Ftesa u është bërë, ndonëse sinqerisht shpresa ka gjithnjë më pak.
Dy lojtarë me origjinë shqiptare, që kërkohen nga trajneri kuqezi Sylvinho, ishin protagonistë të mëdhenj për Gjermaninë në finalen e Kampionatit Europian U21.
Nelson Weiper dhe Brajan Gruda shëuan në gjysmëfinalen e fituar 3-0 ndaj Francës dhe tashmë objektivi i vetëm që mbetet është titulli kontinental. Weiper, sulmues me nënë shqiptare dhe baba gjerman, ishte titullar dhe realizoi për 1-0 që në minutën e 8-të.
Gjermanët dyfishuan shpejt shifrat kur sulmuesi tjetër, Voltemade, realizoi në 14’. Weiper u zëvendësua më pas, ndërsa Brajan Gruda hyri në fushë në minutën e 72-të duke lënë shenjën e tij.
Djali i ish-futbollistit të Vllaznisë, Bujar Gruda, vulosi rezultatin në minutën e tretë shtesë të gjysmëfinales. Në të vërtetë, Franca luftoi fort dhe u përpoq shumë, por gjermanët ishin më të saktë në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Koshices në Sllovaki.
Në finalen e 28 qershorit në Bratislavë, ata do të kenë punë me kampionen në fuqi të Europës, Anglinë. Shpresat angleze ishin më mirë sesa Holanda dhe fituan 2-1, ndonëse duhet të falenderojnë yllin e ri të Liverpulit, Harvej Eliot.
Njëzetedyvjeçari që ka 4 rrjeta në këtë Europian, shënoi të dy golat për “tre luanët” në minutat 62 e 85. “Tulipanët” barazuan përkohësisht në 72’ kur Ohio shfrytëzoi gabimin e mbrojtjes dhe të portierit.
Anglia dhe Gjermania janë nga tri herë kampionë të Europës, pra kush fiton finalen merr titullin e katërt, një më pak sesa Spanja që mban rekordin.