Gjykata e Apelit ka lënë në burg pronarin e “VALE Recycling”, Elvis Miri, nën dyshimet se ka kryer veprat penale të “Falsifikimit të dokumentave”, “(Keq) Menaxhimi i Mbetjeve” dhe “Aktivitete të rrezikshme”.
Dyshohet se Elvis Miri ka përfituar mbi 65 milionë lekë tendera për riciklim të mbetjeve spitalore duke përdorur dokumente false, pa pasur pajisje dhe duke sjellë dëme mjedisore.
Prokuroria ngriti akuzë edhe për 2 drejtues të kompanive të ekspertizës mjedisore dhe 8 inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ndaj të cilëve është lënë në fuqi masat e sigurisë të caktuara nga Gjykata e Tiranës.
“Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim E. M, me vendimin nr. 1419 akti, datë 05.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale E. M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit duke vendosur masën e sigurimit “arrest në shtëpi” ose “garanci pasurore” “, thuhet nder te tjera në njoftimin e Gjykates se Apelit.
Në skemën e dyshuar, Prokuroria beson se janë përfshirë edhe persona të tjerë, mes të cilëve zyrtarë të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Lezhë, si edhe drejtues të kompanive që kanë objekt çertifikimin e pajisjeve teknologjike.
Për të gjitha këta persona të tjerë, 10 në total, janë vendosur masat ndaluese të pezullimit të aktivitetit, të detyrimit të paraqitjes apo të daljes jashtë Shqipërisë.
“Boldnews.al” ka investiguar dosjen “VALE”/ Si u rrëzua “fasada” e Elvis Mirit, 200 tendera me letra false
Nisja e hetimit
Sipas akteve të konsultuara nga “Boldnews.al”, rezulton se, në janar vitit 2024, Prokuroria e Tiranës merr një kallëzim, në të cilin pretendohej se “VALE Recycling”, prej vitit 2016, paraqiste të dhëna të rreme, me qëllim shpalljen fitues në tenderat shtetërorë.
Sipas kallëzimit, shoqëria e Elvis Mirit deklaronte në dokumenta zyrtare se kishte në dispozicion një pajisje të posaçme për trajtimin e mbetjeve spitalore, e quajtur “Econos TC 150”, të cilën nuk e ka pasur në dispozicion. Sipas kallëzimit, “VALE” e ka deklaruar këtë pajisje që në vitin 2016, por ndërkohë që e ka blerë vetëm në fillim të vitit 2024.
Hetimi për këtë kallëzim u zhvillua nga prokurori Arenc Çela, i cili është njëkohësisht edhe drejtues i Prokurorisë së Tiranës, si edhe nga prokurori Ndini Tavani.
Hetimet 3-mujore zbuluan se pretendimet në kallëzim ishin në përgjithësi të sakta dhe faktet e zbuluara gjatë veprimeve të prokurorëve ishin të mjaftueshme për të vendosur pas hekurave biznesmenin 40-vjeçar, Elvis Miri.
Tenderat për “VALE”
Në funksion të hetimit penal, prokurorët Çela e Tavani, në formë testimi, kanë administruar të dhëna për tenderat e fituar nga “VALE Recyling” në të paktën katër struktura spitalore të rëndësishme
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe tek Senatoriumi “Shefqet Ndroqi”, kompania e Elvis Mirit ka fituar nga 4 tendera. Në Spitalin e Beratit ka fituar 6 tendera dhe tek materniteti “Koço Gliozheni” në Tiranë ka fituar 1 tender.
“Në analizë të dokumetacionit te administruar nga këto ente publike spitalore, rezulton që subjekti “Vale Recycling” Shpk, ka përdorur të dhëna të pajisjes Econos TSC150 me Lejen e tipit B, si dhe Lejen e Tipit A, duke u identifikuar me dy incerenatore ËFS 50, pra duke u shpallur fitues, pasi nga ana dokumentare plotësonte kushtet dhe kriteret, si edhe kapacitet përpunuese për trajtim/asgjësim të mbetjeve spitalore”, thotë prokuroria.
Por, hetimi i thelluar ka zbuluar se kompania e Mirit nuk i ka pasur të gjitha pajisjet që ka deklaruar në tenderat e fituar.
Pajisja Econos
Prokuroria ka marrë informacion nga Drejtoria e Doganave për zhdoganimet e pajisjeve që ka kryer shoqëria “VALE” e Elvis Mirit.
Nga të dhënat rezulton se kompania ka zhdoganuar një autoklavë në vitin 2016, një impiant sterlilizues në vitin 2020 dhe një impiant për trajtim mbetjesh spitalore në 2023.
Ndërkohë, për pajisjen “Econos”, e cila kryer proceset më të rëndësishme të trajtimit të mbetjeve spitalore, rezulton se “Vale Recycling” ka kryer zhdoganim në 22 janar 2024.
Në funksion të hetimit, prokuroria ka pyetur Elvis Mirin në prill të këtij viti, lidhur me pajisjen “Econos”.
Ai ka deklaruar se pajisja “Econos” është autoklava që kompania ka blerë që në vitin 2016.
“Pajisja Econos ka ardhur në vitin 2016, nga Italia dhe më pas është bërë instalimi. Pajisja Econos që është autoklave, është blerë nga subjekti “Vale Recycling” e perdorur dhe është instaluar. Kjo është autoklavë, e cila funksion me avull, me një temperaturë mbi 130 gradë, e cila, pasi futen mbetjet spitalore, i kthen ato të padëmshme për ambjentin”, ka deklaruar ai në Prokurori.
Ndërkohë, i pyetur se në vitin 2024 ka importuar një impjant për trajtimin e mbetjeve në vitin 2024, Elvis Miri ka shpjeguar se “nuk kam përgjigje për momentin, më duhet të shoh dokumentacionin”.
Por, ndërkohë, në vijim të hetimeve, Prokuroria ka pyetur një sërë personash zyrtarë dhe bashkëpunëtorë të Elvis Mirit, të cilët nuk janë në gjendje të thonë nëse e ka parë pajisjen “Econos” në ambjentet e “Vale Recycling” gjatë periudhës 2016-2023.
Inceneratorët dhe lejet mjedisore
“Vale Recycling” ka bashkëpunuar me subjektin “EMC”, me administrator Elidiana Shehu, për ofrimin e ekspertizave e konsulencave, si edhe hartimin e raportimeve të ndryshme për pajisjen me leje mjedisore të ndryshme. Ky bashkëpunim ka nisur prej vitit 2015.
Zonja Shehu, për llogari të “Vale Recycling” ka zhvilluan një dëgjesë publike me qytetarët e zonës ku ushtronte funksionin kompania e Elvis Mirit. Në dokumentat e asaj dëgjese, Shehu ka shënuar se “VALE” ka në dispozicion, ndër të tjera, pajisjes “Econos”.
E pyetur nga Prokuroria, ekspertja Shehu ka deklaruar se ka përdorur të dhënat e dorëzuara nga vetë kompania, pra nuk rezulton të ketë kryer verifikime.
Po ashtu, e pyetur se sa inceneratorë ka në dispozicion “VALE”, Elidiana Shehu ka deklaruar se ka vetëm një të tillë.
Ky qëndrim bie në kundërshtim me aktet e përpiluara prej vetë saj, kur ka përgatitur dokumentacionin, me anë e të cilit “VALE Recycling” është pajisur me lejen e tipi B.
Në ato dokumenta shkruhet se “subjekti ka te instaluar dy impjanate për asgjesim mbetjesh, duke shprehur parametrat e matuar në ambjent, përkatesisht për dy oxhakë, të këtyre dy incerenatorëve”.
Gjithashtu, edhe nga kqyrja në terren, e realizuar nga Policia Gjyqësore në funksion të hetimit penal, rezultoi se në ambjentet e “VALE” ishte vetëm një oxhak, që do të thotë vetëm një incinerator, pavarësisht se subjekti “EMC” i Elidiana Shehut ka përpiluar dokumente justifikuese për “dy inceneratorë”.
Ekzistenca e dy inceneratorëve dhe pajisjeve të tjera teknike ishte kusht paraprak që shoqëria “VALE” të pajisej me lejen e tipit B.
Në periudhën Tetor 2020-Janar 2022, kompania “VALE” ka bashkëpunuar me subjektin “SWOT”, me administrator Laert Shehu, për konsulencë teknike, në funksion të lejeve mjedisore.
Laert Shehu, i pyetur gjatë hetimit, ka deklaruar se “.. për lejen e tipit B, subjekti “VALE” ka pasur një autoklave “Newster” dhe një pajisje tjetër, që për mua ka qenë e pa identifikuar, sepse ka qenë e mbuluar me mure dhe kishte një dalje në formë sferike. E shpjeguar nga ana e subjektit, kjo ishte një autoklave për sterilizim mbetjesh spitalore. Referuar lejes mjedisore të tipit B, kjo autoklave e paidentifikuar nga ana ime, supozohej t’i përkiste asaj të emërtuar Econos”.
Nga dokumentat, e dorëzuara në Prokurori nga shetasi Laert Shehu, “rezulton se për 6 raporte periodike dhe vjetore për periudhen Shkurt 2021 deri në janar të vitit 2022, janë realizuar matje nga subjekti “Swot Shpk”, për një incerenator, ndërkohë që në lejen e tipit A, të miratuar në vitin 2019, janë pasqyrura dy koordinata për dy incerenator”.
Kjo diferencës mes situatës reale dhe asaj dokumentare të “VALE Recycling” nuk rezulton të jetë pasqyruar askund nga kompania e konsulencës e Laert Shehut.
Inspektorët nuk kanë parë asgjë
Agjencia Rajonale e Mjedisit Lezhë ka pasur detyrë që të kryejë inspektime periodike në subjektin “VALE Recycling”, me qëllim verifikimin e parametrave mjedisorë, cilësinë e shërbimit të kryer, pajisjet e përdorura dhe kushtet e lejeve mjedisore me të cilat ishte pajisur kompania e Elvis Mirit.
Në funksion të hetimit, Prokuroria ka identifikuar të paktën 8 inspektorë mjedisorë, të cilët kanë kryer verifikime pranë kësaj kompanie- Jorida Shabaku, Edmond Palushi, Arben Marku, Norbert Dacaj, Alba Kurti, Besarta Leka, Kejdi Ahmetaj dhe Ilir Bardhi.
Të pyetur nga prokurorët, asnjëri prej tyre nuk ishte të gjendje të tregonte nëse subjekti “VALE Recycling” ka pasur në dispozicion pajisjen “Econos”.
Po ashtu, asnjë prej tyre nuk ka raportuar se subjekti “VALE” ka pasur në funksion vetëm një incenerator, kjo e dukshme lehtësisht nga ekzistenca e vetëm një oxhaku për tymrat.
Gjithashtu, të gjitha ata deklarojnë se nuk kanë pasur për detyrë inspektimin e përmbushjes së kushteve dhe kritereve të lejeve mjedisore, të siguruara më herët nga “VALE Recycling”.
- Njoftimi i plotë nga Gjykata e Apelit:
Referuar raportimeve në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Në emisionin investigativ Stop, është trajtuar rasti i mbetjeve të rrezikshme spitalore, të cilat jo vetëm që nuk janë asgjësuar në mënyrë ligjore, por kanë krijuar problematika në shëndetin e njerëzve dhe në mjedis. Në kuadër të këtij kallëzimi është regjistruar procedimi penal i vitit 2024, ndaj shoqërisë “V…. R….” sh.p.k, me administrator shtetasin me iniciale E. M dhe disa punonjës të administratës publike.
Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me:
- caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, për personin nën hetim me iniciale E. M, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Menaxhimit të mbetjeve” dhe “Aktivitetet e rrezikshme”, të parashikuar nga nenet 186/3, 201/a dhe 201/c/1 të Kodit Penal.
- caktimin e masës së sigurimit personal “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste”, ndaj personave nën hetim E. Sh dhe L. Sh, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, të parashikuar nga neni 186/3 të Kodit Penal.
- caktimin e masës së sigurimit personal “pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “ndalimit të daljes jashtë shteti”, ndaj personave nën hetim J. Sh, E. P, A. M, N. D, A. K, B. L, I. B dhe K. A, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1419 Akti, datë 05.06.2024, ka vendosur:
-Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
-Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personit nën hetim E. M, atë të “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Menaxhimit të mbetjeve” dhe “Aktivitetet e rrezikshme”, të parashikuar nga nenet 186/3, 201/a dhe 201/c/1 të Kodit Penal.
– Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personave nën hetim E. Sh dhe L. Sh atë të “ detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste”, parashikuar nga nenet 234 dhe 243 të K.Pr.Penale, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, të parashikuar nga neni 186/3 të Kodit Penal.
– Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personave nën hetim J. Sh, E. P, A. M, N. D, A. K, B. L, I. B dhe K. A atë të “pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “ndalimit të daljes jashtë shteti”, parashikuar nga nenet 242 dhe 233 të K.Pr.Penale, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.
Pas zbatimit të masave të sigurimit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me marrjen në pyetje të personave nën hetim me iniciale E. Sh, L. Sh, J. Sh, E. P, A. M, N. D, A. K, B. L, I. B dhe K. A.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1486 Akti, datë 10.06.2024, ka vendosur:
-Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste”, caktuar ndaj personave nën hetim E. Sh dhe L. Sh, me vendimin nr. 1419 akti, datë 05.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
-Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “ndalimit të daljes jashtë shteti”, caktuar ndaj personave nën hetim J. Sh, E. P, A. M, N. D, A. K, B. L, I. B dhe K. A, me vendimin nr. 1419 akti, datë 05.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve të bëra:
1.Nga personi nën hetim me iniciale E. Sh, e cila kërkoi shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke i revokuar ose zëvendësuar masat e sigurimit. Në alternativë revokimin e masës së sigurimit “ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të aktivitetit” në një masë sigurimi më të butë.
2.Nga personat nën hetim me iniciale N. C dhe A. K, të cilët kërkuan shfuqizimin e vendimit moscaktimin e asnjë mase sigurimi personal.
- Nga personat nën hetim me iniciale I. B dhe K. A, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit revokimin e masës së sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “ndalimit të daljes jashtë shteti”. Në alternativë caktimin e masës së sigurimit atë të “detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
- Nga personat nën hetim me iniciale J. Sh dhe B. L, të cilët kërkuan shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, shpalljen e moskopetencës dhe dërgimin e akteve në gjykatën e Lezhës.
- Nga personat nën hetim me iniciale A. M dhe E. P, të cilët kërkoi ndryshimin e vendimit, revokimin e masës së sigurimit personal atë të “Pezullimit itë ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Lutfije Celami vendosi:
-Miratimin e vendimit nr. 1486 Akti, datë 10.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, qe ka disponuar mbi vazhdimin e masave të sigurimit personal ndaj personave nën hetim E. Sh, N. D, A. K, I. B, K. A, J. Sh, B. L, A. M, E. P të cilët kanë bërë ankim, caktuar ndaj tyre me vendim nr.1419 Akti, datë 05.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Në vijim, pas zbatimit të masës së sigurimit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me verifikimin e kushteve dhe kriteret, ndaj administratorit të shoqërisë shtetasit nën hetim me iniciale E. M.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1483 Akti, datë 07.06.2024, ka vendosur:
-Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim E. M, me vendimin nr. 1419 akti, datë 05.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale E. M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit duke vendosur masën e sigurimit “arrest në shtëpi” ose “garanci pasurore”.
Në përfundim të gjykimit, më datë 05.07.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Lutfije Celami vendosi:
–Miratimin e vendimit nr. 1483 akti, datë 07.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.