Procesi i rinumërimit të votave do të nisë ditën e martë nga Elbasani, më pas vijon me Tiranën, Fierin dhe Durrësin.
96 kutitë e para që do të hapen janë të Elbasanit, jo për t’u rinumëruar, por për të verifikuar nëse “treni bullgar” është ndaluar në stacionin e Gramshit dhe Peqinit me 11 maj, sipas pretendimeve të PD.
Stafi i KQZ-së do të kontrollojë nëse ka mospërputhje mes numrit të votave të hedhura dhe numrit të votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Pas përfundimit të verifikimeve në Elbasan, procesi do të vijojë me rinumërimin e plotë të kutive në qarqet e tjera. Në Tiranë do të hapen dhe rinumërohen 1 282 kuti votimi, në Fier 587 kuti, ndërsa në Durrës do të rinumërohen gjithsej 275 kuti votimi.
Gjithashtu, në këtë qark do të hapen edhe 126 kuti të tjera të përzgjedhura për verifikim shtesë, përfshirë edhe kutitë e votave të ardhura nga jashtë vendit, me kërkesë të Partisë Demokratike dhe Partisë Lëvizja për Legalitetin. Opozita shpreson të gjejë 1300 vota në favor të saj, që do t’i japin mandatin e 14 në Tiranë, që në garën e 11 majit pas numërimit të votave të emigrantëve, ia mori Partia Mundësia.
Rinumërimi në Tiranë do të rrisë shanset dhe për kandidatët që patën një garë të ngushtë në listë të hapur, por nuk ia dolën të fitonin mandatin. Procesi i rinumërimit do të zhvillohet në dy faza. Fillimisht do të bëhet numërimi i votave për subjektet politike, ndërsa më pas do të numërohen edhe votat e kandidatëve për deputetë. Në total, gjatë këtij procesi do të hapen dhe verifikohen rreth 2 240 kuti votimi në katër qarqe të vendit.
KQZ ka bërë të ditur se për Tiranën procesi pritet të zgjasë rreth 10 ditë, ndërsa në qarqet e tjera afatet do të përcaktohen në vijim, në varësi të ecurisë së punës.