“Punë është bërë. Është bërë ujësjellësi para nja dy vjetësh. Kushtoi një milion euro,” thotë Maksim Mehmetaj, babai i tre fëmijëve, ndërsa pas një suspense disa sekondëshe me një tonalitet të paluhatshëm, pa të lënë mundësinë të dallosh ndonjë dozë ironie apo ankese, të thotë: “Problemi është se nuk ka ujë”.
Bashkëshortja e tij shton se tashmë uji në çezmën e shtëpisë mungon që prej një jave.
Gjithsesi, me apo pa ujë, burrë e grua duken të bindur dhe lënë të kuptohet se, për shkaqe shumë të thella historike, do të votojnë të dielën për Partinë Socialiste dhe kandidatin Vangjel Tavo për postin e kryetarit të Bashkisë Himarë.
Gjendemi në fshatin Tërbaç, një nga fshatrat e pjesës fundore të luginës së lumit Shushicë në Vlorë, një luginë jo shumë e gjerë e rrethuar nga disa nga malet më të larta të Shqipërisë, Maja e Çikës (2044 mnd) në perëndim dhe Maja e Këndevicës (2122 mnd) në veri-lindje. Qendra e fshatit gjendet rreth 6 kilometra larg rrugës kryesore që sot përshkruan të gjithë luginën e Shushicës dhe që del në Qeparo pasi kapërcen malet që ndajnë Fshatrat e Lumit nga Fshatrat e Bregut.
Tërbaçi është padyshim një fshat komunistësh si shumica dërrmuese e fshatrave të përfshira në njësinë administrative të njohur si Horë-Vranisht dhe që përfshin gjashtë fshatra. Ky është vendi ku duket se çdo pëllëmbë tokë është lagur me gjak, çdo pak metra shfaqet një lapidar apo një pllakë përkujtimore, disa në përkujtim të partizanëve të rënë në luftë, të tjerat në përkujtim të viktimave të ekzekutimeve hakmarrëse të gjermanëve apo në përkujtim të ushtarëve italianë të divizionit Perugia që mbetën të vrarë pas dorëzimit të Italisë te aleatët.
Është gjithashtu vendi ku u themelua Brigada e Pestë Sulmuese, e cila mori pjesë në luftime përtej kufijve të Shqipërisë, elementë të së cilës kryen Masakrën e Buzëmadhes në Kukës në vitin 1944.
Tërbaçi dhe fshatrat e tjerë të zonës njihen gjithashtu si origjina e një numri të konsiderueshëm zyrtarësh të regjimit komunist, përfshirë Hysni Kapon.
Por ndërsa partizanët e tranformuar në zyrtarë jetuan më së shumti në Tiranë, masakrat e shumta të gjermanëve vazhdojnë të shtyjnë votuesit të votojnë Partinë Socialiste, krahas ndihmesës së makinerisë elektorale socialiste.
***
Në fakt, zgjedhjet që pritet të mbahen të dielën, në të cilat, kandidati i Partisë Socialiste Vangjel Tavo kërkon mandat si kryetar bashkie përballë kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria, duket sikur janë më shumë një pasmendim se sa një zgjedhje. Në asnjë nga fshatrat kandidatët nuk kanë nxjerrë ndonjë tabelë për të njoftuar se garojnë, ose së paku ky gazetar nuk pa asnjë.
Tërbaçi është gjithsesi sot një hije e asaj që ka qenë dikur, me pak banorë të mbetur, më së shumti të moshuar, me shkollë fillore të mbyllur dhe me një ndërtesë me përmasa të konsiderueshme, e cila dikur ishte qendër kulture, e pajisur mes të tjerash edhe me një kino-teatër jo fort të vogël, të braktisur dhe të rrëzuar.
Edhe shtëpia muze e Hysni Kapos është rrëzuar tashmë dhe është bërë pjesërisht haur për bagëtinë. Popullsia është larguar në masë ndërsa fëmijët e paktë dërgohen për shkollë në fshatin Horë, rreth 10 kilometra më larg.
“Këtu duhet të jenë nja 200 banorë, nga një nga dy në shtëpi,” thotë Mehmetaj, fëmijët e të cilit jetojnë në Tiranë dhe në Vlorë.
Në mënyrë të ngjashme, fshatrat e tjerë kanë largime masive të popullsisë ndërsa bota më e gjerë ka ofruar mundësi më të mira.
“Këtu kanë mbetur 22 familje,” thotë Razip Sadikaj në Bolenë, ndërsa i biri Leonidha dhe nipi e mbesa kanë ardhur nga Franca, ku jetojnë prej vitesh, për vizitë.
Zona është përgjithësisht blegtorale me pak turizëm natyre që po zhvillohet së fundmi. Malet e larta në të dyja anët kanë ofruar historikisht kullota të bollshme për dhjetëramijëra dele e dhi. Vetëm fshati Bolenë dikur kishte 12 mijë krerë, shifër kjo e pazakontë që tregon bollëkun e kullotave.
Vetëm se shumë nga bashkëbiseduesit i thanë BIRN se edhe aktiviteti i blegtorisë është tashmë në pakësim prej vitesh. Popullsia në të gjithë Shqipërinë ka rënë, gjë që besohet se ka sjellë rënien e konsumit të mishit të bagëtive të imta. Shqipëria nuk është në gjendje të eksportojë mish apo kafshë të gjalla për shkak të sistemit të komplikuar që nevojitet për të zbatuar standardet e sigurisë ushqimore të Bashkimit Evropian, gjë që ka sjellë rënie të shpejtë të numrit të bagëtive. Me rënien e blegtorisë, popullsia vendëse duket se po humbet arsyen e fundit për të jetuar në këto zona.
Komuna Horë-Vranisht u bashkua me Bashkinë Himarë në reformën e vitit 2015, një nga rastet më flagrante të gerimanderimit të hartës zgjedhore, pra manipulimit të saj në favor të njërës palë politike përmes bashkimit të zonave jo fort të lidhura, me qëllim, krijimin e disbalancave politike.
Pavarësisht se kjo njësi administrative ka në listën e zgjedhësve rreth 2800 votues nga 23 mijë që ka e gjithë Bashkia Himarë, këtu pjesëmarrja është më e lartë dhe fitorja e socialistëve është dërrmuese, (85%) në zgjedhjet e vitit 2023 dhe 81% në vitin 2021 dhe, siç duken punët, as urrejtja për grekun, trashëgimi e Luftës Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, nuk duket se do ta ndryshojë situatën.
“Ne jemi të majtë dhe të majtë do të mbetemi,” thotë e shoqja e Maksimit.
“Këtu gjërat janë ndarë,” thotë Razipi, ndërsa është duke lexuar një libër. “Pasionin për librat e kam ngaqë jam familje e luftës,” shton ai.
“Një demokrat lejohet të fitojë, por jo një grek,” thotë një aktiviste e Partisë Socialiste ndërsa shërben kafenë në një kafene të vogël buzë lumit.
Urrejtja për grekët, thotë ajo, lidhet me faktin që gjatë Luftës së Parë Botërore, fshati Kallarat u dogj. Dhe po kështu edhe fshati Bolenë. Ishte koha kur ushtria greke hyri në territorin shqiptar pasi mbreti kishte shpallur aleancë me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë, ndërsa kryeministri Venizellos kishte shpallur kapitullimin përballë Ententës, duke i mundësuar Francës dhe Anglisë të zinin pozicion përballë Bullgarisë dhe Austro-Hungarisë në Frontin e Ballkanit apo Frontin e Selanikut. Në Shqipëri, pikërisht në fshatin Bolenë, Italia, e cila fillimisht ishte neutrale, u përball me ushtrinë greke ndërsa vendësit e gjetën veten mes të dy zjarreve. Por kur aktivistes i rikujtohet se kësaj here, për socialistët kandidon një grek, ajo e pret shkurt duke thënë se atë e ka vendosur Edi Rama.
“I kishim shtëpitë dykatëshe,” thotë aktivistja. “Na i dogjën”.
Lufta e Dytë Botërore shkaktoi në secilin prej fshatrave me dhjetëra viktima, njerëz nën armë apo civilë të ekzekutuar nga nazistët, duke lënë pas votën për Partinë Socialiste.
Në çdo fshat, në qendër, lapidarët njoftojnë lista të gjata.
“Në Brataj, më 10 2 1944, nazistët gjermanë për hakmarrje masakruan 30 djem dhe burra të Vranishtit,” shkruan një lapidar.
“O udhëtar, kur të kalosh këtej ndalu pak dhe kujto: më 9 – 2 – 1944, u pushkatuan nga nazistët gjermanë, gjyshi, djali, nipi si dhe kushërinjtë e tyre,” paralajmëron një tabelë tjetër.
“Në nder të zyrtarëve të Divizionit Perugia të rënë këtu më 7 tetor 1943, Italia kujton,” shkruan një tabelë tjetër në Kuç në përkujtim të ushtarëve italianë të ekzekutuar nga gjermanët pas dorëzimit të Italisë te aleatët në shtator 1943.
Mbi 70 vetë u vranë në Bolenë nga pak qindra banorë që duhet të ketë pasur fshati në atë kohë.
Kjo histori e dhimbshme duket se rezonon edhe sot. Në zgjedhjet e vitit të kaluar, banorët e zonës dhanë 972 vota për socialistët dhe 191 vota për kandidatin e opozitës, Fredi Beleri.
“Këtu në Horë na humbën nja 70 vota,” i tha këtij gazetari një aktivist tjetër socialist. “Janë zonë e persekutuar gjatë regjimit,” shtoi ai.
Kandidati i opozitës, Fredi Beleri arriti të fitojë zgjedhjet e vitit të kaluar përballë Jorgo Goros në nivel bashkie pasi njësia administrative Himarë i dha 60% të votave, duke përmbysur rezultatin e njësive Lukovë dhe Horë-Vranisht, të cilat u fituan nga Goro.
Pasardhësi i Belerit, Petro Gjikuria, duket se ka një betejë shumë të përpjetë kësaj here, ku e gjithë qeveria e Edi Ramës është derdhur me të gjitha energjitë dhe burimet e veta për të fituar një palë zgjedhjesh vendore, ku dukshëm përfshihen interesa zhvillimore në zonën e bregdetit të jugut. Kryeministri Edi Rama nuk mundohet ta fshehë përdorimin e shtetit në funksion të fushatës elektorale për këtë bashki të vogël. Ai u shfaq në disa raste në Himarë dhe Dhërmi duke shpërndarë letra, të cilave iu referua si “certifikata pronësie” dhe duke i këshilluar banorët publikisht që të flasin me Vangjel Tavon, ish-prefektin dhe tashmë kandidatin, për të zgjidhur problemet e pronave.
Kushtëzimi i zbatimit të ligjit, për të drejtat e pronësisë apo për legalizimet, me votën për njërën apo tjetrën palë, ka qenë historikisht një nga aspektet më të shëmtuara të shkeljes së standardeve demokratike të zgjedhjeve. Sipas Kartës së Kopenhagës, zgjedhjet quhen të lira dhe të ndershme kur ka një vijë të qartë ndarëse mes pushtetit politik dhe shtetit. Kjo ishte kritika që misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR i bëri koalicionit PS+LSI në zgjedhjet e pushtetit vendor 2015 kur Edi Rama dhe Ilir Meta u shfaqën në kamera duke shpërndarë dokumente të cilave iu referuan si “leje legalizimi”. Shkelja e standardeve zgjedhore në këtë rast është e thjeshtë sepse të drejtat e pronësisë, qytetarëve u takojnë për shkak të ligjit dhe se ato duhet të gëzohen pavarësisht nëse qytetarët votojnë në zgjedhje njërën palë apo palën tjetër.
Gjithsesi, vlen të theksohet se, pavarësisht se shpërndau certifikata legalizimi që në vitin 2015, Rama deklaroi pak ditë më parë, pra në vitin 2024, se procesi “nuk ka ecur siç duhet” ndërsa ministri i shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku deklaroi se në Shqipëri ka aktualisht 230 mijë prona të palegalizuara.
***
Fshati Bolenë gjendet në lartësinë 500 metra mbi nivelin e detit, rrëzë malit, rreth 7 kilometra larg rrugës kryesore. Dhe është nga të paktat fshatra që ka rrugë të asfaltuar.
“Fshati ka pasur zyrtarë të lartë në Vlorë dhe Tiranë, të cilët e kanë pasur për shumë zemër fshatin kështu që gjetën fondet për urën dhe për të asfaltuar rrugën,” shpjegon Leonidha Sadikaj, i cili në Francë voton të majtën ekstreme. Si Leonidha ashtu edhe i ati duket se janë sinqerisht mirënjohës për rrugën e asfaltuar dhe në veçanti, për urën mbi lumin Shushicë.
Gjithsesi, fshatrat e tjerë, pavarësisht nëse kishin apo jo bashkëfshatarë në nivelet e larta të pushtetit, mbeten sot e kësaj dite pa rrugë. Edhe vetë rruga e Tërbaçit është pjesërisht e asfaltuar, përgjithësisht e rrëzuar dhe e pamirëmbajtur. Po kështu rruga për në Vranisht, një fshat jo fort i vogël.
Por as rruga dhe as furnizimi me ujë nuk duket se ndryshon qëndrimin e shumicës së banorëve për të votuar Partinë Socialiste dhe as nostalgjinë për komunizmin.
“E bëri vendin të lulëzojë,” thotë Maksimi duke iu referuar kohës kur sistemi i vaditjes funksiononte mirë në shërbim të bujqësisë për të arritur vetëmjaftueshmërinë, edhe në këtë zonë të lartë.
“Vetëm mos harro se po të mos ishte rruga e re, gjatë pandemisë do të kishim vdekur,” i rikujton e shoqja duke shtuar: “Këtu nuk ka shërbim shëndetësor. Rruga e re na mundësoi të shkonim dy herë në ditë në Vlorë”.
“E drejtë,” shfryn Maksimi duke rikujtuar rrugën e paasfaltuar dhe të ngushtë të dikurshme që lidhte zonën me Vlorën.
Rruga e re u ndërtua pak vite më parë me financim nga Kuvajti dhe Arabia Saudite dhe kushtoi pak më shumë se 1 milionë euro për kilometër. Dhe asfaltimi i atyre pak kilometrash rrugë fshati apo furnizimi me ujë nuk duket se mbart ndonjë kosto të papërballueshme për qeverinë. Por Maksimi mendon se Edi Rama nuk e di që në rastin e Tërbaçit, paratë për ujësjellës janë dhënë, por ujë në shtëpinë e tij nuk ka.
Dhe ndryshe nga fshati Bolenë, në të cilin, një bashkëfshatar me pushtet në Tiranë dhe me pasion për fshatin siguroi fondet për ndërtimin e një ure mbi lumin Shushicë, mbi të njëjtin lumë ka një numër urash lëkundëse, të cilat, ndërsa janë shumë piktoreske dhe të këndshme për t’u fotografuar, nuk janë njësoj komode për të kaluar matanë me mall apo me bagëti.
Probleme me furnizimin me ujë ka, në mënyrë befasuese, edhe fshati Kuç, vendi ku lumi Shushicë ka burimin kryesor, një burim që duket se ka shkaktuar zilinë e oligarkëve të Tiranës, të cilët po punojnë ethshëm për ta marrë përmes tubacioneve për ta dërguar në anën tjetër të malit, ku gjatë viteve të fundit janë ndërtuar komplekse vilash përmes skemës së të ashtuquajturave “investime strategjike”.
“Isha me ata të ujësjellësit,” thotë Astrit Balilaj, kryeplaku i Kuçit dhe një nga aktivistët protestues kundër marrjes së burimit të Kuçit për furnizimin me ujë të bregdetit, ndërsa ulemi për një kafe te restoranti dhe impjanti i ndërtuar me shumë mund përgjatë dy dekadave të fundit nga një kushëri i tij për kultivimin e troftës, në Kuç-Buronjë, aktivitet që mundësohet pikërisht për shkak të ujërave të ftohta të burimit.
“Ujësjellësi u ndërtua para nja tre vjetësh, por një pjesë e fshatit nuk ka ujë,” shton ai.
Kuçi është një fshat i madh, i cili në pamje të parë i ka shpëtuar deri më tani depopullimit thuajse të plotë të fshatrave të tjerë. Një numër aktivitetesh të vogla biznesi si kafe dhe restorante në qendër të Kuçit sugjerojnë se popullsia nuk ka rënë në të njëjtën masë me fshatrat e tjerë. Këtu ende dëgjohen britmat e fëmijëve, të cilat pothuajse janë harruar në fshatra të tjerë dhe fshati ka edhe një shkollë të mesme me pak nxënës.
“Gjithsesi edhe ne drejt depopullimit jemi,” thotë Balilaj. Ai vetë është babai i tre fëmijëve, që të gjithë në Shtetet e Bashkuara. Dy vajza vajtën si studente dhe mbaruan universitetin dhe djali që ka vajtur gjithashtu me shpresë për studime amerikane.
“Njerëzit thonë se kështu është mirë dhe se po flasim për Amerikën, por mua do të më pëlqente që të rinjtë të kishin arsye për të jetuar këtu. Që të kenë shpresë,” shtoi ai.
E ardhmja e Kuçit dhe e fshatrave të tjerë natyrisht që do të varet nga blegtoria e bujqësia, por shpresa është që turizmi të mund të sjellë jetesë të mirë për mjaftueshëm familje sa zona të mos braktiset.
“Ju mund të na ndihmoni me pak promovim,” i tha Balilaj këtij gazetari.
Të kaluarit e një apo dy netëve në këtë zonë nuk është në fakt e paarsyeshme. Bujtina të ndryshme ofrojnë çmime shumë ekonomike në krahasim me bregdetin që gjendet rreth gjysmë ore larg, ndërsa një hotel goxha i investuar, i ndërtuar buzë Shushicës, priti këtë vit klientët e parë përkundrejt çmimit 5 mijë lekë për dhomë, përfshirë mëngjesin. Gjendur në lartësi dhe mes maleve, Kuçi dhe fshatrat e tjerë sigurojnë net të freskëta edhe në kohë të tilla zagushie që kemi përjetuar gjatë korrikut.
Normalisht që popullsia rurale është në pakësim dhe kjo është rrjedhë e pashmangshme e industrializimit dhe urbanizimit, por Balilaj mendon se marrëdhëniet politike dukshëm luajnë një rol që mund të përcaktojnë nëse në të ardhmen, vendbanime të tilla si Kuçi do të vijojnë të ekzistojnë apo do të shuhen.
Ai jep shembullin e Lumit Shushica si tregues i kësaj marrëdhënieje të prishur mes qeverisësit dhe të qeverisurit.
“Vendi kontrollohet nga disa të fuqishëm që vijnë, marrin dhe ikin,” thotë ai.
Lumi Shushicë është me të vërtetë shumë i bukur. Ai rrjedh përgjatë një shtrati 75 kilometra të gjatë, i përbërë kryesisht nga gurë të bardhë. Është një lumë që nuk turbullohet pothuajse kurrë dhe që krijon peisazhe piktoreske dhe pellgje shumë të bukura, ku së fundmi shumë turistë ndalen për të bërë një zhytje. Zona ka marrë pak zhvillim gjatë viteve të fundit, që kur u ndërtua rruga e re. Nëpër fshatrat përgjatë lumit, restorante të ndryshme ofrojnë një eksperiencë më rustike, shumë më ekonomike se sa peshku me çmime super të shtrenjta i bregdetit dhe, natyrisht, më interesante. Një urë guri pranë fshatit Brataj është bërë ndalesë e këndshme ku, pas një ecjeje pak të rrëpirtë për dhjetë minuta, mundet të përdorësh shkëmbin mbi të cilin është vendosur njëra këmbë e urës si trampolinë për pellgun poshtë.
Megjithatë, banorëve të luginës së Shushicës iu desh të luftonin dhe vijojnë të luftojnë, fillimisht kundër një kompanie që donte të fuste lumin në tub për të ndërtuar një hidrocentral, ndërsa tani, kundër ujësjellësit.
“Ata e duan ujin që të pllaquriten në pishinë,” thotë Balilaj. “Himara ka detin, ne çfarë kemi përveç ujit?” pyet ai në mënyrë retorike.
Sërish, të ndërtosh ujësjellës nuk është në vetvete keq, nëse do të duhej të mendohej pak më gjatë.
“Deri më tani, askush nuk ka ardhur të na shpjegojë, sa ujë ka burimi, sa ujë duan të marrin dhe sa ujë duan të na lënë,” thotë Balilaj.
Konflikti është veçanërisht i ashpër edhe për faktin se sektori i turizmit të vilave në Himarë kërkon ujin në gusht, kohë kur burimi i Shushicës jep pak ujë.
Balilaj është gjithsesi i bindur se lugina e Shushicës nuk ka ujë të mjaftueshëm për të dhënë në Himarë edhe nëse uji nuk merret drejtpërsëdrejti te burimi, por më poshtë rrjedhës. Por nuk është vetëm mungesa e ujit, por edhe marrëdhënia mes qeverisë qendrore dhe komuniteteve vendore.
Balilaj sugjeron që, nëse, fjala vjen, në Shushicë ndërtohet një hidrocentral, logjika ta do që hidrocentrali të jetë nën pronësi publike dhe që nga fitimet e energjisë popullsia lokale të përfitojë diçka në mënyrë që të mos ta ketë të domosdoshme të marrë udhët. Alternativa, pra politika e ndjekur, e cila kërkon ndërtim privat dhe fitime private të hidrocentraleve, do të thotë thjeshtë që dikush të pasurohet shumë përtej asaj që është e nevojshme apo e arsyeshme, për shumë dhe shumë gjenerata, duke lënë pas vendin djerrë.
Alternativa, sugjeron ai, gjendet te burimi i Syrit të Kaltër ose te ujësjellësi i kohës së komunizmit në Sasaj. Syri i Kaltër ka ujë të bollshëm dhe është një burim pothuajse njësoj i bollshëm si në verë, ashtu edhe në dimër. Ai derdhet aktualisht drejtpërsëdrejti në det, pavarësisht faktit se qyteti pranë, Saranda, vuan në mënyrë të rregullt për ujë. Ose burimi i Sasajt, i cili u ndërtua për të vaditur bregdetin, duke futur në tunel ujërat e lumit Tatzat, ndërsa një dekadë më parë, u privatizua për një hidrocentral të vogël, i cili, ndonëse është biznes i mirë për ndërtuesin, nuk përbën ndonjë problem për prodhimin energjetik kombëtar që të kthehet në ujësjellës.
Por për momentin, gjërat janë siç janë. Nga restoranti modest ku pronari dhe familja e tij shërbejnë mëngjesin në hotelin “Lumi i Bardhë”, tubat e ujësjellësit të ri janë vënë stivë dhe po shtrohen vazhdimisht, pavarësisht kundërshtisë së banorëve të Kuçit./ BIRN