Gjatë 20 viteve të fundit, faqet e kodrës me ullinj në periferi të qytetit të Sarandës, u shndërruan pak nga pak në hapësira ndërtimi, ku sot, më shumë se 30 banesa, përbëjnë një lagje të vogël, me shtëpi private.
“Në fillim fare, edhe rrjetin elektrik brenda lagjes e kemi bere vet. 10 shtëpitë e para, më pas kush vinte paguante një pjese e cila ndahej me atyre 10 shtëpive të para, pastaj I 12 prap e njejta gje e ndahej mes 11 të parëve”, shprehet një prej banorëve të kësaj lagjeje. 27 – vjeçari, tregon që me sa mban mend ai i vetmi investim i bërë nga pushteti lokal në këtë zonë është rruga. “Edhe atë në gjysmë, skishte fonde për ta cuar deri ne fund të lagjes na thanë”, tregon ai. Por kur pyetet për ujërat e ndotura përgjigja është shumë e shpejtë. “Çdo shpia ka gropën e vetëm septike ku i grumbullon”.
Por realiteti është se kjo lagje e vogël, nuk është e vetmja në Shqipëri ku kanalizimet e ujërave të ndotura dhe trajtimi i tyre mungon. Zona të tilla, madje shumë herë më të mëdha gjenden pranë çdo qyteti shqiptar.
Per ERRU, problemi kryesor vazhdon të mbeten Zona Rurale, në të cilën përgjithësisht nuk ka rrjet kanalizimesh dhe shkarkimet e ujërave të ndotura realizohen individualisht me gropa septike, “por që lënë mjaft për të dëshiruar në drejtim të respektimit të standardeve teknike të zbatimit të tyre”.
Ujërat e ndotura, ERRU: Sfidë për sektorin
Për vitin 2023 nga raportimet zyrtare të 17 shoqërive UK për raportin e Entiti Rregullator të Ujit, raportohet se në total, mbulimi me kanalizim të ujërave të zeza në të gjithë vendin është në nivelin e 54.8%.
“Përsëri mbetet shumë larg nivelit të kërkuar”, thotë në raportin e saj ERRU.
Për Entin Rregullator të Ujit, mbulimi me shërbimin e Kanalizimeve të Ujërave të Ndotura por edhe Impinatet e Trajtimit të Ujërave të Ndotura, në kuadrin e hyrjes në Bashkimin Europian të vendit- “Mbetet një sfidë për sektorin UK”. Në këtë raport përcaktohet edhe një shumë e llogaritur nga Banka Botërore prej 2.5 Miliardë Eurove, e nevojshme që mund t’i jap zgjidhje ketij problemi.
Performanca e 17 shoqërive UK për vitin 2023 për sa i përket ujërave të ndotura, është një situatë e cila lë shumë për të deshiruar. Nga 17 shoqëri, vetëm dy prej tyre janë mbi nivelin e performancës së mirë, UK Tiranë me 93% dhe Uk Kamëz me 78%, ndërsa të 15 shoqëritë e tjera kanë pësuar rënien në treguesit e tyre.
“Analizimi i treguesit në nivelin e shoqërisë rajonale reflekton treguesin, duke përfshirë dhe zonat rurale, sjell një përkeqësim të këtij treguesit, I cili për shoqërinë e madhe para rajonalizimitka qenë në nivele më të larta”, shpreht ERRU në raportin e saj.
Por ajo që bie në sy, është fakti që aktualisht në sektor ka edhe shoqëri të cilat nuk arrinë të mbulojnë me këtë shërbim as 30% të qytetit që mbulojnë, të tilla janë Sh.R.UK Kukës me 25.3%, Lushnja me 24.3% dhe Dibra me 22.5%.
Nga ana tjetër shumë nga këto shoqëri nuk janë të licensuara as të kryejnë trajtimin e Ujërave të Ndotura. Sipas ERRU ky shërbim realizohet vetëm nga 5 shoqëri rajonale. “Durrës, Korçë, Pogradec, Shkodër (ITUN Velipojë + ITUN Shirokë) dhe Lezhë, të cilat janë të licencuara nga ERRU për të ofruar këto shërbime”.
Ekspertët: Shteti ka çeduar dhe po çedon
Një nga faktorët që kanë ndikuar më së shumti në infrastrukturën e ujërave të ndotur por edhe në element të tjerë të infrastrukturës, për ekspertët kanë qenë ndërtimet infromale.
“Vitet e paratë ndërtimtaristë edhe kishte kuptim, është normale që iniciativa private të eci më shpejt se shteti, shqetësimi im është se jemi në dekadën e 4-ërt të tranzicionit dhe ne po bëjmë gabimet e asaj kohes”, shprehet urbanisti Gentian Kaprata, i cili shton se nëse në vitet 2000 ishin rreth 20 mijë ndërtime informale, aktualisht kemi 600 mijë të tilla. “Do të thotë që jo vetëm atëherë, por as tani ne nuk e kemi kuptuar se çfarë po ndodh”, shton ai.
Edhe urbanistja Doriana Musaj shprehet se gjatë viteve të tranzicionit politik dhe ekonomik, shoqëria pësoi ndryshme rrënjësore, që nga stili i jetesës tek kushtet dhe cilësia e saj. Por në këtë ndryshim të shpejt dhe të vrullshëm të një shoqërie që në lëvizje të vazhdueshme urbanistika ishte më shumë një rregullator formal sesa një planifikim I mirëfill se si do të zhvilloheshim.
“Ndërtimet u bënë përpara planeve dhe shpesh planet vjetëroheshin duke mos u vënën në zbatim. Kjo ndërtimtari si fillim me qëllime strehimi dhe më pas përfitimi ekonomik, u bë e paplanifikuar dhe e pa kontrolluar nga autoritetet”, thotë ajo duke shtuar se tregu ka lëviz shumë më shpejt se sa shteti, dhe i ka paraprirë një zhvillimi i cili kur i pakontrolluar ka pasoja në menaxhimin e të përbashkëtës që në këtë rast është infrastruktura mbështetëse urbane.
Për ekspertin Kaprata, qytetet shqiptare ndahen në dy grupe, i pari ku ndodhen 3-4 qytetet kryesore të vendit që janë të mbipopulluar me intensitet shumë të madh ndërtimi dhe shpesh edhe me tejshtrirje dhe grupi tjetër i qyteteve që janë shumicë dërrmese, të nënpopulluar me intensitet shumë të ulët dhe me shtrirje të vogël.
“Lëvizjet nga rajonet veriore dhe jugore drejt qendrës, ka sjellë formimin e këtyre qyteteve me dimesione jashtzakonisht të ndryshme”, thotë ai, duke theksuar se qytetet e mbipopulluara, teorikisht i kanë kapitalet për të investuar në zgjidhjen e këtij problemi. “Kanë me se, por nuk kanë se ku- thotë populli- pasi densifikimi i qytetit i ka zënë ato korridore të cilat do të shërbenin për infrastrukurë”, shprehet zoti Kaprata ndërkohë shton se në qytetet e tjera, që kanë trashëguar nga sistemi kiimunist një rrjet që ka qenë funksional nuk e mirembajë dot. “Popullsia eshte larguar, bizneset ska, pra vendi eshte ne rastin e qyteteve te vogla, ka mundesi bashkia se ku, por nuk kam e se. Nga keto arsye eshte ne nivelin e te pamundures ose shume te veshitre per te bere nje rrjet të ujërave të zeza”, përfundon ai.
Nga ana tjetër, ekspertët e urbanistikës shprehet se trajtimi i ujërave dhe plotësimi me infrastrukturë mbështetëse nuk ka qenë prioritet i politikave urbane.
“Deri më tani trajtimi i ujërave dhe plotësimi me infrastrukturë mbështetëse qytetin, nuk ka qenë prioritet i politikave urbane”, thotë zonja Musaj, duke sjellë si shembull tiranë ku stoku i ndërtimit shihet se vijon të rritet me disa miliona metra katror e megjithatë nuk shohim investime serioze t‘i përgjigjën këtij megaqyteti që po ndërtohet. “Investimet në shërbimet publike nga ana e qeverisë, janë krejt të munguara. Tirana ka probleme të rëndura të shërbimit publik, duke filluar nga uji i pijshëm, tek transporti urban, tek shërbimet e emergjences, për të trajtuar më pas edhe sektorin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe ato të shiu”, thotë ajo, duke shtuar se qyteti ka mbi mbi 80% të sipërfaqes së tij të koracuar, duke mos përthithur dot ujërat sipërfaqësorë të shiut të cilat në reshje të dendura përzihen me ato të zeza dhe përmbysin kryeqytetin në pak minuta.
Nga ana tjetër, Gentian Kaprata shprehet se kryeqytetit shqiptar do ti duhen të paktën 20 – 25 vite për zgjidhjen e këtij problem, por 20 vite në momentin që ka një plan konkret.
“Pa planin ne nuk dimë ku janë banorët, sa banor ka, këto janë bazat mbi të cilat projektohet dhe ndërtohet rrjeti. Duhet te zgjdhim njehere ceshtjen e planifikimit territorial dhe të themi që kjo është Tirana e vitit 2050, njerëzit do të jenë kaq, demokrafia do të jetë kështu, popullsia do të jetë e shpërndar kështu dhe vetem atehere duke bërë këto të kemi edhe paratë”, përfundon ai.
E në një kohë kur ky shërbim ofrohet për vetëm 54.8% të popullsisë, ku 15 shoqëri UK nuk arrinë të kapin as treguesin e performacës së mirë për këtë shërbim, ky problem duket se do të shoqërojë për një kohë të gjatë vendin, duke ndikuar edhe në sektorë specifik të ekonomisë.
/ Denis Tahiri / ACQJ – Qëndra për Gazetari Cilësore