Strategjia e spitaleve psikiatrike me “dyer të hapura” ka funksionim të pjesshëm në zinxhirin e saj, pasojat e të cilës bien mbi kurrizin e familjarëve të të sëmurëve me probleme të shëndetit mendor, të cilët mbeten përgjegjësit e vetëm për kurimin e tyre. Në sistemin shëndetësor janë aplikuar në total 79 raste të “trajtimit të pavullnetshëm” dhe në 80% të tyre referimet kanë ardhur nga familjet dhe jo nga institucionet e specializuara komunitare si Qendrat e Shëndetit Mendor, mjekët e familjes apo Shtëpitë Mbështetëse. Ndërkaq, në institucionin e veçantë të “Shën Kollit” në Lezhë gjenden 438 persona me “masë mjekësore”. Krahas mbipopullimit në nivelin dy herë më të lartë dhe mungesës së trajtimit të specializuar sipas çrregullimit psikik, gjendja e tyre vijon të rëndohet pasi ato qendrojnë në të njëjtin institucion izolimi me të paraburgosurit e tjerë.
Në Qershor të vitit 2017 qyteti i Durrësit u trondit nga një vrasje e dyfishtë në fshatin Xhafzotaj. Leonsjo Nika, në atë kohë 29-vjeç qëlloi me çifte prindërit e tij, Ali dhe Jenije Nikaj, në hyrje të shtëpisë ku banonin. Shkak për vrasjen, sipas dëshmisë së parë të të riut, ishte konflikti me të atin, i cili “nuk i kishte dhënë para për tu nisur, e rikthyer drejt Italisë”. Pas dy muajsh Gjykata e Krimeve të Rënda zëvendësoi masën nga arrest me burg në “shtrim të përkohshëm në një spital psikiatrik” duke urdhëruar mjekim të detyruar për të. Vendimi i gjykatës, mbështetej në aktin e ekspertimit psikiatrik-ligjor, i cili konstatoi se i riu vuante nga “diagnoza e çrregullimit psikotik, i paspecifikuar, sëmundje që i ka dëmtuar gjykimin dhe ka prishur tërësisht ekuilibrin e tij mendor”. Sipas arsyetimit të gjykatës kushtet e rënduara psikike kanë çuar të riun në kryerjen e vrasjes.
Shtatë vite më pas, në një distancë prej shtatë kilometrash në vijë ajrore, duket sikur ngjarja përsëritet, por fatmirësisht pa viktima. Në fshatin Rubjekë të Shijakut, një 35-vjecar, ishte kthyer nga Italia pak para Vitit të Ri. Gjatë qëndrimit pranë familjes, Eduart Hoxha kishte shfaqur shqetësime të shëndetit mendor. Nën shoqërinë e një familjari, ai vajti për kurim pranë një hoxhe. Gjendja shëndetësore e tij u agravua. Mëngjesin e 18 Janarit, në kushte të rënduara psikike, i riu kërcënoi babain e tij me thikë e sëpatë. Njoftimi në kohë i policisë nga ana e të atit dhe ndërhyrja e forcave RENEA sollën neutralizimin e Eduart Hoxhës dhe shmangien e një tjetër tragjedie familjare.
Menjëherë pas ndalimit, babai Bajram Hoxha kërkoi publikisht lirimin nga burgu të djalit të tij dhe dërgimin në një institucion spitalor për tu kuruar, pasi ai vuante nga probleme të shëndetit mendor. Pasi dëgjoi palët dhe shqyrtoi rastin, Gjykata e Durrësit caktoi masën e “shtrimit të përkohshëm në një spital psikiatrik”, duke vendosur dërgimin e 35-vjecarit në burgun e Shën Kollit në Lezhë.
I kontaktuar nëpërmjet telefonit, Bajrami tregon se “Eduarti ka jetuar prej 18 vitesh në Itali dhe ka shfaqur prej kohësh shqetësime. Për këto probleme që ka patur ai ka marrë edhe qetësues”. 73-vjecari nuk është në gjendje të thotë se çfarë ilaçesh ka pirë por shton se edhe gjykata, pasi vlerësoi gjendjen e tij, e dërgoi të birin për kurim.
Ndonëse më pak të zëshme, drama të tilla familjare që shpesh herë përshkallëzojnë në fatalitet janë prezente në të gjithë vendin. Në gjashtë vitet e fundit janë të paktën 826 rastet kur Prokuroritë në vend kanë kërkuar “masa mjekësore” pas ushtrimit të dhunës prej të sëmurëve, ndërsa tendenca e tyre erdhi në rritje pas pandemisë. Qyteti me numrin më të lartë të këtyre rasteve ishte Lushnja. (Akseso grafikun)
Ndërkaq, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në institucionin e veçantë në Shën Koll të Lezhës, i hapur pas mbylljes së burgut famëkeq të izolimit në Zahari në nëntor të 2021, ndodhen 438 persona me “masë mjekësore”, të konfirmuar me ekspertim psikiatrik-ligjor në vendimet e gjykatave, se vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Gjendja e rënduar e këtyre të fundit është pikasur nga institucionet vetëm pasi kanë kryer vepër penale, mes të cilave mbizotërojnë dhuna në familje e më pas krimet e tjera të rënda përfshi vrasjet.
Ky fakt, vë në pikëpyetje masat e marra nga qeveria pas kalimit nga regjimi me shtrime spitalore në strategjinë e spitalit me “dyer të hapura”, e cila fut në lojë shumë mekanizma komunitarë, që po rezultojnë pak funksionale, duke ja lënë përgjegjësinë e mjekimit dhe kujdesit të personave me probleme të shëndetit mendor familjeve të tyre.
Strategjia me “dyer të hapura” jofunksionale, shërbimi parësor e qendrat referuan shtatë të sëmurë në gjashtë vite
Prej vitit 2020, në mbështetje të konventave dhe institucioneve ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut dhe rekomandimeve të Këshillit të Europës për “parandalimin dhe keqtrajtimin e personave të privuar nga liria”, sikurse ndodhte në burgun e Zaharisë, qeveria shqiptare ndërmori një strategji të re në lidhje me personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Fillimisht u miratua “Strategjia kombëtare e shëndetësisë 2021-2030” dhe më pas, në mënyrë më specifike dhe “Pani i veprimit për Shëndetin Mendor 2023-2026”.
Qëllimi kryesor i këtyre programeve dhe akteve të tjera ndërinstitucionale të miratuara ishte kalimi nga regjimi me shtretër në spitalet psikiatrike në një shërbim të specializuar të shëndetit mendor me bazë komunitare. Strategjia angazhon një zinxhir të gjatë institucionesh, agjencish, qendrash rehabilituese, organizata të shoqërisë civile dhe familjarë të pacientëve “me synimin e kurimit dhe ri integrimit të shpejtë të tyre në shoqëri”.
Spitalet psikiatrike në Tiranë dhe në Shkodër ishin dy institucionet e para që ofronin shërbimet e shëndetit mendor me shtretër vetëm për raste të rënda akute, ndërsa pacientët me simptoma kronike më të lehta trajtohen në shtëpitë mbështetëse apo qendra”, – thuhet në strategjinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas këtij dokumenti “procesi i reduktimit të numrit të shtretërve psikiatrikë i zbatuar paralelisht me shtimin e shërbimeve komunitare, e ka çuar në 600 numrin e shtretërve në shërbimet e shëndetit mendor për vitin 2023 nga 900 shtretër në vitin 2000”. Krahas Tiranës dhe Shkodrës “me dyer të hapura” janë dhe spitalet psikiatrike në Vlorë e Elbasan, ndërsa në nivel kombëtar funksionojnë 14 Shtëpi Mbështetëse dhe dhjetë Qendra Kombëtare të Shëndetit mendor, ku në katër prej tyre trajtohen fëmijë dhe adoleshentë.
Kalimi në strategjinë e spitaleve “me dyer të hapura”, vlerësohet pozitivisht nga ekspertet nga pikëpamja sociale dhe mjekësore për rikuperimin e të sëmurëve, por sipas tyre duhen forcuar ende strukturat mbështetëse.
Klodiana Shahaj, Drejtuese e Qendrës Shëndetësore nr. 7, në Laprakë thekson se “synimi i strategjisë është integrimi i individit në shoqëri, ku njëherësh merr mjekim, ka trajtim mbështetës por vijon dhe jetën normale. Ne ende nuk kemi arritur në këtë pikë”. Sipas mjekes “problematika e parë nis të mohimi apo pranimi i sëmundjes nga vetë pacienti sepse ka shumë stigmë shëndeti mendor në shoqërinë tonë”. Shahaj shpjegon se pasi rasti evidentohet dhe pacienti pranon sëmundjen ai shkon te psikiatri i cili e referon në spital, ku mjekohet 4-5 ditë derisa del nga gjendja e rënduar. “Ai merr një mjekim mbajtës që duhet ta vijojë në shtëpi por që përgjithësisht pacienti e refuzon mjekimin ne kushtet e shtëpisë”, – analizon Shahaj, e cila shton se “pacientët janë të evidentuar por problemi është që duhen forcuar strukturat e mesme mbështetëse, qendrat socio-komunitare ku ata të shkojnë dhe mposhtja e stigmës shoqërore për të frekuentuar këto qendra”.
Nga ana tjetër sociologia Marsida Simo, analizon se duhet bërë shumë kujdes që shërbimi komunitar mbi shëndetin mendor të mos kthehet në një barrë vetëm për familjarët: “Patjetër që personat që kanë nevojë për përkujdesje shëndetësore psikiatrike apo që marrin edhe medikamente do të kishin përmirësime të dukshme kur nuk janë të izoluar brenda katër mureve të një spitali, por sërish rrezikojnë të izolohen brenda katër mureve të shtëpisë nëse ata janë të rrethuar nga jo profesionistë”, – thekson sociologia.
MediaLook ka kontaktuar katër spitalet psikiatrike në rang vendi. Drejtues të dy prej tyre, shërbimit psikiatrik “Xhavit Gjata” në QSUNT në Tiranë dhe ata të spitalit psikiatrik “Sadik Dinci” kanë konfirmuar se në rastet e rënda, kur është parë nevoja për “trajtim të pavullnetshëm” nga 33 pacientë në total përgjatë periudhës Janar 2017 – Gusht 2023, në 79% të rasteve referimet kanë ardhur nga familjarët, të cilët fillimisht kanë njoftuar policinë dhe më pas me ndihmën e uniformave blu i janë drejtuar spitalit psikiatrik, për shtrim të detyruar.
Konstatohet se numri i referimeve nga shërbimi shëndetësor parësor në rang kombëtar, pra nga mjekët e familjes apo mjekët specialist rezulton të jetë shumë i ulët, vetëm 5 raste në afro shtatë vite. Akoma më i ulët është ky referim, vetëm 2 raste nga qendrat mbështetëse komunitare për kurimin e sëmundjeve të shëndetit mendor.
Ndërkaq, MediaLook ka mësuar se përgjatë vitit të fundit në periudhën Janar 2022 – Janar 2023, në institucionin e veçantë të Shën Kollit në Lezhë, janë dërguar nga Gjykatat 89 persona me probleme të shëndetit mendor pasi këta të fundit kanë kryer një vepër penale. Sipas informacioneve rezulton se pjesa dërrmuese e tyre janë për shkak të “dhunës në familje”, pasi refuzojnë të marrin mjekimin.
Sociologia Simo thekson se “strategjia me dyer të hapura nuk duhet kuptuar si një lënie total e përgjegjësisë familjarëve. Këta të fundit në pjesën dërmuese nuk janë të mirë informuar, ose nuk mund të jenë totalisht të aftë t’i përgjigjen nevojave të familjarit të tyre që po trajtohet”.
Avokatja Enida Bozheku (Prof.As.) thekson se për të lehtësuar barrën e familjeve ndaj të afërmve me probleme të shëndetit mendor do të duhej funksionimi i gjithë zinxhirit nga familja, shërbimi parësor, qendrat komunitare e deri në spitalet psikiatrike. Madje avokatja Bozheku shkon më tej ndërsa analizon se nëse strukturat e parashikuara në “Planin e veprimit të shëndetit mendor” do të aplikonin si duhet ligjin “Për shëndetin mendor” do të kishte një reduktim të krimeve të rënda, që shpesh herë kanë tronditur shoqërinë. “Një aplikim më me vëmendje dhe proporcionalisht rast pas rasti, i ligjit nr. 44/2012, ku njësitë e shërbimit shëndetësor të parashikuar në këtë ligj do të mirë-funksiononin dhe bashkëpunonin edhe me struktura si shoqatat e specializuara, pa dyshim që rastet me karakter penal të shkaktuara nga subjekte me çrregullime mendore do të uleshin”, – përfundon avokatja.
“Shën Kolli” as burg, as spital! Jashtë sistemit penitenciar u mjekuan 79 pacientë me “trajtim të pavullnetshëm”
Në institucionin e veçantë të Shën Kollit në Lezhë aktualisht qëndrojnë për trajtim 438 persona me masë mjekësore dhe afro 155 të paraburgosur. Prej dy vitesh institucioni gjendet në një fazë tranzitore mes burgut edhe spitalit, duke shkelur dhe vendimet e gjykatave që kanë urdhëruar akomodimin “në një institucion të posaçëm mjekësor”, në shkelje të të drejtave të tyre.
“Shtetasve me masë mjekësore iu janë cenuar rëndë të drejtat e tyre, kjo pasi prania e tyre në burgje është e kundërligjshme. Kësaj i shtohet edhe fakti që në vite nuk ka patur një përmirësim të qenësishëm në rritjen e numrit të stafit mjekësor, si dhe situata e braktisjes terapeutike e konstatuar edhe përgjatë inspektimit, ende nuk ka ndryshuar. Kjo problematikë mbipopullimi në IEVP Lezhë ka përkeqësuar klimën në këtë institucion”, – evidentohet në raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2023.
Mungesa e trajtimit mjekësor dhe mbajta në burg e përkeqëson akoma më shumë gjendjen e shëndetit mendor të këtyre personave. Sipas mjekes psikiatre pranë Shërbimit të Psikiatrisë në QSUNT në Tiranë, Anita Pilika “izolimi i zgjatur tek pacientët me probleme të shëndetit mendor mund të ketë pasoja negative që lidhen me humbjen e disa aftësive të tyre”. Mjekja shton se për këtë arsye, nga ana e profesionistëve tregohet shumë kujdes në informimin jo vetëm të pacientëve por edhe familjarët e tyre mbi pasojat e izolimit.
Situata e mbipopullimit vijon të mbetet shqetësim. Nga kapaciteti maksimal prej 200 shtretërish, në institucionin e veçantë të Shën Kollit gjenden 438 persona me masë mjekësore, një fluks që kalon dyfishin e hapësirave akomoduese.
Megjithatë, burime pranë Avokatit të Popullit bëjnë me dije se “në një periudhë afatshkurtër do të ndodhë dhe zhvendosja e personave që ndodhen aktualisht në paraburgim për në burgun e Reçit në Shkodër, duke krijuar hapësira të reja për vendosjen dhe trajtimin e personave me “masë mjekësore”. Aktualisht në paraburgim gjenden 155 autor veprash penale.
Zyrtarisht Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Shëndetësisë ka nënshkruar një marrëveshje në të cilën kjo e fundit angazhohet për ofrimin e gjithë shërbimeve shëndetësore, nga shërbimi i specializuar psikiatrik me kohë të plotë te ekzaminimet laboratorike, duke marrë trajtën e një spitali, por deri më tani, ky institucion vijon ende të jetë nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë.
Krahas sistemit penitenciar, pacientët me probleme të shëndetit mendor trajtohen edhe në procesin administrativ shëndetësor. MediaLook i është drejtuar katër spitaleve “me dyer të hapura” në të gjithë vendin të cilët konfirmojnë se përgjatë periudhës Janar 2017 – Gusht 2023 në spitalet psikiatrike të Tiranës, Elbasanit, Shkodrës dhe Vlorës janë referuar 89 pacientë në gjendje të agravuar, nga të cilët spitalet kanë kryer “trajtim të pavullnetshëm” për 79 prej tyre, pas kërkesës së aprovuar nga Gjykata. Më shumë se gjysma e pacientëve është trajtuar në Spitalin psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë.
Në 79% të rasteve referimet kanë ardhur nga familjarët e të sëmurëve, duke sjellë kurimin dhe shmangur sjellje të pakontrolluara me pasojë kryerjen e një krimi të rëndë.
“Trajtimi i pavullnetshëm” parashikohet nga ligji “Për shëndetin mendor”. Sipas ekspertëve ai aplikohet si masë e fundit, kur konstatohet se pacientët e kanë të domosdoshëm shtrimin e përkohshëm.
Anita Pilika, mjeke psikiatre pranë Shërbimit të Psikiatrisë në QSUNT në Tiranë sqaron se vendimi për trajtim të pavullnetshëm merret nga mjeku psikiatër, me aprovim të gjykatës, në rast se pacienti “ka një çrregullim të rëndë mendor, që kufizon aftësinë e tij për të kuptuar ose kontrolluar sjelljen; kur ai rrezikon jetën, shëndetin ose sigurinë e vetes dhe të të tjerëve dhe pasi janë shteruar mundësitë ekzistuese për trajtimin shëndetësor në komunitet dhe mjekimi i nevojshëm jepet vetëm nëpërmjet shtrimit në shërbimet e shëndetit mendor të specializuar me shtretër, në përputhje me parimet e alternativës sa më pak kufizuese”.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka konstatuar disa raste në 2019-tën të abuzimit me aplikimin e “trajtimit të pavullnetshëm”, në Tiranë, Elbasan e Vlorë. Rasti më flagrant ishte marrja e vendimit për këtë lloj mjekimi për pacientin nga psikiatri pa marrë më parë një vlerësim të rastit nga gjykata.
Ndërsa “psikiatria e hapur” krijon mundësinë e mjekimit të pacientit jashtë dëshirës së tij, aplikimi i “trajtimit të pavullnetshëm” duhet parë si zgjedhje e fundit, përndryshe ai rrezikon kthehet në një mjet abuzimi i lirive dhe të drejtave të njeriut.
/Media Look