Klubi i Oleksandrias në Ukrainë vazhdon përforcimet për sezonin e ri, ku synon që të bëjë edhe më mirë si në kampionat ku ndoqi hap pas hapi Dinamon e Kievit që u shpall kampione, ashtu edhe në Europë.
Skuadra ku bën pjesë Tedi Cara ka vendosur që të afrojë një tjetër emër të njohur të Kategorisë Superiore, më saktësisht një lojtar që është shpallur kampion në vendin tonë.
Tashmë klubit ukrainas i është bashkuar edhe mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë, Jocelin Behiratche, i cili ka një karrierë disavjeçare në Superiore. Mbrojtësi ka luajtur nga viti 2021, deri në vitin 2023, në radhët e Tiranës, me të cilën u shpall kampion.
Më pas, ai u transferua për një edicion te Dinamo dhe që nga vera e vitit 2024 te Sherif Tiraspol në Moldavi.
Eksperienca në ekipin moldav zgjati vetëm një vit e tashmë Behiratche është transferuar në Ukrainë si futbollist i lirë, duke firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin pjesë e të cilit është edhe Tedi Cara.