Bashkia e Kurbinit ka krijuar detyrime të prapambetura ne ndërmarrjen e ujësjellësit tek sigurimet shoqërore.
Prej vitesh janë mbartur detyrime të pashlyera të cilat kanë ardhur në rritje e janë pasqyruar edhe në raportin e auditimit të KLSH që përfshin periudhën 2018-2021.
Bashkia e si pasojë e gjendjes së vështirë financiare, UK Kurbin në mbyllje të periudhës ushtrimore ka krijuar detyrime edhe për zërin paga dhe sigurime, konkretisht në vlerën 3.141.225 lekë për paga dhe në vlerën 1.153.399 lekë për sigurime. Për këto të fundit, si pasojë e vonesave në shlyerjen e tyre, janë gjeneruar edhe gjoba në vlerën 393.660 lekë. Nga organet drejtuese të Shoqërisë nuk është kryer asnjëherë analizë në mënyrë të vazhdueshme në lidhje me llogaritë debitore-kreditore.
Ky nuk është një fenomen i shkëputur por një situatë e përsëritur. Vonesat kanë sjellë gjoba të përsëritura ndaj kësaj shoqërie. Ky ndoshta nuk është rasti i evazionit të mirëfilltë. Por, nëse ndodh që një qytetar i dy punësuar apo profesionist i lirë të vonojë këto pagesa, atëherë atij i bllokohen llogaritë duke iu mohuar edhe minimumi jetik.
“Për arsye të vështirësisë financiare të UK Kurbin, pagesat dhe deklarimet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe e tatimit për të ardhurat e punonjësve janë kryer vazhdimisht me vonesë. Si pasojë UK Kurbin ka gjeneruar gjoba për vitin 2015-2017 në vlerën 1.352.928 lekë, nga të cilat në vitin 2018 janë trashëguar pa likuiduar 393.660 lekë
Debitore rezulton edhe Bashkia e Shkodrës e cila nuk ka shlyer detyrimet ndaj tatimeve. Kjo shoqëri nuk justifikon ndryshimet e bëra në strukturë, numrin e punonjësve, sistemin e pagesave, si dhe nuk ka marrë masa për menaxhimin e përmirësimin e situatës.
Detyrimet për sigurime shoqërore të paraqitura në bilanc për çdo vit pasqyrojnë llogaritjen e kontributeve për sigurime shoqërore e shëndetësore të pa likuiduara.
Së fundi, në 6 bashki u vendos rritja e çmimit të ujit. Mbetet për tu parë nëse do të ndikojë në performancën e këtyre shoqërive. Ne sollëm vetëm disa shembuj konkret pasi thuajse të gjitha këto ndërmarrje rezultojnë me borxhe ndaj skemës së kontributeve.
Referuar raporteve zyrtare, bën përshtypje fakti se akumulimet e detyrimeve janë të shtrira në më tepër se 1 dekadë nga këto shoqëri publike. Madje, zbulohet se shpesh kontributet nuk i kanë shlyer as institucionet.
Konstatojmë se mbetet shqetësuese gjendja tepër e lartë e debitorëve për kontribute të pa derdhura të trashëguar para vitit 2015 nga subjekte buxhetorë dhe jo buxhetor, çka tregon qartë se iniciativat e marra nuk kanë dhënë efektet e pritshme, pasi nuk ka ulur nivelin e debitorëve. Nga detyrimi përgjithshëm, 869.9 milion lekë janë kontribute të pa derdhura nga 492 subjekte buxhetore. Vlerën me të madhe të këtij detyrimi e kanë: Reparti ushtarak 4303, me detyrim 194 milionë lekë, Reparti ushtarak 4451, me detyrim 73 milionë lekë, Reparti ushtarak 4460, me detyrim 68 milionë lekë, Bashkia Kukës, me detyrim 43 milionë lekë, AKBN me detyrim 40 milionë lekë, ALUIZNI Tiranë me detyrim 34 milionë lekë.
Në Shqipëri ekzistojnë qindra ndërmarrje publike të cilat nuk kryejnë asnjë aktivitet, por vetëm shtojnë faturën ndaj buxhetit. Një fenomen i zbardhur në investigimin “Gropa e Kompanive Publike”. Mes tyre, krijohen detyrime kontributesh për punonjës që nuk bëjnë asgjë.
‘Ka gati 38 kompani publike shtetërore të cilat vetëm një pjesë e tyre mund të thuhet që kanë aktivitet normal siç është KESH, OSHEE ndërsa të gjithë kompanitë e tjera përfshirë edhe ndërmarrje prodhuese siç është fabrika e sheqerit në Maliq që nuk prodhon sheqer fabrikat e këpucëve apo tekstile qoftë për veshje ushtarake apo civile që nuk prodhojnë asgjë sepse të gjitha realizohen nëpërmjet tregut privat. Janë disa ndërmarrje që kanë ngelur të pashitura dhe nuk e kuptoj se përse autoritet publike nuk reduktojnë kostot’ u shpreh Selami Xhepa, ekspert ekonomie.
Nëse ky që sapo shpjeguam nuk është evazion siç njihet nga ligji, pasojat i ka të njëjtat dhe ndodh me bekimin e zyrtarëve të shtetit.
Mes institucioneve me debi të mëdha renditen pjesa dërrmuese e bashkive të vendit. Gjatë vitit 2023 referuar të dhënave dhe një raporti për qeverisjen vendore të Institutit për Bashkitë e Shqipërisë rezulton se 14 nga 61 bashki kanë shtuar detyrimet e prapambetura./ Inside Story