Ndryshimet klimatike po shndërrohen në një kërcënim serioz për industrinë e verërave, duke ndikuar negativisht në prodhimin e verërave të cilësisë së lartë në shumë rajone të vendit. Specialistët e sektorit shprehen të shqetësuar: vreshtat po vuajnë nga rënia e ndjeshme e rendimentit, ndërsa verërat po humbasin gradualisht aromat e tyre karakteristike që i bëjnë ato unike. Ky fenomen nuk po kërcënon vetëm prodhimin por edhe identitetin e verërave shqiptare.
Ndryshimet klimatike në Shqipëri dhe Evropë po ndikojnë ndjeshëm në ciklet fiziologjike të bimëve, veçanërisht në procesin e lulëzimit që po përshpejtohet gjithnjë e më shumë. Kjo vjen si pasojë e rritjes së temperaturave dimërore dhe mesatareve më të larta të përgjithshme gjatë 5 viteve të fundit.
Ndryshimet klimatike pritet të zvogëlojnë tokat e përshtatshme për vreshtari në Evropë me 25% deri në 73% deri në vitin 2050. Rajoni Mesdhetar pritet të pësojë një humbje prej 68% të zonave të përshtatshme për vreshtari, me rritjen e stresit hidrik deri në 50%, ndërsa Evropa Jugore do të bëhet gjithnjë e më e varur nga zgjerimi i vreshtave në toka të reja, me një ulje të ngadaltë të produktivitetit dhe cilësisë në rajonet tradicionale që shquhen për prodhimin verës.
Sipas Dr. Roberto Puglisi temperaturat maksimale të regjistruara para vjeljes i shkaktojnë bimës nivele stresi shumë të larta. Ky stres përkeqësohet edhe nga shpërndarja jo e njëtrajtshme e reshjeve, me intervale më të gjata mes tyre dhe me fenomene ekstreme.
Veçanërisht temperaturat mbi 40 gradë celsius në periudhën e gushtit shkaktojnë stres të lartë që çon në ndërprerje ose reduktim të aktivitetit fotosintetik dhe ndikon negativisht në aspektin vegjetativ dhe produktiv.
Gjithashtu, krijohen probleme në aspektin nutricional të bimëve. Meqenëse bimët marrin elementet ushqyese nga ciklet qarkulluese të terrenit, gjendja e stresit hidrik ndikon direkt në sasinë dhe cilësinë e prodhimit. Kjo shkakton alterime të parametrave cilësorë, duke përfshirë konsumimin e parakohshëm të acideve organike përpara fazës së pjekjes së frutit dhe rrushit, gjë që më pas ndikon edhe në aktivitetin enologjik. Ndryshimet klimatike të cilat, siç konfirmohen edhe nga të gjithë ata që punojnë në sektorin e bujqësisë, kanë shkaktuar përveç transformimeve fiziologjike edhe efekte të tjera gjithmonë të përbashkëta, të influencuara nga fenomenet ekstreme.
”Periudha të gjata me reshje të shumta apo intervale të tejzgjatura thatësire shfaqen gjithashtu në alterime të patogjenëve me shenja më serioze. Këto shfaqje janë të tipit të sulmimit nga infektues të zakonshëm por me virulencë më të lartë. Në organizmat bimor tashmë të stresuar nga dukuritë ekstreme si temperaturat e larta, mungesa e ujit apo reshjet e dendura, prekja nga infektues si kërpudhat, viruset dhe bakteret, të cilët kanë një tolerancë më të madhe ndaj luhatjeve klimatike në krahasim me llojet e kultivuara, shkakton dëme të pakthyeshme. Për shkak të shiut të shpeshtë, në disa raste fermerët duhet të aplikojnë një numër të tepruar spërkatjesh pesticidësh. Kjo rezulton në kosto më të larta, por gjithashtu edhe më shumë mbetje (probleme me sigurinë ushqimore) dhe cilësi të ulët të rrushit (dhe verës) në përgjithësi.”, shprehet për “Klima Sot” Dr. Roberto Puglisi, agronom.
Janë vërejtur më shpesh specie si peronospora, myku, dhe sulme nga insektet të cilat përfitojnë nga brishtësia e bimëve të dobësuara nga fenomenet ekstreme klimatike. Këto infektime përbëjnë një rrezik serioz për kulturat bujqësore, duke shtuar vështirësinë ndaj fermerëve që duhet të përballen jo vetëm me anomalitë klimatike por edhe problemet e shtuara fitosanitare që vijnë si pasojë e tyre.
Thatësira dhe temperaturat e larta gjatë dy viteve të fundit kanë ndikuar ndjeshëm në kultivimin e vreshtave në Shqipëri, duke detyruar shumë kantina ta vjelin frutin më herët se zakonisht. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e arritjes së nivelit të përqindjes së sheqerit në rrush në një periudhë rreth 15 ditë më herët se zakonisht, ku vjeljet filluan rreth 10-ditëshit të fundit të muajit gusht. Nga pikëpamja teknologjike e nivelit të sheqerit, rrushi kishte arritur pjekurinë e nevojshme, e cila nuk ishte reflektuar plotësisht në drunjëzimin ideal të bërthamës, gjë që reflektohet në nivele më të larta taninash.
Në aspektin teknik, viti 2024 ka përbërë sfidë për shkak të vjeljes në periudhën “normale” me të cilën ishim mësuar, duke sjellë një përqindje më të lartë sheqeri, që reflektohet në humbje të aciditetit dhe në përqindje më të lartë alkooli. Në disa raste kjo mund të reflektohet edhe me bllokim të fermentimit si pasojë e stresit që kalon majaja nga sasia e tepërt e alkoolit. Diçka e tillë ndodh për shkak të thatësirës, ku humbja e ujit përshpejton pjekjen e rrushit, kryesisht në ato zona ku furnizimi me ujë ndonjëherë rezulton i pamjaftueshëm.
Rritja e sheqerit ka sjellë sfida të rëndësishme për procesin e fermentimit. Sasia e lartë e sheqerit ka çuar në përqindje të lartë alkooli, duke krijuar vështirësi në fermentim, deri në bllokimin e fermentimit alkoolik në disa raste.Këto ndryshime me kalimin e viteve mund të ndikojnë edhe në profilin aromatik të varieteve, ndoshta duke i dëmtuar ose ndoshta duke i bërë më interesante. Gjithsesi, kjo është një sfidë më vete për prodhuesit dhe për agronomët, të cilët përballen me vështiërsitë që shoqërojnë sektorin bujqësor në tërësi. Të gjitha këto sfida pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe të kenë ndikim në fushën e enologjisë dhe prodhimit të verërave në Shqipëri”.
Thotë Julian Karaulli, asistent lektor pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Kosova është gjithashtu veçanërisht e ekspozuar ndaj përmbytjeve dhe anomalive klimatike në të ardhmen e afërt, ndërsa thatësira dhe temperaturat e larta përbëjnë probleme të ndërlikuara për tokën dhe stoqet e rrushit.
Ndryshimet klimatike po e shtyjnë vreshtarinë mesdhetare drejt tokave të margjinalizuara, të cilat po bëhen të papërshtatshme për shkak të dëmtimit të dheut, humbjes së lëndëve ushqyese, ndryshimeve klimatike dhe një sërë faktorësh që ende nuk janë kuptuar plotësisht. Këto ndryshime do të rrisin ndjeshëm rrezikun e shembjes së sistemeve me biodiversitet të ulët, siç është monokultura.
Praktikat aktuale të vreshtarisë në Kosovë mbështeten kryesisht në monokulturë, një stil që nuk përputhet me kërkesat në rritje të tregut për verëra me biodiversitet të lartë. Kjo e vendos vreshtarinë e Kosovës në një pozicion të brishtë ndaj ndryshimeve klimatike dhe nënvizon nevojën për dizajne të qëndrueshme bujqësore që ofrojnë strategji të përballueshme dhe afatgjata për zbutjen e këtyre ndikimeve.
Problemet kryesore me të cilat përballet vreshtaria e Kosovës si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe mjedisore përfshijnë dëmtimin e tokës, ngricat, breshërin, mjegullën, ndryshimet e temperaturës dhe anomalitë e reshjeve, të cilat shpesh përkojnë me periudha kritike për prodhimin e rrushit. Shumë nga këto çështje krijojnë kushte tepër të favorshme për dëmtuesit, veçanërisht për insektet, që po shkatërrojnë vreshtat në mbarë Kosovën. Gjithashtu, vreshtat në Kosovë janë të ndjeshme ndaj mykut të bardhë dhe të kaltër, që zhvillohen për shkak të ngopjes së tokës me ujë, një problem që do të përkeqësohet me ndryshimet klimatike dhe mungesën e ndërhyrjeve efektive.
Sëmundja Petri (kalbja e rrënjëve) përbën një problem madhor për vreshtarët në të gjithë botën dhe është një sfidë e vazhdueshme për rajonin, por përhapja e patogjenit mund të menaxhohet përmes ndërhyrjeve kimike, heqjes së bimëve të infektuara dhe trajnimit të fermerëve.
“Të gjitha këto ngrenë pikëpyetje rreth mënyrës së menaxhimit të vreshtave që ka qenë konceptuar deri më sot. Duhet të mendojmë për teknologji të reja duke konsideruar raportin hidrik, sidomos në momentet kur kërkesat janë më të larta në varietete të reja më tolerante.
Ndryshimet klimatike na detyrojnë të rishikojmë praktikat tradicionale të kultivimit të vreshtave dhe të përqafojmë qasje inovative. Sistemet e ujitjes me prioritet në periudhat me kërkesë më të lartë dhe teknologjitë e monitorimit të lagështisë së tokës mund të optimizojnë përdorimin e ujit. Gjithashtu, duhet të eksplorojmë përzgjedhjen e kultivarëve që tregojnë rezistencë më të mirë ndaj thatësirës dhe temperaturave të larta”, thotë për “Klima Sot” Dr. Puglisi./ Klima.al