Këshilli i Europës shprehet nëpërmjet raportit të ekspertëve të trafikimit të qenieve njerëzore GRETA se në Shqipëri ka rënie të ndjeshme të numrit të viktimave të trafikut të identifikuara në mënyrë zyrtare, – vetëm 28 gjatë periudhës së raportimit, – pavarësisht se thuhet se ka rritje të numrit të viktimave të dyshuara.
Raporti i Ekspertëve të GRETA u bë publik paraditen e sotme dhe jepet një pasqyrë e qartë e të dhënave për fëmijët, gratë, viktimat e trafikut dhe shtresave vunerabël në vend.
“Identifikimi i viktimave të trafikut shpesh varet nga bashkëpunimi i tyre në procedurat penale, gjë që është kundër standarteve ndërkombëtare”, vlerësojnë ekspertët e Këshillit të Europës.
Raporti vlerëson se shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve janë të nënpajisura me burime njerëzore dhe financiare, gjë që ndikon në parandalimin dhe trajtimin efektiv të rasteve të trafikut.
“Fëmijët e pashoqëruar ose të ndarë nga familja janë në rrezik të lartë të trafikimit për shkak të boshllëqeve në legjislacion dhe mungesës së shërbimeve për ta. Fëmijët e komuniteteve romë dhe egjiptianë përballen me vështirësi të mëdha për akses në edukim dhe regjistrim të lindjes”, shkruhet në raport.
Çështje të prostitucionit:
Shumë shpesh në media raportojmë lajme policore për arrestime në qendra masazhesh që shfrytëzohen për prostitucion. Por raporti vlerëson se në Shqipëri, edhe viktimat e trafikut trajtohen njëlloj si trafikantët.
“Viktimat e trafikimit shpesh ndëshkohen për prostitucion, ndërkohë që duhet të konsideroheshin si viktima të trafikimit. Mungojnë programe për ndihmën e grave që duan të largohen nga prostitucioni dhe mungojnë politika për të ulur kërkesën për shërbime nga viktimat e trafikimit”.
Raporti vlerëson se ka numër të ulët të ndjekjeve penale dhe dënimeve për trafikim, sidomos për trafikimin e fëmijëve.
“Viktimat nuk përfitojnë kompensim nga shteti ose autorët e krimeve; vetëm dy viktima kanë marrë vendim gjykate për kompensim, por asnjë nuk e ka përfituar realisht” thuhet në raport.
Dhe për të shtuar edhe pak piper në raport, aty thuhet se në Shqipëri mungon akomodimi i përshtatshëm për viktimat meshkuj të trafikimit, përpos se këta njerëz kanë vështirësi për të hyrë në tregun e punës, për të përfituar trajnim profesional apo arsimim.
Administrata:
Sa i përket strukturave në letër, në Shqipëri gjithçka është e vendosur në ligj apo në vendime qeverie, por ekspertët konstatojnë se zyra e Koordinatorit Kombëtar për Trafikun nuk ka burime të mjaftueshme për të kryer detyrat e saj.
“Nuk ka ende një Raportues Kombëtar të pavarur për trafikimin e qenieve njerëzore. Komiteti Shtetëror për Luftën kundër Trafikimit nuk ka qenë funksional gjatë periudhës së raportimit”, thuhet në raport.