Senati italian ka miratuar dekretin e Qeverisë së Giorgia Melonit për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të kampit të refugjatëve në Gjadër. Dekreti është shndërruar në ligj me 90 vota pro, 56 kundër dhe një abstenim.
Dekreti në fjalë lejon përdorimin e qendrave të hapura në Shqipëri për refugjatëve që janë në pritje të riatdhesimit, të njohura ndryshe si CPR.
Pra, tashmë Gjadri do të shndërrohet në një kamp për transferimin e refugjatëve të destinuar për dëbim nga Italia, duke mos qenë vetëm për refugjatët në pritje të procesit për azil.
Sipas marrëveshjes, kampet e Gjadrit dhe Shëngjinit do të përdoreshin për refugjatët afrikanë të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare, por pas refuzimit të gjykatave italiane qeveria Meloni u detyrua të ndryshojë objektin.
Në fillim u tha se në vendin tonë do të vinin vetëm gra dhe persona të parrezikshëm, por tani aty po mbahen kriminelë të dënuar për vepra të rënda dhe që nuk kanë përfituar dot azilin. Qeveria shqiptare nuk ka bërë ende asnjë koment për këtë ndryshim të njëanshëm të marrëveshjes.
Vendimi i Giorgia Melonit mori dritën e parë jeshile në Dhomën e Ulët më 15 maj. Nisma është kundërshtuar ashpër nga opozita italiane dhe nga organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.