Ishin sekondat e fundit, dhe reagimi I tij ishte vendimtar.
Jo vetëm kaq, por Tomas Strakosha ishte edhe shpëtimtar për skuadrën e tij, AEK-un e Athinës, në përballjen e Superligës greke në fushën e PAOK-ut.
Kryeqytetasit fituan 2-1 në stadiumin e Selanikut, dhe portieri I kombëtares shqiptare pati meritë të madhe, për pritjen që realizoi në minutën e pestë shtesë, një nga më të bukurat e karrierës së tij.
Numri 1 kuqezi e tregoi veten, në fakt, gjatë gjithë ndeshjes. Ai bëri disa ndërhyrje dhe ishte një nga 3-4 lojtarët më të mirë të AEK-ut.
Duket se po e merr plotësisht veten dhe është në formën e duhur, siç duhet të jetë një portier që ka luajtur shumë vite në elitën e futbollit italian, në Serinë A.
AEK fitoi falë dy golave të shënuar nga argjentinasi Erik Lamela, ish-lojtar I Romës pikërisht në Serinë A.
Skuadra nga Athina ka tani 43 pikë në renditjen e Superligës greke, duke qenë në vend të dytë, me po aq pikë sa Panathinaikos.
Diferenca me vendin e parë, që e mban Olimpiakos, është 4 pikë, pra ekzistojnë shanset që Strakosha të fitojë titullin kampion në Greqi, që do të ishte I pari në karrierën e tij.