Institucionet lokale në qarkun e Fierit nuk e kanë në vëmendje dhe as në buxhet trajtimin e viktimave të dhunës në familje, duke i lënë këto të fundit të përballen të vetme me dhunuesit dhe problemet.
Margarita* ishte 10 vjeç kur mësoi se ishte e birësuar dhe se prindërit që po e rrisnin ishin në fakt xhaxhai dhe nusja e xhaxhait. Por ajo nuk ndjeu kurrë mungesë dashurie dhe përkujdesi derisa mbushi 18 vjeç, kur siç i thonë nga anët e saj, “ishte bërë për t’u martuar”.
“Ishte një mendim në ato kohë që mosha për martesë e vajzave është nga 14 deri 18 vjeç, përndryshe quhesh e mbetur e s’të merr njeri për nuse,” kujton 38-vjeçarja nga Lushnja.
E martuar në moshë të re, ajo u përball që në fillimet e bashkëjetesës me dhunë nga bashkëshorti. Fillimisht me të shara dhe fyerje dhe më pas me goditje dhe shenja në fytyrë.
Megjithatë, Margarita e duroi për dy dekada dhunën verbale dhe fizike duke menduar se po mbronte familjen, por kjo ndryshoi kur bashkëshorti filloi të rrihte edhe fëmijët. Në fillim, viktimë e dhunës u bë vajza që sot është 18 vjeç dhe më pas edhe djali i mitur.
“Kur e gjeta duke rrahur barbarisht djalin 8 vjeç, thashë kaq e pate. Ia thashë në fytyrë: Kaq e pate,” tregon ajo.
Pas denoncimit në polici dhe pajisjes me urdhër mbrojtjeje, gruaja kërkoi divorcin por bashkëshorti refuzoi që të ndahej dhe e shkeli disa herë urdhrin e mbrojtjes. Çifti u divorcua në dhjetor të vitit 2023 dhe i shoqi i Margaritës u dënua me 6 muaj burg për dhunë në familje. Ai nuk i ndali aktet e dhunës edhe pas lirimit nga burgu dhe siç tregon Margarita, një ditë ia vuri sërish duart në fyt. “Tani është prapë brenda,” shton 38-vjeçarja.
Si shumë gra që kanë vuajtur dhunë të përsëritur për vite me radhë dhe që nuk mund të shmangin kontaktet me dhunuesin, Margarita është e frikësuar dhe nuk di ku të përplaset për ndihmë, pasi urdhri i mbrojtjes shkelet lehtësisht.
“Duhet të mbrohemi nga ai por s’di çfarë mund të bëj tjetër përveç kërkesës për urdhër mbrojtje. Kam frikë. Të gjithë, vajza, unë, djali po trajtohemi me psikolog,” tregon ajo.
Situata e saj nuk është e veçantë. Në Gjykatën e Fierit thuajse çdo ditë ka një kërkesë për urdhër mbrojtjeje dhe gjatë vitit 2023 u kërkuan 303 të tillë. Mes kërkuesve, shumica janë gra që dhunohen nga bashkëshortët dhe bashkëjetuesit, por nuk mungojnë as fëmijët që kërkojnë mbrojtje nga prindër dhunues apo edhe e kundërta.
Ndërkohë, ndihma për ta është e mangët dhe bashkitë që duhet t’i mbështesin me strehim dhe financiarisht thuajse nuk ofrojnë asgjë veç këshillimit.
Për avokatin Kastriot Dyrmishi, mungesa e strukturave ndihmëse e bën të papërfillshëm impaktin e urdhrit të mbrojtjes. “Nuk ka kuptim dhe logjikë që lëshohet urdhër mbrojtjeje dhe nuk merren masa që viktima ose dhunuesi të veçohen,” thotë ai.
Bashkia e Fierit nuk iu përgjigj një kërkese për informacion të dërguar nga BIRN. Tre bashki të tjera të qarkut nga ana tyre pranuan në përgjigje me shkrim se nuk kishin fonde për viktimat e dhunës në familje, ndërsa bashkia e Lushnjës tha se rezervonte 200 mijë lekë për “aktivitete të ndryshme”.
Ndihma e munguar
Punonjës socialë, psikologë dhe avokatë që janë në kontakt të përdishëm me raste të dhunës në familje, shprehen të shqetësuar se dhuna po trajtohet si e pranueshme. Ata thonë se përtej propagandës, institucionet nuk e vënë ujin në zjarr për të ndihmuar realisht viktimat.
“Mjafton të kujtojmë absurditetin e qëndrimit te dhunuesit dhe viktimës në një shtëpi për të kuptuar se ku qëndron problemi. Shërbimet sociale të bashkive nuk mbajnë kontakte me viktimat e dhunës aq më pak të pikasin apo referojnë raste dhune,” tha Sonila Banushi, psikologe klinike për BIRN
Avokati Kastriot Dyrmishi thotë se dështimi i institucioneve lokale për të dhënë mbështetje e bën të gjithë strukturën kundër dhunës të parëndësishme. Ai thotë se bashkitë dështojnë të ofrojnë strehim apo ndihmë edhe nëse i kanë mundësitë. “Veçanërisht për gratë e dhunuara, kjo masë duhet të shoqërohet me mbështetje sociale ku strehimi me qëllim veçimin nga dhunuesi të jetë i garantuar. Banesat sociale të bashkisë së Fierit janë bosh, por bashkia nuk ka strehuar atje asnjë grua të dhunuar,”pretendoi Dyrmishi për BIRN.
Edhe bashkitë e tjera të qarkut Fier nuk duket se ofrojnë më shumë mundësi. Në përgjigje me shkrim, bashkia e Roskovecit pranoi se nuk kishte asgjë të parashikuar për dhunën në familje, pavarësisht se regjistronte rreth 20 raste në vit.
“Bashkia nuk ka programe trajnimi. Bashkia nuk ka një fondë të tillë,” thuhet në përgjigjen zyrtare mbi pyetjet lidhur me ndihmën ndaj viktimave.
Në një përgjigje të ngjashme edhe bashkia e Mallakastrës pranon se nuk ka fonde në buxhet për viktimat e dhunës. Në Lushnje, Patos dhe Divjakë situata është më ndryshe. Këto bashki kanë koordinatorë që kanë kontakte me viktimat dhe ndër të tjera ofrojnë këshillim psikologjik dhe asistencë ligjore falas. Megjithatë, as këto bashki nuk kanë fonde për viktimat. Bashkia e Lushnjes i tha BIRN në përgjigje se kishte një fond 200 mijë lekë, të ndarë për zyrën e shërbimit social, por jo specifikisht për viktimat e dhunës në familje.
“Nga ajo që kam konstatuar mund të them se zbatimi i urdhërave të mbrojtjes nga zinxhiri institucional çedon. Konkretisht janë zyrat e shërbimeve sociale që nuk mbajnë kontaktet me viktimat e dhunës. Të gjitha bashkitë e qarkut neglizhojnë në këtë drejtim”, thotë avokatja Inva Malaj.
Avokatja thotë se koordinatorët që duhet të ndjekin rastet e dhunës nuk paraqiten në seanca gjyqësore për të kryer monitorimin dhe as nuk paraqesin raporte të nevojshme për viktimat në këto procese.
“Kjo bën që gjykata të ketë mangësi në informacion për rastet kur bëhet verifikimi i urdhërit të mbrojtjes. Ndërsa viktimat e dhunës mbeten pa trajtimin e nevojshëm nga pushteti vendor,” tha Inva Malaj.
Neglizhenca e pushtetit vendor në këtë fushë duket edhe në mungesën e referimeve nga zyrat sociale të ngritura, pasi qytetarët nuk u drejtohen atyre për ndihmë. BIRN mësoi nga përgjigjet e kërkesave për informacion se përgjatë vitit 2024 policia ka referuar në gjykate dhe prokurori 190 raste dhune në familje, prokuroria 95 raste, përfaqësuesit ligjorë 16 raste, por qendrat sociale të bashkive kanë referuar vetëm dy raste. Një vit më pare, qendrat sociale pranë bashkive referuan vetëm 1 rast.
Në krahun tjetër, shumica e rasteve të dhunës duket se nuk ndiqen nga institucionet e drejtësisë. Grisilda Bektashi, punonjëse sociale në bashkinë e Patosit, thotë se nga rastet që ajo ka ndjekur, vetëm një prej tyre është ndjekur penalisht.
“Ne kemi pasur vetëm një rast ku burri dhunues u fut në burg dhe kreu dënimin. Pas kësaj, ai shprehu pendesë deri në atë pikë sa i kërkoi falje bashkëshortes dhe u largua nga vendi duke i premtuar se nuk do ta shqetësonte më kurrë,” thotë Bektashi.
Edhe avokatja Inva Malaj thotë se urdhrat e mbrojtjes shpesh nuk shoqërohen me kallëzime dhe se në pjesën më të madhe të rasteve, viktima e fal dhunuesin.
“Dhuna si vepër penale dhe urdhri i mbrojtjes si masë në procesin civil, nuk shkojnë paralelisht me njëra tjetrën. Kështu nga 23 urdhra mbrojtjeje që kam monitoruar nga shtatori deri tani, 10 prej tyre janë shoqëruar me kallëzim penal për dhunë në familje. Kjo ndodh sepse viktimat nuk dëshirojnë ta burgosin familjarin e tyre, duke u mjaftuar me urdhrin e mbrojtjes,” përfundoi Malaj.
*Emri i viktimës së dhunës në familje është ndryshuar për të ruajtur anonimatin.
/BIRN