A po shkakton lufta në Gaza një valë të re radikalizimi në Ballkanin Perëndimor? Tentativa e sulmit ndaj një rojeje në ambasadën izraelite në Beograd lë vend për shqetësime.
Islamizmi në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në rajonin e Sanxhakut në jugperëndim të Serbisë konsiderohet kozmopolit dhe tolerant. Këtu myslimanët sunitë kanë jetuar prej shekujsh me të krishterët dhe hebrenjtë dhe kanë krijuar formën e tyre të islamit evropian. Por që nga vitet 1990 ky islam ka qenë vazhdimisht nën ndikimin e presioneve të jashtme. Një sulm ndaj një rojeje të ambasadës izraelite në Beograd me 29.06.2024 shton drojën, se mund të krijohet një valë e re radikalizmi.
Para luftës në Bosnjë (1992-1995) në Ballkan nuk kanë ekzistuar salafistë apo vehabistë, thotë Vedran Dzihic nga Instituti Austriak për Politikë Ndërkombëtare në Vjenë. “Ata nuk i kanë rrënjët në Ballkan.” Deri sot grupet radikale janë një pakicë e vogël ndër muslimanët.
Ndikimi i grupeve radikale gjatë luftës në Bosnjë
Gjatë luftës në Bosnjë boshnjakët muslimanë morën mbështetje të konsiderueshme ushtarake veçanërisht nga vendet islamike dhe së bashku me luftëtarët e huaj, në vend hynë edhe rryma radikale të islamit, të cilat nuk u zhdukën prapë me përfundimin e luftës. Ata përbëjnë “bazën e islamizmit politik” në Bosnjë-Hercegovinë, shkruan Karsten Dümmel në një analizë për Fondacionin Konrad-Adenauer (KAS). Dümmel ka qenë drejtues i zyrës së KAS në Sarajevo nga 2014 deri 2018.
Rreth 4000 muxhahedinë nga vendet arabe luftuan në atë kohë në anën boshnjake, shumë prej tyre qëndruan aty pas marrëveshjes së Paqes së Dayton-it në vitin 1995. Me ndihmën e hapur nga Arabia Saudite grupimet radikale u etabluan që nga fundi i viteve 1990-të në disa rajone të Bosnjë-Hercegovinësdhe Sanxhakut. Me paratë saudite u ndërtuan xhamitë salafiste dhe u mirëmbajtën institucionet kulturore.
Gjatë luftës në Siri dhe Irak shteti islamik shërbeu si orientim për të rinjtë, që ishin të frustruar nga shoqëria dhe që shkuan të luftonin për xhihadin në Siri dhe Irak, thëtë politologu Dzihic. Bosnjë-Hercegovina ishte në atë kohë një nga vendet evropiane me numrin më të madh të luftëtarëve të IS-it në raport me numrin e popullsisë. Këta simpatizantë të IS-it vinin kryesisht nga disa fshatra salafistë të mbikqyrur mirë në Bosnjë. Pas rënies të IS në Siri dhe në Irak në vitin 2019 kjo formë radikalizimi u zbeh sërish; që atëherë nuk ka pasur më sulme islamiste në Ballkanin Perëndimor.
Tërheqja e sauditëve
Por organizatat radikale vazhdojnë të ekzistojnë, megjithëse Arabia-Saudite i ka reduktuar ndihmat e saj financiare. Autori në Beograd, një serb i konvertuar, sipas mediave u radikalizua prej tyre. Ai jetonte kohët e fundit në qytetin me shumicë muslimane të Novi Pazarit në rajonin Sanxhakut në Serbinë jugore.
Në janar 2020 princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman bëri të ditur, se nuk do të ndihmojë më për ndërtimin e xhamive jashtë vendit. Në një fjalim televiziv në vitin 2021 sundimtari de-fakto i vendit e cilësoi “interpretimin ultra-konservator të islamit si të kapërcyer”.
Këtu u shemb në fakt një shtyllë e ekstremizmit, por faktorët e rinj luajnë një rol të konsiderueshëm. Lufta e vazhdueshme në Lindjen e Mesme mund të bëhet një shtytje e re për radikalizim. “Deri tani ka pasur vetëm pak ndikime të luftës së Gazës në Ballkan”, mendon Giorgio Cafiero, ekspert për Ballkanin në think tank-un amerikan Gulf State Analytics. “Por sa më shumë të zgjasë situata në Gaza, aq më shumë shtohet rreziku.” Lufta në Gaza është duke kontribuar më shumë se çdo konflikt në botë për radikalizimin e muslimanëve të rinj. “Në botën arabe dhe islame kemi emocione të forta për shkak të vdekjeve të shumta në Gaza, që ndodhin çdo ditë.” Kjo mund t`i shtyjë shumë të rinj në duar të forcave radikale.
Radikalizim nga lufta në Gaza?
Edhe politologu Vedran Dzihic mendon se ngjarjet aktuale në Lindjen e Mesme mund të krijonin një valë të re radikalizimi, edhe pse se sa është numri i radikalëve të rinj nuk mund të thuhet saktësisht. Në Ballkanin Perëndimor lufta në Gaza përceptohet si një fushatë mbarëbotërore kundër muslimanëve.
“Perëndimi vajton fëmijët e vdekur në Ukrainë, për Gazën heshtet.” Kjo çon në hidhërim, në ndjenja antiperëndimore dhe antisemitizëm.
Edhe politika e Serbisë perceptohet si ambivalente. Nga njëra anë vendi mbështet shqetësimet e palestinezëve, nga ana tjetër ai furnizon me armë edhe Izraelin që nga 7.1.2023.
Pabarazia sociale dhe pakënaqësia
Shumica e muslimanëve në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Sanxhak i refuzojnë tendencat ekstreme si një abuzim me fenë e tyre. Bashkësia islame u distancua qartë nga sulmi terrorist në Beograd. Por krahas luftës në Gaza, pabarazia sociale dhe premtimi i pambajtur për një të ardhme më të mirë pas fundit të luftës në Bosnjë përbën terren radikalizmi.
“I gjithë rajoni në vitet 1990 përjetoi një rënie të madhe sociale dhe ekonomike”, thotë Vedran Dzihic. “Shpresat për një ‘proces përmirësimi” nuk janë plotësuar.” Ajo që ka përfituar është vetëm një elitë e vogël, e afërt me regjimet. Masa e madhe e boshnjakëve lufton me margjinalizimin, varfërinë dhe me një standart të ulët jetese gati në kufirin e varfërisë. Ndër të rinjtë ka një pakënaqësi të madhe për gjendjen e tyre. Me qindra largohen çdo vit nga rajoni.
“Kjo situatë shkakton pakënaqësi dhe ushqen terrenin për ideologjitë ekstreme, jo vetëm ato islamiste, por edhe për nacionalizmin serb.” Muslimanët në Sanxhak e shohin veten edhe të pafavorizuar dhe të diskriminuar nga serbët. Pas sulmit në Beograd rreziku i ndjenjave antimuslimane në Serbi po rritet. Kjo nga ana tjetër do të nxiste më tej spiralen e zhgënjimit dhe të radikalizimit./DW