Të zemëruar nga një sistemi i korruptuar rekrutimi, ose thjesht jo të gatshëm për të luftuar, shumë burra ukrainas po paguajnë për të anashkaluar ndalimin e largimit nga atdheu i tyre, duke kaluar fshehurazi në Moldavi, Rumani, Poloni dhe Hungari.
Nga Gabriel Bejan, Oxana Bodnar, Claudia Ciobanu, Zsófia Fülöp, Sofie Kochmar and Valentina Nicolae-Gesellmann
Andriy i pagoi kontrabandistët me kriptomonedha dhe mori udhëzime përmes Telegram-it. Por, në fund, ishte një shkallë e zakonshme që e ndihmoi të kalonte kufirin midis Ukrainës dhe rajonit separatist moldav të Transnistrisë.
“Nuk e di ku e kaluam kufirin, sepse telefonat tanë ishin të fikur,” tha 22-vjeçari, tani në Gjermania, duke folur me kushtin që emri i tij i vërtetë të mos përdoret. Dy burra po e prisnin nga ana tjetër dhe i dhanë një shkallë, duke shënuar dhe momentin e arratisjes së tij nga Ukraina.
Ai ishte student në Kolegjin e Komunikimeve në Kiev kur Rusia nisi agresionin ndaj Ukraines në shkurt 2022. Andriy kishte shpresuar gjithmonë të vazhdonte studimet jashtë vendit.
Ai e mbështeti luftën e Ukrainës duke punuar si vullnetar me refugjatët në qytetin perëndimor të Lviv-it dhe ishte pjesë e lëvizjes rinore të partisë së presidentit Volodymyr Zelensky. Por, me kalimin e kohës, ai u shqetësua gjithnjë e më shumë nga mundësia e rekrutimit për të luftuar.
Në fund të vitit të kaluar, parlamenti i Ukrainës filloi të debatojë për uljen e moshës së rekrutimit nga 27 në 25 vjeç, një propozim që u bë ligj në prill të këtij viti. Të gjithë meshkujt midis moshës 18 dhe 60 vjeç ishin tashmë të ndaluar të largoheshin nga vendi dhe, nga janari, të gjithë 18 deri 25-vjeçarët do të detyrohen të kryejnë stërvitje ushtarake.
Në shkurt, Andriy ndjeu sikur një lak po shtrëngohej rreth tij, ndjenjë që u forcua nga pretendimet në rrjetet sociale për rekrutime të detyruara dhe dhunë nga qendrat lokale të rekrutimit, të njohura si TCK.
“Fillova të kuptoj se duhej të arratisesha nga Ukraina,” tha ai, duke folur në anglisht.
Për këtë hulumtim, realizuar nga BIRN në bashkëpunim me HotNews, tetë burra ukrainas të moshës së rekrutimit ose pranë saj u intervistuan gjatë disa muajve. Të gjithë ata u larguan nga vendi i tyre me ndihmën e kontrabandistëve për të shmangur mobilizimin. Andriy ishte një prej tyre.
Ata treguan për orë të tëra kërkime në internet, për kanale Telegram-i dhe ndërmjetës misteriozë, për kontrabandistë të paguar me kriptomonedha.
Në rastin e Andriy-t, i kushtoi 4,500 dollarë – 1,000 dollarë paraprakisht dhe pjesën tjetër sapo hyri në Transnistri, një rajon kryesisht pro-rus i Moldavisë që u shkëput nga kontrolli i qeverisë së Chisinau-t në fillim të viteve 1990 dhe ku Rusia ka një prani ushtarake.
Pasi gjithçka mbaron, ata që largohen rrezikojnë të shpallen tradhtarë në vendlindje, si vegla të makinerisë propagandistike të luftës ruse. Në fakt, një ekspert i sigurisë së informacionit dhe ish-zyrtar në Ministrinë e Politikave të Informacionit të Ukrainës tha se Rusia qëndron pas të paktën disa prej kanaleve Telegram dhe faqeve në Facebook që ofrojnë udhëzime se si të largohesh nga Ukraina për të shmangur rekrutimin.
“Kur gjen një reklamë të tillë në Facebook, pas saj mund të jetë një kontrabandist i vërtetë që vërtet dëshiron të fitojë para, por mund të jetë gjithashtu dikush nga shërbimet e inteligjencës ruse, nga Transnistria ose madje nga Rusia,” tha ai për BIRN me kusht anonimatin.
Qëllimi i Rusisë, tha ai, është “t’u thotë burrave ukrainas, përmes kanaleve Telegram dhe çdo rrjeti tjetër social, se procesi i mobilizimit është i barabartë me vdekjen”.
I marrë në pyetje nga agjentët
Ukraina thotë se rreth 43,000 ushtarë të saj janë vrarë që nga shkurti i vitit 2022. Perëndimi pohon se Rusia ka humbur shumë më tepër, me Britaninë që vlerëson se mesatarisht 1,523 ushtarë rusë vriten ose plagosen çdo ditë.
Ata që janë të vendosur të shmangin rekrutimin shpesh i drejtohen kontrabandistëve.
Andriy, nga Kievi, bëri përpjekjen e tij të parë në fund të shkurtit, dy vjet pas fillimit të një lufte që nuk tregon shenja përfundimi.
Ai dhe katër persona të tjerë u kapën nga policia kufitare ukrainase në rajonin e Odesës. Ata u mbajtën gjatë natës. “Të nesërmen në mëngjes, ma kthyen telefonin, më dhanë një thirrje për zyrën e rekrutimit ushtarak në Kiev dhe më thanë se do të kishte një çështje gjyqësore,” tha ai.
Andriy u gjobit me 8,500 hryvnia ukrainase, rreth 200 euro. Por ai nuk qëndroi për rekrutim. Ai telefonoi kontrabandistët, të njohur nga vendasit si “organizatorë”. Ata i thanë të kthehej në Odesa, një qytet-port në Detin e Zi në jugperëndim të Ukrainës, pranë kufirit me Moldavinë.
Të nesërmen, Andriy mori një vendndodhje në Telegram dhe thirri një taksi për ta çuar atje. Kur mbërriti, shoferi i tha të ecte drejt përpara. Ai arriti në kufi me Transnistrinë, ku shkalla po e priste. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai me grupin e tij u kapën përsëri, këtë herë nga rojet kufitare të Transnistrisë.
I udhëzuar të dorëzonte sendet personale dhe fjalëkalimin e telefonit të tij, Andriy u fut në një qeli që ai tha se ishte rreth 10 metra katrorë. Me deri në 20 burra të tjerë tashmë brenda, kishte vetëm hapësirë për të qëndruar në këmbë. Andriy tha se ata diskutuan situatën dhe krahasuan çmimet që i kishin paguar kontrabandistëve.
Andriy kaloi natën në një tjetër stacion policor, ku kishte më shumë hapësirë, dhe të nesërmen u mor në pyetje nga agjentë që ai beson se ishin anëtarë të Shërbimit të Sigurisë Ruse, FSB.
“Askush nuk tha drejtpërdrejt se ishte FSB; ata quheshin ‘hetues’, por nuk i përkisnin rojeve kufitare,” tha Andriy. Ai gjithashtu vuri re rusishten e pastër që flisnin, gjë që sugjeronte se ishin nga Rusia vetë, dhe faktin që mbanin veshje civile, ndryshe nga të gjithë zyrtarët e tjerë që ishin me uniformë.
“Ata më pyetën kush jam, nga vij, ku kam studiuar, ku kam jetuar, ku jetojnë prindërit e mi, arsimimin tim, opinionin tim për situatën në Ukrainë, pse doja të largohesha nga Ukraina.”
“Ata vendosën një theks të veçantë në pyetjet për forcat e armatosura të Ukrainës, nëse di ndonjë gjë për sistemet e mbrojtjes ajrore, teknologjinë ushtarake ose nëse njoh ndonjë në ushtri.”
Pas përfundimit të marrjes në pyetje, Andriy u lirua dhe u mor nga kontrabandistët. Ata e çuan në stacionin qendror të autobusëve në qytetin kryesor të Transnistrisë, Tiraspol, dhe i dhanë para për të blerë një biletë për kryeqytetin moldav, Chisinau. “Zyrtari kufitar i Transnistrisë kontrolloi dokumentet e mia dhe m’i ktheu,” tha ai. “Zyrtari moldav nuk i kontrolloi ato.”
Në Chisinau, Andriy u dërgua në një apartament privat në qendër të qytetit, me qira nga kontrabandistët për ata që kishin paguar më shumë, “në mënyrë që të mund të pushonim pak”.
Kriptomonedha ose para të thata
Andriy e kishte bërë mirë detyrën e shtëpisë, kryesisht përmes Telegram-it.
“Unë kërkova ofrues të këtyre shërbimeve, çmimet e tyre, shanset e suksesit dhe komentet,” tha ai. “I pyeta të njëjtët njerëz me llogari të ndryshme për të gjithë procesin e kalimit të kufirit, duke kërkuar për mospërputhje dhe gënjeshtra.”
Ai gjeti vetëm një rrugë: Odesa-Transnistria-Chisinau.
Andriy beson se pas këtij rrjeti kontrabandimi qëndron një organizatë e vetme. “Mendoj se është një mafie,” tha ai.
Tregimi i Andriy-t përputhet me gjetjet e një hetimi zyrtar nga prokurorët në Moldavi.
“Shtetasit ukrainas po kontaktojnë organizatorët e rrjeteve të emigracionit të paligjshëm përmes kanaleve specifike në Telegram,” tha për BIRN Zyra kundër Krimit të Organizuar dhe Çështjeve Speciale në Chisinau.
“Pas kësaj, ata paguajnë me kriptomonedha, sepse është më e vështirë për hetuesit të ndjekin paratë, ose me para në dorë. Pas pagesës, ata marrin udhëzime, gjithashtu në Telegram, për itinerarin e kalimit të kufirit dhe vendin ku do të takojnë personin që do t’i çojë në kufirin me Republikën e Moldavisë.”
Prokuroria tha se po heton 120 raste të veçanta të kalimeve të paligjshme të kufirit nga shtetas ukrainas midis shkurtit 2022 dhe gushtit 2024, dhe se 45 kontrabandistë të dyshuar – si shtetas ukrainas, ashtu edhe moldavë – janë çuar në gjykatë gjatë kësaj periudhe për kontrabandimin e rreth 60 ukrainasve në Moldavi.
“Shumica e tyre janë burra të aftë për të luftuar, në kontekstin e ndalimit që kanë për të lënë Ukrainën,” tha Zyra kundër Krimit të Organizuar dhe Çështjeve Speciale. Të klasifikuar si viktima të emigracionit të paligjshëm të organizuar, shumica aplikojnë për azil dhe nuk përballen me ndjekje penale, shtoi ajo.
Inspektorati i Policisë Kufitare të Moldavisë tha se ka 41 raste penale të hapura që përfshijnë oficerë të policisë kufitare të akuzuar për bashkëpunim në emigracionin e paligjshëm midis viteve 2022 dhe 2024. Përveçse përmes Transnistrisë, Inspektorati tha se ukrainasit gjithashtu hyjnë në Moldavi duke notuar përmes lumit Dniester; të tjerë përpiqen të hyjnë fshehur brenda makinave, autobusëve ose kamionëve, ose duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Fakti që meshkujt në moshë ushtarake po largohen nga vendi nuk është vetëm një problem për përpjekjen ushtarake të Ukrainës; është gjithashtu një problem imazhi.
Autoritetet kanë kërkuar të fajësojnë Rusinë, duke akuzuar Moskën për manipulime psikologjike me të rinjtë ukrainas.
Ish-zyrtari i Ministrisë së Politikave të Informacionit tha se kanalet e organizuara nga Rusia në Telegram po ekzagjerojnë shifrat e viktimave ukrainase dhe pretendojnë se ndihmojnë njerëzit të shmangin patrullat e mobilizimit që kontrollojnë qytetet ukrainase për meshkuj në moshë ushtarake.
“Kanalet në thelb mësojnë njerëzit si të shmangin këto patrulla,” tha ai. “Por nuk është e nevojshme që rusët të dinë saktësisht se ku janë këto patrulla. Ata madje komunikojnë vendndodhje të rreme. Burrat ukrainas mund të shohin faqe të sponsorizuara në Facebook që pretendojnë se i mësojnë ata si të largohen ligjërisht nga vendi. Këto faqe përfshijnë gjithashtu lidhje me kanale specifike në Telegram.”
Në këto kanale, tha ai, individë të paidentifikuar ofrojnë informacione për itinerarin, çmimin, mënyrën e pagesës dhe destinacionin.
Ai tha se autoritetet ukrainase i kishin raportuar këto faqe në Facebook te pronari i rrjetit social, Meta, për t’i hequr – por pa sukses. Telegram, i cili u themelua në Rusi, nuk përgjigjet kurrë, shtoi ish-zyrtari.
‘Një atobuz me të paligjshëm’
Në Chisinau, Andriy bleu një biletë autobusi për qytetin Iasi, që ndodhet menjëherë përtej kufirit në lindje të Rumanisë.
Në kufi, sipas tij, shoferi pyeti pasagjerët: “Kush është ilegal?”
“I gjithë autobusi ishte ilegal,” tha Andriy. “Na nxorën, na morën pasaportat, dhe na çuan në ndërtesën e Shërbimit të Kufirit të Moldavisë, ku na thirrën me emër, në grupe, për marrje në pyetje.”
Ai tha se atmosfera ishte e tensionuar dhe se rojet kufitare moldave ishin të zemëruara, duke i kërkuar të shkruante në rusisht. Rojet pyetën se si kishte hyrë në Moldavi dhe kontrolluan telefonin e tij për kontakte me kontrabandistët. Por “organizatorët” e Andriy-t i kishin thënë të fshinte çdo kontakt dhe çdo gjurmë komunikimi, si dhe të gënjente për mënyrën e kalimit të kufirit.
“U thashë oficerëve moldavë se kalova kufirin me një taksi të rastësishëm, në një kohë të rastësishme, midis një fshati ukrainas dhe një moldav,” tha ai. Po ashtu, u tha se i kishte paguar një fshatari 100 dollarë për ta çuar në Chisinau.
“Është qesharake,” tha Andriy. “Një autobus plot me ukrainas që thonë të njëjtën gënjeshtër për kalimin e kufirit pa ndërmjetës, për taksinë, 100 dollarët, dhe të tjera.”
“Ata e dinë që kemi ‘organizatorë’,” shtoi ai, “por nëse nuk gjejnë kontaktet ose mesazhet, nuk mund të bëjnë asgjë. Thjesht vulosin pasaportën dhe të dërgojnë në rrugën tënde.”
Andriy kaloi kufirin me një autobus që udhëtonte drejt qytetit port të Hamburgut, në Gjermaninë veriore.
Autobusi kaloi drejt përmes Rumanisë, por për disa të rinj ukrainas, Rumania – jo Moldavia – është objektivi i tyre i parë. Kjo zgjedhje mund të jetë fatale.
Sipas policisë kufitare rumune, nga shkurti 2022 deri në tetor 2024, 25 ukrainas kanë humbur jetën duke u përpjekur të kalojnë kufirin midis Ukrainës dhe Rumanisë. Pesëmbëdhjetë prej tyre janë mbytur në lumin Tisza; pjesa tjetër kanë vdekur nga rrëzimet ose hipotermia në malet e Maramuresit.
Shpëtimtarët malorë në Maramures thanë se ata që përpiqen të kalojnë malet shpesh nuk janë të pajisur për kushtet e vështira dhe të pamëshirshme.
Që nga agresioni në shkallë të gjërë i Rusisë, 18,300 shtetas ukrainas kanë kaluar ilegalisht kufirin verior të Rumanisë; kjo përfshin 10,000 vetëm në vitin 2024, deri më 16 tetor. Pas dorëzimit te policia kufitare rumune, ata marrin mbrojtje të përkohshme dhe janë të lirë të shkojnë kudo në Bashkimin Evropian.
Përmes fushave
Autobusi i Andriy-t mbërriti në kufirin hungarez natën, kur shoferi e zgjoi duke udhëzuar pasagjerët të përgatisnin pasaportat.
Ai e kaloi kufirin pa pyetje, duke hyrë në Hungarinë lindore përmes Hajdu-Bihar.
Më në veri, në Nyirbator, punonjësja sociale Eva Adoba tha se kishte parë shumë burra ukrainas të mbërrinin përmes fushave përreth, të mbuluar me baltë dhe të lagur, ndonjëherë pa këpucë. Nyirbator ndodhet rreth 80 kilometra larg kufirit midis Ukrainës dhe Hungarisë. Asnjëri prej tyre nuk dëshiron të qëndrojë, tha Adoba, e cila punon për një OJQ që ndihmon migrantët dhe refugjatët.
“Unë nuk kam takuar asnjë burrë ukrainas që dëshiron të qëndrojë në Hungari. Ata janë rrugës për në Gjermani, Spanjë, Portugali, madje edhe Kanada,” tha ajo.
“Kur u them që jam nga Transkarpatia [Ukraina perëndimore] dhe flas ukrainisht me ta, më besojnë më shumë,” tha Adoba.
“Ndonjëherë më tregojnë se vijnë nga Kharkivi, Mykolaivi ose Odesa dhe se udhëtimi i tyre ka zgjatur disa javë apo edhe muaj. Ndonjëherë duhet të fshihen për javë të tëra në fshatra të Transkarpatias për të tentuar të kalojnë kufirin. Por ndonjëherë nuk duan të thonë asnjë fjalë për rrugën që kanë ndjekur. Janë shumë të traumatizuar.”
“Atyre u thuhet të veshin rroba dhe këpucë të papërshkueshme nga uji, dy numra më të vegjël se këmbët e tyre, që të mos ngecin në baltë. E megjithatë, kam takuar burra që kanë humbur të gjitha sendet e tyre në ujë që u arrinte deri në bel, përveç telefonave dhe parave që mbanin varur në qafë.”
Ukrainasit janë të mirëpritur
Sipas të dhënave të BE-së, deri në fund të shtatorit 2024, shtetet anëtare të BE-së u kanë dhënë mbrojtje të përkohshme më shumë se 4.1 milionë ukrainasve, prej të cilëve pak më shumë se 37,000 ndodhen në Hungari.
Ky status, i vlefshëm aktualisht deri në mars 2025 dhe pothuajse me siguri do të zgjatet, u garanton ukrainasve një leje qëndrimi dhe akses në arsim, kujdes shëndetësor dhe punësim.
Nga më shumë se 37,000 ukrainas në Hungari, 5,241 janë burra të moshës 18 deri 65 vjeç, sipas të dhënave nga Zyra Qendrore e Statistikave të Hungarisë.
Barriera gjuhësore dhe qëndrimi i përgjithshëm kundër emigrantëve do të thotë se Hungaria nuk është destinacioni më tërheqës për ukrainasit, por mikpritja që ata marrin ndryshon dukshëm nga abuzimet dhe refuzimet që shpesh përballen emigrantët dhe refugjatët nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme që kalojnë kufirin jugor të Hungarisë me Serbinë.
“Kur burrat që largohen nga Ukraina për në Hungari takohen me policinë ose rojet kufitare, ata merren, dërgohen në një zyrë emigracioni ku u jepen dokumente, rroba të thata, ushqim dhe ujë nëse është e nevojshme, dhe më pas janë të lirë të vazhdojnë rrugën e tyre,” tha Eva Adoba.
Hungaria madje deklaroi këtë vit se do të konsiderojë pasaportat ukrainase që kanë skaduar gjatë luftës si të vlefshme brenda Hungarisë për rregullimin e statusit të personit dhe ndihmën për të gjetur punë. Për më tepër, Hungaria ofron lidhje shumë të mira rrugore dhe hekurudhore me Evropën Perëndimore.
Një ekspert ligjor i BE-së, i cili preferoi të mbetej anonim, tha për BIRN: “Hungaria, Polonia dhe Rumania respektojnë rregullat dhe nuk bëjnë dallim midis njerëzve që largohen nga Ukraina, edhe nëse janë burra në moshë ushtarake.”
As eksperti i BE-së dhe as Adoba nuk thanë se kishin dëgjuar ndonjëherë për raste kur ukrainasve u është refuzuar hyrja ose janë “detyruar të kthehen” pas në kufi.
Ukraina premton ta bëjë rekrutimin më njerëzor
Udhëtimi me autobus i Andriy-t drejt Gjermanisë e kaloi përmes Republikës Çeke, ku ai kujton se pagoi 150 dollarë për karburantin me kartën e tij bankare ukrainase, pasi nuk mundi të tërhiqte para nga një bankomat për të paguar biletën.
Në Gjermani, Andriy aplikoi për një leje qëndrimi të përkohshme dhe u regjistrua në kurse gjuhe. Ai planifikon të ndjekë universitetin.
Ai nuk është i vetëm.
Sipas Regjistrit Qendror të të Huajve, deri më 12 tetor, në Gjermani ishin pak më shumë se 1.2 milionë refugjatë ukrainas. Rreth një milion prej tyre kanë leje qëndrimi, të drejtën për të punuar dhe për të aplikuar për ndihma sociale. Afërsisht 37 për qind e tyre janë burra, nga të cilët 260,000 janë në moshë ushtarake.
Andriy vazhdon të jetë aktiv në Telegram dhe TikTok, duke mbajtur kontakte me bashkëmoshatarët e tij, duke diskutuar mbi abuzimet e pretenduara nga autoritetet ukrainase dhe strategjitë për arratisje.
Një nga kritikët më të zëshëm të strategjisë së rekrutimit të Ukrainës dhe ndalimit të largimit për burrat 18-60 vjeç është Sergey Khorolsky, një bloger 31-vjeçar në TikTok.
Pasi u arratis përmes lumit Dniester në Moldavi, Khorolsky filloi të organizonte protesta në Berlin këtë vjeshtë. Aktivistë me mendime të ngjashme kanë nisur përpjekje të ngjashme në Dublin.
Për protestën e fundit më 17 nëntor, Khorolsky tha: “Këtë herë, donim të tërhiqnim vëmendjen ndaj fatit të burrave që vdiqën pasi u ndaluan nga komisionet e rekrutimit në Ukrainë.”
“Ne mbajtëm fotot e tyre, në mënyrë që të mos harrohen.”
Në të njëjtën kohë, media të lidhura me Ministrinë e Mbrojtjes të Ukrainës i quajtën protestuesit si agjentë të Rusisë dhe i bënë thirrje ukrainasve që të mos marrin pjesë.
Por Khorolsky dhe protestues të tjerë në Berlin mohuan çdo lidhje me agjencitë e inteligjencës ruse apo shërbimin e interesave ruse. Ata thanë se kishin dhënë para për përpjekjet e luftës së Ukrainës, por kritikuan dhunën e pretenduar nga rekrutuesit e ushtrisë.
Khorolsky pretendoi se kishte prova që shtatë burra kishin vdekur ndërsa ishin rekrutuar me forcë nga qendrat e rekrutimit ushtarak të Ukrainës, TCK-të.
Raportet e medias në Ukrainë thonë se tre nga këto shtatë raste janë nën hetim.
Përballë kritikave të përhapura për taktikat e TCK-ve, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, deklaroi në nëntor se qeveria po punonte për të “humanizuar procesin e mobilizimit”.
Umerov u tha gazetarëve se shpresonte që dixhitalizimi i sistemit të rekrutimit të minimizonte rastet kur burrat kapen në rrugë dhe, në përgjithësi, “të ndihmonte në zgjidhjen e këtyre çështjeve të dhimbshme për popullatën.”
Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi këtë histori.
Dokumente të falsifikuara
Konstantin [emri i ndryshuar] ndjek Khorolsky-n në mediat sociale dhe ndan të njëjtat pakënaqësi.
“Mu deshën vetëm tre minuta për të dalë nga Ukraina drejt Polonisë, pa asnjë pyetje,” tha 22-vjeçari, i cili u largua në qershor të këtij viti.
“Nuk më duhej as të prisja në radhë me të tjerët. Kur isha disa kilometra larg kufirit, mora një telefonatë nga rojet kufitare, të cilët më shpjeguan nga duhet të shkoja. U futa në Poloni në korsinë që përdorin diplomatët.”
Ky trajtim luksoz kishte një çmim të lartë. Konstantin tha se pagoi 12,000 dollarë, një shumë e paarritshme për shumicën e burrave ukrainas që përpiqen të largohen.
Si një sportist profesionist, Konstantin kishte vite që fitonte para të mira. Ai gjithashtu dinte kujt t’i drejtohej: drejtuesit të një OJQ-je lokale, e cila i organizoi një leje njëmujore për të dalë nga vendi si vullnetar i organizatës, në dukje për të punuar “në interes” të ushtrisë ukrainase. Një pjesë e tarifës iu dha rojeve kufitare “dashamirësisë”, të cilët e lejuan Konstantin të kalonte pa problem.
Leja njëmujore skadoi, por Konstantin nuk u kthye më.
Edhe pse gazetat janë plot me histori për ukrainas që humbin jetën në malet Karpate apo duke notuar në lumin Tisza, shumë më tepër kalojnë pa u vënë re në Poloni duke përdorur dokumente false të siguruara përmes ryshfetit.
“Zakonisht janë burrat ukrainas që kanë mjaftueshëm para për të paguar ryshfet që vijnë në Poloni,” tha Jakub Ber, një ekspert i pavarur dhe ish-punonjës i Qendrës për Studime Lindore në Varshavë.
Ber theksoi se gjeografia luan një rol të rëndësishëm. Pjesa më e madhe e kufirit midis Polonisë dhe Ukrainës është e sheshtë, duke e bërë të lehtë për rojet kufitare të dallojnë këdo që përpiqet të kalojë ilegalisht. Kjo e bën kontrabandën të vështirë. Çdo burrë në moshë ushtarake që përpiqet të kalojë duhet ta bëjë këtë “ligjërisht” – me një dokument të marrë në Ukrainë që i jep një leje të përkohshme për të dalë.
Të tjerë ukrainas ofrojnë histori të ngjashme. Në Gjermani, një grua ukrainase tha se ajo dhe i dashuri i saj përdorën të gjitha kursimet për të paguar 7,000 dollarë për një dokument të rremë invaliditeti që e përjashtonte atë nga ndalimi i daljes, duke e lejuar të kalonte në Poloni në fund të vitit 2023.
Gruaja, një 30-vjeçare që punon në IT dhe foli në kushte anonimiteti, tha se e dinin saktësisht kur të kalonin, për të hasur roje kufitare “miqësore”. E gjithë komunikimi u zhvillua përmes Telegram-it dhe nuk e takuan kurrë ndërmjetësin personalisht.
“I dashuri im shkoi në kufi me një ‘taksi’ joformale, një sistem që përdorim këtu: në thelb janë gra që fitojnë të ardhura duke çuar njerëz në kufi; ato nuk kanë lidhje me kalimet ilegale,” tha gruaja. “Por ne duhej t’i jepnim numrin e targës ndërmjetësit, që ai ta transmetonte te rojet kufitare.”
Si shumë të tjerë që u arratisën, ajo tha se fillimisht ishin vullnetarë për përpjekjet e luftës së Ukrainës, por u zhgënjyen kur panë të rinjtë që dërgoheshin në betejë të papërgatitur, duke u detyruar të blinin vetë pajisjet e tyre. I dashuri i saj gjithnjë e më shumë u mbyll në apartament, i frikësuar nga mundësia e rekrutimit.
Edhe Konstantin tha se fillimisht kishte udhëtuar në Evropën Perëndimore për të blerë proteza për fëmijët e plagosur nga raketat ruse dhe madje një satelit Starlink për ushtrinë. Ai e bëri këtë duke paguar të njëjtën OJQ 3,000 dollarë për një leje për të dalë. “Është e çmendur,” tha ai. “Duhet të paguash për të qenë vullnetar.”
Por ai pranoi: “Shumë prej nesh gjithashtu i përdorëm këto udhëtime vullnetare për të marrë një pushim nga stresi i të jetuarit në një vend të shkatërruar nga lufta.”
Në vjeshtën e vitit 2023, Konstantin iu nënshtrua një kontrolli shëndetësor nga një komision shtetëror, duke shpresuar të shmangte rekrutimin për shkak të problemeve të zemrës dhe tensionit të lartë të gjakut.
“Pavarësisht problemeve të mia shëndetësore, të cilat janë reale dhe të dokumentuara mirë nga mjekët, personi në komision më tha se do të më deklaronte të aftë për luftë, nëse nuk paguaja 20,000 dollarë,” tha ai. Konstantin refuzoi.
“Në Ukrainë, nëse je i pasur, mund të blesh një përjashtim të përjetshëm nga ushtria,” tha ai. “Politikanë plotësisht të shëndetshëm dalin si ‘të papërshtatshëm’ për të shërbyer, ndërsa mijëra burra të zakonshëm me probleme shëndetësore përfundojnë në fushëbetejë.”
Polonia bën një sy qorr për arsye ekonomike
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Polonisë, deri në shtator të këtij viti, mbi 167,000 burra ukrainas të moshës 18 deri 60 vjeç kishin marrë mbrojtje në Poloni që nga shkurti i vitit 2022.
Më herët këtë vit, Ukraina pezulloi shërbimet konsullore për burrat që jetojnë jashtë vendit, si një mënyrë për t’i detyruar ata të regjistrohen në bazën e të dhënave ushtarake. Polonia, një aleate e fortë e Ukrainës në luftën kundër pushtuesve rusë, deklaroi gatishmërinë për të ndihmuar Ukrainën që burrat që jetojnë jashtë vendit të kthehen dhe të bashkohen me luftën.
“Unë mendoj se shumë polakë ndihen të zemëruar kur shohin burra ukrainas në hotele dhe kafene, ndërsa dëgjojnë për përpjekjet që ne duhet të bëjmë për të ndihmuar Ukrainën,” tha ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Wladyslaw Kosinian-Kamysz, në komente që me siguri do t’i shqetësonin shumë burra ukrainas në Poloni.
Për vite përpara luftës, qindra mijëra burra ukrainas ishin zhvendosur në Poloni në kërkim të punës.
Pavarësisht komenteve të ministrit të mbrojtjes, Miroslaw Skorka, kreu i Unionit të Ukrainasve në Poloni, tha se Varshava nuk mund të përballojë t’i dërgojë ata mbrapsht.
“Këto mund të jenë deklarata të politikanëve, por shoqatat e punëdhënësve në Poloni po luten për punëtorë,” tha Skorka.
“Tregu i punës në Poloni nuk pati problem të absorbojë qindra mijëra ukrainas që erdhën që nga fillimi i luftës së plotë, dhe ka nevojë për më shumë.”
Përfitimi për ekonominë polake është i dukshëm.
Në vitin 2023, Bartosz Marczuk, kreu i Fondit të Zhvillimit të Polonisë, llogariti se refugjatët ukrainas do të kontribuonin më shumë në buxhetin e shtetit sesa shuma e shpenzuar nga Polonia për ndihmën e tyre deri në fund të atij viti. Kjo është një arsye e madhe për të mos bërë zhurmë rreth burrave në moshë ushtarake që shmangin rekrutimin.
“Autoritetet tona nuk flasin kurrë për këtë,” tha eksperti i pavarur polak Ber. “Kjo temë nuk ekziston në diskursin publik polak.”/BIRN