Popullsia e vendit ra me 420 mijë persona ndërmjet censeve 2011-2023, teksa mosha mesatare e popullsisë arriti në 42.5 vite, duke u plakur me 7 vjet nga 2011-a. Rënia më e madhe e popullsisë në përqindje ka ndodhur në Shkodër dhe Kukës, teksa popullsia Tiranës, gjatë kësaj periudhe, është shtuar me vetëm 1.2%. Rreth 91% e popullsisë u deklarua me etni shqiptare dhe 66,9% e popullsisë deklaroi se ndjek ose i përket një feje ose besimi specifik. Banesat vetëm për qëllime banimi ishin 7.4% më shumë se në vitin 2011, por 40% e hyrjeve në pallate ishin bosh, teksa madhësia e njësive familjare u reduktua më tej. Nëse nuk do të kishte emigracion, popullsia e vendit do të ishte rreth 2,9 milionë banorë (shtesa natyrore 88 mijë persona + 420 mijë persona që mungojnë + 2.4 mln banorë).
Në dekadën e tretë të tranzicionit 2011-2023, kur supozohet që vendi ka kaluar emergjencën pas regjimit komunist dhe duhet të ketë hyrë në një fazë zhvillimi të qëndrueshme ka ndodhur e kundërta.
Rezultatet paraprake të censit 2023 treguan se popullsia e vendit ra me ritme më të shpejta se dy dekadat e para të tranzicionit.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, Shqipëria kishte 2,402,113 banorë mesnatën e së dielës dhe mëngjesin e së hënës 17-18 shtator 2023, prej të cilëve, 49,6% janë meshkuj dhe 50,4% femra. Krahasuar me të dhënat e censit 2011, popullsia e vendit është pakësuar me 14.8%.
Kjo rënie ishte më e lartë se në periudhën 2001-2011 kur popullua ra me 9.6% ose rreth 300 mijë persona, teksa në dekadën e parë të tranzicionit 1989-2011, popullsia e vendit u tkurr me vetëm -3.1%.
Të dhënat tregojnë se emigracioni është shkaktari kryesor i rënies së popullsisë, pasi gjatë 2011-2021 vendi kishte shtesë natyrore (lindje-minus vdekje) pozitive me mbi 88 mijë persona. Popullsia e vendit do të ishte rreth 2,9 milionë banorë (shtesa natyrore 88 mijë persona + 420 mijë persona që mungojnë + 2.4 mln banorë).
Në Censin e vitit 2023, 91,0% e popullsisë deklaruan etni shqiptare, ndërsa 2,8% deklaruan një lloj tjetër etnie dhe 0,6% u përgjigjën me ‘Preferoj të mos përgjigjem’. Një përqindje e vogël e popullsisë (0,05%) ka deklaruar ‘Asnjë’ për etninë.
Rreth 66,9% e popullsisë deklaroi se ndjek ose i përket një feje ose besimi specifik sipas kategorive të paracaktuar në Cens.
Një përqindje e konsiderueshme prej 13,8% deklaroi se janë besimtarë, por nuk i përkasin ndonjë feje ose besimi të caktuar, ndërsa 3,6% deklaruan se janë ‘Ateistë’, dhe 10,2% deklaruan ‘Preferoj të mos përgjigjem’ për pyetjen mbi fenë.
Ashtu si me pyetjen mbi etninë, edhe për besimin, për 5,6% të popullsisë të dhënat nuk janë të disponueshme, raportoi INSTAT.
Shkodra dhe Kukësi, me rënien më të madhe të popullsisë, Tirana rritet me vetëm 1.2%
Ndërmjet 2011 dhe 2023, popullsia ka pësuar rënie në të gjitha qarqet e vendit dhe për Tiranën ka rritje me vetëm 1.2%.
Sipas të dhënave të INSTAT, në të gjithë qarqet, me përjashtim atë të Tiranës, popullsia ka ardhur në rënie gjatë periudhës 2011-2023, në një rang ndryshimesh prej 28,3% në Qarkun e Shkodrës dhe 27,3% në Qarkun Kukës, deri në 0,7% në Qarkun e Beratit.
Shprehur në vlerë absolute, Elbasani dhe Shkodra kanë pësuar rënien më të lartë të popullsisë. Në anën tjetër, popullsia e Qarkut të Tiranës është rritur me 1,2%, më së shumti prej migracionit të brendshëm.
Rritja e popullsisë në Tiranë dhe rënia në qarqet e tjera rezulton në rritjen e përqindjes së popullsisë banuese në Tiranë, nga 26,8% në 2011 në 31,6% në 2023.
Përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare (31,6%) banon në Qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10,0%, ndjekur nga Qarku i Elbasanit me 9,7% ndaj popullsisë gjithsej. Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2,6% dhe 2,5% të popullsisë përkatëse.
Shpërndarja e popullsisë në territorin e Shqipërisë tregon një përqendrim në Fier, Durrës dhe veçanërisht Tiranë.
Mosha mediane arrin 42.5 vjeç, rritet me 7 vite nga 2011
Përveç pakësimit, struktura e popullsisë është plakur dhe moshat e vjetra dominojnë strukturën e popullsisë. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se mosha mesatare e popullsisë arriti 42.5 vite, duke u rritur me 7 vjet nga viti 2011, ku ky tregues ishte 35.5 vjet.
Faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit ndërkombëtar dhe të brendshëm sollën ndryshimin e strukturës së popullsisë, në Censin e 2023.
Piramida e popullsisë bazuar në Censin e 2023 vjen e ngushtuar shumë poshtë për shkak të rënies së lindjeve dhe po zgjerohet në mes dhe lart nga rritja e popullsisë në moshë të vjetër.
Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se një në pesë individë (19,7%) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3%) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5% në Censin e 2001.
Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0% nga 30,4% vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4% nga 16,7% në 2011.
Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë: Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8%) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9%).
Ndërsa, Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0%) dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve (46,1%). Mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011.
Duke analizuar grupmoshën 50-69 vjeç në piramidën e popullsisë, vërehet një zgjerim që përputhet me një periudhë lindjesh midis mesit të viteve 1950-1970. Shqipëria gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një rritje e normave të lindshmërisë, njohur si “baby boom”.
Normat e ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese solli ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë.
Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë.
55% e popullsisë të martuar, 36.6% beqarë
Raporti gjinor i popullsisë rezulton 98,2, (numri i meshkujve për 100 femra). Ky raport është më i ulët se vlerësimi global i njohur (101,0), por më i lartë së raporti gjinor i BE-së, i vlerësuar në 2022 prej 95,64.
Në moshat e vogla deri në 10 vjeç, numri i meshkujve tejkalon atë të femrave, me një raport gjinor më të lartë se 108.
Ky raport përmbyset në moshat 40 dhe pas të 80-ve, me një rënie të madhe për shkak të jetëgjatësisë së lartë të femrave krahasuar me meshkujt. Raporti gjinor në popullsinë mbi 80 vjeç është 82,1, si dhe pesë në gjashtë individë të moshës 100 vjeç e lart janë femra.
Sipas Censit 2023, 54,9% e popullsisë rezulton i/e martuar, 36,6% janë ende beqar, 7,0% kanë status “I/e ve” dhe 1,4% e divorcuar ose e ndarë. Deri në moshën 30 vjeç, përqindja e individëve beqar është më e lartë.
Pas moshës 30 deri në 85 vjeç, rritet përqindja e personave të martuar, duke arritur pikun me rreth 88% në grupmoshën 45-64 vjeç. Pas moshës 65 vjeç e lart, përqindja e individëve të ve, ka një rritje të konsiderueshme
Nga analiza e statusit martesor, sipas gjinisë, vihet re se shumica e popullsisë së ve janë femra (82,3%), për shkak të jetëgjatësisë më të lartë dhe diferencës së moshës midis bashkëshortëve.
Gjithashtu, referuar popullsisë së divorcuar ose të ndarë, femrat zënë 58,9%, ndërsa në popullsinë që nuk është martuar kurrë (beqare), 55,7% janë meshkuj, përqindje kjo më e lartë dhe për shkak të moshës më të vonshme mesatare të martesës së tyre.
Një barazi gjinore mund të vërehet për popullsinë e martuar. Megjithatë, nga analizimi i shpërndarjes gjinore dhe moshore të popullsisë së martuar, vihet re një përqindje më e lartë e femrave në grupmoshat më të reja, për shkak të moshës më të hershme të martesës së tyre.
99.4% e popullsisë u deklaruan shtetas shqiptare
Nga popullsia banuese në Shqipëri, 99,4% kanë shtetësi shqiptare, ndërkohë pjesa tjetër prej 0,6% përbëhet nga individë me shtetësi të huaj, ose pa shtetësi.
Në ndryshim nga popullsia me shtetësi shqiptare, në popullsinë me shtetësi të huaj dhe pa shtetësi vihet re një përqindje më e lartë e meshkujve (54,5%, kundrejt 45,5%), me një raport gjinor prej 120, pra 120 meshkuj për 100 femra me shtetësi të huaj dhe pa shtetësi.
Kjo popullsi është më e përqendruar në grupmoshat e reja, përkatësisht 15-39 vjeç (34,9%, krahasuar me 30,6% të popullsisë me shtetësi shqiptare) dhe më pak në popullsinë mbi 65 vjeç e lart (12,8%, krahasuar me 19,7% të popullsisë me shtetësi shqiptare). Sipas Censit të vitit 2023, 98,3% e popullsisë në Shqipëri janë vendas, dhe 1,7% janë individë të lindur jashtë vendit.
Mes popullsisë së lindur jashtë, afërsisht gjysma e tyre (46,2%) kanë lindur në Greqi, dhe 16,6% në Itali. Duke analizuar përbërjen e popullsisë vendase dhe të lindur jashtë sipas qarkut, vihet re se Qarku i Gjirokastrës ka përqindjen më të lartë të popullsisë të lindur jashtë, me 2,8%. Në tre qarqe të tjera Vlorë, Tiranë dhe Durrës ka një përqindje të popullsisë së lindur jashtë.
Tkurret madhësia e familjes
Në Censin e vitit 2023, rezultoi se pjesa më e madhe e popullsisë së Shqipërisë jeton në njësi ekonomike familjare (NjEF) private, (99,3%), ndërkohë 0,7% janë anëtarë të banesave kolektive.
Referuar momentit të censit, numri i Njësive Ekonomike Familjare ishte 755.950 dhe madhësia mesatare u vlerësua 3,2 anëtarë për NjEF.
Në Censin e vitit 2011, madhësia mesatare e NjEF ishte 3,9 anëtarë për NjEF. Më shumë se një në tetë NjEF (13,7%) përbëhen nga një person i vetëm, duke përfaqësuar 4,3% të popullsisë.
Tipologjitë e NjEF të hasura më së shumti ishin ato të përbëra me dy deri në katër anëtarë, përkatësisht dy të tretat (2/3) e NjEF. Rreth 28,5% e NjEF, përfaqësohet nga tipologjia e NjEF me përbërje prej dy anëtarësh, e cila është dhe kategoria më e madhe.
NjEF më të mëdha, me pesë apo më shumë anëtarë, përfaqësojnë më pak se një të pestën (19,5%) e NjEF, e njehsuar me një të tretën e popullsisë (35,8%).
Pjesa më e madhe e popullsisë, 88,1% jetonin në NjEF me përbërje tradicionale të bërthamave familjare (fëmijë, bashkëshort, bashkëjetues dhe prindër).
Nga pjesa tjetër e popullsisë (11,9%), 7,6% e tyre deklaruan se nuk kishin lidhje familjare dhe 4,3% e popullsisë jetonin vetëm. Nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5% e tyre ishin 60 vjeç e lart.
Bërthamat familjare më të shpeshta përbëheshin nga çifte të martuara ose bashkëjetues me fëmijë, 52,2%, e ndjekur nga çifte të martuara ose bashkëjetues pa fëmijë, 37,5%, ndërkaq prindërit e vetëm me fëmijë përbënin vetëm 10,3% të tyre.
Shumica e NjEF private (82,5%) janë pronarë të banesës ku jetojnë ose janë në proces të marrjes së aktit ligjor të pronësisë. NjEF që jetojnë në banesa me qira përbënin 8,8% të NjEF gjithsej dhe 8,7% me marrëveshje tjetër banimi të pronësisë.
NjEF në Shqipëri zotërojnë më së shumti pajisje afatgjata kryesore si: televizorë, frigoriferë, telefon celular dhe lavatriçe, të paktën nga 96% e NjEF. Pjesa më e madhe e NjEF, më shumë se 74% kanë sistem fizik të lidhjes së internetit.
Qasja në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit është rritur ndjeshëm që nga censi i kaluar. Zotërimi i televizorëve (5,6, pikë përqindje), TV dekoder (55,9 pikë përqindje), kompjuter ose laptop me (8,3 pikë përqindje) dhe telefon celularë (9,4 pikë përqindje).
Lidhja fizike e linjës së internetit ka shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me censin e mëparshëm, me 62,2 pikë përqindje.
Ndërsa, zotërimi i telefonit fiks ka rënie të konsiderueshme, nga 28,5% në 8,5% të NjEF. Njëkohësisht, rritja e ndjeshme e pajisjeve të tjera afatgjatë në censin 2023 tregon përmirësim të dukshëm të kushteve të jetesës të NjEF në Shqipëri, krahasuar me të dhënat e cens 2011.
Veçohen kondicionerët (27,5 pikë përqindje), mikrovalë (13,9 pikë përqindje) dhe pjatalarëse (9,3 pikë përqindje).
Një tendencë e re është rritja e ndjeshme e zotërimit të paneleve diellore nga NjEF, ku 11,4% e tyre zotërojnë panele diellore krahasuar me 2,7% në censin e mëparshëm.
Afërsisht gjysma e NjEF në Shqipëri (44,4%) zotërojnë ose përdorin makinë, një rritje e konsiderueshme me 19,6 pikë përqindje krahasuar me censin e vitit 2011.
Banesat për qëllime banimi u rritën me 7% nga 2011-2023, 40% e hyrjeve në pallate bosh
Në vitin 2023, numri i banesave vetëm për qëllime banimi, (jo për biznes etj.) ishte 1,082,529 me rritje 7.4% nga viti 2011.
Censi 2023 numëroi 1.082.529 banesa të zakonshme. Shtëpitë individuale përfaqësonin 47,0% të këtyre banesave, ndërsa 39,9% e tyre janë pallate. Një kategori e vogël e banesave janë banesa pjesërisht të veçuara (8,1%) dhe shtëpi në rend tarracor (5,0%).
Nga numri gjithsej i banesave të zakonshme, në momentin e censit rezultuan 726.325 (67,1%) banesa të banuara, duke vlerësuar 32,9% banesa të zakonshme të pabanuara.
Shkalla e banesave të zakonshme të pabanuara varionte nga 24,3% për banesat pjesërisht të veçuara në 39,4% për banesat në pallate, shtëpitë individuale dhe ato në rend tarracor ishin përkatësisht secila 29,2 dhe 29,8%.
Banesat e zakonshme të banuara përfshijnë 755.531 njësi ekonomike familjare dhe 2.384.418 popullsi vendbanuese.
Përafërsisht në përqindje të barabarta, banesat e zakonshme ishin ndërtuar në periudhën që nga viti 2001 (36,4%), dhe në periudhën 20-vjeçare 1981-2000 (37,5%), ndërkaq rreth një e katërta (26,1%) ishin ndërtuar para vitit 1981.
Rreth një e katërta (26,1%) e banesave të zakonshme janë ndërtuar para vitit 1981 dhe përafërsisht në përqindje të barabarta, në periudha 20-vjeçare, 1981-2000 ishin ndërtuar 37,5%, dhe që prej vitit 2001 e në vijim janë ndërtuar 36,4%.
Pothuajse gjysma e këtyre banesave (47,1%) kishte një sipërfaqe të përdorur prej 40-69 m² dhe rreth një e katërta (23,7%) kishin një hapësire të dobishme prej 70-99 m².
Censi vlerësoi se 86,4% e banesave të zakonshme të banuara kishin ujë të rrjedhshëm në banesë, ose në ndërtesë.
Pothuajse të gjitha banesat e zakonshme të banuara (96,2%) kishin tualet brenda banesës ose brenda ndërtesës. Një përqindje e vogël (më pak se 0.1%) të banesave të numëruara në Cens ishin banesa jo të zakonshme.
Në këto njësi të tjera banimi jetonin rreth 400 NjEF dhe 1,4 mijë vendbanues të zakonshëm./Monitor