Më datë 28 Maj, qitësi mendohet se ka bërë provën e parë për të rrëzuar në tokë pakon që ka marrë përsipër si porosi për ta ekzekutuar.
Por nga komunikimet, ajo që mësohet është se nuk ia ka dalë dot. Kjo, pasi e kanë penguar degët e selvisë që janë në oborrin e banesës së Ardian Çapjas.
Komunikimi më poshtë mendohet se është zhvilluar midis vetë Suel Çelës dhe qitësit.
Biseda
Hë, s’munde?
S’më lanë degët e selvisë. Shkoj për rrëzë të murit…Q… robt
Ishte e pa mundur, kuptoj
Vetëm kokën i kam parë.
Si thua presim pak, mos kthehet?
Nga ajo çfarë vihet re, Suel Çela duket i dëshpëruar që nuk mundi të eleminojë Ardian Çapja në këtë ditë.
Gjithsesi ai ngushëllon veten dhe të tijët me mendimin se në një nga ditët në vazhdim, do ta mbyllin me sukses këtë punë.
Edhe pse i pezmatuar për humbjen e këtij shansi, ai nuk e humbet toruan, dhe urdhëron çunat të cilët janë vendosur në pika të ndryshme të qytetit dhe jashtë tij, që të lëvizin dhe të jenë gati për një ditë tjetër më të mirë për ta.
Ditë që në fakt nuk do vonojë të afrojë.
Suel Çela
‘Na shpëtoi kurva edhe sot.
Po do e kap, do e kap.
Më ka lodh shumë rob…. Si djall është Puna është, vendi ku jemi ne është delikat, po shyqyr deri tani nuk është djegur.
Përveç kësaj mënyre, e vetmja mundësi është ti hyjmë ‘talebançe’ dhe përfundon pastaj, s’ka rrugë tjetër.
Po të eci edhe 1 metër larg murit, mbaron 100 përqind’.
Pasi kanë dështuar disa herë për të eleminuar Ardian Çapjan, grupi duket më i vendosur se kurrë për ta çuar këtë punë deri në fund.
Aq më shumë kur vetë qitësi ka dhënë siguri se puna mund të kryhet, pasi tashmë ka një panoramë më të qartë të banesës.
Por edhe të vetë zakoneve të viktimës, që duket se ka oraret e tij të ajrimit në oborrin e banesës.
Pavarëssht se është penguar në momentin e fundit nga gjethet e pemës.
Ai premton se do të kthehet shpejt në aksion. Është e hënë, data 8 Qershor dhe për të gjithë duhet të jetë një javë e mbarë.
Vetëm 2 orë pasi grupi ka marrë në kontroll zonën me detyra të përcaktuara qartë, Xhino Roka njofton Ledio Zabelin se tashmë më në fund, qitësi ka qëlluar mbi objektivin, Ardian Çapja.
Ora shënon 7.18 min.
Hetimet
Në orën 07:17, Xhino Roka kontakton Ledio Zabelin, të cilit i tregon që objektivi, Ardian Çapja, po del.
Në orën 07:18, Xhino Roka njofton Ledio Zabelin, se qitësi ka qëlluar dhe se ndërrimi i automjeteve do bëhet tek kryqëzimi’
‘Gjuajti. Ikim ‘bisha’.
Ndërrimin te kryqëzimi.
Ikni nëpër vende. Jemi për rrugë.’
Po ndërsa prisnin që Ardian Çapja tashmë të kishte marrë rrugën për në atë botë, duket se gjërat nuk kishin shkuar ashtu siç duhet.
Kjo lihet të kuptohet edhe nga ankthi i shtuar që Suel Çela paraqet në komunikimet me pjesëtarë të togës së tij.
Ku pasi fillimisht sigurohet nëse e dogjën makinën, ai kërkon të marrë informacione në lidhje me ‘shëndetin’ e Ardian Çapjas, nëse është gjallë apo është plagosur.
Vetëm një orë më pas, në orën 9.30, Policia e Elbasanit konfirmon se Ardian Çapja është plagosur.
Çka duket se ligshton edhe më shumë grupin, të cilët panë t’u hidheshin në erë dy vite punë për elemnimin e tij.
Pasi kanë mësuar se Ardian Çapja, ka shpëtuar, por ka marrë një plagë të rëndë, pjesëtarët e grupit fillojnë të luten që të paktën plumbi ta ketë kapur në një organ jetësor që t’i shkaktojë vdekjen e mëtejshme.
Ndërsa tashmë kanë mësuar se plumbi e ka kapur Ardian Çapjan në shpatull.
Gjatë bisedave të grupit del në pah në këtë moment edhe komunikimi që ata kanë me Dedan Gjonin, i cili në këtë kohë mbulon detyrën e zv/shefit të policisë në komisariatin e Elbasanit, që i informon për çdo lëvizje të policisë.
Është ky momenti kur për herë të parë falë edhe bisedave që kreu i grupit bën me anëtarët e tij, grupi hetues do të mësojë edhe emrin, se kush është qitësi i vërtetë që qëlloi me snajper mbi Ardian Çapjan. ‘Marinsi’ i cili menjëherë sapo qëlloi, për të fshehur gjurmët u kthye në mal për të vrarë derra.
Kjo me qëllim për të krijuar alibinë se ai është një gjahtar dhe jo një vrasës me pagesë që thirrej në detyrë sa herë bandat kishin nevojë për dhuntitë e tij të padiskutueshme në përdorimin e armëve me qitje në distancë të gjatë.
Prekë Kodra që shpreh shqetësim përse nuk ia kishte dalë dot, por Suel Çela, i shkruan që të mos shqetësohet aspak për armën dhe se policia deri më tani nuk ka asnjë të dhënë për autorin.
Dhe se ai është interesuar vetë personalisht që të përhapë fjalë, sikur autori i plagosjes së Ardian Çapjas është pjesëtar i forcave speciale greke. Plani i tij, i treguar në bisedat e përgjuara është asgjësimi i plotë, me çdo mënyrë i nipave të Çapjave.
Të cilët ka menduar t’i sulmojë me kundërtank, por i druhet faktit se me një sulm të tillë mund të vrasë edhe fëmijë, dhe nuk e dëshiron një gjë të tillë.
Duhet theksuar se para se të tentonin me çdo kusht eleminimin e Çapjas, në kulmin e përplasjes mes dy grupeve një tjetër ngjarje do të trondiste qytetin e Elbasanit.
Ekzekutimi mafioz i avokatit Ravik Gurra. Avokati i familjes Capja, duket se ishte kthyer në një shqetësim serioz, për kundërshtarët për shkak të provave inkriminuese që siç thuhet kishte mbledhur kundër tyre. Ndaj duket se kjo ishte arsyeja përse ai u qëllua mbrëmjen e 22 Marsit 2019, në ambientet e jashme te lokalit ‘Konti’ në lagjen ‘Luigj Gurakuqi’ në Elbasan teksa pinte kafe me disa miq.
Ngjarja e cila dhe sot është e pazbardhur.
Pas vrasjes së avokatit duket se radha i kishte ardhur një tjetër ushtari të Ardian Çapjas.
Ai ishte një nga emrat që Suel Çela, kërkonte medoemos të eleminonte, kjo fill pasi organizata e drejtuar prej tij të lante hesapet me Ardian Çapjan.
Ky personazh që Çela kërkonte ishte Bledar Muça, i njohur si ‘Gollo’, i konsideruar si krahu i djathtë i Çapjave.
‘Gollo’ ishte kthyer në një gjah të pamundur për grupin e Suel Çelës. Kjo, pasi ai ndryshonte shpesh vendet e qëndrimit dhe shihej të lëvizte kohë pas kohe midis Shqipërisë dhe Belgjikës.
Këtu, ku thuhet se ushtronte një pjesë të aktivitetit të tij kriminal, kryesisht në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Gollo, sic e thërrisnin të gjithë i shpëtoi ndjekjes së drejtësisë, por jo ndjekjes së grupit të Suel Çelës.
Të cilët ishin të gatshëm në vitin 2020, ta vrisnin edhe në Belgjikë aty ku qëndronte.
Plan ekzekutimi që del i plotë edhe nga zbërthimi i bisedave në aplikacionin Sky Eç.
Ku edhe këtë herë personat që do të angazhoheshin për të kryer ekzekutimin e tij do të ishin të njëjtët që ishin përfshirë edhe në atentatin e dështuar me snajper ndaj Ardian Çapjas në fillimin e qershorit të vitit 2020.
Por ndryshe nga atentatet e mëparshme, këtë radhë vrasja planifikohet të kryhet në Belgjikë, kjo pasi një nga anëtarët e bandës së Suel Çelës, ka mundur të shquajë në Bruksel, Bledar Muçën.
Por grupi nuk mund të gjuanin në mes të Brukselit pasi kishin frikën e ushtarëve që këto kohë ishin të shumtë në rrugë. Kjo për shkak të masave Covid.
Të cilët sipas tyre nëse nxirrnin armët, mund t’i merrnin për terroristë dhe mund t’i qëllonin.
Bisedat për ekzekutimin e Bledar Muçës vazhdojnë edhe në muajin qershor, pas dështimit për ekzekutimin e Ardian Çapjas.
Ku Suel Çela e quan më të rëndësishme për të, eleminimin e Bledar Muçës se sa të vetë Florenc Çapjas, që e thërrasin ‘Lepri’.
- Çfarë i tha snajperisti Suel Çelës pasi dështoi të ekzekutojë Ardian Çapjan
Por komunikimet në Sky Eç kanë zbuluar pikërisht atë që është përballja më e ashpër midis dy prej klaneve më të rrezikshme që kanë sunduar qytetin për më shumë se dy dekada: Çela dhe Çapja.
Ardian Çapja, në njërën anë që thuhet se sundoi për më shumë se dy dekada qytetin, por që një ngjarje e ndodhur në Tregun Agroushqimor, dëshmoi në fakt se një tjetër emër i botës së krimit po ngjitej shpejt në krye, për t’i zënë vendin. Ky emër që do të ishte ishte Suel Çela.
Personazhi që tashmë nuk pyeste më as për shtetin. Një figurë dominante e krimit të organizuar që po sfidonte hapur grupet kriminale në këtë qytet dhe sidomos klanin kundërshtar të drejtuar nga Ardian Çapja. Një far uest, me viktima të shumta, ku tytat e armëve qëllonin tashmë pa dallim mbi këdo,
Ku mandata tashmë i kishte ardhur vetë ‘xhaxhait’
Ashtu siç në të vërtetë Suel Çela e thërriste në bisedat me të tijët, Ardian Çapjan. Njeriun të cilin ai ishte betuar ta shuante me fis dhe me farë. Mllef që i kishte shkuar në vesh edhe vetë ‘xhaxhait’, që kishte vendosur prej kohësh të mos dilte më nga fortifikata e tij në Elbasan. Një fortesë e rrethuar nga një gjelbërim i lartë, ku ishte e vështirë të penetroje vështrimin. Aty nga ku mund të ndjeje vetëm frymën e tij, në ato pak momente kur ai dilte në liri për të marrë sadopak ajër. Por që çdo frymëmarrje e tij, ishte e monitoruar në çdo skaj nga kamera me rezolucion të lartë.
Kjo pasi Ardian Çapja nuk ishte një objektiv i lehtë për t’u eleminuar. Objektivi që edhe pse vëzhgohej nga kamera të montuara enkas për të kudo në qytet, si edhe në distancë nga ushtarë të shumtë të rivalit të tij, ishte thuajse e pamundur për t’ju afruar. Të paktën deri mëngjesin e datës 8 Qershor 2020, kur u qëllua nga Kodra e Krastës më shumë se 400 metra largësi, teksa ndodhej në oborrin e banesës së tij. Një zakon, ai i ajrimit, të cilin e kryente shpesh mëngjeseve.
Por që atë ditë, sikur të mos ishte për fatlumësinë e tij, mund të kishte rezultuar fatal për jetën, nëse plumbi i vetëm që e rrëzoi në tokë nuk do ta kishte marrë në shpatull, por në një organ jetësor. Një atentat që u deshën katër vite që të zbardhej. Dhe kjo jo falë hetimeve të thelluara të policisë dhe prokurorisë, por edhe zbërthimit të kodit të një kasaforte të quajtur Sky Ec, ku të gjithë tashmë kanë kryqëzuar gishtat, dhe po shikojnë nga dita në ditë se si organizoheshin atentatet dhe vrasjet në Shqipëri nga bandat kriminale.
Ashtu si edhe zbulimi i prapaskenave të këtij atentati, nga ku doli emri i organizatorit dhe bashkëpunëtorëve në këtë krim. Si edhe qitësit misterioz, snajperistit që qëllonte dhe zhdukej pa lënë gjurmë. Por përse Suel Çela kërkonte të vriste Ardian Çapjan, apo ‘xhaxhain’ siç ndryshe ai e quante? Në fakt idea për eleminimin e armikut të tij, nuk ishte një projekt rishtar për Suel Çelën. Por një mendim i vjetër në kohë dhe në kokë, që gjithmonë e kishte munduar. Aq sa për Suel Çelën, vrasja e rivalit të tij, ishte kthyer në një obsesion.
Por kur mendonte se e kishte humbur toruan me ‘xhaxhain’, një atentat i sofistikuar me snajper i ndodhur më 7 janar të vitit 2020, në qendër të qytetit të Rrëshenit, ku biznesmeni Kastriot Reçi, u qëllua nga një distancë e largët me një plumb të vetëm në zemër, duket se Suel Çela e gjeti zgjidhjen për të hequr qafe kundërshtarin e tij.
Suel Çela që pa te ky atentat i realizuar në mënyrë perfekte me snajper, shansin e artë për të provuar edhe njëherë të eleminojë Ardian Çapjan, pikërisht aty nga ku ky i fundit nuk mendonte asesi se mund të qëllohej dhe jo më të vritej.
Kreu i bandës kriminale që shfaqet kaq i etur për gjak në bisedat me bandën e tij, në aplikacionin Sky Eç, aq sa për të hequr qafe rivalin e përjetshëm është i gatshëm të mos kursejë as format më të përgjakshme të pamendueshme. Apo ‘kamikazçe’, siç ai shprehet me të gjithë urrejtjen e tij. Por kush është snajperisti që Suel Çela dhe të tijët thirrën në detyrë për të vrarë Ardian Çapjan dhe pse ai dështoi ta vriste armikun e tij atë qershor të vitit 2020, duke e lënë vetëm të plagosur rëndë në shpatull. Si u inskenua plani për vrasjen dhe kush mori pjesë në organizimin e atentatit?
Sipas bisedave tashmë të zbardhura në aplikacionin Sky Eç, i gjithë plani final për elemiminin e Ardian Çapjas, i diktuar nga Suel Çela që mban edhe gjeneralitetet, Marjus Lulaj, nisi të thuret në fillim të muajit janar të vitit 2020. Koha kur ai thërret në ndihmë snajperistin Prekë Kodra nga Shkodra.
Ujdi midis të dyve që tashmë fillon të materializohet në muajin shkurt të këtij viti. Prekë Kodra, që gjatë bisedave del se ka mundur të sigurojë edhe një armë snajper në Kosovë. Armë që mendohet se ishte blerë për një shumë prej 50 mijë eurosh. Sasi parash që tregojnë në një farë mënyre edhe cilësinë e armës, ku vrasësi ka shprehur gatishmërinë ta realizojë vetë 90 përqind të punës.
Biseda të cilat duket se ngazëllejnë edhe vetë Suel Çelën. Që në komunikimet e tij me pjesëtarë të ndryshëm të bandës, thotë se qitësi është kaq i saktë, saqë mundet ta kryejë vrasjen për vetëm 2 sekonda të vetme.
Dhe vendi i zgjedhur nga ku do të qëllohej do të ishte një zgafellë e mbuluar me shkurre.
Suel Çela
‘Ka mundësi që këtë muaj ta bëjmë Arin.
E kam bërë gati vetëm ok duhet të jap.
Ti s’më beson mua kur them është ‘marins’.
Dy sekonda më thotë e ke në tokë.
Më tha më jep 75, tja jap se i kam marrë kapar.
S’ja dhashë se më thotë kot.
Kishte blerë snajper në Kosovë.
50 mijë e blemë.
Ka bërë ferrat gati ai.
Se s’po del më kurva në derë, por del anash’.
Po ndërsa në terren plani po ecën mirë, duket se pandemia Covid-19, po i prish shumë punë Suel Çelës dhe të tijve.
Pasi bashkë me pjesën tjetër të popullatës, në karantinë ka hyrë edhe objektivi i tyre.
Dhe kjo duket se po ua vështirëson shumë zbatimin me përpikmëri të skenarit.
Kjo pasi Ardian Çapja del shumë rrallë nga banesa.
Që edhe pa këtë element të paparashikueshëm, është mjaftueshëm e fortifikuar për të depërtuar.
Këtë gjë Suel Çela ia konfirmon edhe një bashkëpunëtori të identifikuar si Metin Mehja.
Ku këtë herë i referohet Ardian Çapjas, si ‘Djalli’.
Suel Çela
‘Ka hy në karantinë djalli.
Rri rehat gjysma e punës është bërë.
Zoti në daç të na mbështesi, në daç jo, ne do e bëjmë’.
Planet për eleminimin e Ardian Çapjas vazhdojnë me të njëjtin intensitet edhe gjatë muajit mars të vitit 2020.
I vetmi shqetësim i shprehur në vazhdimësi nga banda është se objektivi nuk po del nga banesa për shkak sipas tyre të frikës nga një infektim nga Covid-19.
Madje për të qetësuar bashkëpunëtorët e tij dhe për t’i siguruar ata se çdo gjë po shkon sipas planit. Suel Çela i dërgon njërit prej bashkëbiseduesve të tij, edhe një foto të Ardian Çopjas, në oborrin e banesës. Që pavarësisht gjelbërimit të dendur, grupi rival edhe për shkak të aparaturave me rezolucion të lartë, ka mundur ta shquajë për së largu dhe ta fotografojë.
‘O Dedë e kam në tavë, ki pak durim.
Pardje doli mori pak ajër.
Takoi edhe ‘Korçarin’ dhe i dha udhëzimet’
Dyshimet e hetuesve janë se Ardian Çapja është mbajtur në vëzhgim nga grupi i Suel Çelës me anë të kamerave statike të vendosura pranë banesës së tij.
Këtë fakt e konfirmon edhe një foto tjetër që Suel Çela i dërgon një prej pjesëtarëve të grupit, nga ku Ardian Çapja dallohet teksa del vetëm disa minuta për të marrë ajër në pragun e banesës së tij./ Në Shënjestër