Ka përfunduar mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku është firmosur marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare.
Bëhet fjalë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për koncesionet në shëndetësi, atë të sterilizimit dhe Check Up-it, si dhe ngritjen e një komisioni për ndërhyrjen në sistemin TIMS ku u cënuan të dhënat personale të qytetarëve.
Në marrëveshje theksohet se Komisioni do të ketë 15 anëtarë, ku kryetari dhe 6 anëtarë do të propozohen nga grupi i Partisë Demokratike dhe 8 antarë do tëpropozohen nga grupi i Partisë Socialiste, ndërsa afati i tij të jetë për një periudhë kohore 4 mujore.
Koncesionet në Shëndetësi
Lidhur me komisionin për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check up në Shëndetësi, objekti i hetimor do jetë:
(i) Shqyrtim i çështjeve të lidhura me kontratat publike për shërbimin publik të sterilizimit dhe atë të check-up në shëndetësi. si dhe zbatimin e tyre:
(ii) Vlerësimi i nevojës për marrjen e masave administrative apo ndërhyrje ligjore në legjislacionin përkatës.
3. Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij, në përputhje me parimet kushtetuese, veçanërisht parimin e ndarjes së pushteteve, duke mos iu mbivendosur punës së organeve të drejtësisë, parimin për një proces të rregullt ligjor, parimin e prezumimit të pafajësisë, parimin e paanshmërisë dhe i respektimit të jetës private të individit.
Sistemi TIMS
Ndërkohë, komisioni për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS ka për objekt të veprimtarisë së tij:
(i) Shqyrtimin e çështjeve lidhur me kontrollin e veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e sistemit TIMS: dhe
(ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave administrative apo, ndërhyrjet ligjore në legjislacionin përkatës në fuqi.
3. Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij, në përputhje me parimet kushtetuese, veçanërisht parimin e ndarjes së pushteteve, duke mos iu mbivendosur punës së organeve të drejtësisë, parimin për një proces të rregullt ligjor, parimin e prezumimit të pafajësisë, parimin e paanshmërisë dhe i respektimit të jetës private të individit.
DEKLARATAT
Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi ka deklaruar se me PD-në kanë rënë dakord me objektet e komisioneve hetimore.
“Përfunduam atë që kishim nisur në mbledhjen e konferencës së kryetarëve. Është rënë dakord për objektet e dy komisioneve hetimore, për shërbimet në shëndetësi, sterilizimi dhe chechk up dhe TIMS” – tha ai.
Çuçi nënvizoi se gjithashtu kanë rënë dakord që të ngrenë një grup pune në komisionin e ligjeve për të garantuar dialogun mes palëve për ligje specifike.
“Ramë dakort që të mandatojmë komisionin e ligjeve për të ngritur një platformë brenda komisionit të ligjeve për të krijuar dialog politik për ligje që janë pjesë e agjendës së BE. Emrat do i kalojmë javës tjetër. Nuk është nënkomision. Brenda komisionit të ligjeve do ngrihet një platformë një grup pune. Ajo duhet të garantojë dialogun politik për ligje që kërkojnë 3/5 dhe që kanë të bëjnë me BE.” – tha ai.
Siç duket, bëhet fjalë për atë që u dakordësua në parim që në mbledhjen e të martës në Konferencën e Kryetarëve për ngritjen e “Nënkomisioneve për Reformat”, për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. “Nënkomision për Reformat” do të përbëhen nga 4 anëtarë (dy cakton Çuçi dhe dy cakton Bardhi). Në këtë rast, grupimi i Lulzim Bashës, del “jashtë loje”.
Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirës, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian. Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.
Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se mbajtën premtimin që kishin dhënë, edhe pse sipas tij, deputetët e PD-së janë akuzuar për qëllime të tjera për aksionin e tyre në Kuvend. Ai shtoi se me zgjidhjen e shqetësimeve, tashmë do të rikthejnë normalitetin në parlament.
“Ramë e dakord në parim për të normalizuar veprimtarinë tonë në Kuvend dhe komisionet. Sot konferencën e kryetarëve ka marrë vendim qe konkretizojnë atë dakortësi të mbledhjes së shkruar, është rënë dakord miratimi i Komisionet Hetimor për kontrata ne shëndetësi, është rënë dakord të ngrihet Komisioni Hetimor në lidhje me të dhënat e Sistemit TIMS. Është ngarkuar komisioni i ligjeve për formimin e një mekanizim konsensual mes mazhorancës dhe opozitës në barazi të plotë, sa u takon ligjeve me shumicë të cilësuar, që kërkojnë gjithëpërfshirës dhe qe janë të rëndësishme në kuadër të të anëtarësimit në BE.
Siç kemi premtuar publikisht, edhe pse jemi akuzuar që aksioni i deputetëve kishte motive të tjera nga ato që ishin shpallur, edhe sot ne provuam se ai zotim publik që kishim bërë që me zgjidhjen e shqetësimeve të paraqitura nga opozita ne rikthehemi në normalitet. Për grupin e PD, normalizimi i marrëdhënieve në Kuvend ka qenë kërkesë vazhdueshme bashkë më kërkesat për respektimin e të drejtave të opozitës. Këto kanë qenë shqetësimet tona. Sot po provojmë më këtë dakortësi që kemi bërë atë që kemi thënë gjatë këtyre 5 muajve. Ka një dakordësi për të kthyer normalitetin në veprimtarinë e Kuvendit, përmes zgjedhjes së tre shqetësimeve të opozitës. Mbledhjet e Komisioneve janë të hapura, transparenca është kush kryesor”, tha Bardhi.
Ende nuk ka emra konkret se kush do të jetë bashkëkryetar nga opozita në këto dy komisione. I pyetur nëse a do të jetë ai, Bardhi tha se kjo do vendoset në mbledhjen e grupit të PD-së.
“Kjo nuk është çështje e konferencës së kryetarëve, por e grupeve parlamentare. Pra do të jetë vendimmarrje e grupeve parlamentare në vijim. Si kryetar i grupit parlamentar nuk pret besoj të ta bëj ty propozimin një herë ty pastaj kolegëve të grupit parlamentar. Nuk kam ndërmend të ndalem te projeksioni i kolegëve që do jenë në komisionet përkatëse. Në konferencën e kryetarëve pati një dakordësi për t’iu rikthyer jetës parlamentare, detajet e tjera do të keni mundësi në ditët në vijim, mos i merrni të gjitha lajmet sot.” – tha Bardhi.
Marrëveshja e firmosur ditën e sotme mes mazhorancës dhe opozitës pritet të sjellë normalitetin në Kuvend, i cili zhvillohej mes tensionit prej mbi 4 muajsh, ku mazhoranca i miratonte ligjet pa diskutime, por vetëm me ngritje kartonash.