Teknologjia e re sjell me vete shpresën e ëmbël për pasuri më të madhe dhe prandaj, të gjitha vendet hyjnë në garë për ta shfrytëzuar dhe për të mos mbetur mbrapa vendeve të tjera.
Satya Nadella, drejtuesi i kompanisë Microsoft, thotë se nuk mund ta harrojë faktin se vendlindja e tij India, nuk përfitoi nga Revolucioni Industrial. (Sigurisht që prodhuesit indianë nuk gëzonin të njëjtat kushte në garë. Atëherë, Britania ishte rivali dhe sundimtari i tyre).
Shumë teknologji, si kurset e edukimit online, kanë bërë shumë bujë në vendet në zhvillim, por nuk kanë nxitur ndonjë rritje të mirëfilltë ekonomike. Disa njerëz shqetësohen se edhe Inteligjenca Artificiale do të jetë një zhgënjim për jugun e globit.
Deri tani, fituesit e mëdhenj duket se kanë qenë vendet perëndimore, që nxituan për ta shfrytëzuar teknologjinë që në fillim, si edhe firmat startup në San Francisko dhe 7 firmat teknologjike “madhështore” të Amerikës, ku përfshihet edhe Microsoft dhe që e rritën vlerën totale të tregut me plot 4.6 trilionë dollarë, që nga dalja në treg e platformës së Inteligjencës Artificiale ChatGPT, në nëntor 2022.
Sidoqoftë, Inteligjenca Artificiale pritet të shndërrojë edhe jetët e njerëzve në vendet në zhvillim. Teksa përhapet, kjo teknologji mund të rrisë produktivitetin dhe të zvogëlojë boshllëqet në kapitalin njerëzor, shumë më shpejt se më parë.
Njerëzit në vendet në zhvillim, nuk kanë pse të jenë marrës pasivë të Inteligjencës Artificiale, por mund t’i japin formë asaj, sipas nevojave të tyre. Efekti më i mirë i mundshëm i Inteligjencës Artificiale do të ishte rritja e nivelit të të ardhurave në vendet në zhvillim, derisa të kapej niveli i botës së pasur.
Premtimet
Kështu, Inteligjenca Artificiale mbart shumë premtime tërheqëse për vendet në zhvillim. Ashtu si në Perëndim, kjo teknologji do të jetë një mjet i dobishëm për të gjitha qëllimet për konsumatorët dhe punëtorët, duke e bërë më të lehtë marrjen dhe interpretimin e të dhënave.
Disa vende pune do të eliminohen, por do të krijohen të reja. Për shkak se vendet në zhvillim kanë më pak punëtorë zyrash, ndryshimet që duhet të kryejnë firmat dhe përfitimet që do të kenë ato nga Inteligjenca Artificiale, mund të jenë më të vogla se në Perëndim.
FMN-ja thotë se një e pesta deri në një të katërtën e punëtorëve në vendet në zhvillim, janë të rrezikuar nga përhapja e teknologjisë së re, krahasuar me një të tretën në vendet e pasura.
Por një përfitim shumë i madh mund të vijë nga shërbimet publike më të mira dhe me qasje më të lartë. Ekonomitë në zhvillim janë frenuar prej kohësh nga mungesa e punëtorëve të arsimuar dhe të shëndetshëm.
Mësuesit e shkollave fillore në Indi kanë dy herë më shumë nxënës se kolegët amerikanë, por nuk janë të pajisur mirë.
Mjekët në Afrikë janë të paktë; ata të trajnuar siç duhet, janë edhe më të paktë. Breza të tëra fëmijësh marrin një shkollim të dobët, shumë njerëz kanë shëndet të dobët dhe nuk janë të aftë të përparojnë në një treg pune gjithnjë e më global.
Politikëbërësit dhe sipërmarrësit në mbarë botën po mundohen të gjejnë mënyra për të shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale. Për shembull, India ka ndërthurur Inteligjencën Artificiale me softuerët e të folurit, në mënyrë që fermerët analfabetë të ndihmohen nga një robot për të aplikuar për kredi qeveritare.
Nxënësit në Kenia së shpejti do të kenë në dispozicion një chatbot që do t’i ndihmojë me detyrat e shtëpisë dhe ky chatbot mund të përshtasë metodën e mësimdhënies me përgjigjet që i jep nxënësi.
Studiuesit në Brazil po vënë në provë Inteligjencën Artificiale në fushën mjekësore që do t’i ndihmojë punonjësit e kujdesit shëndetësor, të trajtojnë më shpejt pacientët. Të dhënat mjekësore të grumbulluara në mbarë botën, mund të ndihmojnë në përmirësimin e diagnozës.
Nëse Inteligjenca Artificiale mund t’i bëjë njerëzit në vendet më të varfra më të shëndetshëm dhe më të arsimuar, atëherë, me kalimin e kohës, ata do të kapin hapin e vendeve më të pasura.
Këto përfitime mund të përhapen më shpejt se valët e mëparshme të teknologjisë. U deshën më shumë se 50 vjet që teknologjitë e reja të shpikura në fillim të shekullit XX, të arrinin në shumicën e vendeve.
Në të kundërt, Inteligjenca Artificiale do të përhapet përmes pajisjeve që zotërohen tashmë nga shumë njerëz në vendet në zhvillim: celularët smartphone. Me kalimin e kohës, chatbot-et do të bëhen shumë më të lira për t’u marrë dhe blerë.
Për më tepër, teknologjia mund të përshtatet edhe me nevojat lokale. Deri tani, nuk ka shumë shenja që tregojnë se Inteligjenca Artificiale po përhapet sipas modelit “fituesi i merr të gjitha” siç ndodhi me mediat sociale dhe firmat e kërkimit në internet në Amerikë.
Kjo do të thotë se do të ketë shumëllojshmëri qasjesh. Disa zhvillues në Indi po marrin tashmë modele perëndimore dhe po i rregullojnë ato duke i përshtatur me të dhënat lokale, për të ofruar një shërbim në gjuhën vendase, duke shmangur kostot e mëdha kapitale të ndërtimit të modeleve të Inteligjencës Artificiale nga e para.
Një tjetër ide që po merr hov edhe në Perëndim, është ndërtimi i modeleve më të vogla dhe më të lira. Një grup më i vogël aftësish, në vend të aftësisë për të marrë çdo informacion të mundshëm, mund t’i përshtatet mjaft mirë nevojave të posaçme.
Për shembull, një pajisje mjekësore me Inteligjencë Artificiale nuk ka nevojë të krijojë vargje zbavitëse në stilin e William Shakespeare, sepse këtë e bën tashmë ChatGPT me shumë sukses.
Kjo gjë kërkon fuqi kompjuterike dhe grupe të dhënash të porositura, por mund të ndihmojë në përshtatjen e Inteligjencës Artificiale në mënyra më të ndryshme dhe të dobishme.
Fitimet
Disa vende po korrin tashmë fitimet e Inteligjencës Artificiale. Kina vjen e dyta pas Amerikës për nga njohuritë teknologjike dhe xhepat e thellë të gjigantëve të saj të internetit. Industria e jashtme e Indisë mund të përjetojë vështirësi, pasi disa detyra të rëndësishme po merren përsipër nga Inteligjenca Artificiale.
Por vendi është shtëpia e shumë kompanive startup, si dhe e miliona zhvilluesve të teknologjisë dhe qeveria indiane dëshiron të përdorë Inteligjencën Artificiale për të përmirësuar infrastrukturën dixhitale.
Kjo do të thotë se vendi është në një pozicion të mirë për të inovuar dhe për t’u përshtatur.
Vendet e Gjirit Persik, si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, dëshirojnë të ndërtojnë një industri të Inteligjencës Artificiale teksa po zhvendosen larg naftës. Ata tashmë zotërojnë kapitalin dhe po importojnë talentin.
Çdo vend do t’i japë formë kësaj teknologjie të re, sipas mënyrës dhe nevojave të veta. Për shembull, chatbot-et kineze janë trajnuar për të shmangur si temë presidentin Xi Jinping; zhvilluesit e Indisë janë përqendruar në uljen e barrierave gjuhësore; vendet e Gjirit Persik po ndërtojnë një model të Inteligjencës Artificiale në gjuhën arabe.
Megjithëse jugu i globit nuk do të arrijë kurrë t’i heqë kurorën Amerikës, ai mund të përfitojë shumë nga kjo teknologji e re.
E ardhmja e teknologjisë
Natyrisht, ka ende shumë gjëra që mund të shkojnë keq. Teknologjia është ende në zhvillim. Fuqia kompjuterike mund të bëhet shumë e shtrenjtë; të dhënat lokale duhet të grumbullohen dhe të ruhen.
Disa praktikues mund të mos kenë aftësinë e duhur për të përfituar nga njohuritë, ose mund të mos kenë nxitjen për të provuar gjëra të reja.
Megjithëse vendet në Afrikën Nënsahariane do të përfitojnë më shumë nga përmirësimet në kapitalin njerëzor dhe shërbimet qeveritare, teknologjia do të përhapet më ngadalë atje se gjetiu, sepse këto janë shtete pa lidhje, qeverisje dhe rregullore të mirë.
Lajmi i mirë është se investimet për të shpejtuar përhapjen e inteligjencës Artificiale, do të japin shumë shpërblime. Evolucioni i Inteligjencës Artificiale është ende i pasigurt, por nuk ka dyshim se kjo teknologji do të ketë shumë përdorime dhe do të përmirësohet.
Vendet në zhvillim kanë pësuar zhgënjime më parë. Këtë herë, ato kanë një mundësi të mrekullueshme dhe fuqinë për ta kapur atë./ The Economist