Emisioni “Vetting”
Rreth 42% e popullsisë shqiptare ose 1.1 milionë shqiptarë janë në prag të varfërisë, duke u përballur me vështirësi të mëdha financiare për të mbijetuar. Shifra alarmante e publikuar nga INSTAT e pozicionon Shqipërinë ndër vendet më të varfra të Europës.
Por rezultatet e Prokurorisë së Posaçme së bashku me raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulojnë se shqiptarët nuk janë të varfër, por të vjedhur nga një klasë politike e korruptuar.
Janë fondet për tenderat dhe koncesionet, ato që zbulojnë se si grupe apo individë të lidhur me zyrtarë të lartë të mazhorancës qeverisëse organizohen për të kapur këto fonde në dëm të interesit publik.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Open Data Albania, “Vetting” ka analizuar procedurat për 1000 tenderat me vlerën më të lartë për periudhën 2014-2023, ku rezulton se 65% e tyre ose 3,49 miliardë euro kanë indicie për korrupsion dhe mungesë gare.
Për të njëjtën periudhë, totali i dëmeve sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit është 8 miliardë e 224 milionë euro dëme nga keqmenaxhimi i fondeve dhe institucioneve publike. Pra, dëmi i bërë nga qeveria shqiptare është sa buxheti aktual i Shqipërisë për 2025 ose gati 60% e borxhit publik.
Sipas raportit “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri” nga Transparency International në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), politikanët kryesisht në qeveri, por edhe te bashkitë bashkëpunojnë me biznesin privat për të shfrytëzuar burimet e vendit, ndërkohë që një gjyqësor i korruptuar siguron pandëshkueshmëri dhe zgjat skemat fitimprurëse korruptive.
Në raportin e publikuar në vitin 2021 theksohet se dekada e fundit ka dëshmuar një forcim të bashkëpunimit midis politikës, biznesit dhe krimit të organizuar, që ka arritur kulmin e tij gjatë viteve të fundit.
Sipas njërit të autorëve të raportit Gjergji Vurmo, korrupsioni ka filluar të ndëshkohet falë SPAK-ut, por ka edhe probleme të tjera në rastin e Shqipërisë.
“Problemi kryesor është se Shqipëria prodhon shumë më shumë korrupsion se çmund të ndëshkojë vet si shtet, si institucione dhe kjo është tragjedia e madhe”, tha për “Vetting” Drejtori i Programit në IDM Gjergji.
Në fakt korrupsioni dhe metodat e tij për të kapur fondet publike janë zhvilluar, duke u përpjekur që të sigurohet mbrojtje nga ligji nëpërmjet një ligji tjetër, gjë e cila i bën të paprekshëm zyrtarët nga SPAK-u.
Kapja e koncesioneve me ligje me porosi
Në fakt korrupsioni dhe metodat e tij për të kapur fondet publike janë zhvilluar, duke u përpjekur që të sigurohet mbrojtje nga ligji nëpërmjet një ligji tjetër, gjë e cila i bën të paprekshëm zyrtarët nga SPAK-u.
Disa nga shembujt e ligjeve të bëra me porosi në Shqipëri lidhen me projektet e partneritetit publik privat ose koncesionet, të cilat në shumicën e rasteve kanë marrë zhvillim në përgjigje ndaj një propozimi të pakërkuar nga një kompani private dhe janë miratuar përfundimisht me ligje speciale.
Sipas ekspertit ligjor, Gjergji Vurmo, në raportin “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri” janë evidentuar disa kategori të ligjeve me porosi.
“Ka pasur një kategori, e cila synonte mbrojtjen e disa kontratave koncesionare apo e kontratave të prokurimit publik, duke ju ofruar një mbrojtje shtesë, që është mbrojtja e ligjit”, u shpreh eksperti ligjor Gjergji Vurmo.
Sipas Transparency International dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ligji special 52/2019 që miratoi kontratën PPP për koncesionin e autostradës Milot–Balldren i fituar nga kompania “A.N.K” shpk është shembull domethënës i një ligji të tillë.
Kjo kompani është në pronësi të Agim Kolës, vëllai i ish deputetit socialist Ndue Kola, i cili ka qenë pronari i kompanisë deri në momentin e marrjes së mandatit të deputetit në 2009. Aktualisht kompania “A.N.K” shpk e Agim Kolës është nën hetim nga SPAK për shembjen e rrugës Korçë-Ersekë.
Sipas ekspertit të ekonomsië Zef Preçi, një pjesë e administratës dhe një pjesë e elitës politike, për t’u pasuruar shpejt duke shkelur mbi normat dhe rregullat e shkruara ka bërë që të ketë një fenomen që quhet monopolizim i tenderave nga një grup kompanish që janë kliente të qeverisë.
Të njëjtin qendrim ka edhe deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e cila thotë se është sistemi që ka përqendruar tenderimet, koncesionet publike në një grup të caktuar individësh.
“Kjo mungesë meritokracie, është dëmi më i madh që i bëhet jo vetëm te buxheti i shtetit, por është dëmi që bëhet te besimi te ekonomia në përgjithësi”, tha për “Vetting” deputetja e PD Jorida Tabaku.
Në fillim të vitit 2018, qeveria shqiptare mori një propozim të pakërkuar nga kompania “A.N.K” për ndërtimin e autostradës Milot–Balldren. Me anë të Vendimit Nr. 387 të Këshillit të Ministrave në 27 qershor 2018, “A.N.K” shpk mori një bonus prej 8.5% më shumë në procedurën e tenderimit.
Në tetor 2018, Ministria e Infrastrukturës nën drejtimin e Damian Gjiknurit njoftoi se koncesioni 13-vjeçar për autostradën Milot-Balldren do t’i jepej A.N.K-së.
Bazuar në kontratën përfundimtare, e cila u miratua me Ligjin 52/2019 – për ndërtimin e një rruge 17.2 km të gjatë me vlerë 256 milionë euro, projekti zbulonte se 1 km rrugë kushtonte gati 15 milionë euro.
Por sipas Strategjisë së Sektorit të Transportit 2016-2020, preventivi për ndërtimin e kësaj rruge mes Milotit dhe Balldrenit ishte rreth 6 milionë euro për km (gati 102 milion euro në total) ndërkohë që projekti i miratuar kushtonte 2.5 herë më shumë.
Ky projekt u kundërshtua nga opozita për kostot e larta ndërsa sipas raportit të 2019 nga Presidenca, procedura për miratimin e projektit ishte realizuar në shkelje nga ish ministri Damian Gjiknuri. Asokohe mazhoranca socialiste e rrëzoi dekretin presidencial duke e kaluar kontratën në Parlament.
Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka konfirmuar problemet me projektin Milot-Balldren, i cili ka zbuluar se struktura e financimit paraqitet e paqendrueshme dhe me gabime në projeksione.
Gjithashtu audituesit evidentuan se projekti ishte miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë edhe pse parashikohen risqe financiare shtesë për Buxhetin e Shtetit pa u analizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Por projekti Milot-Balldren nuk mori asnjëherë zhvillim dhe çeshtja përfundoi në Gjykatë ku janë ezauruar të gjitha shkallët e Gjyqësorit në Shqipëri, duke u mbyllur me vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese në tetor 2024. Fillimisht në raportin vjetor të koncesioneve për vitin 2021, Ministria e Infrastrukturës do të deklaronte se marrëveshja ishte ndërprerë, si rezultat i mospërmbushjes së kushteve të kontratës së koncesionit nga kompania private dhe kjo e fundit ishte njoftuar në dhjetor 2021.
Me anë të shkresës nr. 1074/4 prot., në 13 shtator 2022 Ministria e Infrastrukturës do ti kërkonte transferimin e primit kompanisë së sigurimeve, e cila ishte shuma e garancisë që paguhet nga kompania koncesionare si garanci për zhvillimin e kontratës së koncesionit.
Por në momentin që Ministria ka kërkuar transferimin e primit, kompania e sigurimeve që kishte garantuar primin për kompaninë koncesionare e ka dërguar çështjen në gjykatë në 2023.
Ndërkohë koncesionari “Bardh Konstruksion”, i cili është krijuar nga “A.N.K”-ja ka paditur në Gjykatë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për ta detyruar për vijimin e procedurave të zbatimit të kontratës pasi sipas kompanisë nuk janë plotësuar kushtet, të cilat i mundësonin marrjen e kredisë për realizimin e projektit.
Të treja Gjykatat, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kanë rrëzuar padinë e shoqërisë koncesionare. Ka pikëpyetje nëse çeshtja ka përfunduar në Arbitrazhin Ndërkombëtar, pasi nëse kompania nuk e ka ankimuar, atëhere ajo është e penalizuar automatikisht për të marrë pjesë në procedurat e tenderave publikë.
Sipas raportit nga Transparency International dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, disa projekte PPP ose koncesione që kanë ndjekur të njëjtën procedure (miratimi nga Kuvendi i një kontrate përmes një ligji special) dhe ngrenë shqetësime serioze rreth korrupsionit është “Koncesioni i Orikumit” i fituar nga Gjikuria shpk në pronësi të Florenc dhe Milo Gjikurias dhe “Rruga e Arbrit” e fituar nga “Gjoka Konstruksion” e Rrok Gjokës.
Sipas ekspertit ligjor Gjergji Vurmo, ligjet speciale nuk shkelin ligjin domosdoshmërisht ligjet apo kushtetutën, por shkelin parime që kanë të bëjnë me integritetin e ligjbërjes dhe me integritetin e procedurave të ndryshme vendimmarrëse.
Në raport si ligj me porosi evidentohet rasti për Aeroportin e Vlorës. Për këtë të fundit është lidhur kontrata me “Mabco Constructions SA” në pronësi të Behgjet Pacollit dhe “2A Group” shpk në pronësi të Valon Imerit, djali i biznesmenit nga Kosova Imer Ademi që ka në zotërim kompaninë ALKO-IMPEX General Construcion në Shqipëri. Bie në sy fakti se ligji për Aeroportin e Vlorës është hartuar dhe miratuar në kohë rekord sipas Drejtorit të Programit në IDM Gjergji Vurmo.
“Ligji për Aeroportin e Vlorës është bërë për 18 ditë, nga momenti që është anoncuar për herë të parë nga kryeministri deri në momentin që ka shkuar dhe është miratuar në parlament, kanë kaluar vetëm 18 ditë dhe 18 ditë nuk mjaftojnë për të ngritur një grup pune për tu mbledhur një ose dy herë.” tha eksperti ligjor Gjergji Vurmo.
Por Aeroporti i Vlorës ka ardhur si paketë me themelimin e kompanisë së fluturimeve “Air Albania” që ka një lidhje me planet për aeroportin e Vlorës. Më 12 shtator 2018 qeveria shqiptare krijoi kompaninë duke përdorur kapital të përbashkët me kompaninë turke “TÜRK HAVA YOLLARI A.O”, Albcontrol dhe kompaninë shqiptare “MDN Investment” në pronësi të Najada dhe Rejana Idrizit, e cila u krijua vetëm disa ditë para themelimit të vetë kompanisë “Air Albania”.
Sipas Transparency International dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, nuk është e qartë pse qeveria e zgjodhi këtë kompani private, çfarë procedure u përdor, dhe pse refuzoi të hapet konkurs.
Statuti i kompanisë “MDN Investment” zbulon se kompania do të operojë me qëllim zhvillimin dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës, e cila lë të kuptohet se aeroporti i Vlorës dhe “Air Albania” u bënë me porosi si një paketë.
Por disa nga kontratat për ligjet me porosi të evidentuara në raport kanë patur probleme me procedurat, disa me garën dhe disa prej tyre me zbatimin sipas auditit.
Konkretisht Aeroporti i Vlorës ka patur ankesa për garën, është rishpallur si garë dhe çeshtja ka përfunduar në SPAK. Në shkurt 2019 Paul Rübig, anëtar i Parlamentit Europian nga Partia Popullore Europiane, i dërgoi një letër Komisionit Europian në lidhje me shqetësimet për projektin e aeroportit të Vlorës në Shqipëri.
Në letër Rübig ngre pikëpyetje për qendrimin e Komisionit Europian ndaj raportimeve mediatike që pretendonin shkelje të prokurimit publik dhe ligjit të konkurrencës në Shqipëri për dy rastet, krijimi i linjës së re ajrore ‘Air Albania’ dhe ndërtimi i aeroportit në Vlorë.
Në kthim-përgjigje, Komisioneri Johannes Hahn u shpreh se Komisioni Europian ishte në dijeni të ankesave në lidhje me shkeljen e mundshme të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) midis BE-së dhe Shqipërisë përsa i përket ndërtimit të aeroportit në Vlorë dhe krijimit të linjës ajrore “Air Albania” dhe do të shprehej në lidhje me këtë cështje në muajt në vijim.
Në progres raportin e 2020 për Shqipërinë, Komisioni Europian deklaroi se Shqipëria nënshkroi kontratën për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës brenda Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë, në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit që vendi ynë ka ratifikuar.
Një tjetër kontratë koncesionare me probleme është koncesioni /PPP “Orikum – Dukat” i fituar nga “Gjikuria” shpk, ku struktura e financimit paraqitet e paqendrueshme, duke shkaktuar kosto të panevojshme interesi dhe njëkohësisht ka patur gabime në vlerat e pretenduara për tu investuar.
Në progres raportet për periudhën 2016-2020, vazhdimisht Komisioni Europian ka ngritur shqetësimin për ligjin për koncesionet dhe PPP-të, i cili deri në vitin 2020 lejonte një bonus deri në 10% më shumë pikë për propozimet e pakërkuara në të gjitha fushat që i nënshtrohen ligjit për koncesione dhe PPP.
Ky ndryshim me bonus, i cili është bërë në 2015 solli edhe shpërthimin e numrit të lartë të kontratave PPP dhe koncesione paralelisht me ligjet me porosi.
Sipas deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka shumë arsye që investitorët e huaj nuk marrin pjesë sot në gara publike, duke u ndalur te koncesionet.
“Investitorët e huaj besojnë se gara publike është e mbyllur në momentin kur janë publikuar kriteret e tenderit dhe ky mosbesim te institucionet shqiptare reflektohet me shumë më pak investitorë të huaj në punë publike, në gara publike sidomos në koncesione. Po të shohim kontratat koncesionare që janë në vlerë të madhe, nuk rezulton të ketë asnjë investitor të huaj“,u shpreh deputetja Tabaku.
Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se hetimet e profilit të lartë të SPAK-ut, që përfshijnë disa nga projektet më të mëdha të koncesioneve dhe PPP-ve, tregojnë se si korrupsioni, mund të rrisë koston e investimeve publike. FMN-ja gjithashtu nënvizon se Shqipëria ka një politikë të dobët në menaxhimin e fondeve publike.
Sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preci, kemi një numër të madh të prokurimeve publike që Open Data Albania i identifikon me flamur të kuq, pra me mungesë konkurrence.
“Përqindja e tenderave fitues është përafërsisht sa fondi limit dhe këto janë dëshmi që nga njëra anë mungon konkurrenca, janë paracaktuar fituesit“, tha eksperti Preci.
Në 10 vitet e fundit, sipas Open Data Albania zbulohet se 75% e koncesioneve dhe PPP-ve janë realizuar pa garë, ku një pjesë e atyre që kanë patur konkurrencë janë skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, duke sjellë edhe përplasje në Komisionin e Prokurimeve Publike, raste që kanë përfunduar në Prokurori.
Në rastet e përfshira nga FMN-ja është rasti i tre inceneratorëve, inceneratori i Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, të cilat janë pa garë sepse ka marrë pjesë vetëm kompania fituese. Dy prej këtyre kontratave janë me propozim të pakërkuar dhe me bonus nga qeveria shqiptare, duke kufizuar konkurrencën.
Për të treja rastet u hapën hetimet në vitin 2020 pas kallëzimit në SPAK nga Partia Demokratike, për një nga superaferat që ka ekspozuar bashkëpunimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar me biznesin në dëm të interesit publik.
Një ndër këto raste që i referohet FMN-ja për fryrjen e kostove publike janë edhe koncesionet e shëndetësisë, ku aktualisht është arrestuar ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, ish zv.ministri i tij Klodjan Rjepaj dhe shoku i ish zv. ministrit Ilir Rrapaj si përfitues i koncesionit të sterilizimit.
Ky është rasti i parë që Gjykata e Posaçme me gjyqtare të çështjes Florjedha Davidhi i ka kërkuar SPAK-ut ndryshimin e akuzës duke e rikualifikuar nga shpërdorim detyre, në vjedhje si grup kriminal, ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë të partisë në pushtet.
Në total, sipas të dhënave nga Open Data Albania deri në vitin 2025, të katra koncesionet e shëndetësisë u kanë kushtuar shqiptarëve 29,5 miliardë lekë ose 295 milionë euro, ku vetëm sterilizimi ka marrë 118 milionë euro.
Aktualisht të 4 koncesionet e shëndetësisë janë nën hetim nga SPAK dhe 3 prej tyre janë miratuar gjatë kohës që Ilir Beqaj ka qenë ministër i Shëndetësisë.
Mbyllja e garës me ligj për tenderat e Rindërtimit
Tërmeti i nëntorit 2019 ishte një fatkeqësi e dyfishtë që goditi Shqipërinë. Përveç faktit që shumë persona humbën shtëpitë, edhe sot e kësaj dite shumë prej tyre janë me bonus qeraje ose pa bonus mbi 5 vite pas tërmetit, ndërkohë që institucionet e përfshira akorduan qindra miliona euro fonde për kompani që nuk zbatuan kontratat, por edhe nuk plotësonin kriteret për të fituar tenderat.
Sipas drejtori ekzekutiv të Qendrës Shqiptare për Kërkimet në Ekonomi Zef Preci, problemet me prokurimet reflektojnë mungesën e ekspertizës të kapaciteteve të një numri të madh agjencish shtetërore që kryejnë prokurimet dhe rritjen e influencës dhe sofistikimin e korrupsionit si një krim në procesin e prokurimit.
Sipas raportit nga Komisioni Europian, pavarësisht trajnimeve dhe asistencës së vazhdueshme për të përmirësuar menaxhimin e investimeve publike, reformat institucionale si unifikimi i procesit të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve të investimeve publike, nuk u zbatuan.
Si rezultat, disa fusha të investimeve publike, duke përfshirë fondet e rindërtimit, nuk i nënshtrohen kritereve të zakonshme të vlerësimit dhe rregullave të prokurimit. Madje ky proces ka patur probleme me transparencën.
Sipas organizatës Open Data Albania, kontraktimet për tenderat e Rindërtimit po bëhen në anashkalim me ligjin nëpërmjet Aktit Normativ Ligj 97/2019, i cili hyri në fuqi si masë emergjencë për fatkeqësitë natyrore nga qeveria. Nëpërmjet këtyre procedurave ligjore, qeveria shqiptare i jepte tenderat me procedurë të kufizuar, por në të njëjtën kohë kufizonte konkurrencën dhe sipas Open Data krijonte kushtet për klientelizëm dhe korrupsion.
Sipas studimit në dhjetor 2024 nga Open Data Albania vihet re se buxheti i shtetit duket se ka synuar të ndikojë votuesit dhe të nxjerrë përfitime elektorale për mazhorancën në parlament.
Në shkurt 2024, Kuvendi do të miratonte ndryshimet në ligjin e Prokurimeve Publike, duke sjellë disa ndryshime që do të kundërshtoheshin nga organizatat jofitimprurëse pasi kishte cënim të konkurrencës duke kufizuar garën.
Si rrjedhojë e ndryshimit të ligjit të Prokurimeve Publike në shkurt 2024, ku në nenin 52, pika 2 është vendosur me dispozitë kalimtare që brenda një periudhë 3-vjeçare nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave mund të autorizojë institucionet publike në nivel qendror të negociojnë drejtpërdrejt dhe të lidhin marrëveshje konsulence me kompani ndërkombëtare brenda fushës së tyre në sektorë me interes strategjik.
Sipas kryetares së Komisionit për Integrimin e Europian Jorida Tabaku në prokurimet publike nuk ka më konkurrencë.
“Mungesa e konkurrencës nuk ndikon vetëm në procesin e integrimit, por në cdo proces tjetër konkurrenca është një element kyc që duhet të ketë garë dhe mungesa e garës ka sjellë përqendrimin e ekonomisë në pak duar”, tha deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku.
Por Komisioni Europian e ka kritikuar ndryshimin, i cili imponon negociata nga institucionet publike për të realizuar tenderat për konsulencën pasi eleminon konkurrencën, duke privuar garën.
Sipas progres raportit të 2024, neni i përfshirë në ndryshimin e ligjit të Prokurimeve Publike ngre shqetësime për plotësimin e kushteve nga Shqipëria për integrimin në BE, si edhe për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.
Sipas ekspertit ligjor Gjergji Vurmo, zyrtarët e lartë duke iu druajtur SPAK-ut nuk e shkelin më ligjin, por tentojnë rrugë të tjera.
“Ata nuk shkelin më ligjin, por ata e ndryshojnë ligjin dhe e ndryshojnë në mënyrë të tillë që interesat që ata duan të mbrohen, gjithsesi të bëhen.”,tha eksperti Vurmo.
Prej viti të kaluar, Këshilli i Ministrave ka miratuar të paktën 3 vendime, ku ka autorizuar institucionet publike, që të lidhin kontrata konsulence me negocim të drejtëpërdrejtë në vlera të larta.
Një nga këto autorizime i është dhënë Autoritetit Portual të Durrësit për të lidhur një marrëveshje konsulence me negocim të drejtpërdrejtë me kompaninë hollandeze “Royal Haskoning DHV” për proceset e konkurrimit, kontraktimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes së portit të ri të integruar të Durrësit në Porto-Romano.
Dy autorizimet e tjera sipas të njëjtës procedure i janë dhënë ministrisë së Drejtësisë, ku sipas vendimeve, qeveria shqiptare ka autorizuar ministrin Ulsi Manja që të lidhë kontrata konsulence me dy kompani të huaja. Njëra nga kompanitë është “Boston Consulting Group”, e cila do të këshillojë Ministrinë e Drejtësisë në luftën kundër korrupsionit ndërsa vendimi i dytë lidhet me kompaninë “G37 Chambers”, që do të këshillojë ministrin Ulsi Manja në luftën kundër kriminalitetit.
Pra, në këtë rast qeveria vendosi se kush do e merrte tenderin duke hequr garën nën pretekstin se këto janë interesa strategjike.
Duke analizuar raportet e Agjencisë së Prokurimit Publik për 10 vitet e fundit, “Vetting” ka zbuluar se kemi të njëjtat probleme në fushën e prokurimeve. Një ndër problemet kryesore është mosplotësimi i formularëve të konfliktit të interesit, ku investigimet e “Vetting” kanë treguar se si zyrtarët e lartë nëpër këto institucione u kanë dhënë tendera në konflikt interesi personave të afërm apo të lidhur ekonomikisht.
Vazhdimisht në raporte theksohet se janë kualifikuar kompanitë në kundërshtim me kërkesat e kualifikimit në dokumentat e tenderit dhe përzgjedhje e pajustifikuar e procedurës së prokurimit “Me negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, duke mos argumentuar kushtet që duhet të plotësohen për përdorimin e kësaj lloj procedure.
Në analizën e dokumenteve vërehet mungesa e argumentimit të specifikimeve dhe kritereve të veçanta të kualifikimit dhe vendosja e kritereve për kualifikim që nuk përputhen me kategorinë e prokurimit, të tilla si kërkesa për kategori licence,
Sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preci mungesa e ekspertizës, mungesa e vullnetit politik për të përmbushur funksionet e veta, si agjencitë shtetërore kam parasysh konfliktet e interesave, ka bërë që edhe vendimmarrja të orientohet drejt një numri të kufizuar kompanish.
“Agjencitë rregullatore në këtë fushë sic është Komisioni i Prokurimit Publik dhe agjencitë e tjera, duke përfshirë dhe agjencitë inteligjente, që kanë për detyrë të gjurmojnë fenomene negative që ndodhin, shkeljet e ligjit, lënë shumë për të dëshiruar dhe janë shumë larg pritshmërive”,u shprej eksperti i ekonomisë Zef Preci.
Aktualisht sipas buxhetit 2025, qeveria ka shkurtuar shpenzimet për shëndetësinë dhe arsimin.
Kujtojmë se banorët e një prej vendeve më të varfra në Europë paguajnë 60% të shpenzimeve për shëndetin nga xhepi i tyre ndërkohë që qeveria shkurton buxhetin për të akorduar fonde konsulence me kompani, të cilat më së shumti kanë si synim lobimin në arenën ndërkombëtare.