Të enjten e fundit të shkurtit, Ndue Prenga rreth të 70-ave, mori përpjetë rrugën për në zemër të fshatit Thirrë. Njoftimin se makineri të rënda kanë zbarkuar për të rinisur punimet për HEC-in për të cilin ka protestuar prej katër vitesh, nuk e priti aspak mirë.
“Ne të shkretët çfarë të bëjmë, këtë pikë ujë që e ka falur natyra, edhe këtë ta heqin. Atëherë si mund të flitet se këtu mund të ketë fshat, mund të ketë të ardhme, mund të ketë jetë. Vërtet firma mund të ekzistojë, por të tre fshatrat do të eleminohen”,– shprehet Ndue.
Sipas Ndues, si banorë ata nuk janë pyetur për çfarë po ndërtohet në fshatin e tyre.
“Ne nuk na pyeti njeri. As për firmë, as se jemi banorë, as se sa na dëmton, as se sa fitojmë ne me këto burime, mbi bazën e të cilave është ndërtuar fshati. Por jo vetëm fshati jonë, por të gjithë fshatrat e zonës dhe të gjithë fshatrat e Shqipërisë”.
Ditët e para të muajit shkurt, makineritë e rënda të kompanisë “Sang 1”(zbatuese e projektit) që po ndërton një HEC dhe një fabrikë uji në fshatin Thirrë të Mirditës u kthyen në terren, edhe pse Gjykata Administrative e Apelit vendosi pezullimin e punimeve në qershor të vitit 2023.
Ndërsa më 7 shtator 2023, Zyra e Përmbarimit Lezhë zbatoi vendimin e Gjykatës për pezullim të punimeve.
Sipas përfaqësuesit ligjor të banorëve, Elton Laska, firma ka nisur punimet me pretendimin se Gjykata e Lartë ka rikthyer për rishqyrtim vendimin e gjykatës së Apelit që pezulloi punimet. Mirëpo, deri më sot, nuk ka asnjë vendim të zbardhur të vënë në dispozicion të banorëve apo Zyrës Përmbarimore Lezhë.
“Kompania ankimoi vendimin tonë në gjykatë më të lartë dhe para një muaji Gjykata e Lartë ka dalë me një vendim tjetër, ku ky vendim kthen për rigjykim vendimin e parë dhe jep autoritetin Gjykatës së Apelit ta rishqyrtojë këtë vendim për pezullim punimesh. Por në asnjë rast ky vendim nuk shfuqizohet, por kthehet për rigjykim. Bashkë me banorët, në datën 14 shkurt erdhëm këtu dhe konstatuam që kompania ishte në punë dhe po vazhdonte punimet duke shtrirë tubacionet, duke hapur rrugë të reja dhe duke vazhduar në qetësinë e saj punimet”,-argumenton avokati Laska.
Kërkesës së banorëve për të zhvilluar inspektim në terren iu përgjigj bashkia Mirditë, e cila pas kontrollit vuri re se kompania kishte nisur punimet pa dorëzuar dokumentacionin ligjor. Kësisoj bashkia Mirditë e gjobiti kompanisë “lajthiza Invest sh.p.k” me 300 mijë lek dhe pezulloi punimet për dy muaj.
“Bashkia ka kërkuar konfirmimin ligjor, zbatimin e ligjit dhe të ligjshmërisë me instancat përkatëse që ka bashkia në dispozicion dhe në këtë kontekst i kemi kërkuar firmës që momentalisht të pezullojë punimet për efekt të paraqitjes së dokumentacioneve e cila duhet të vejë në dispozicion të bashkisë, në mënyrë që ajo të jetë konform ligjit, për zbatimin e ligjshmërisë dhe për të vazhduar punimet. Njëkohësisht edhe banorëve iu kemi kërkuar që të zbatojnë ligjin në kontekstin që të pranojnë ato të cilat janë vendime të ligjshme dhe të respektojmë kuadrin ligjor”,- u shpreh për Citizens Channel, kreu i bashkisë Mirditë Albert Mëlyshi.
Pashk Bajraktari është një nga 168 banorët që ka çuar në gjykatë çështjen e hidrocentralit në Thirrë. Ai rrëfen se ndërtimi i këtij projekti ndikon drejtpërsëdrejti në jetesën e tij në komunitet.
“Fshati është shumë i dëmtuar, sepse ai do të marrë 5 litra ujë në sekond për fabrikën e ujit. Këtu janë shtatë burime uji. Të shtatë burimet e ujit do ti marri dhe fshati do të falimentojë. Ne këtu me këtë ujë kemi jetuar dhe jetojmë përsëri. Këtu në fshatin tonë verës, kemi pas dalë në mal, mblidhnim gështenjat e egra. Me këtë ujë që e marrim nga këtu dhe e çojmë në fshat është 3200 metra largësia. Po ta fusin edhe këtë ujin në tubat, këtu jemi sot në shkurt dhe në verë nuk do të ketë asnjë pikë uji”,-rrëfen Bajraktari.
Sipas Besnik Pacit, banor dhe aktivist i zëshëm kundër këtij projekti, ky nxitim i kompanisë për të vepruar edhe pa leje, kërkon ta bëjë fakt të kryer projektin përpos paligjshmërisë.
“Këta këtu e kanë betejë, me patjetër që të arrijnë te burimet ujore, pra ta lidhin këtë tubacion që është këtu, ta venë në punë HEC-in dhe pastaj të thonë banorët le të vazhdojnë gjyqet edhe të ndjekin procedurat e gjykatave shqiptare që shkojnë 5-10 vjet dhe mirupafshim dhe pastaj nuk ka asnjë lloj të drejte për banorët. Institucionet shtetërore kanë diçka, që thonë banorët ti drejtohen gjykatave”,- argumenton Paci.
Sipas tij, brenda një muaji punimet kanë avancuar, ndërsa banorët i janë drejtuar çdo institucioni lokal e qendror për të ndërhyrë.
“Këtu është gati 2 kilometër rrugë që nuk ka ekzistuar, as këto kanalizime, ku zyra përmbarimore i ka bërë pezullim të punimeve. Të gjitha këto degëzime janë të lidhura me këtë ujëmbledhës që furnizon HEC-in. Gjatë kohës që ishim në gjykata kompania ka pas bërë vetëm 30% të punimeve. Ata i vazhdojnë punimet, i vendosën tubacionet nga ana andej, i mbuluan tubacionet, tani ka mbetur vetëm ky segmenti”,- shprehet besnik Paci.
Ndërsa ktheheshin nga vendi ku po kryheshin punimet, banorët u ndaluan nga policia, pasi sipas tyre kishin marrë informacion për bllokim rruge. Punonjësit e policisë kërkuan që banorët të paraqiteshin në komisariatin e qytetit, mirëpo edhe pse banorët iu dejtuan dyerve të komisariatit për të sqaruar situatën, ata nuk u pritën nga ky institucion.
Katër vite rezistencë gjyqësore dhe qytetare
Prend Përkola, banor i zonës i është bashkuar protestave që prej vitit 2021, ndërsa rrëfen se nuk janë marrë në konsideratë si banorë.
“Tani këta nuk na kanë pyetur fare, kanë bërë një dëgjesë të popullit këtu. Nga këto firma i kanë marrë nëpër fshatra të tjera i kanë mbledhur, jo banorë të fshatit tonë Thirrë. Ne nuk na kanë pyetur fare, kanë bërë një padrejtësi në këtë komunitet. Kur e morëm vesh ne u mblodhën populli, fshati, të gjithë dhe bëmë një kërkesë, bëmë protesta, lajmëruam shtetin sipas dikasterëve që nga qendra administrative, bashkia atëherë ka qenë komunë. Nuk na u vlerësua fare”,- sqaron Prend Përkola.
Ai shton se pas rezistencës qytetare me protesta u detyruan ti drejtohen gjykatave.
“Në 2023-in kemi fituar gjyqin në shkallë të parë, Gjykatën Administrative Tiranë. Na u dha e drejta e banorëve. Edhe në Gjykatën e shkallës së dytë në Apel edhe ajo po ashtu. Erdhi Zyra e Përmbarimit, përfaqësues të bashkisë të qendrës administrative Fan, u ndërrua bashkia, u bënë votat dhe erdhi administratë tjetër. Na kanë mbështetur, këta nuk i dinin të gjitha gjërat që bëhen. Ata nuk u pushuan punimet. Kanë punuar të gjithë natën, mbështetje se të kujt kanë pasur e dinë ata”,-përfundon Prend Përkola.
Kompania që po ndërtonte HEC-in në Thirrë të Mirditës, “Sang 1” SH.P.K mori licencën me një vendim të 26 qershorit të vitit 2019 për aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike për një afat 5-vjeçar.
Banorët e fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë, të ndodhura në afërsi të “Rrugës së Kombit”, si pjesë e Njësisë Administrative Fan në bashkinë Mirditë, protestuan në prill të vitit 2021 kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve dhe një fabrike uji.
Banorët nuk u thirrën në dëgjesa publike asokohe nga kompania. Mes të tjerash ata denoncuan edhe faktin se kompania kishte falsifikuar firmat e tyre.
Pas protestës së banorëve, policia shoqëroi 33 protestues dhe arrestoi 4 prej tyre. Sipas policisë shoqërimi u krye për shkak të protestës së paligjshme dhe bllokimit të lëvizjeve të mjeteve në aksin Milot-Morinë.
Në shkurt të vitit 2023, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë e konsideroi të pavlefshëm vendimin për ndërtimin e hidrocentralit në fshatin Thirrë të Mirditës.
Edhe pse një çështje në proces gjykimi, punimet vijonin dhe si rrjedhojë edhe shfrytëzimi i burimeve ujore të zonës.
Banorët iu drejtuan Gjykatës Administrative për shfuqizimin e lejes për përdorim të burimeve ujore, të dhënë nga Këshilli i Basenit Ujor Mat. Mirëpo, gjatë procesit gjyqësor lejet e shfrytëzimit të burimeve ujore e përfunduan afatin dhe gjykata arsyetoi se nuk mund të shfuqizonte një akt që nuk ka më fuqi.
Në mars të vitit 2022, ata i drejtuan një kërkesë Prefektit të Qarkut Lezhë, Këshillit të Basenit Ujor Mat, Bashkisë Mirditë dhe Njësisë Administrative Fan, ku kërkuan pajisjen e Njësisë Administrative Fan me leje për përdorim të burimit ujor për ujë të pijshëm, për vaditje dhe për blegtori.
Kjo kërkesë sipas banorëve nuk u mor parasysh, pasi institucionet e rinovuan lejen e përdorimit të ujit ndaj shoqërisë “Sang 1 sh.p.k”, gjatë kohës që çështja ishte në gjykim.
Në shtator të 2023-it, Zyra e Përmbarimit në Lezhë zbatoi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit të datës 15 qershor të 2023 për pezullimin e punimeve për HEC-in dhe për fabrikën e përpunimit të ujit.
Në shkurt 2024, kompania rifillon punimet me arsyetimin se ka një vendim të Gjykatës së Lartë për të kthyer për rishqyrtim vendimin e gjykatës së Apelit që pezulloi punimet. Por ky vendim, ashtu sikurse të tjera dokumente ligjore nuk i janë venë në dispozicion bashkisë Mirditë, banorëve dhe Zyrës Përmbarimore Lezhë./Citizens Channel