Kriza e çmimeve nuk ka marr fund! Pranvera po e konfirmon. Inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë në raport me shtrenjtimin e çmimeve u rrit në 2.3 për qind në prill nga 2.1 për qind në mars. Më herët treguesi kishte mbetur i fiksuar në nivelin 1.9 për qind për dy muaj me radhë.
“Si të importit, ashtu edhe ato vendase shumë të shtrenjta. Kanë mbetur çmimet siç ishin për vitin e ri edhe tani në prill. Nuk merret vesh se çfarë bëjnë. Një kg kastravec 3 mijë lekë”, thonë qytetarët për mikrofonin e A2 CNN.
Shtrenjtimi me ritme më të shpejta i çmimeve muajin e shkuar u ndikua kryesisht nga ushqimet dhe pijet. Inflacioni te kjo kategori produktesh kapërceu në 3.8 për qind nga 3 për qind në mars dhe vetëm 1.5 për qind prillin e një viti më parë.
“Në gjykimin tim, rritja e lehtë e inflacionit muajin e shkuar më shumë është sezonale. Veç kësaj kemi të bëjmë edhe me problemin tjetër, atë të tregtarëve. Kemi spekulime në treg”, thotë Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Vala e krizës së çmimeve në Shqipëri mund të rikthehet e fortët! Kështu paralajmëroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në konferencën e fundit për vendimmarrjen e politikës monetare. Donald Trump me “luftën tregtare” dhe Vladimir Putin me “mësymjen në Ukrainë” do të ishin arsyet.
“Ne teorikisht në import do duhej të kishim çmime më të lira, por kjo nuk do të ndodhë. Çmimet e ushqimeve do të mbesin të shtrenjta në rast se qeveria nuk ushtron kontrolle në tregje”, thotë Gjokutaj.
Me gjithë flukset e shtuara të turistëve, inflacioni te baret dhe restorantet në prill ra në vetëm 1.7 për qind nga 1.9 për qind në mars./ A2CNN