Policia e Durrësit, pas disa javësh hetime me metoda proaktive, ka goditur një rast të ushtrimit të prostitucionit në Rrogozhinë, duke arrestuar dy vëllezër, pronarë të hotelit ku ushtrohej prostitucioni, si dhe dy vajzat që prostituonin.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Sunset” janë vënë në pranga dy vëllezërit Fatmir Hoxha, 62 vjeç dhe Shkëndi Hoxha, 55 vjeç, të dy banues në Rrogozhinë Ata akuzohen për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, të kryera në bashkëpunim. Në pranga janë vënë dhe shtetaset Q. T., 39 vjeçe dhe D. M., 30 vjeçe, banuese në Durrës, të cilat akuzohen për veprën penale “Prostitucioni”.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se vëllezërit Fatmir Hoxha dhe Shkëndi Hoxha kishin përshtatur ambientet e hotelit në pronësi të tyre, në Rrogozhinë, për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit që kryhej nga shtetaset Q. T. dhe D. M.” – thuhet në njoftimin e bluve të qytetit bregdetar.
Raportohet gjithashtu se Policia ka sekuestruar hotelin në pronësi të dy vëllëzërve dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga veprimtaria e paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.