Në këtë periudhë fundviti sipas operatorëve përpunues -grumbullues dhe eksportues është frenuar eksporti i vajit të ullirit për në Itali dhe SHBA.
Drejtues të subjekteve përpunuese dhe eksportuese të vajit të ullirit pohojnë se aktualisht nuk po eksportojnë vaji rifuxho drejt Italisë, për shkak të humbjes së konkurrueshmërisë në çmim me daljen e prodhimit të ri nga shtete europiane, si: Greqia, Spanja, përfshirë edhe vendet e lindjes së largët, si: Maroku apo Tunizia.
Rritja e lartë e eksporteve në 2023, kryesisht të vajit rifuxho drejt Italisë, u nxit pas bumerangut të krijuar me mbiprodhimin e vitit 2022, ku fermerët nuk gjenin treg shitje për vajin e ullirit.
Eksportuesit pohojnë se prej grumbulluesve italianë vaji po kërkohet me çmim nga 450 -500 deri 550 lekë për litër. Çmimi i kërkuar sipas tyre është i paleverdishëm, krahasuar me rritjet e kostos së prodhimit të ndikuara, veçanërisht nga shtrenjtimi i pagesave për vjelësit dhe mungesa e subvencioneve për çdo litër vaj të prodhuar. Ndërsa jashtë nga fermeri çmimi i vajit po shitet nga 3.9-4.4 deri 5.4 euro për litër.
“Nuk jemi konkurrues në çmim në Europë për prodhimin e ri të vajit të ullirit. Aktualisht çmimi i vajit të ullirit në origjinë, pra nga fermeri në shtetet europiane, si Greqi është 4.9 euro për litër, në Spanjë 3.5 euro për litër. Nga grumbulluesit shqiptarë vaji është marrë prej fermerëve me çmim 600 deri 650 lekë për kg apo 600 lekë deri 610 lekë për litër. Me këtë çmim kemi grumbulluar sasi të konsiderueshme vaji të ullirit, por jo në nivele të larta”, pohon Ylli Hajdini nga fabrika e përpunimit dhe prodhimit të vajit të ullirit “Borshi”.
Taulant Musaraj një prej drejtuesve të fabrikës së përpunimit, grumbullimit dhe eksportit të vajit të ullirit në fshatin Cakran të Beratit thotë se nga prodhimi i ri nuk ka eksportuar asnjë sasi vaji. Vjet ai eksportoi drejt Italisë 19 bote, secila me sasi prej 20.5 ton vaj.
“Me daljen e prodhimit të ri pothuajse nuk kam eksportuar asnjë pikë vaj ulliri, krahasuar sasisë së lartë që eksportova vjet. Kjo është për shkak të çmimit të ulët që po kërkohet prej operatorëve italianë për vajin rifuxho. Vaji prej tyre po kërkohet 500 lekë për litër, por prej nesh çmimi është grumbulluar 600 lekë nga fermeri”.
Musaraj thotë se çmimi i shitjes nën 600 lekë për litër është i paleverdishëm për eksport, pasi kostot sivjet të prodhimit të vajit u rritën nga pagesat e larta për punonjësit. Ai thotë se në muajin gusht 2024 çmimi vajit të ullirit rifuxho për eksport drejt Italisë arriti 820 lekë për litër.
Rënia e çmimit për eksport drejt Italisë është ndikuar sipas tij nga dalja më lirë e çmimit të vajit të ri prej fermerit në Europë dhe në Tunizi.
“Në Spanjë çmimi i shitjes së vajit të ullirit ka arritur 4,4 euro litri. Në Tunizi po ashtu. Nuk është e leverdishme të bien nën 600 lekë për eksport, pasi sivjet pagesat për punonjës janë rritur ndjeshëm. Kjo erdhi pasi nuk gjendeshin punonjës për shkundjen dhe vjeljen e ullirit. Nëse vjet një punëtor për shkundjen e ullirit paguhen 3,000 lekë dita, sivjet është paguar 4,000 deri në 5,000 lekë dita. Ndërsa pagesat për vjelësit kanë arritur 2,500 lekë dita. Dhe në ditë vjel 1 kv ullinj. Kostoja e punëtorisë është tepër e lartë”, thotë ai.
Situata është ngjashme edhe për një përpunues dhe eksportues të vajit të ullirit në Belsh. Aldo Jolla tha se pas një sasie të vogël të vajit që eksportoi në Itali në muajin nëntor, aktualisht ka ndalur eksportin. Shkak është çmimi i ulët i kërkuar nga kompanitë italianë, që vlerësohen sipas tij se janë nën kosto prodhimi.
“Në fillim arritëm të eksportonim drejt Italisë vaj me çmim 600 lek për litër. Eksportet ishin në sasi të ulëta. Aktualisht kemi ndalur eksportet pasi çmimi i kërkuar është nën koston e prodhimit. Prej operatorëve italianë vaji po kërkohet me çmim 450 deri 500 lekë për litër. Rënia e çmimit është ndikuar nga konkurrenca e vajit të Spanjës që po del në origjinë me çmim 3.8 apo 4.4 euro për litër.
Fermeri shqiptar e ka të pamundur të konkurrojë me këtë çmim, pasi kostoja si vjet e prodhimit ishte e lartë. Së pari ndikuan pagesat e larta për vjelësit që varionin nga 3,000 deri 4,000 lekë dita nga 2,000 lekë dita që ishin vjet. Janë të detyruar t’i paguajnë shtrenjtë vjelësit, pasi nuk gjenden punonjës. Në Greqi vjelësit po paguhen 80 euro/dita. Vendasit emigrojnë për punë sezonale drejt Greqisë nga pagesat e larta. Fermerët po ashtu nuk subvencionohen për sasinë e vajit të prodhuar siç ndodh në vendet e tjera. Ndërsa në Spanjë ulliri kokërrvogël vilet me makineri”, thotë ai.
Jolla nënvizon se është në pritje të stabilizimit të çmimeve për të nisur eksportet.
“Presim që çmimit për eksport të stabilizohen, duke nisur nga muaj shkurt-mars për të nisur eksportet”, thotë Aldo Jolla grumbullues dhe eksportues vaji në Belsh.
Frenohet edhe eksporti i markave drejt SHBA
Rënia e çmimit të vajit të ri të ullirit të prodhuar në Europë me pasojë humbjen e konkurrueshmërisë së prodhimit tonë vendas, po dëmton edhe eksportet e brandeve të vajit të ullirit.
Ylli Hajdini çdo vit sasi të konsiderueshme të vajit të ambalazhuar të ullirit të markës “Borshi” e eksporton në SHBA. Ai thotë se aktualisht nuk ka kërkesë për eksport në SHBA, pasi furnizimet po bëhen nga Greqia për shkak të çmimit më të ulët të ofruar.
Edhe Kastrijot Çuedari përpunues dhe eksportues në Berat pohon se aktualisht nuk ka kërkesë për vajin e ambalazhuar në SHBA, pasi çmimi i ofruar nga Greqia është më i lirë sesa prodhimi vendas.
Ylli Hajdini rendit një sërë arsyesh pse prodhimi vendas nuk arrin të konkurrojë fqinjët.
Sipas tij kostot e larta të prodhimit janë jo vetëm për shkak të pagave të larta për punonjësit, poir edhe nga mekanizimi i ulët që nuk nxit rritjen e rendimentit, mungesa e subvencioneve për çdo litër vaj të prodhuar nga fermeri, siç në Greqi ku shteti subvencionin fermerin 1 euro për litër dhe nga niveli i lartë informalitetit të shitjeve në vend.
Rënia e eksporteve po rrit sasinë e vajit stok në shtëpitë e fermerëve
Pavarësisht se kanë kapacitete ruajtës grumbulluesit pohojnë se nuk po shfrytëzojnë ato plotësisht, për shkak të ndalimit të eksporteve deri në stabilizimin e çmimit. Për pasojë vaji i prodhuar po mbahet në shtëpi nga fermeri. Përpunuesit thonë se kjo rrezikon të reduktojë në sasi të lartë cilësinë. Ndërsa kërkesa në tregun e brendshëm është mbingopur.
“Nëse vaji nuk ruhet në depozita dhe ndahet sipas aciditeteve deri në muajt korrik-gusht rrezikon t’i përgjysmohet cilësia”, pohon Ylli Hajdini nga vaji Borshi.
“Sasia e vajit që po bllokohet në shtëpitë e fermerëve është e lartë. Ne kemi kapacitete ruajte, por kostoja është e lartë. Vaji duhet të nëndahet sipas aciditeteve për t’u ruajtur”, pohon Aldo Jolla përpunues dhe eksportues në Belsh.
Krahasuar me prodhimin e muajve tetor-nëntor, për muajin dhjetor 2024 sipas prodhuesve rendimenti i vajit është rritur ndjeshëm nga 11 litër që prodhohej për 1 kv ullinj, aktualisht po prodhohet 20 litra vaj për 1 kv ullinj. Rritja e rendimentit u nxit nga reshjet e shumta, pas motit të nxehtë të muajit tetor.
Eksportet për janar-tetor 2024
Sipas të dhënave të Doganave, për periudhën janar-tetor 2024 janë eksportuar 2,418 mijë kg vaji ulliri. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar eksportet janë ulur 58,4%.
Në total në 2023 u eksportuan 6,148 mijë kg vaj ulliri. Krahasuar me 2022 sasia e importuar u rrit me 19 herë. Vlera e eksporteve për 2023 arriti në 2,9 miliardë lekë. Në raport me 2022, eksportet në vlerë u rritën 14 herë më shumë. /Monitor