Dy ditë pas hyrjes së paprecedentë të dronëve rusë në territorin e Polonisë, më 10 shtator, NATO-ja ndërmori një përgjigje të re: operacionin Roja Lindore.
Misioni nisi më 12 shtator dhe do të zgjerohet gradualisht javëve në vazhdim.
Qëllimi, sipas aleancës, është të forcohet prania, bashkëpunimi dhe fleksibiliteti ushtarak përgjatë gjithë krahut lindor.
Edhe pse fokusi është te Polonia dhe kërcënimi nga dronët rusë, operacioni është shumëdimensional – duke përfshirë forcat tokësore, detare dhe ajrore – dhe synon t’i mbulojë boshllëqet në mbrojtje nga Deti i Veriut deri në Detin e Zi.
Megjithatë, NATO-ja e ka bërë të qartë se misioni do të zhvillohet vetëm brenda territorit të saj dhe nuk parashikon hyrjen në Ukrainën perëndimore për të mbrojtur hapësirën ajrore.
Kievi do ta mirëpriste një veprim të tillë dhe disa argumentojnë se dronët rusë duhen ndalur më herët, por shumë aleatë të NATO-s druajnë se një hap i tillë do të rriste rrezikun e përplasjes së drejtpërdrejtë me Kremlinin.
Sistem i integruar
Qëllimi kryesor tani është krijimi i një sistemi të integruar.
Më parë, secili shtet anëtar i NATO-s kryente veçmas misione të patrullimit ajror në zona të ndryshme, ndërsa NATO-ja ofronte mbështetje shtesë, në varësi të vlerësimit të kërcënimit.
Tani, ideja është që burimet – qofshin raketa apo teknologji kundër-dron – të ndërveprojnë përgjatë gjithë krahut lindor.
Ky koncept është frymëzuar nga një operacion i ngjashëm, Roja e Baltikut, i nisur më herët këtë vit, si përgjigje ndaj disa sabotimeve të dyshuara nënujore nga Moska në Detin Baltik.
Zyrtarë të NATO-s, me të cilët Radio Evropa e Lirë bisedoi në kushte anonimiteti, e konsiderojnë operacionin si të suksesshëm, duke theksuar se, së voni, nuk ka pasur tentativa për të dëmtuar kabllot apo infrastrukturën tjetër në rajon.
Megjithëse është e vështirë të parandalohet depërtimi i çdo droni në hapësirën e NATO-s, besohet se prania e shtuar ushtarake do ta bëjë Rusinë “të mendojë dy herë para se të provojë sërish”.
Aleatët rrisin angazhimin
Tetë shtete i janë bashkuar tashmë operacionit Roja Lindore, duke vënë në dispozicion mjete për komandantin suprem të aleatëve të NATO-s, Alexus Grynkewich.
Pritet që shembullin ta ndjekin edhe vende të tjera.
Franca ishte e para që ofroi ndihmën e saj – me tre avionë luftarakë Rafale, të cilët do të stacionohen në Poloni, si dhe një avion ushtarak transporti, Airbus A400M.
Britania do të angazhojë disa prej avionëve të saj Typhoon për misione mbrojtëse mbi hapësirën ajrore të Polonisë, ndërsa Gjermania ka zhvendosur katër avionë Eurofighter më pranë kufirit lindor – gati për t’u ngritur në fluturim në çdo moment.
Italia dhe Danimarka kanë sinjalizuar gjithashtu se do të ofrojnë avionë, ndërsa Kopenhaga ka dërguar edhe një anije ushtarake në anën lindore të Detit Baltik.
Edhe Spanja dhe Suedia do të kontribuojnë, ndërsa Republika Çeke ka vendosur të stacionojë forca speciale në Poloni dhe të dërgojë edhe tre helikopterë.
Në këtë fazë janë dy elemente që bien në sy.
Fillimisht, mungesa e ndonjë kontributi të ri amerikan në Rojën Lindore.
Kur u pyet për këtë në një konferencë për media, Grynkewich me shaka tha: “Sa u përket mjeteve ushtarake amerikane… unë jam këtu dhe jam i përfshirë”, duke shtuar më pas se “angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj strukturës së integruar ushtarake të aleancës mbetet i palëkundur”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i pyetur nga gazetarët më 21 shtator nëse do të ndihmonte Poloninë dhe shtetet baltike përreth në rast se Moska përshkallëzon situatën, u përgjigj: “Po, do ta bëja”.
Shtetet e Bashkuara, në fakt, kanë të stacionuara mbi 10 mijë trupa në Poloni dhe ky numër, madje, mund të rritet.
Edhe pse ka raportime të shumta për zhvendosjen e personelit ushtarak amerikan nga Evropa drejt rajoneve të Azisë, zyrtarë të NATO-s që folën për Radion Evropa e Lirë, thanë se nuk kanë marrë asnjë sinjal për zvogëlim të pranisë ushtarake në krahun lindor në ndonjë të ardhme të afërt.
Shqetësimet për koston
Çështja e dytë lidhet me faktin se angazhimi në Rojën Lindore, deri më tani, është fokusuar tek avionët e shtrenjtë luftarakë dhe pajisje të tjera shumë të kushtueshme.
Kjo ishte një nga kritikat ndaj reagimit polak dhe të NATO-s pas depërtimit të dronëve rusë më 10 shtator – përdorimi i avionëve luftarakë me vlera milionëshe për t’u mbrojtur nga dronë të lirë.
Ndërsa disa zyrtarë evropianë pranojnë se Varshava përpiqet “të demonstrojë fuqinë”, të tjerë thonë se ky reagim nuk është i qëndrueshëm ekonomikisht në afat të gjatë.
“Ne, natyrisht, e kuptojmë që mënyra më e mirë për të mposhtur dronët nuk është me një raketë shumë të shtrenjtë, të lëshuar nga një avion jashtëzakonisht i shtrenjtë”, tha një zyrtar i NATO-s.
Pra, Roja Lindore është kryesisht një masë e përkohshme, derisa të krijohet një “mur dronësh”, i qëndrueshëm për të plotësuar mbrojtjen ekzistuese.
NATO-ja do të ketë rol kyç në ndërtimin e këtij sistemi, dhe me gatishmërinë e BE-së për ta financuar, projekti duket i mundshëm, por në skenarin më të mirë mund të realizohet brenda dy deri në tre vjetësh.
Aleanca, ndërkohë, po shqyrton përvojën e Letonisë me sensorët akustikë, që i zbulojnë dronët më shpejt, si dhe përdorimin e municioneve më të lira për avionët.
Njësitë mobile të zjarrfikësve janë një model tjetër që NATO-ja mund të adaptojë nga përvoja e Ukrainës.
Kievi ka përdorur njësitë e vogla, të lëvizshme, të armatosura me mitralozë ose sisteme mbrojtjeje ajrore, të mbajtura me dorë, që kanë sjellë rezultate gjithnjë e më të mira në terren.
Pas prezantimit të operacionit Roja Lindore, Grynkewich tha: “Është koha ta rishikojmë këtë qasje. Dhe ne gjithmonë mësojmë. NATO-ja është një organizatë që mëson”./REL