Në Shqipëri, diskutimi mbi pabarazitë gjinore mbetet i nxehtë. Pavarësisht përpjekjeve për reforma ligjore, organizimit të protestave dhe sukseseve të shumta të grave në fusha të ndryshme, duket se hendeku gjinor është ende një sfidë e pakapërcyer.
Gratë dhe vajzat shqiptare përballen çdo ditë me sfida të mëdha në tregun e punës, në përparimin e karrierës dhe, më e rëndësishmja, në arritjen e pozicioneve drejtuese. Sipas të dhënave nga INSTAT, numri i vajzave mbi 25 vjeç që kanë përfunduar universitetin është më i lartë (21.3%) se ai i djemve në të njëjtën grupmoshë (18.2%). Megjithatë, pavarësisht këtij avantazhi në arsimim dhe kualifikime, diskriminimi në tregun e punës mbetet një realitet që kërkon zgjidhje.
Një gazetare me më shumë se 10 vite përvojë në media, që preferon të mbetet anonime, ndan përvojën e saj personale. Ajo rrëfen se, ndonëse e ka zgjedhur me pasion profesionin e saj, shpesh ka hasur barriera të forta. “Ishte profesioni që zgjodha me dëshirë, por çdo redaksi kishte politikat e veta redaksionale, të cilat ma kanë zbehur ‘vrullin’ për të realizuar ëndrrat e mia,” thotë gazetarja, e cila preferoi të identifikohej vetëm me inicialet A.T.
Ajo thekson se në redaksitë ku ka punuar, shpesh ka parë kolegë që falë lidhjeve personale, parave apo favorizimeve të tjera kanë arritur pozicione të rëndësishme, pavarësisht mungesës së eksperiencës dhe kualifikimeve të tyre. “Nëse nuk pranon të bësh kompromise, shpesh duhet të pranosh një pagë më të ulët ose një pozicion që nuk reflekton punën dhe përvojën tënde,” shton ajo.
Paga është një tjetër aspekt që tregon pabarazinë. “Unë paguhem 70 mijë lekë në muaj, një shumë që nuk mjafton për të mbuluar as qiranë. Me përvojën që kam, paga ime duhet të ishte mbi 1 milionë lekë, por kjo është një mundësi që nuk ma kanë dhënë asnjëherë,” shpjegon A.T.
“Hendeku gjinor në politikë”
Në politikë, situata është po aq sfiduese. Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, e cilëson këtë fushë si një “bastion të burrave,” duke theksuar se gratë përballen me paragjykime dhe barriera. “Pavarësisht sfidave, politika ka gra të forta dhe luftarake që frymëzojnë çdo grua të mos heqë dorë nga ëndrrat e saj. Fuqizimi vjen përmes guximit dhe këmbënguljes!
Për deputeten Hoti, përfshirja e grave në politikë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në qeverisjen e përgjegjshme dhe uljen e korrupsionit. “Gratë sjellin perspektiva të reja dhe energji që janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfaqësimin gjithëpërfshirës. Kur një grua ngjitet lart, ajo hap rrugën për shumë të tjera pas saj,” përfundon ajo.
Ndërkohë, deputetja Lindita Metaliaj thekson se vendi mbetet larg arritjes së barazisë gjinore. “Për të njëjtën punë, një burrë paguhet më shumë se një grua, dhe ky koncept duhet ndryshuar. Përfshirja e grave në çdo aspekt të jetës publike sjell një shoqëri më të shëndetshme dhe të barabartë,” thotë ajo.
Sipas ekspertit të karrierës, Erion Muça, ekzistojnë disa arsye përse gratë paguhen më pak. Ai përmend si faktor traditën kulturore dhe zgjedhjet profesionale që gratë bëjnë që në arsim. “Gratë zgjedhin profesione që nuk i çojnë drejt punëve me paga të larta, si mësuesia, ku shpesh pagat janë më të ulëta,” thotë ai.
Një tjetër arsye është perceptimi i grave si “seksi më i dobët.” Muça kujton një rast ku një kompani specifikoi se profili i kandidatit për një vend pune duhej të ishte burrë. Një grua aplikoi dhe kaloi me sukses intervistën, por iu refuzua puna vetëm për shkak të gjinisë së saj. Në vend të dorëzohej, ajo vendosi të hapte një biznes të ngjashëm pranë kompanisë që e refuzoi, duke e çuar për 7 muaj në falimentim.
Ky rast është një dëshmi se, edhe kur sfidohen, gratë tregojnë guxim dhe aftësi për të triumfuar në një treg të padrejtë pune. Por për të adresuar pabarazitë në mënyrë të qëndrueshme, mbetet e nevojshme një angazhim kolektiv për të ndryshuar normat kulturore dhe politike që mbajnë gjallë diskriminimin gjinor./ Klevis Mehaj Citizens.al