Katër persona janë arrestuar në Durrës gjatë orëve të fundit për vepra penale që lidhen me shitje narkotikësh dhe shkelje të rënda të qarkullimit rrugor.
Policia ka arrestuar një 21-vjeçar në kërkim për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Ndërkohë, tre persona të tjerë u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet në mënyrë të paligjshme ose në gjendje të dehur, ku njëri prej tyre ka shkaktuar edhe aksident.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin në kërkim O. M., 21 vjeç, banues në Arapaj, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
A.L., 50 vjeç, banues në Durrës, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin që e drejtonte në gjendje të dehur;
V.K., 25 vjeç, banues në Kosovë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi;
F.M., 33 vjeç, banues në Durrës, pasi automjeti që drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. K., me pasojë dëme materiale.”- njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.