në Çashkë të Maqedonisë së Veriut zgjidhet për herë të parë një kryetar shqiptar

22:45 : 19/10/2025

Vrasja me tritol e Isuf Jaçajt dhe hetimet që çojnë drejt rrjeteve kriminale në Tiranë e Fier

22:32 : 19/10/2025

Tragjedia në Maliq, shefi i zjarrfikëses zbulon detaje: Nënë e bir vdiqën nga asfiksia, vajza kishte djegie në fytyrë

22:12 : 19/10/2025

Lista Serbe sfidon Kuvendin e Kosovës dhe rrezikon formimin e Qeverisë së re

22:05 : 19/10/2025

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, dalin rezultatet e para

21:44 : 19/10/2025

Grabitja e bizhuterive, Macron: Do t’i gjejmë veprat e vjedhura, autorët do të përballen me drejtësinë

21:38 : 19/10/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com