Emigrantët e vendosur në kampin e Gjadrit po përballen me kushte të vështira jetësore. Përveç mungesës së lirisë, ata po përballen me mungesë së aksesit në drejtësi dhe trajtim çnjerëzor.
Tridhjetë e tetë emigrantët të mbërritur nga vendet e Lindjes dhe të strehuar në kampin e Gjadrit, si pjesë e marrëveshjes mes Qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, po përballen me kushte jetese të rënda dhe trajtim, që sipas aktivistëve dhe rrjeteve për të drejtat e njeriut, përbën shkelje të normave ndërkombëtare.
Monitorimet e kryera nga Delegacioni i Tryezës për Azil dhe Emigracion, tregojnë se migrantët jetojnë të izoluar në hapësira të vogla, nuk u lejohet të fikin dritat gjatë natës, të lëvizin lirshëm dhe trajtohen me qetësues dhe ilaçe psikotrope pa miratim. Aktivistët italianë e krahasojnë kampin me një formë moderne të një kampi përqendrimi.
Godina e kampit në Gjadër u ndërtua pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Qeverisë shqiptare dhe asaj italiane dy vite më parë, më 2023-shin. Sipas marrëveshjes të publikuar, në Gjadër do të vendoseshin meshkujt në moshë madhore nga vendet e cilësuara si të sigurta e që do t’i nënshtroheshin procedurave të përshpejtuara për azil në Itali.
Megjithatë, aktualisht kampi gëzon një tjetër status, duke e shndërruar në një qendër për të dëbuarit, sipas një drafti të ri të miratuar nga qeveria e kryeministres italiane, Giorgia Meloni.
Rregullat e Bashkimit Evropian nuk e lejojnë transferimin e emigrantëve në një vend që nuk është as vendi i tyre i origjinës dhe as vendi i tranzitit.
Të dëbuarit

Me duar të lidhura dhe në shoqërinë e autoriteteve italiane, 40 emigrantë me origjinë nga Bangladeshi, Maroku dhe Tunizia kaluan kufirin detar midis Shqipërisë dhe Italisë më 11 prill nëpërmjet anijes “Libra”.
“U morën në mënyrë brutale, nuk iu tregua destinacioni i tyre, dhe ata që kërkuan të përdornin tualetin iu tha të “kryejeni nevojat personale në të mbathurat”, gjë që për fat të keq ndodhi”, – tregon Eleonora Stano, anëtare e Këshillit Drejtues të shoqatës “Mediterranea Saving Humans”.
Për të disatën herë destinacioni i udhëtarëve të anijes ushtarake italiane ishte kampi i Gjadrit, megjithatë, ndryshe nga herët e mëparshme kur emigrantët u kthyen mbrapsht në Itali, 38 prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë në ambientet e kampit.
Aktivistët italianë e krahasojnë kampin me një formë moderne të një kampi përqendrimi ndërsa rezultatet e nxjerrja nga monitorimi i mjediseve të brendshme të kampit të Gjadrit e përforcojnë këtë bindje.
Sipas Delegacionit të Tryezës për Azil dhe Emigracion, që ka mundësuar zhvillimin e një monitorimi të pavarur të transferimit dhe qëndrimit të emigrantëve të kampin e Gjadrit, ata po përballen me kushte të vështira qëndrim, çka bie ndesh normat evropiane të respektimit të të drejtave të njeriut.
“Vendimi për të transferuar me detyrim persona tashmë të ndaluar në Itali në një CPR të zhvendosur jashtë kufijve kombëtarë përbën një shtrembërim të qartë të normave evropiane dhe kushtetuese, dhe sjell shkelje të rënda të të drejtës për mbrojtje ligjore, azil, njësi familjare dhe liri personale”, – thuhet në publikimin e CIR Refugati ku problematike paraqitet edhe mënyra e funksionimit të kampit.
“Në ditët e para të funksionimit janë regjistruar disa episode dramatike dhe domethënëse: disa nga personat e transferuar kanë ndërmarrë akte vetëdëmtimi, është vënë re vështirësi në aksesin ndaj ndihmës ligjore, mungesë e informacionit paraprak dhe të qartë mbi transferimin me detyrim, si dhe mënyra transporti që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor,” – raportohet më tej, ndërkohë që Eleonora Stano, thotë në intervistën për “shteg.org” se nga monitori i realizuar prej rrjetit “Mai più lager – NO ai CPR” (Kurrë më kampe përqendrimi – Jo ndaj CPR-Qendra të Përhershme për Riatdhesimin) rezulton se dhomat në të cilat ndodhen emigrantët në kampin Gjadrit janë të pajetueshme.
“Hapësirat e dhomave janë shumë të vogla dhe emigrantëve nuk u lejohet të dalin prej tyre. Ushqimi u shërbehet përmes një dritareje të vogël ose u hidhet në dysheme, duke qenë se nuk ekzistojnë ambiente të përbashkëta apo mensa ku të konsumohen vaktet”, – thotë Stano, duke shtuar se emigrantët po përballen në Shqipëri me një mjedis torturues, ku detyrohen të marrin mjekime qetësues dhe psikotrope.
“Ashtu si në të gjitha strukturat e ndalimit administrativ, edhe në kampin e Gjadrit është përqafuar që në fillim praktika brutale e dhënies së qetësuesve dhe ilaçeve psikotrope, pa marrë më parë pëlqimin e personave të ndaluar, një shkelje e rëndë e të drejtës për vetëvendosje dhe për kujdes shëndetësor”, – tregon Stano.
Nga 40 emigrantë, vetëm një prej tyre u riatdhesua në vendin e origjinës, ndërsa një tjetër u rikthye në Itali. Të tjerët po përballen me shkelje të të drejtave të njeriut dhe me kushte të vështira jetese dhe të pa informuar mbi të ardhmen e tyre.
Kampi i ferrit

Përtej ekranit të celularit, në anën tjetër të detit Adriatik, aktivisti dhe mjeku italian Nicola Cocco shprehet i shqetësuar për jetët e emigrantëve të vendosur në kampin e Gjadrit në Shqipëri.
“Kur flitet për riatdhesimet, meqë një person është riatdhesuar në Bangladesh disa ditë më parë, nga ata që ishin në Gjadër, nuk është se riatdhesimi ndodh direkt nga Shqipëria, sepse kjo nuk bën pjesë në protokoll. Çfarë ndodh? Personi transferohet nga CPR italian (Qendra e Përkohshme e Riatdhesimit) në CPR-n e Gjadrit, më pas sillet sërish në Itali dhe aty bëhet riatdhesimi”,- thotë Cocco.
Mjeku ka bindjen se jetët e emigrantëve nga Lindja po përdoren për propagandë politike në Itali dhe në Shqipëri.
“Problemi është që në Itali kemi rreth 500-600 mijë persona të parregullt, pa leje qëndrimi. E gjithë kjo ‘luftë kundër imigracionit të parregullt’ po bëhet përmes propagandës mbi kurrizin e 40 personave që janë dërguar në Gjadër”, – thotë ai duke shtuar se dërgimi i emigrantëve “të padëshirueshëm” të Italisë është fyese edhe për shtetin shqiptar.
Përballë akuzave për trajtim të ashpër, autoritetet italiane e kanë justifikuar masën si të nevojshme për të përballuar migracionin e parregullt. Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi i ka quajtur emigrantët “kontingjent kriminal”, por Cocco thekson se ndalimi në CPR nuk lidhet me vepra penale, por me mungesën e lejes së qëndrimit.
“Duhet sqaruar se në qendrat e qëndrimit për riatdhesim (CPR) nuk përfundojnë persona për të vuajtur dënime penale. Duhet ta kujtojmë këtë, sepse kemi të bëjmë me ndalim administrativ, i lidhur me mungesën e lejes së qëndrimit dhe me procedurat për riatdhesim të mundshëm. Pra nuk është e vërtetë që dërgohen atje persona për të vuajtur dënime. Mund të përfundojnë në CPR vetëm persona që kanë përfunduar dënimin në burg dhe që gjatë periudhës së burgimit nuk kanë mundur të rinovojnë lejen e qëndrimit dhe menjëherë pasi përfundojnë dënimin, fillon ndalimi në CPR. Ky është mekanizmi”, – thotë ai duke shtuar se emigrantët në kamp nuk gëzojnë të drejtën për mbrojtje ligjore, përveç avokatëve që ofron vetë qendra, çka bie në konflikt interesi me qëllimin e tyre për t’u larguar nga kampi.
Eksperti shqiptar i sigurisë, Fatjon Sofo, ngre shqetësimin e përfshirjes së emigrantëve në aktivitete kriminale, zakonisht për shkak të mungesës së integrimit dhe monitorimit të duhur.
“Eksperiencat në Itali kanë treguar se një përqindje e vogël e emigrantëve, veçanërisht ata me status të pasigurt ose në pritje të depërtimit, janë përfshirë në rrjete kriminale, trafik droge, shfrytëzim prostitucioni dhe krime seksuale. Këto fenomene ndodhin më lehtë kur mungon kontrolli i plotë dhe kur personat nuk kanë një sistem integrimi apo mbikëqyrjeje të qëndrueshme”, – thotë Sofo.
Ndërsa për Eleonora Stanon kampi i Gjadrit përbën një precedent të rrezikshëm për politikat e BE-së në të ardhmen.
Sipas saj, kampi shqiptar mund të jetë nisja e një praktike çnjerëzore e dëbimit të emigrantëve ndërkohë që Bashkimi Evropian parashikon ngritjen e qendrave të ngjashme si ajo që italianët ndërtuan në Gjadër, pas vitit 2027.
“T’i marrësh një copë toke popullit shqiptar dhe të ndërtosh aty një kamp përqendrimi nën juridiksionin italian, për të burgosur dhe depërtuar njerëz nga një qendër në tjetrën, nuk ka aspak të bëjë me sigurinë. Bëhet fjalë për praktika çnjerëzore dhe të paligjshme, të kryera në dëm të personave më të pambrojtur dhe të racizuar”, – thotë Eleonora Stano.