Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitijan Mickoski, të mërkurën gjatë një konference për shtyp, e cilësoi “organizatë joqeveritare” propozimin e koalicionit VLEN për krijimin e Akademisë Shqiptare.
Ai tha se për të, “temat etnike” nuk janë prioritet.
“Temat etnike dhe nacionale nuk janë prioriteti im. Prioriteti im si kryeministër i kësaj Qeverie është që t’ua bëj qytetarëve jetën më të mirë dhe më cilësore”.
“Paratë e qytetarëve që do të harxhoheshin në organizata joqeveritare, që do të paraqiten siç mendojnë se do të prezantohen, nuk do t’i sjellin të rinjtë shqiptarë, aty ku i takova në Ambasadën e Maqedonisë në Berlin, as në Aeroportin në Frankfurt, as kudo ku isha në Evropë, por ata do t’i sjellë jeta më e mirë dhe kushtet më të mira këtu. Ky është qëllimi im”, pohoi Mickoski.
Ai shtoi se një lëvizje e tillë e koalicionit VLEN nuk do të ndikojë negativisht në koalicionin qeveritar.
Të martën, kryetarët e katër komunave me shumicë shqiptare, (Gostivarit, Tetovës, Zhelinës dhe Çairit) të koalicionit VLEN që është pjesë e Qeverisë, zhvilluan takim pune me Shoqatën e Akademikëve Shqiptarë.
Ata diskutuan për financimin vjetor të projekteve të rëndësishme për, siç thanë, “avancimin e mendimit intelektual dhe shkencor të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se qëllimi i takimit ishte përshpejtimi i zbatimit të projektit për krijimin e “Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve”.
Kasami theksoi se ngritja e këtij institucioni është e domosdoshme për shkak të, siç u shpreh ai, “plogështisë së ASHAM-it (Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut) për mungesë të reformave, që duhet të pasqyrojnë gjendjen faktike, e që nuk janë duke u realizuar tash e 57 vjet”.
“Ky projekt ekskluzivisht shkencor i VLEN-it nuk ka për qëllim të shkaktojë tensione etnike ose paralelizma në nomenklaturën arsimore shtetërore, por ka për qëllim të krijojë një institucion tjetër shkencor që do të bashkojë mendimin autentik shqiptar në një zhvillim të përbashkët dhe të barabartë shoqëror”, shkroi Kasami në Facebook.
Koalicioni VLEN bëri të ditur se financimi i kësaj akademie fillimisht do të bëhet nga komunat shqiptare, me synimin që më vonë të financohet nga buxheti i shtetit.
Megjithatë, kryeministri Mickoski njoftoi se këshilltarët e VMRO DPMNE-së nuk do t’i mbështesin buxhetet komunale në katër komunat e lartpërmendura, që do të përfshijnë fonde për këtë qëllim.
“Unë nuk do të doja që paratë e qytetarëve të shpenzohen për organizata joqeveritare. Më mirë do t’i shihja teksa shpenzohen për projekte infrastrukturore, për të krijuar kushte që të rinjtë të kthehen dhe këto janë temat për të cilat dua të diskutoj. Temat që polarizojnë apo etnizojnë nuk janë tema në të cilat unë dua të jem bashkëbisedues”, potencoi kryeministri maqedonas.
Më herët, Mickoski kishte thënë se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë (ASHAM) është institucioni i vetëm që bashkon mendimin shkencor në vend.
Përkitazi me kundërshtimin e kryeministrit Mickoski, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, të martën tha:
“Unë do ta falënderoj partnerin e koalicionit që ka dhënë mendimin e tij, por reagimi ka qenë shumë më ndryshe kur u nis Universiteti i Tetovës. Në këtë rast është e drejta e çdokujt të ketë mendimin e tij për çdo projekt që ndodhë”, tha Kasami duke pohuar se kjo ide nuk është kundër askujt, por që edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të jenë të përfaqësuar në nivelin akademik.
Akademia, që do ta kishte selinë në Tetovë, do të krijonte mundësi të reja për studiuesit dhe artistët shqiptarë që të kontribuojnë me kërkime cilësore dhe të ruajnë trashëgiminë kulturore, vlerësojnë nga koalicioni VLEN.
Rrjedhimisht, nga 28 korriku kur u bë publike nisma për krijimin e Akademisë Shqiptare nga koalicioni VLEN, reagime kundërshtuese ka pasur nga opozita maqedonase, por edhe nga partitë shqiptare.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë në opozitë (LSDM) është shprehur kundër hapjes së “Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve”. Nga kjo parti thanë se ASHAM-i duhet të mbetet institucioni i vetëm për të gjithë shkencëtarët e vendit dhe se nuk duhet të përdoret për qëllime politike.
“Ajo që duhet të dijë opinioni është se çfarë premtoi Mickoski para formimit të Qeverisë lidhur me këtë kërkesë të VLEN-it? Kjo nuk është hera e parë që VLEN dhe drejtuesit e saj e përmendin Akademinë Shqiptare si projekt, por Mickoski dhe VMRO DPMNE-ja kanë heshtur me kokëfortësi”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Shqiptarët kërkojnë të hiqet përkufizimi në Kushtetutë si popull “20%”
Për Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), parti kjo që i prinë koalicionit Fronti Evropian, nisma e VLEN-it është “akademi mëhallësh”.
“VLEN paska themeluar ‘Akademinë’ e shkencave dhe arteve, e cila do të financohet, imagjinoni, nga komunat, rast i vetëm në botë, një akademi mëhallësh. Në vend se të marrin kryesimin e Akademisë shtetërore për shkencë dhe arsim, të krijonin vend për më shumë akademikë, të votonin ligjin që ne propozuam ndërsa ata e bllokuan me VMRO-në për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në ASHAM, këta dolën me ‘idenë e madhe komunale’ që poshtëron akoma më tepër shqiptarët”.
Pas përplasjeve mes qëndrimeve të partive politike lidhur me nismën e koalicionit VLEN, reagime ka pasur edhe nga ASHAM-i. Sipas përfaqësuesve të ASHAM-it, gjatë dekadës së fundit, institucioni ka pasur anëtarë shqiptarë dhe se Maqedoninë e Veriut nuk mund ta përfaqësojë asnjë institucion tjetër në asociacionet akademike ndërkombëtare.
“ASHAM-i ka qenë gjithmonë i hapur për të gjithë qytetarët që plotësojnë kriteret e larta shkencore dhe artistike për anëtarësim, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër. Partitë politike dhe ndikimet e tyre nuk kanë pasur kurrë vend në të. Nga themelimi e deri më sot, anëtarë të Akademisë kanë qenë pjesëtarë të popullit maqedonas, por edhe të të gjitha bashkësive etnike”, thuhet në reagimin e ASHAM-it.
Ndër tjerash, në reagim thuhet se në dekadën e fundit në përbërjen e ASHAM-it ka pasur katër anëtarë të bashkësisë etnike shqiptare (nga të cilët, në tre përbërjet e njëpasnjëshme, njëri ishte sekretar akademik, dhe dy nënkryetarë të Akademisë, njëri është në udhëheqësinë aktuale), si dhe tre anëtarë jashtë formacionit të punës.
“Në Maqedoninë e Veriut, si dhe në vendet e rajonit dhe kudo në botë, ekziston vetëm një akademi kombëtare që përfaqëson shtetin në asociacionet evropiane dhe të tjera ndërkombëtare të akademive”, thekson ASHAM-i.
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë së Veriut
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë (ASHAM) është themeluar më 22 shkurt 1967.
Ajo është institucioni më i lartë shkencor dhe artistik në Maqedoninë e Veriut.
Aktualisht, ASHAM-i përbëhet nga një bord prej 72 anëtarësh, prej të cilëve katër janë shqiptarë.
Në Departamentin e Shkencave Sociale janë Abdylmenaf Bexheti, rektor i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), dhe Izet Zeqiri, rektor i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
Pjesë e Departamentit të Shkencave Teknike është Alajdin Abazi, ndërsa i Departamentit të Arteve është Ali Aliu.
“E drejta për ide është themelore për demokracinë”
Një gjë të tillë e kundërshton publicisti Bardhyl Zaimi. Ai për Radion Evropa e Lirë thekson se ASHAM-i, gjatë tërë kohës ka qenë i mbyllur për shqiptarët.
Askush nuk e ka të drejtën që nga pozita e ekskluzivitetit t’ia caktojë tjetrit kufijtë e afirmimit…”
“Kemi informacione se nga 60 të punësuar në administratën e kësaj akademie, vetëm një është shqiptar. Pra, kemi një lloj hipokrizie në këtë drejtim, për shkak se nga njëra anë mbyllen dyert për shqiptarët që të jenë pjesëmarrës të denjë në këtë Akademi, e cila gjithsesi duhet ta korrigjojë edhe konceptin e saj, dhe të futet në konceptin multikulturor. Në momentin kur shfaqet ndonjë nismë si kjo e krijimit të Akademisë Shqiptare, që është refleksion i kësaj mbylljeje akademike të ASHAM-it, ngrihet pluhur dhe stigmatizohet në forma të ndryshme”, vlerëson Zaimi.
Ai thekson se e drejta për ide dhe krijim të institucioneve akademike, është e patjetërsueshme dhe thelbësore për shoqëritë demokratike.
“Askush nuk e ka të drejtën që nga pozita e ekskluzivitetit t’ia caktojë tjetrit kufijtë e afirmimit, vizionin, përpjekjet, botëshikimin. Sidomos, kur kjo mendjemadhësi vjen në emër të një Akademie etatiste të shkërmoqur deri në fund siç është Akademia e Shkencave të Maqedonisë, e sklerotizuar që mund të mburret me ndonjë ‘arritje enciklopedike’ në të kaluarën, tërësisht joshkencore”, thotë Zaimi.