Një grup shkencëtarësh çekë kanë zbuluar në Leskovik, pranë kufirit me Greqinë, liqenin më të madh termal nëntokësor në botë, të cilin e kanë quajtur liqeni Atmos.
Mediat e huaja raportojnë se liqeni shtrihet tjhellë nën sipërfaqen e tokës në 138.3 metra gjatësi dhe 42 metra gjerësi, teksa mban rreth 8,335 metra kub ujë termal të pasur me minerale.
Ekipi duhej të zbriste 127 metra nën tokë për të arritur në liqen, duke e bërë atë një nga gjetjet gjeologjike më të jashtëzakonshme në vitet e fundit.
Zbulimi ishte rezultat i shumë viteve të eksplorimit të udhëhequr nga speleologu çek Marek Audy, i cili së pari dyshoi për ekzistencën e një sistemi të fshehur të shpellave termike në rajonin Vromoner të Shqipërisë pranë kufirit me Greqinë.
Të udhëhequr nga intuita e tij bazuar në përvojën me formacione të ngjashme gjeologjike në malet Guadalupe të New Mexico, gjatë një udhëtimi familjar Audy dhe gruaja e tij eksploruan një shpellë të njohur si Shpella e Squfurit, e aksesueshme nga lumi Vjosë
“Ne nuk ishim njerëzit e parë brenda, por kisha një ndjenjë të fortë se kjo shpellë ishte unike”, kujtoi Audy. Megjithëse i kishte premtuar gruas së tij një përvojë të ngrohtë burimi termal, temperatura e ujit ishte vetëm 26°C. Pavarësisht kushteve, kurioziteti i Audy u zgjua.
“Me akrepat, merimangat, nxehtësinë dhe një erë të keqe nga squfuri, nuk do ta quaja saktësisht një shpellë romantike. Por unë tashmë po merrja fletoren time të shënimeve.” tha Audy.
Për një krahasim, madhësia e dhomës së liqenit është tre herë më e madhe se salla kryesore e Teatrit Kombëtar në Pragë. Hartëzimi i sistemit të shpellave dhe zbulimi i liqenit kërkoi pajisje teknike, të cilat u mundësuan nga Fondacioni Neuron.
Ky organizëm çek i financimit shkencor i siguroi ekspeditës pothuajse një milion korona, dhuruar nga donatorë privatë, dhe tani liqeni në Shqipëri është emëruar Neuron, në nder të këtij fondacioni.
“Gjatë eksplorimit fillestar, krijuam një hartë bazike duke përdorur pajisjet që kishim. E dinim tashmë se kishim zbuluar diçka vërtet speciale. Falë Fondacionit Neuron, morëm një skaner mobil LIDAR, që na mundësoi matjen e të gjithë shpellës dhe të gjithë zonës së liqenit. Do të bashkëpunojmë gjithashtu me hidrologë që do të masin pjesën nënujore të atij liqeni”, thotë Richard Bouda, një fotograf.
Audy më vonë tha për National Geographic: “Kur hymë për herë të parë në atë shpellë dhe pamë liqenin, u mahnitëm. Ishte si të hynim në një botë tjetër.”
Shqipëria, e izoluar prej kohësh gjatë epokës komuniste nën diktatorin Enver Hoxha, ka mbetur kryesisht e paeksploruar, duke lënë shumë nga mrekullitë e saj natyrore të pazbuluara. Sidoqoftë, në fund të vitit 2024, ekipi vuri re diçka të jashtëzakonshme, pamjet me dron zbuluan një shtëllungë avulli që ngrihej nga një vend i paeksploruar, raporton ekipi eksplorues.
Zbulimi tani është përshëndetur nga ekspertët si një moment historik shkencor.