Meqë Shtetet e Bashkuara kanë lënë të kuptohet se mund të mos jenë të gatshme ta financojnë Ukrainën për kohë të gjatë për nevojat e saj për t’u mbrojtur, Bashkimi Evropian po shqyrton mënyra të ndryshme për ta mbuluar një pjesë më të madhe të kostove në vitet 2026 dhe 2027, duke hamendësuar se lufta do të vazhdojë.
Treguesi më i qartë i kësaj erdhi gjatë fjalimit vjetor të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Parlamentin Evropian në fillim të shtatorit, ku ajo përmendi idenë e një “huaje dëmshpërblimi”.
Më shumë hollësi për mënyrën se si do të funksiononte kjo hua janë dhënë në një dokument diskutimi njëfaqësh, që Komisioni ua dha shteteve anëtare të BE-së.
Dokumenti, i parë nga Radio Evropa e Lirë (REL), u diskutua shkurtimisht nga ambasadorët e bllokut më 26 shtator.
Von der Leyen pritet ta paraqesë këtë dokument para liderëve të BE-së në një samit joformal në Kopenhagë, më 1 tetor, për të diskutuar për Ukrainën. Edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka gjasa të marrë pjesë.
Ministrat e Financave të BE-së gjithashtu pritet të shqyrtojnë më shumë hollësi kur të mblidhen në Luksemburg javën e ardhshme.
Edhe pse ende nuk janë përcaktuar të gjitha mekanizmat e huas, disa elemente tashmë janë të qarta.
Çdo hua për Ukrainën do të bazohej në asetet e ngrira ruse në BE, të cilat janë bllokuar qëkurse Moska e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet në fillim të vitit 2022.
Huat do të jepeshin pa i prekur drejtpërdrejt këto të holla, dhe Ukraina do të ishte e detyruar t’i kthente paratë vetëm pasi Rusia ta ketë paguar dëmshpërblimet e luftës.
Huaja e dëmshpërblimeve, nëse miratohet, mund t’i zgjidhë një sërë telashesh.
Më e rëndësishmja, do t’i siguronte Ukrainës fondet e nevojshme, duke eliminuar çdo mundësi vetoje nga vende skeptike të BE-së si Hungaria dhe Sllovakia. Do të qartësonte gjithashtu përdorimin e aseteve ruse dhe do të ulte trysninë mbi buxhetin e BE-së.
Pengesat e mundshme
Por, kjo marrëveshje është ende larg finalizimit, pasi ka ende disa pengesa.
Le të fillojmë me asetet e ngrira ruse.
Mendohet se ka rreth 176 miliardë euro të ngrira në BE, kryesisht në Euroclear, një kompani belge e tregjeve financiare e specializuar në depozita qendrore të letrave me vlerë.
Disa vende, veçanërisht shtetet baltike, kanë kërkuar për kohë të gjatë konfiskimin e këtyre parave për t’ia dhënë Ukrainës, ose për t’i përdorur për ta ndërtuar mbrojtjen e Evropës.
Argumenti është i thjeshtë: Pse duhet të paguajnë taksapaguesit evropianë për luftën e Kremlinit?
Por, shumë vende perëndimore janë kundër konfiskimit të drejtpërdrejtë të aseteve ruse.
Belgjika shqetësohet se Moska mund të paraqesë padi të fortë ligjore kundër vendit dhe Euroclearit për këto asete.
Banka Qendrore Evropiane (ECB) shqetësohet për ndikimin që do të kishte konfiskimi mbi statusin e euros, aktualisht monedha e dytë rezervë në botë, pasi një lëvizje e tillë mund t’i shtynte vendet e treta të kursenin diku tjetër.
Vendet më të mëdha evropiane besojnë gjithashtu se paratë duhet të mbeten të bllokuara dhe të përdoren për rindërtimin e Ukrainës në rast se Moska nuk pranon të paguajë dëmshpërblim kur të përfundojë lufta.
Gjithashtu, asetet e ngrira tashmë po përdoren për të fituar fonde për Ukrainën. Këto janë fitime tremujore – shpesh rreth 1.5 miliard euro – që transferohen menjëherë në vendin e shkatërruar nga lufta.
Koalicioni i Vullnetit?
Komisioni Evropian tani po sugjeron këtë: disa ose të gjitha asetet e ngrira në Euroclear duhet të transferohen në një Strukturë të Posaçme Financiare (SPV), në këmbim të obligacioneve me kupon zero të lëshuara nga Komisioni Evropian. Këto do të mbështeteshin nga garancitë e një “Koalicioni të Vullnetit” të përbërë nga vende të BE-së dhe ndoshta vende të tjera nga Grupi i Shtatë demokracive kryesore industriale.
Paratë në SPV më pas do t’i transferoheshin Kievit si hua gjatë viteve 2026 dhe 2027 (dhe ndoshta edhe përtej tyre), dhe Ukraina do të duhej t’i kthente vetëm pasi Rusia të ketë paguar dëmshpërblimet e luftës.
Shuma e parave që do të ishte e disponueshme varet nga një vlerësim i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), por mund të arrijë deri në 140 miliardë euro për ato dy vjet. Ka gjasa që pjesa më e madhe e kësaj shume të sigurohet nga Evropa nëse Shtetet e Bashkuara nuk duan të kontribuojnë.
Përparësia e kësaj lëvizjeje do të ishte se shmang vetot e mundshme kombëtare.
Ky ishte dilema në fillim të vitit 2024, kur BE-ja u pajtua për një “lehtësim për Ukrainën” prej 50 miliardë eurosh për vitet 2024-2027, por Hungaria fillimisht e bllokoi.
Ky fond u sigurua nga buxheti i përbashkët i BE-së, por duhej miratimi unanim i 27 shteteve anëtare.
Nga 50 miliardët, 32 miliardë tashmë i janë dhënë Kievit, prandaj hapësira e mbetur buxhetore është e kufizuar, dhe Budapesti ka gjasa të kundërshtojë përdorimin e më shumë parave për këtë qëllim.
Derisa Komisioni Evropian po propozon fond prej 100 miliardë eurosh për Ukrainën në buxhetin shumëvjeçar 2028-2034, të gjitha shtetet anëtare duhet ta miratojnë atë, ndërkohë që është gjithnjë e më e qartë se Kievit i duhen fonde më urgjentisht.
Por, marrëveshja është ende e pasigurt, pasi Hungaria mund të vendosë pengesa në një masë të caktuar.
Asetet e ngrira ruse do të qëndrojnë të bllokuara vetëm për aq kohë sa BE-ja vendos që të mbeten të tilla.
Brukseli e bën këtë dy herë në vit, në korrik dhe janar, përmes njëzëshmërisë. Asnjë vend, përfshirë Hungarinë, nuk ka bërë shumë zhurmë për zgjatjen e fundit dy muaj më parë, por kjo nuk përjashton probleme në të ardhmen.
Garancitë kombëtare?
Komisioni Evropian sugjeron në dokumentin e diskutimit se një vendim për të zgjatur sanksionet në të ardhmen duhet të merret me shumicë të cilësuar, por vëren se kjo “do të kërkonte një marrëveshje politike të nivelit të lartë nga të gjithë ose shumica e krerëve të shteteve ose qeverive”.
Është pikëpyetje e madhe nëse liderë si Viktor Orban i Hungarisë dhe Robert Fico i Sllovakisë do ta pranojnë këtë lehtësisht.
Mund të ketë gjithashtu problem me garancitë kombëtare.
Sa vende do të ishin vërtet të gatshme të hynin në një “Koalicion të Vullnetit” për këtë?
Sa më shumë vende që marrin pjesë, aq më pak para do të duhet të garantojë secili. Por, në shumë shtete anëtare, parlamentet kombëtare duhet ta miratojnë këtë, dhe me disa vende që po përballen me deficite në rritje, shumë politikanë mund të hezitojnë të japin garanci të tilla.
Euroclear ka gjasa të kërkojë garanci të plota dhe ndoshta edhe rol në qeverisjen e strukturës së re të huas.
Dhe, Euroclear mund të ngulojë që edhe institucione të tjera financiare që mbajnë asete të ngrira ruse të kontribuojnë në këtë skemë./REL