Është zbardhur ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e 24 Qershorit në portin e Sarandës, ku humbi jetën biznesmeni 52-vjeçar Armando Nelaj pas një shpërthimi në det.
Autoritetet policore raportojnë se Armando Nelaj së bashku me një mikun e tij, atë mbrëmje kanë tentuar t‘i venë një sasi lënde plasëse një anijeje të ankoruar në portin e qytetit, për motive konkurence. Duket se gjatë transportimit të lëndës plasëse, ajo ka shpërthyer aksidentalisht duke i marrë jetën 52-vjeçarit Nelaj.
Policia ka arrestuar bashkëpunëtorin e Nelejat, shtetasin Erdion Muho, 35 vjeç, banues në Sarandë. Burime bëjnë me dije se ata do t’ia vendosnin sasinë e eksplozivit anijes së linjës detare Sarandë-Korfuz, “Finikas Lines”, e cila është në pronësi të Andrea Qirjakos, me të cilin Nelaj ka patur konflikt të vazhdueshëm.
“Erdion Muho dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Armand Nelaj kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence. Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi Armand Nelaj.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Erdian Muho është djali i një biznesmeni tjetër të njohur në qytetin e Sarandës. Ai merret kryesisht me biznese në fushën e hotelerisë, turizmit dhe transportit detar.
Në vitin 2021 Muho ka qenë pjesë e listave për deputet në listat e Lëvizjes për Ndryshim të ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli. Nuk dihen ende nëse Muho ka qenë afër 52-vjeçarit në momentin e shpërthimit dhe si ai ka mundur t’i shpëtojë fuqisë goditëse të lëndës plasëse.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.
Ngjau regjistrua rreth orës 22:00, kur e gjithë vëmendja ishte tek ndeshja Shqipëri-Spanjë. Në atë kohë dyshohej se ai ishte vrarë me atentat me eksploziv nga persona të tjerë, por duket se misteri tashmë ka marrë fund.
Trupin e viktimës e nxorrën nga deti në breg dy turistë të huaj, që deri më tani mendohet se gjendeshin aty rastësisht. Fillimisht viktima ishte i paidentifikuar, teksa ditën e djeshme ka qenë i vëllai, i cili e ka njohur nga tatuazhi në qafë.
Në dëshmitë e dhëna për grupin hetimor në atë kohë familjarët e 52-vjeçarit deklaruan se nuk kishin dijeni për konflikte dhe as nuk e dinin vendndodhjen e tij mbrëmjen e 24 Qershorit, kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Armand Nelaj ishte biznesmen prej 13 vitesh dhe zotëronte kompaninë e mjeteve të ndërtimit “Grand Konstruksion” dhe nuk rezultonte i skeduar apo dënuar më parë. Gjithsesi emri i tij ishte përmendur para 4 vitesh në një emision investigativ, ku thuhej se 52-vjecari kishte tentuar të përfitonte pronë publike, lulishte, me dokumente false. Biznesmeni nuk arriti asokohe të merrte pronen e pretenduar, ndaj sot lulishja është prone e shtetit.