Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 5 Janar, ku persona të maskuar u futën në një berberahne dhe rrahën brutalisht me sende të forta 48-vjeçarin Adriatik Roshi, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Një prej autorëve të dyshuar është biznesmi Artur Koçeku, i cili njihet si Tur Koçeku dhe zyrtarisht ka zgjedhur të vetëquhet Luçiano Koçeku, teksa ka qenë protagonist dhe i disa ngjarjeve të tjera të mëparshme, siç ishte sherri i ndodhur gjatë verës, në një lokal të një prej resorteve më të njohura në bregdetin e jugut.
Autoritetet raportojnë se për dhunimin e Adriatik Roshit, në kuadër të operacionit të koduar “Details”, janë arrestuar dy prej autorëve dhe 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Më konkretisht në pranga janë vënë shtetasit: Gani Koçeku, 24 vjeç dhe Ledio Tusha, 31 vjeç (Nipi i Tur Koçekut). Ndërkohë, në kërkim janë shpallur shtetasit Ronald Koçeku, Luçiano Artur Koçeku, Gëzim Koçeku dhe Dino (Abedin) Koçeku.
Gjatë kontrollit në banesat e tyre, uniformat blu kanë sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe një armë gjahu, që i posedonin këta shtetas, dy automjete dhe disa veshje që kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.01.2025, në një berberhane, në rrugën “29 Nëntori”, kanë goditur me sende të forta, dyshohet për motive të dobëta, shtetasin A. R., 48 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Burime bëjnë me dije se organizatori i ngjarjes së dhunimit brutal të 48-vjeçarit Adriatik Roshi ka qenë biznesmeni Tur Koçeku. Në pamjet e publikuara nga Policia, autorët kanë qenë të maskuar kur janë futur në berberhane.
Kjo ngjarje dyshohet se ka lidhje me sherrin në Palasë, të regjistruar më 24 gusht të 2024-ës, ku Luçiano (Artur) Koçeku u sulmua dhe u plagos rëndë në një lokal të një prej resorteve më të njohura në bregdetin e jugut.
Rrahja e Adriatik Roshit dyshohet se mund të jetë si shenjë hakmarrje për ngjarjen e gushtit në jug të Shqipërisë, megjithatë ende nuk faktohet nëse Adriatik Roshi ka qenë pjesë e sherrit në Palasë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
1 armë zjarri pistoletë, me leje, që u gjet në banesën e shtetasit Ledio Tusha;
1 armë gjahu, që u gjet në banesën e shtetasit Dino (Abedin) Koçeku;
2 automjete që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje;
Veshje që dyshohet se kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes, të cilat u gjetën në njërin prej këtyre automjeteve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.