Bota në vitin 2024 është e karakterizuar nga një “trend negativ në politikën botërore”, i përcaktuar nga “rritja e tensioneve gjeopolitike dhe pasigurisë ekonomike”. Kështu shkruan kreu i Konferencës së Sigurisë të Mynihut, MSC, Christoph Heusgen në raportin e fundit të konferencës që fillon nga 16 shkurti deri 18 shkurt për të 60 herë. Konferenca është një pikë e njohur takimi e ekspertëve të sigurisë, politikanëve të nivelit të lartë nga e gjithë bota dhe ushtarakëve. Në këtë konferencë pritet këtë vit edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski. Sulmi rus kundër Ukrainës sidomos në vendet e G7-s në sondazhin e vitit të kaluar të konferencës shihej si rreziku më i madh për sigurinë.
Migracioni dhe ndryshimi i klimës – rol më të rëndësishëm se Rusia agresive
Për sondazhin e konferencës për këtë vit janë anketuar 12.000 vetë në vendet e G7-s, por edhe në Brazil, Kinë, Indi, Afrikën Jugore. Rreziku nga Rusia vazhdon të konsiderohet më i lartë se para pushtimit rus të Ukrainës para dy vitesh, por si më të rëndësishme të anketuarit shohin pasojat e migracionit dhe ndryshimit të klimës. Me sa duket personat e pyetur në tetor dhe nëntor 2023 janë mësuar me luftën e ka filluar një lloj adaptimi me të.
MSC ka pyetur në Ukrainë përveç kësaj edhe për “kushtet e pranueshme për një armëpushim” për ukrainasit. 92% e të anketuarve kërkojnë tërheqjen e plotë të trupave ruse nga Ukraina, përfshirë edhe Krimenë. 75% e të anketuarve e shohin si “të papranueshme” një zgjidhje, nga e cila rezulton që Krimeja të mbetet në Rusi. Më shumë se dy të tretat dëshirojnë një pranim të shpejtë të Ukrainës në BE dhe NATO.
Perëndimi humbet influencë krahasuar me Kinën
Nën titullin “Lose-lose” -raporti i sigurisë thekson se në një gjendje të tillë të tensionuar të sigurisë do të humbisnin të gjithë. Sipas sondazhit është rritur perceptimi i rrezikut për një konflikt ushtarak në Indo-Paqësor mes Kinës dhe Tajvanit. Po ashtu është rritur frika ndaj Kinës që shfaqet me një vetëbesim të ri. Kjo frikë ndjehet sidomos në Japoni, e ndjekur nga India, SHBA, Gjermania dhe Franca. Në vendet e G7-s (Gjermania, Franca, Italia, Japonia, Kanadaja, Britania e Madhe dhe SHBA) “pjesë të mëdha të popullsisë besojnë, se vendet e tyre në 10 vitet e ardhshme do të jenë më pak sigurta dhe me më pak mirëqenie”, shkruan Heusgen. Në një analizë mbi sondazhin thuhet se, njerëzit në vendet e G7-s presin një rritje të fuqisë dhe influencës së Kinës dhe vendeve të tjera të jugut global në disfavor të vendeve të tyre.
Globalizimi në marsh indietro
Në tërësi është rritur pakënaqësia me zhvillimet ekonomike në botë, thuhet në analizë. “Megjithë arritjet e jashtëzakonshme në kohën pas Luftës së Ftohtë”, si “aktorët kryesorë të perëndimit” edhe “autokracitë e fuqishme dhe vendeve të të ashtuquajturit jugu global” janë të gjithë të pakënaqur me “statuskuonë dhe pjesën e tyre në tortën e përgjithshme”.
Në tërësi globalizimi është në zmbrapsje. Në botën e sotme mbizotëron konkurrenca dhe një nevojë e rritur për siguri. Drejt Kinës rrjedh më pak kapital në nivel botëror. “Ashpërsimi i rivalitetit gjeopolitik e ka varrosur besimin, se globalizimi i komanduar nga tregu çon në një shpërndarje të drejtë të fitimit”, thuhet në raport.
Shtetet në këtë kontekst i japin “prioritet aftësisë rezistuese dhe sigurisë para eficiencës”. Po ashtu theksohet, se “zhvendosjet dramatike politike” në botë reflektohen edhe në “realitetin makroekonomik”. Flukset e kapitalit perëndimor devijohen nga Kina tek partnerë të tjerë. “Edhe flukset e tregtisë tregojnë shenja të para të një ristrukurimi përgjatë vijave gjeopolitike”, thuhet në raportin e Konferencës së Sigurisë të Mynihut, ku paraqitet një pamje pesimiste e ndërthueshmërisë të botës.
Lidhjet me Kinën dobësohen por jo në Europë e Gjermani
Zinixhirët e dikurshëm të Azisë me rajone të tjera të botës po ndërpriten. Por Europa, dhe sidomos Gjermania në këtë pikë dalin në pah si përjashtim. “Kompanitë gjermane vazhdojnë të investojnë shumë në Kinë dhe t’i sfidojnë përpjekjet e Berlinit për të reduktuar angazhimin e tyre”, thuhet në raportin e konferencës. “Investimet direkte gjermane të huaja në Kinë ishin në nivele rekord në gjysmën e parë të vitit 2023.”
Politika gjermane ndjek aktualisht strategjinë e “Derisking”, të uljes së rreziqeve me Kinën, uljes së varësisë ekonomike. Kjo politikë filloi që me pandeminë e Coronës, kur pati shumë vështirësi me zinxhirët e furnizimit mes Kinës dhe Gjermanisë dhe u bë e rëndësishme pas ndërprerjes së varësisë energjitike prej vitesh nga Rusia.
Në analizën e MSC luan rol edhe rritja e influencës ushtarake të Rusisë në zonën e Sahelit, në pjesën jugore të Saharës. Puçi në Niger tregoi humbjen e ndikimit të Francës, dhe Rusia po përpiqet të shkëpusë vendet e kësaj zone afrikane nga Europa dhe SHBA. Edhe këtu autorët e raportit të sigurisë, shkruajnë se “njerëzit në rajon po humbasin shansin për paqe dhe progres demokratik, pasi çdo puç që nga viti 2020 ka sjellë më shumë dhunë.”
Rritja e mosbesimit reflektohet edhe në perceptimin e rreziqeve që lidhen me sulmet kibernetike dhe inteligjencën artificiale. “Progresi teknologjik, për një kohë të gjatë promotor i mirëqenies globale po instrumentalizohet gjithnjë e më shumë nga rivalët”, thuhet. Kjo mbështetet edhe nga të dhënat e sondazhit për Konferencën e Sigurisë. Sipas tyre, të anketuarit në SHBA e shohin rrezikun kibernetik si veçanërisht të lartë, pasuar nga India. Në tërësi njerëzit në botë i tremben fushatave të disinformimit./DW