Një skandal i vërtetë është regjistruar në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës.
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak nga radhët e opozitës, Dorian Teliti ka ngritur shqetësimin se salla ishte mbushur me efektivë të Policisë Bashkiake të Tiranës, të cilët me urdhër të Erion Veliajt u kanë ushtruar kontroll fizik të gjithë këshilltarëve të opozitës para se të futeshin në mbledhje.
Sipas Teliti, ata kishin marrë nën mbrojtje Erion Veliajn, që të mbante 10 minuat ligjëratën e tij në mbledhje dhe të mos përballej me këshilltarët e opozitës, duke u larguar i qetë.
Pas kapjes së pjesës më të madhe të mediave, tashmë Erion Veliaj nën forcën e Policisë po i mohon ngritjen e zërit edhe opozitës në Këshillin Bashkiak.
.
“Policia bashkiake nuk lejonte këshilltarët e opozitës të hynin në Këshillin Bashkiak pa iu bërë atyre kontrollin fizik, ba u bazuar në urdhër dhe pa u bazuar as në ligj. Nuk kishin urdhër Policia Bashkiake. Bllokonin këshilltarët e opozitës me një qëllim të vetëm, që të vinte Erion Veliaj në mbledhje, të bënte ligjëratën e tij 10 minuta dhe ai të largohej në mënyrë që ai të mos përballej me këshilltarët e opoziës. Një skandal i përmasave të papara. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë një rast i tillë, një gjendje e tillë, ku të rreshtuar atje, që nga drejtuesi i Policisë Bashkiake dhe gjithë policët e tjerë nën urdhërat e tij nuk lejonin këshilltarët bashkiak të kryenin detyrën e tyre. Ashtu siç i kemi parë dhe ditë protestash që rrethonin bashkinë, sot kishin rrethuar salllën e Këshillit Bashkiak dhe ne e kishim të pamundur të futeshim në orarin zyrtar dhe të merrnim pjesë në pjesën e parë të mbledhjes.” – tha Dorian Teliti.
Nënkryetari i opozitës në Këshillin Bashkiak bëri me dije gjithashtu se socialistët e Veliajt vazhdojnë të refuzojnë çdo kërkesë të këshilltarëve opozitarë, duke renditur tre prej tyre. Sipas Telitit, Veliajt dhe të tijët kanë frikë nga e vërteta dhe vazhdojnë të abuzojnë.
“Gjithashtu, me urdhër po të Erion Veliajt hidhen përsëri poshtë propozimet zyrtare dhe ligjore të këshilltarëve të opozitës. Propozime që i kam dorëzuar vetë, muaj më parë dhe i kam përsëritur në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak. Një është ngritja e komisionit të kontrollit të brendshëm financiar, që nuk është dëshirë e këshilltarëve të opozitës, por është detyrim ligjor. Refuzohet që prej muajit korrik të vitit 2023, prej 10 muajsh, sepse nuk duan që ky komision të kryejë detyrën e tij, si monitorimi i çdo të ardhure dhe shpenzimesh. Nuk e duan transparencën, nuk e duan ngritjen e komisionit, se ashtu ne si këshilltarë dhe qytetarët e Tiranës do të merrnin vesh se çfarë bëhet me financat e bashkisë dhe se si ato shpërdorohet me dhjetra e dhjetra miliona euro duke shkuar në xhepat e zyrtarëve në mënyrë të paligjshme dhe klienteliste.
Gjithashtu, refuzuan përsëri që kryetari i bashkisë të qëndronte para këshilltarëve bashkiak, të bënim debatin serioz që i ka hije një Këshilli të kryeqytetit të një vendi që aspiron për t’u integruar në BE. Për të dhënë ai mendimet e veta dhe ne mendimet tona, për të dhënë ai llogari si përfaqësuesi i ekzekutivit përballë legjislatorit të Tiranës se çfarë ka ndodhur me aferën “5D”, çfarë ka ndodhur me inceneratorin e Tiranës, ç’po ndodh me ish-administratorin e Zall Herrit, etj. ku janë shpenzuar qindra e qindra miliona euro.
Refuzuan edhe kërkesën tonë të tretë që është auditimi i jashtëm, i pavarur nga mazhoranca dhe nga opozita, një audit i huaj me fondet e vet Këshillit Bashkiak, as Bashkisë së Tiranës, të kontraktonim një kompani të huaj për të bërë transparencën se çfarë ka ndodhur me financat e viteve të fundit të Tiranës. Përgjigjia për çdo kërkesë është “JO”. Ata të vërtetën nuk e duan dhe po vazhdojnë të abuzojnë me të drejtën e këshilltarëve dhe të qytetarëve për t’u informuar” – tha Dorian Teliti në prononcimin për mediat.
Më poshtë, pamjet kur Policia Bashkia e veliajt kontrollon fizikisht anëtarin e Këshillit Bashkiak Endrit Shabani para se të futet në mbledhje.
Ndërkohë, Erion Veliaj pasi mbajti ligjërimin e tij në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, u largua nga mbledhja dhe nuk u përball me këshilltarët e opozitës.
Gjatë fjalës së Veliajt, këshilltari i opozitës Tedi Blushi i është drejtuar kryebashkiakut se është hajdut dhe se duhej të ishte në burg prej kohësh.
Tedi Blushi akuza Erion Veliaj: Je një hajdut i fëlliqur. Je një kriminel që duhet të ishe arrestuar 4 vite më parë. Këto projekte që na sjell sot kush do t’i zbatojë? Organizata kriminale 5 D që është në burg apo një hajdut si ti që duhet të ishe sot i arrestuar? Si mund të flasësh ti për fëmijët kur je ideatori dhe promovuesi kryesor i perversiteteve para fëmijëve të Tiranës.
Pasi Erion Veliaj është larguar nga mbledhja, Blushi ka pasur një debat edhe me kryetaren e këshillit bashkiak, Romina Kuko.
Blushi debat me Romina Kukon: Je një kukull e organizatës kriminale ‘5D’. Ne nuk mund të bëjmë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Nuk mund të dëgjojmë sot një hajdut që vjen këtu dhe largohet. Të qëndrojë të ballafaqohet me qytetaret e Tiranës.
Kujtojmë se opozita po bën protesta të përjavshme para Bashkisë së Tiranës ku kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe marrjen e tij të pandehur për dosjen “5D” dhe inceneratorin fantazëm të Tiranës.