Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja në Astir, ku një vajzë i kërkoi Policisë se po dhunohej nga disa persona në katin e 8-t të një pallati, por kur efektivët mbërritën në vendin e ngjarjes, ajo nuk iu hapi derën.
Mësohet se bëhet fjalë për një pallat të ndërtuar në vitet e fundit i ndodhur buzë rrugë “Teodor Keko”, pranë mbikalimit në Unazën e Madhe në Astir. Më konkretisht, në një apartament në katin e 8-të, hyrja C, tek pallati ku ndodhet “Eglo”.
Burime bëjnë me dije se në ndihmë të Policisë kanë shkuar dy persona, një burrë dhe një grua, për të negociuar me vajzën për të hapur derën.
Ndërkohë, sipas banorëve të zonës vajza ishte marrë peng. Në vendin e ngjarjes ndodhen Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, “Shqiponjat”, ato RENEA, si dhe shërbimet e ambulancës dhe të zjarrfikëses.
Njoftimi:
“Shtetasja S.Q, ka njoftuar sallën operative se ndodhet në një banesë në katin e 8-të, dhe pretendon se është dhunuar nga disa persona. Menjeherë në vendngjarje kanë mbërritur sherbimet e Policisë, Grupi Hetimor, shërbimet zjarrëfikëse dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe ofrimin e ndihmës së qytetares. Shërbimet e Policisë po negociojnë me shtetasen S.Q, pasi e ka mbyllur deren dhe nuk pranon ta hap.” – thuhet në njoftim.