Nga Gjeneral Piro Ahmetaj
Paraprakisht, dëshiroj t’ju bashkohem urimeve të mbarë-Shqiptarëve: ‘‘Gëzuar 112 vjetorin e pavarësisë si dhe 80 vjetorin e çlirimit nga nazi-fashistët”. Po ashtu përsëris: “përuljen” për martirët e flijuar në shekuj për pavarësinë dhe çlirimin nga okupatorët, si dhe “nderimin” për luftëtarë e një gjenerate patriotësh që pa dallim feje, bindjesh politike dhe krahine j’u bashkuan fitimtarëve të koalicionit anti-fashist në Luftën e II–të botërore.
Ndërsa 47 vjet (1944 – 1991) ndasitë biografike ishin me pasoja fatale, mbetet shumë e shëmtuar që përleshja politike për datën e çlirimit nga nazifashistët (28 apo 29 Nëntor) vijon edhe në 33 vitet e demokracisë fasadë! Pyetja mbetet fare e thjeshtë: “për axhendën e kujt (?!) çdo fund nëntori riciklohet kjo luftë mes paranojakësh”? Po ashtu është e sigurt edhe përgjigja: “përleshjet, përfshi kurorat/rutinën bollshevike për datën e çlirimit”, kurrësesi nuk i’u kanë shërbyer shqiptarëve dhe as intereave kombëtare.
Fatmirësisht, 33 vjet pas vetë-rrëzimit të regjimit komunist është provuar për këdo (përjashto të sëmurët fatëkeq) që: “beteja si e stalingradit për datën e çlirimit nga nazi-fashistët” nuk ka të bëjë me “nderimin e gjakut të dëshmorëve”, as me respektin për sakrificat e Shqiptarëve!
Në të kundërt, gjatë 33 viteve ky teatër i neveritur, j’u ka shërbyer vetëm interesave të një sekti-politikanësh me kullaro demokratike, ose siç i quan në revoltën poetike i ndjeri Arben Duka: “kopeje e hajdutëve* (titulli), gjysma ngjyrë e Blu, gjysma ngjyrë e Kuqe”, të cilët, mbasi hipotekuan Partitë, i’u vodhën Shqiptarëve pronat, ëndrrat si dhe ardhmërinë Euroatlantike, ndërsa ende përpiqen të mbajnë të frymëzuar ushtritë e nostalgjikëve, militantëve dhe sekserëve në betejat elektorale për të mbajtur apo marrë me çdo çmim pushtetin.
E përsëris se aq sa i merituar nderimi që mbart kjo ngjarje për dëshmorët, po aq e pështirë beteja për Ne, të gjallët: “kryesisht aktorët/pronarët e partive, shtetarët kusarë dhe sekserëve rrotull tyre”. Gjithësesi në vijim gjeni një “paketë me 6 të vërteta/vlera”, që shpresoj t’i bashkojnë shqiptartët rreth datës së çlirimit:
E vërteta nr. 1: përtej “detajeve cinike” për orën, ditën, natën, emrin dhe nr.këpucëve të nazistit që u largua i fundit nga Hani i Hotit: “çlirimi i Shqipërisë nga okupatorët nazi-fashist mbetet një ngjarje e lavdishme në historinë kombëtare”. Thënë këtë, duhet mëshiruar mohuesit edhe shtrembëruesit e luftës N-ÇL, pasi pikësëpari ata/ato minojnë përpjekjet për pajtim kombëtar.
E vërteta nr.2: “Shqipëria e vogël, u rreshtua në koalicionin e madh të fitimtarëve”. E vërtet kjo e konfirmuar edhe nga H.Kissinger: “Shqipëria, ndër të vetmet vende që u çlirua pa prezencën e Ushtrisë së kuqe dhe as të aleatëve perëndimorë”.
E vërteta nr.3: Zgjimi i vetëdijes kombëtare mbi ekzagjerimet bolshevike të LANÇ, çka do të shërbente edhe si falje/pendesë për vrasjet dhe burgosjet ndaj jo vetëm kundërshtarëve politik të pushtetit por edhe mijra bashkëluftëtarëve. A nuk do të ishte shumë cinike të mos përulemi me të njëjtin nderim edhe para mijëra shqiptarëve që dhanë jetën, pasurinë dhe gjithçka për çlirimin dhe e orientimin perëndimor; por u vranë dhe persekutuan brutalisht nga regjimi komunist i para/pas Nëntorit 1944 deri në 1991 ?!
Pa pranuar këtë të vërtetë, pa kërkuar ende falje shtetërore (jo nga kusarë) si dhe pendesë njerëzore për mijëra vrasjet, burgosjet, internimet, etj, pajtimi kombëtar “mes sho-shoshoqit” jo vetëm për datën e çlirimit nga nazi-fashistet do vijojë të mbetet mision i vështirë, në mos i pamundur.
E vërteta nr.4: vendet e vogla si Shqipëria, do vijojnë ta kenë të pamundur të vetë-përcaktojnë fatet gjeopolitike! Si e tillë, edhe çlirimi nga nazi-fashistët dhe rreshtimi në kampin lindor: “as i mitizon, as i shfajëson aktorët politik të kohës”. Kështuqë përtej patriotëve folklorik, do duhet të pranohet urtësisht që kontributi i Shqipërisë ishte gjithësesi modest në fitoren e madhe të luftës së II-të botërore. Shqipëria do ishte çliruar gjithësesi “jo më vonë se 8 Maji 1945”, apo Jo ?
E vërteta nr.5: mbas viteve 1990, në shumicën e vendeve të sunduara nga “stalininizmi”, u aplikua dënimi për krime kundër njërëzimit i “udhëheqësve suprem, anëtarëve të Byrosë Politike, Sigurimit të Shtetit etj”. Ndërsa modeli zhgënjyes i RDSh duke dënuar “për kafe” aktorët/autorët e rregjimit kriminal, ndërsa duke promovuar si funksionarë të lartë shtetërorë, deputet, ministra, etj ish-Hetues dhe Spiunë të regjimit kriminal, mbetet gjithësesi një thik në shpinën e aspiratave demokratike !
E vërteta nr.6: bazuar në arkivat shtetërore, deri në 1947, 28 nëntori është festuar zyrtarisht edhe si datë e çlirimit nga nazifashistët. Kjo konfirmohet edhe nga vetë Enver Hoxha, citoj: “28 Nëntori, dita e flamurit u bë dy herë e shenjtë …”! Kështu duke e njehësuar me festën e çlirimit të Federatës Jugosllavisë, 29 nëndori mbetet edhe si një provë e vasalitetit të pështirë të diktatorit E.Hoxha ndaj Marshallit Tito.
Në shtesë, “nëse nuk mund ta ndryshojmë për mirë të ardhmen, pse do duhet të harxhojmë kohë/energji duke diskutuar për historinë/kaluarën”, thotë filozofi/gjeniu i kohëve moderne HARARI në librin NEXUS. Duke mbajtur në konsideratë gjetjet e sa më sipër, si datë zyrtare e çlirimit të Republikës së Shqipërisë nga nazi-fashistët do të ri-sugjeroja një nga 3 opsionet/datat në vijim:
Opsioni parë: data 28 Nëntor, duke i bashkuar si vlera komplementare 2 ngjarjet madhore (Pavarësinë dhe çlirimin e RSh nga zazi-fashistët)!
Opsioni dytë: data 17 Nëntor, çlirimi i Tiranës, ndërsa edhe me definicionin: “data zyrtare e çlirimit, ose data kur në kryeqytet është ulur flamuri i pushtuesit dhe është ngritur flamuri kombëtar”!
Opsioni i tretë: data 8 Maj, ose bashkimi me fitoren e koalicion të fitimtarëve mbi fashizmin (8 Maj 1945), datë që e festojnë edhe +20/32 vende të NATO-s.
NË PËRMBLEDHJE, mbetem shpresëplotë se secila nga këto 3 data/opsione do ishte një zgjidhje e mënçur/munguar për 47+33 vjet, pasi jo vetëm do të shërbejë si “ilaç për të mjekuar plagët e luftës kriminale të klasave”; por do të mbjellë kohezion kombëtar, konsensus të gjerë mes politikanëve të gjeneratës së Re si dhe do të kontribuonte për pajtim jo vetëm rreth datës çlirimin nga nazifashistët!
Me këtë rast, shpreh mirënjohjen për ushtarakët, punonjësit e policisë, emergjencave civile, mjekët dhe infermierët, si dhe ndaj kujdo tjetër, që me përkushtim shëmbullor sakrifikojnë për mbrojtjen e sovranitetit/interesave kombëtare; për sigurinë e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve; stabilitetin demokratik të shoqërisë si dhe integrimin në strukturat e vlerave Euro-atlantike.
Po ashtu, krahas të përsëris përuljen për të rënët, nderimin për luftëtarët dhe sakrificat sublime; po pëpiqem të zgjoj “institucionin e mos-harresës” për të punuar/luftuar çdo ditë kundër riciklimit të rrënjëve të luftës çnjerëzore nga neo-Nazistët, neo-stalinistët dhe neo-Enveristët me kullaro demokratike.
Së fundmi, me duhet ta qartësoj se sa gjetjet e këtij opinioni, si edhe në qindra produktet strategjike, nuk po bëj intelektualin e spikatur dhe as analistin e gjithëditur, por duke j’u përulur (po të doni), shpresoj të kontribuojnë, qoftë modestisht për të “zgjuar vetëdijen Kombëtare/Euroatlantike mbi të vërtetat, vlerat, kërcënimet dhe interesat që i përbashkojnë mbarë-Shqiptarët”.
Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,
Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:
Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,
Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.