Ndërsa disa vite më parë robotët ishin pjesë e fantazisë kinematografike, sot janë pjesë e realitetit. Ata përdoren në biznese, por jo vetëm, edhe në përditshmërinë e një pjese të qytetarëve të botës për kryerjen e disa punëve. Zhvillimi i teknologjisë me ritme të shfrenuara po zbulon çdo ditë horizonte të panjohura të asaj që inteligjenca njerëzore mund të bëjë. E që sot nuk është më vetëm njerëzore.
Inteligjenca atificiale është ajo për të cilën po flitet kaq shumë në të gjithë botën. Një teknologji që mbart në vetvete mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi, por edhe frikë nga e panjohura. Por, çfarë është inteligjenca artificiale, ajo që ndryshe njihet si IA?
Ajo është një lloj inteligjence kompjuterike, e cila përfshin aftësinë për të mësuar, përllogaritur, formuluar përfundime dhe ndërmarrë veprime.
Një teknologji që mund të bëjë gjithçka, të zhvillojë botën në një formë të panjohur më parë e ky proces mbart me vete dhe pikëpyetje dhe skepticizëm. Nëse një ditë, kur avancimi i IA të arrijë maksimumin, a do të mund të kontrollohet nga njeriu?
Ndër format më të thjeshta të inteligjencës artificiale është ajo që njihet si chatGPT, që mundëson një mënyrë interaktive komunikimi, ku ti pyet dhe mund të marrësh përgjigje mbi gjithçka. ChatGPT është shndërruar tashmë në një normalitet për shumë njerëz dhe biznese, që e përdorin në jetën e tyre të përditshme për lehtësimin e shumë proceseve, si mbledhja e informacionit apo përpunimi i tij.
Nga format më të thjeshta, deri tek ato më të avancuarat që zhvillohen çdo ditë, përdorimi i inteligjencës artificiale në nivel global po ndodh me aq shumë shpejtësi, sa tregu ka arritur në shifra të frikshme.
Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar, vlera e qarkullimit të IA në nivel botëror arriti në mbi 200 miliardë dollarë, ndërsa pritet të kapërcejë në mbi 1 trilion dollar deri në vitin 2030. Sipas të dhënave, 80% e kompanive në botë e përdorin aktualisht Inteligjencën Artificiale në punën e tyre.
Bëhet fjalë për kompani me mijëra të punësuar, që ofrojnë shërbime dhe produkte thuajse në të gjithë globin, me ndikim të jashtëzakonshëm social, ekonomik dhe financiar.
Ndër më kryesoret dhe më të mëdhatë janë Google; Amazon; Microsoft; Tesla; Apple; Facebook (Meta) etj. Këto kompani e përdorin Inteligjencën Artificiale për një sërë funksionesh që përfshijnë: përmirësimin e eksperiencës së klientit, automatizimin e proceseve të brendshme, zhvillimin e teknologjive autonome, avancimin e analizave të mëdha të të dhënave etj.
Me një rëndësi të tillë për funksionimin e kompanive me rëndësi globale, Inteligjenca Artificiale do të ndikojë në rritjen e ndjeshme të ekonomisë botërore.
PBB-ja botërore do të jetë 14% më e lartë në vitin 2030 si rezultat i IA ose 15,7 trilionë dollarë. Fitimet do të ndihen më shumë në Kinë dhe në Amerikën e Veriut, rajone që përfaqësojnë thuajse 70% të ndikimit ekonomik botëror të Inteligjencës Artificiale.
Diella është avatari më i ri i portalit e-Albania, i krijuar me inteligjencën artificiale. Me zë dhe me figurë, ajo iu përgjigjet pyetjeve të qytetarëve që duan të marrin shërbime nga e-Albania. Një produkt IA-je që synon të përmirësojë ofrimin e shërbimeve publike online tek qytetarët dhe të lehtësojë komunikimin me ta.
Por, Diella nuk është shërbimi i vetëm publik i mundësuar nëpërmjet inteligjencës artificiale. Nëpërmjet kësaj teknologjie po asistohet qeveria dhe institucionet në varësi të saj në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit.
Por sa përdoret sot në Shqipëri inteligjenca artificiale dhe ku?
Përveçse në shërbimet publike, ku qëllimi është revolucioni në mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me institucionet shtetërore, edhe një pjesë e biznesit po e përdor inteligjencën artificiale në një pjesë të proceseve.
Kështu për shembull, bizneset shqiptare vitet e fundit po konsiderojnë si shqetësim kryesor të aktivitetit të tyre mungesën e punonjësve. Për të plotësuar hendekun, shumë prej tyre janë drejtuar në tregje të huaja për të importuar punëtorë, teksa disa të tjerë po shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale në vend të njerëzve.
Anketa që zhvilloi Barometri i Ballkanit tregon se 3% e bizneseve të anketuara në vendin tonë kanë pohuar se kanë zëvendësuar punonjësit me Inteligjencën Artificiale. Gjithashtu, 3% e bizneseve në Kosovë dhe Malin e Zi i kanë bërë të njëjtën gjë.
Por, a ka kosto adaptimi i inteligjencës artificiale në aktivitetin e biznesit? A janë mundësitë financiare një ndër arsyet pse kjo teknologji përdoret kaq pak aktualisht nga sipërmarja në Shqipëri?
Ekspertët shpjegojnë se Shqipëria është një rast i veçuar ku shteti është përpara biznesit në përdorimin e inteligjencës artificiale. Ndërkohë që duhet të ishte e kundërta. Pasi i takon sipërmarjes që të jetë avangardë në përdorimin e teknologjive të reja për të rritur nivelin e prodhimit dhe ulur kostot.
Inteligjenca artificiale pritet të japë ndikim të fortë edhe në tregun e punës. Madje, një ndër shqetësimet e ngritura nga skeptikët e përdorimit të kësaj teknologjie është shkurtimi masiv i vendeve të punës dhe zëvendësimi i tyre me IA. Një proces që do të jetë i pashmangshëm thuajse në të gjitha industritë.
Një studim i kryer nga Nokia Bell në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një kompani kërkimi dhe zhvillimi industrial, evidentoi llojet e profesioneve që mund të preken më shumë nga teknologjitë e inteligjencës artificiale. Në krye të listës, janë teknologët e zemrës, sonografitë dhe teknologët e mjekësisë bërthamore. Profesione të tjera që janë gjithashtu të larta në listë janë kontrollorët e trafikut ajror, radiologët, neurologët.
Ky zbulim sfidon besimin e përbashkët se AI kërcënon kryesisht punët me aftësi të ulëta. Në vend të kësaj, studimi sugjeron se ndikimi i AI mund të lidhet më ngushtë me aftësitë specifike brenda profesioneve.
Inteligjenca artificiale është tashmë një realitet, që rritet dhe zhvillohet çdo ditë. Bizneset shqiptare, si pjesë e ekonomisë së madhe globale, nuk kanë rrugë tjetër veçse të përshtaten. Por, çfarë masash mund të merren për ta bërë më të lehtë këtë proces?
Inteligjenca artificiale mund të bëjë gjithçka, përveç dy elementëve: origjinalitetit dhe krijimtarisë. Të paktën, deri më tani. Pasi ritmet e zhvillimit të teknologjive të saj nuk dihet se deri ku mund të arrijnë. Ta shfrytëzosh apo ta kesh frikë? Ndjesitë janë të ndryshme dhe mbi të gjitha personale. Por, i pakundërshtueshëm është fakti se IA është pjesë e jeteës sonë tashmë e nesër do të jetë edhe më shumë./A2 CNN