Kompanitë publike janë shoqëri pronësia e të cilave zotërohet nga shteti. Këto ndërmarrje themelohen me një qëllim kryesor: të kenë aktivitet të mirëfilltë tregtar dhe synojnë fitimin, një pjesë e të cilit më pas transferohet në buxhetin e shtetit ose të bashkive që i kanë në pronësi.
Shqipëria ka me qindra ndërmarrje publike, një pjesë që parazitojnë dhe një pjesë tjetër që kanë aktivitet tregtar të lartë në sektorë jetikë si energjia, uji, nafta, institucionet financiare apo portet.
Së fundi interesi është shtuar për të themeluar ndërmarrje të reja të cilat operojnë në fushën e ndërtimit dhe investimeve siç është rasti i Korporatës së Investimeve.
Një tjetër nisëm është themelimi i një banke me kapital publik. Duket si kthim pas në kohë: dikur bankat i privatizuam, sot po hapim bankë shtetërore.
Por jo vetëm kaq!
Shqipëria ka themeluar kompani dhe në fushën e prodhimit të armëve, në prodhimin e pullave fiskale në bashkëpunim me një tjetër firmë private, madje ndërmarrjet publike po themelohen në formë guaskash, ku kemi firma shtetërore që themelojnë nënkompani të tyre për qëllime të tjera.
Shteti shqiptar ka kompani të cilat kanë rol të vogël, por që për 1 funksion që mund të zgjidhet nga dy punonjës të vetëm, themelohen ndërmarrje, të cilat kanë drejtor të përgjithshëm, këshilltarë të tij, drejtor të burimeve njerëzore, drejtor finance, specialistë dhe anëtarë të bordeve drejtues.
Një shembull ilustrues është ai i Tirana DC, kompani e themeluar nga Bashkia Tiranë për rindërtimin dhe zhvillimin e pasurive në pronësi të saj.
Që nga viti 2020 deri më sot, Tirana DC ka arkëtuar 0 të ardhura dhe ka shpenzuar 3.6 milion euro të cilat i ka marrë nga buxheti i Bashkisë Tiranë. Kompania rezulton me humbje, ndërsa 30 të punësuarit e saj nuk kanë arritur që të nxjerrin të ardhura as për të mbuluar pagat e tyre.
Godina e kompanisë ndodhet në një ambient me qira, kur vetë qëllimi i saj është të japë me qira ndërtesat bosh që ka në pronësi bashkia.
Tirana DC ka funksione dubluese të disa agjencive të tjera. Deri disa vite më parë, funksionin zhvilluesit të pronave publike e kryente Drejtoria e Pronave në Ministrinë e Ekonomisë dhe Enti Kombëtar i Banesave i cili kishte qëllim kryesor strehimin.
Në 5 vjeçarin e fundit, shteti është bërë aktiv në themelimin e kompanive publike që synojnë përfitimin dhe menaxhimin e pronave, siç është Korporata e Investimeve apo Albanian Seaports and Development që menaxhon projektin e rezidencave të banimit dhe marinës turistike në Portin e Durrësit. Shoqëri të ngjashme në menaxhimin e pronave publike janë krijuar dhe nga disa bashki të tjera në vend.
Jo vetëm shoqëritë që parazitojnë, por gjatë dekadës së fundit, edhe kompani dikur të shëndetshme janë në degradim.
Një raport i prodhuar nga Ministria e Financave, i cili raporton ecurinë e monitorimit të buxhetit gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, pasqyron gjendjen e ndërmarrjeve publike, ku shumica e tyre rezultojnë janë me humbje, dhe një pjesë janë në rrezik falimenti!
Situata financiare e Albcontrol është e vështirë. Vlera e kapitalit të shoqërisë është 73 milion euro, ndërsa detyrimet janë dy herë më shumë: 150 milion euro.
Albcontrol ishte kompani publike në pronësi të Ministrisë së Financave në fushën e ofrimit të kontrollit të trafikut ajror. Së fundi është kthyer në agjenci publike jo buxhetore.
Albcontrol mbledh të ardhura të veta, të cilat i mundësojnë investimet, pagesën e kontrollorëve dhe mbarëvajtjen e detyrave funksionale. Këto të ardhura derdhen pranë agjencisë europiane Eurocontrol dhe prej disa vitesh janë të bllokuara nga përmbarimi për shkak të çështjes së arbitrazhit kundër Shqipërisë të fituar nga biznesmeni Françesko Beketi.
Të dhënat e siguruara nga emisioni “Kronos” tregojnë se vetëm gjatë tre viteve të fundit, Albcontrol ka marrë gjithsej 32 milionë euro hua nga tre agjenci shtetërore: Autoriteti Portual Durrës, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Autoriteti i Aviacionit Civil, duke shkaktuar një zinxhir borxhesh mes institucioneve publike. Kjo situatë është denoncuar disa herë nga deputetët e opozitës.
Në fushën e naftës dhe të gazit Shqipëria ka dy kompani publike.
Më e vjetra e cila renditet ndër firmat më të mëdha të sektorit shtetëror është Albpetrol. Albpetrol administron pasuritë nëntokësore të naftës në Shqipëri, të cilat dhe pse janë të shumta, keqmenaxhimi i tyre ka bërë që të renditemi në listën e vendeve me çmimet më të larta të karburantit në botë. Eksportojmë mesatarisht 200 mijë ton më shumë se sa na duhet me konsum, ndërsa rafinerinë e përpunimit të naftës së rëndë e kemi zhdukur.
Paguajmë 7 taksa te çdo litër naftë që blemë, të cilat përbëjnë gjysmën e çmimit. Nëse pasuritë e nëntokës do të eksportoheshin, fitimet që Albpetrol do të derdhte në buxhet, mund të zbutnin peshën e disa prej këtyre taksave.
Por nuk ndodh kështu.
5 vitet e fundit kompania publike e prodhimit të naftës rezulton me humbje. Në fund të vitit 2024 humbjet e mbartura kapën vlerën 40 milion euro, ndërsa si vit financiar, kompania e mbylli me 5 milion euro humbje.
Albpetrol arkëtoi 60 milion euro nga shitja e naftës dhe renta që merr nga kompanitë koncensionare që kanë në shfrytëzim vendburimet e saj, por ka shpenzuar 65 milion euro!
Astet e Albpetrol vlerësoheshin se mund të shiteshin 300 milion euro në vitin 2012, dhe disa vite më parë ato ranë në 212 milion euro. Nëse këtu do të llogariten edhe humbjet apo detyrimet që nuk mund të vilen, vlera e kompanisë në dekadën e fundit i bie të jetë përgjysmuar, ndërsa është zhytur në një spirale borxhesh që ajo i ka të tretëve apo kontraktorët i detyrohen asaj.
Albgaz është një shoqëri e themeluar në vitin 2017 me qëllim transmetimin e gazit, depozitimin dhe operimin e terminaleve të gazit.
Dhe pse me pritshmëri të larta, kompania deri më sot ka patur një aktivitet modest. Të ardhurat e saj rezultuar 380 mijë euro vitin e shkuar, ndërsa shpenzimet 1.4 milion euro duke rezultuar me 1 milion euro humbje. Vlera e detyrimeve është 6.8 milion euro, 300 mijë euro më pak se vlera e kapitalit të saj.
Prej vitesh Hekurudha shqiptare është në gjendje të vështirë financiare. Nga viti 2009 dhe deri më sot, kjo shoqëri regjistron vetëm humbje. Të ardhurat mesatare gjatë viteve të fundit janë afërsisht 1 milion euro në vit, nga 3 milion euro që ishin më parë.
Aktualisht po investohet në ndërtimin e segmentit Tiranë-Rinas-Durrës, por projekti është me vonesë në afate dhe kërkon financim shtesë.
Me nisjen e reformës në sektorin energjetik, qeveria u angazhua të merrte përsipër zgjidhjen e zinxhirit të borxheve që kompanitë publike kishin ndaj njëra tjetrës.
Në Shqipëri, prodhuesi kryesor i energjisë është Korporata Elektroenergjetike, e cila energjinë e saj ia shet me një çmim të rregulluar Operatorit të Energjisë Elektrike. Ky e shpërndan më pas dhe faturon qytetarët. Energjia transmetohet në rrjetin e tensionit të lartë nga OST që është operatori i transmetimit, për përdorimin e këtij rrjeti paguan OSHEE dhe KESH në rastet kur importon dhe eksporton energji.
Por edhe pse në vitin 2014 u morr një nisëm për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura jo vetëm ndaj sektorit privat por dhe brenda ndërmarrjeve shtetërore, borxhet e kompanive të energjisë ndaj njëra tjetrës vetëm janë rritur, duke kapur vlerën 1.7 miliard euro.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dha një kredi të butë me qëllim shlyerjen e detyrimeve që OSHEE kishte ndaj KESH, por borxhi sërish u rrit.
Sot jemi në këtë situatë: çmimi i energjisë është rritur nga 2014-ta për shkak të unifikimit të tij, arkëtimet janë më të larta për shkak të uljes së vjedhjeve dhe janë mbledhur detyrimet e prapambetura që qytetarët e bizneset kishin ndaj OSHEE.
Por dhe pse sjellja e qytetarëve është përmirësuar, kompanitë zhytin dhe njëherë dorën në xhepin e tyre: njëherë përmes çmimit të energjisë elektrike dhe njëherë përmes marrjes së fondeve në buxhetin e shtetit.
Ja se çfarë ndodh:
OSHEE ka 460 milionë euro borxhe ndaj KESH-it, dhe 83 milion euro ndaj Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Ky i fundit ka 110 milion euro detyrime te KESH, ndërsa kompanitë e ujësjellës kanalizimeve kanë 330 milion euro borxhe për fatura të pashlyera ndaj OSHEE. Në momentin që kompanitë nuk janë likuide, atëherë hyn në lojë buxheti i shtetit i cili u jep hua këtyre kompanive ose nis të paguajë kreditë ku shteti ka dalë garantor.
KESH ka 400 milion euro detyrime ndaj Ministrisë së Financave, OST 80 milionë euro dhe OSHEE 28 milion euro. Ndërmarrjet e ujësjellësit 108 milionë euro detyrime. OSHEE ka dhe 50 milionë euro të tjera të papaguara në formën e taksave, e ndaj saj ministritë dhe institucionet që financohen nga buxhetin nuk kanë paguar 62 milion euro!
Nëse për qytetarët vonesa në pagesa sjell ndërprerjen e energjisë, për institucionet jo. Nëse për bizneset detyrimet tatimore të pashlyera sjellin bllokimin e llogarive, për ndërmarrjet publike jo.
Vitet e fundit OSHEE grup ka rezultuar me fitim, por pavarësisht kësaj detyrimet e saj janë të larta, 1.4 miliard euro. 4-fish më shumë se kapitali i kompanisë.
Prej vitit 2021 KESH nuk ka depozituar bilanc financiar të audituar. Sipas asaj që raporton Ministria e Financave detyrimet e kompanisë kanë arritur 800 milion euro dhe vlera e kapitalit 910 milion euro.
Thuajse të barabartë me nivelin e detyrimeve është dhe kapitali i kompanisë OST, ndërsa për vitin 2023 dhe 2022 ka rezultuar me fitim.
Në situatë të vështirë financiare rezultojnë dhe ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve, jo vetëm sa i takon efiçencës së tyre, por raportohet vështirësi në pagesën e detyrimeve, mbledhjen e të ardhurave ndaj të faturave korrente dhe atyre të prapambetura.
“Treguesit kryesorë të performancës për tremujorin e parë 2025 për ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve, tregojnë një vijimësi të gjendjes ekzistuese financiare dhe vështirësi në pagimin e detyrimeve dhe mbledhjen e të ardhurave të faturuara korrente dhe të prapambetura, duke sinjalizuar probleme potenciale të likuiditetit në periudhën afatshkurtër”, thuhet në raportin e Ministrisë së Financave.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur një proces reformimi të këtij sektori duke i rigrupuar 58 ndërmarrjet në 15 shoqëri rajonale. Ujësjellës Kanalizime Tiranë ende nuk e ka nënshkruar marrëveshjen për krijimin e shoqërisë rajonale.
Dhe pse në vitin 2017, UKT u riorganizua duke themeluar një kompani tërësisht të re, niveli i detyrimeve të krijuara ndaj të tretëve është i lartë. Janë 150 milion euro detyrime ndërsa vlera e kapitalit të shoqërisë 140 milion euro. Mesatarisht ujësjellësi i Tiranës mbledh 50 milion euro në vit dhe shpenzon 40 milion euro.
Modeli i financimit është po aq problematik. Shumica e ndërmarrjeve mbështeten vazhdimisht në subvencione për të mbuluar humbjet, duke krijuar varësi fiskale dhe duke zhdukur motivimin për efiçencë.
Edhe pse shumica e ndërmarrjeve publike janë me humbje financiare, organika e tyre fryhet çdo vit, sidomos gjatë periudhave zgjedhore. Njësoj si një pjesë e mirë e institucioneve publike, dhe këto kompani janë kthyer në vatra punësimi për qëllime elektorale.
Shumë kompani publike karakterizohen nga mbi-punësimi masiv, jo për shkak të nevojave reale teknike, por si rezultat i ndikimeve politike dhe punësimeve klienteliste.
Në disa raste, kostoja e personelit zë 50–70% të shpenzimeve operative, duke kufizuar mundësitë për mirëmbajtje, investime në teknologji dhe përmirësim të shërbimeve. Kjo është një çështje e drejtpërdrejtë e interesit publik, pasi çdo qytetar paguan për humbjet dhe për vendimet politike që ushqejnë ciklin e keqmenaxhimit.
Nëse kryqëzon të dhënat e listës së patronazhistëve që u publikua në media gjatë zgjedhjeve të vitit 2021 me të dhënat e pagave që rrodhën nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rezulton se 70% e të punësuarve në administratë votojnë Partinë Socialiste.
Lista e patronazhistëve ka si databazë votuesish qarkun e Tiranës. Në nivel të Bashkisë Tiranë, sërish rezulton se 70% e të punësuarve janë votues të Partisë Socialiste, 9% të Partinë Demokratike, 14% janë elektorat i pavendosur, 4% votues të Partisë së Lirisë dhe 3% të PDIU.
Nga 541 të punësuar në ndërmarrjet publike të Bashkisë Tiranë, 302, ose 56% janë votues të partisë socialiste.
Në kompaninë OSHEE Group nga 2170 të punësuar për rajonin Tiranë, 1540 janë në listën e sigurtë që votojnë socialistët. 61% në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit votojnë Partinë Socialiste, 66% e punonjësve të Postës Shqiptare votojnë për Partinë Socialiste dhe 55% në Radio Televizion Shqiptar votojnë po ashtu PS.
“Nëse listat e patronazhistëve do të kishin dalë pak vite më parë, aty mund të gjeje dhe emrin tim jo vetëm si i punësuar por dhe si patronazhistë. Emri im do ishte aty dhe do ishte i vërtetë. E them këtë për të qenë sa më i besueshëm te ky konfirmim,: kompanitë shtetërore janë kompani që shihen si burime punësimi për mbështetësit e partive politike, kështu ka qenë dhe përpara 2013-ës dhe fatkeqësisht mund të konstatoj se pas 2013-s ky fenomen është shtuar.
Nëse më thua se është 70%, unë e dyshoj si shifër sepse mendoj se është më e lartë. Nuk ka asnjë mekanizëm transparent për mënyrën e rekrutimit të pozicioneve të punës. Këtë procedurë mund ta gjesh shumë lehtë në zyrat e partive politike”, thotë Klodian Gradeci, ekspert për çështjet e energjisë dhe ish-administrator në disa kompani publike gjatë dekadës së fundit.
“Dimë që një pjesë e madhe e këtyre kompanive kanë punësime që duken të panatyrshme dhe kemi parë që shumë nga këto kompani përdoren për punësime me natyrë partiake.
Punësohen militantë partiakë ose propagandistë që faktikisht nuk punojnë, por paguhen për të bërë propagandën pro qeverisë. Ne dimë fakte që drejtues të këtyre kompanive bëjnë fushatë për partinë në pushtet, ne dimë që drejtues të këtyre kompanive janë hetuar për abuzime me tenderat”, shprehet analisti Neritan Sejamini.
“Ndërmarrjet nuk drejtohen pro aspektit të përfitimit publik dhe emërimet e drejtuesve të tyre janë politike. Nuk monitorohen nga publiku dhe kanë mungesë transparence. Edhe bordet emërohen jo për t’i shërbyer kompanive dhe në shumicën e rasteve bordet nuk dëgjohen. 70-80% e ndërmarrjeve publike rezultojnë me humbje ose me fitime minimaliste”, thotë Eduart Gjokutaj nga Qendra Altax.
Edhe pse në praktikë shteti nuk ndërhyn në operacionet e përditshme të ndërmarrjeve shtetërore, kontrolli dhe direktivat kryesore të tyre udhëhiqen nga qeveria apo bashkia që është pronar. Struktura kryesore që udhëheq një kompani shtetërore që është bordi apo Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga anëtarë të cilët në pjesën më të madhe të rasteve mbajnë poste politike apo janë të angazhuar me partinë në pushtet. Emërimi i anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve shtetërore bëhet nga Asambleja e Përgjithshme, e cila në rastin e kompanive publike në Shqipëri përfaqësohet nga ministri i linjës.
Në pjesën më të madhe të rasteve anëtarët e bordeve nuk ushtrojnë funksionin për të cilin janë zgjedhur që është të analizojnë, monitorojë dhe vendosin në mënyrë profesionale.
Të gjitha vendimet që marrin bordet janë vendime të marra paraprakisht nga ministria dhe në disa raste ata shërbejnë më shumë si sekretarë se sa si politikëbërës dhe vendimmarrës.
Në pjesën dërrmuese të rasteve vendet e bordeve në kompanitë publike shihen si një mënyrë shpërblimi stafin e ministrit. Mungojnë ekspertët e fushës apo aktorë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të fushës akademike.
Struktura e kompanive ka në drejtim të centralizuar që përqendrohet më shumë në duart e administratorit të saj dhe administratori nga ministri ose qeveria.
Në Shqipëri mungon një njësi koordinimi për krijimin e politikave të zhvillimit dhe monitorimin e ndërmarrjeve shtetërore. Nuk ka një regjistër zyrtar të ndërmarrjeve shtetërore, ndërsa monitorimi i tyre bëhet direkt nga pronari që sipas llojit dhe modelit të ndërmarrjeve është një institucion i ndryshëm.
Thuajse asnjë kompani nuk ka të impelementuar Kodin e Qeverisjes së Korporatave ndërsa niveli i tyre i transparencës është minimal. Ndërmarrjet shtetërore nuk publikojnë bilancet vjetore, kontratat me palët e treta, vendimmarrjet e bordeve, transaksionet e pagesave dhe raportet e auditit.
Kontraktimi i punonjësve pa detyrimin që kërkon në administratë statusi i nëpunësit civil dhe kryerja e pagesave jashtë thesarit të shtetit, i cili publikon subjektet përfituese, po sjell një masivizim të themelimit të këtyre kompanive.
Vetë kryeministri ka hedhur idenë e krijimit të një njësie qendrore që do të menaxhojë mbetjet në rang, një enti i cili do të kryejë administrimin e rrugëve me pagesë apo një kompanie e cila do të hyjë në treg për të operuar në fushën e shitjes së karburanteve.
/Emisioni “Kronos”