Presidenti iranian Masoud Pezeshkian njoftoi “fundin e luftës 12-ditore të imponuar” nga Izraeli, në një mesazh të shkruar drejtuar kombit dhe të botuar nga agjencia e lajmeve Irna.
“Sot, pas rezistencës heroike të kombit tonë të madh, i cili po shkruan historinë me vendosmërinë e tij, ne jemi dëshmitarë të vendosjes së një armëpushimi dhe përfundimit të kësaj lufte 12-ditore, të imponuar nga aventurizmi dhe provokimet e Izraelit”, shkroi Pezeshkian.
Më herët, presidenti iranian tha se vendi i tij është gati të “zgjidhë problemet” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një telefonatë me Princin e Kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, Pezeshkian tha se mirëpret “çdo ndihmë” nga vendet mike.