Shtetasi Eraldo Muçi është zhdukur pa gjurmë prej më shumë se dy javësh. Ai ka qenë një prej miqve më të besuar të Aleksandër Sadikaj, i njohur si “Sanço i Memaliajt”, i ekzekutuar me bombë me telekomandë më 11 qershorit të vitit 2022 në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, pranë qendrës tregtare TEG.
Gazetarja e News 24 Klodiana Lala, e cila ka marrë kontakt me familjen shprehet se prindërit e 30-vjecarit kanë bërë kallëzim në Polici dhe apelojnë që strukturat të hetojnë për të zbardhur të vërtetën për zhdukjen e djalit të tyre të vetëm.
Para se të zhdukej, Eraldo ka ndaluar tek ferma e kuajve të familjes Sadikaj dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit. Burime policore thanë se për herë të fundit, i riu është parë në autostradën Durrës-Tiranë dhe nga ai moment nuk ka asnjë të dhënë rreth tij.
Familja ngre dyshime të forta se atij mund ti ketë ndodhur ndonjë ngjarje e rëndë kriminale, për motive hakmarrje, por policia nuk përjashton as pista të tjera.
Dyshohet për një përplasje mes dy grupeve rivale në trafikun e drogës në Greqi që ka sjellë dhjetra atentate dhe disa viktima.
Pas atentatit ndaj Aleksandër Sadikajtu vra për hakmarrje biznesmeni Edmond Papa, ngjarje kjo e ndodhur më 16 Dhjetor të vitit 2022 në zonën e Selitës në Tiranë. Për këtë atentat janë dënuar me 30 vite burgim Andrew alias Edvin Bode dhe me 25 vite burgim Albano Velo.
Në përplasjen mes dy grupeve i ka shpëtuar edhe dy atentateve edhe i afërmi i Sadikajt, Andrea (Adriatik) Kalemit më 9 Gusht të vitit 2023 në ishullin Paksos të Greqisë, si dhe më 15 Dhjetor të vitit 2023, kur tentuan ta vrisnin brenda qelisë së burgut në Greqi.
Po ashtu, edhe vëllai i tij, Zamir Kalemi i shpëtoi një atenati më 12 Janar të vitit 2024, kur u qëllua me breshëri kallashnikovi, nga një mjet në lëvizje, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”.
Pasi nuk arritën dot të vrisnin dy vëllezërit Kalemi, i njëjti grup dyshohet se ekzekutoi babain e tyre më 20 Korrik të vitit 2024, Shyqyri Kalemi, në atë që njihet si masakra e Memaliaj, pasi mbeti i plagosur edhe vëllai i viktimës Artur Kalemi, teksa u vranë edhe dy persona që nuk kishin lidhje me ngjarjen kamarieri i lokalit, Gledio Muka dhe një klient i lokalit Marsel Çela.
Pak kohë më parë, SPAK shpalli në kërkim anëtarët e grupit kriminal të Edmond Papës, por jo për vrasjet në fjalë, por akuzohen sie të përfshirë gjatë viteve 2019-2021 në veprimtarinë kriminale të kultivimit të kanabisit në zonën e Sarandës dhe rrethinat e saj, si dhe trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria për në Greqi, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Grupi drejtohej nga vëllai i Edmond Papës, shtetasi Kristo Qiriçi (alias Jetmir Hoxhaj, alias Jetmir Qiriçi), teksa në kërkim u shpallën edhe Eldjon Alushaj (alias Kosta Alushaj) dhe Shkëlzen Kraja. Po ashtu, atyre ju sekuestruan edhe 90 pasuri.