Nga Boldnews.al
Çështja e kërcënimit të gjyqtares së Tiranës, Arnisa Këlliçi, mori një rrjedhë të paparashikuar. Prokuroria e Tiranës njoftoi të mërkurën se letra kërcënuese në adresë të familjes dhe fëmijëve të saj është shkruar nga vetë gjyqtarja.
Prokuroria e Tiranës deklaroi për mediat se ka marrë të pandehur Arnisa Këlliçin, për “kallëzim të rremë” dhe “falsifikim dokumentash”.
Mbrëmjen e 20 janarit 2024, Këlliçi, nëpërmjet kanaleve të ndryshme mediatike, shpërndau informacionin se ishte kërcënuar nga njerëz të panjohur.
Ajo gjithashtu publikoi edhe një letër me shkrim dore, të cilën, sipas saj, e kishte gjetur në zyrën e saj në Gjykatën e Tiranës.
Teksti në letër ishte shkruar me shkrim të keq dhe i drejtohej gjyqtares me fjalët: “Keni dy fëmijë, si do të rroni pa ta!”.
Menjëherë pas këtij publikimi, Policia e Tiranës kontaktoi me gjyqtaren, duke i ofruar mbrojtje, deri në sqarimin e situatës.
Në 22 Janar, Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh me urgjencë, duke pranuar kërkesën për mbrojtje të gjyqtares së Tiranës për një afat, më së paku tre-mujor.
Pas këtij vendimi, në dispozicion të gjyqtares u vendosën 6 punonjës policie, të cilët do mbronin me dy turne zonjën Këlliçi dhe familjen e saj.
Pak ditë më vonë, në 26 janar 2024, gjyqtarja Këlliçi dorëzon një kallëzim në Gjykatën e Tiranës, ku lë të kuptohet se pjesë e kërcënimit të saj është edhe prokurori i kryeqytetit, A.D.
Çështja, për sa u prezantua publikisht në momentin e parë, ishte me të vërtetë e rëndë.
Megjithatë, disa detaje të nënzëshme krijuan që në krye të herës dyshime se gjithçka ishte e sajuar.
“Boldnews.al” mëson se gjyqtarja Këlliçi nuk ka pranuar të japë deklaratat e saj në Polici, mbrëmjen kur doli për herë të parë lajmi i “kërcënimit”.
Gjithashtu, pas disa verifikimeve paraprake, Policia nuk ka qenë dakord që gjyqtares Këlliçi t’i jepej mbrojtja nga KLGJ-ja, për shkak se nuk dukej se kërcënimi ishte real.
Shkaku “i kërcënimit”
“Boldnews.al” ka mësuar edhe atë që konsiderohet si “shkaku i kërcënimit” që më tej rezultoi i rremë.
Gjyqtarja Këlliçi ka përfshirë në këtë histori kolegun e saj, gjyqtarin A.M. dhe prokurorin A.D.
Burime të sigurta të redaksisë, thonë se gjyqtarja Këlliçi u ka deklaruar A.M. dhe A.D. se ata ishin gati për t’u arrestuar nga SPAK-u, por se ajo ka ndërhyrë tek mikesha e saj, gjyqtarja e posaçme F.D., e cila kishte marrë këto kërkesa të pretenduara të prokurorëve të posaçëm, që të mos miratoheshin kërkesat për arrest.
Kjo histori rezultoi tërësisht e rreme dhe nga ana e SPAK-ut nuk kishte asnjë hetim dhe aq më tepër kërkesë për arrest ndaj gjyqtarit A.M. dhe prokurorit A.D.
Pas zbulimit të “mashtrimit”, dy magjistratët kanë kërkuar sqarime nga gjyqtarja Këlliçi. Pikërisht, pas kësaj bisede, gjyqtarja deklaroi se ka marrë një letër kërcënuese, në bazë të të cilës pretendoi se “dyshoj që njëri prej kërcënimeve ka ardhur indirekt (nëpërmjet Kancelarit të gjykatës), nga prokurori A.D.”.
Prokuroria: Kërcënuesi? Vetë gjyqtarja
Prokuroria e Tiranës zhvilloi hetimet, bazuar në kallëzimin e gjyqtares. Në funksion të veprimeve paraprake, Prokuroria deklaron se “kreu hetime intensive me qëllim sigurimin e provave të ngutshme sikurse administrimi i pamjeve filmike pranë gjykatës, marrja në pyetje e personave, marrja e modeleve të lira dhe eksperimetale, kqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerja e ekspertimeve…”
“Boldnews.al” mëson një detaj interesant gjatë këtyre hetimeve. Gjyqtarja Këlliçi është thirrur në prokurori për të dhënë deklarimet e saj. Asaj i është kërkuar që të lëshojë një deklaratë me shkrim dore.
Gjyqtarja, fillimisht ka shkruar një letër me shkrim dore, por më tej nuk ka pranuar t’i dorëzojë dhe është larguar vrullshëm nga zyrat e prokurorisë. Në këto kushte, prokurorët kanë shfrytëzuar shkrimin me dorë të gjyqtares të lënë në dosje dhe në testimet e Magjistraturës për t’i bërë ekspertimin.
Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria konstatoi se “është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesja shtetasja A. K (Arnisa Këlliçi)”. Për këtë arsye, ajo është marrë e pandehur për kallëzim të rremë.
Gjithashtu, po në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal është administruar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, kërkesa për mbrojtje, e datës 20.01.2024, dërguar nga Gjyqtarja Arnisa Këlliçi, duke vënë në lëvizje këtë institucion, i cili në datën 22.01.2024, ka vendosur, ruajtjen fizike të magjistrates A. K. dhe familjes së saj, për një periudhe 3 mujore.
Në këto kushte, “rezulton se kjo gjyqtare, ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, të dhëna me përmbajtje të rreme, me qëllim marrjen e përfitimeve të cilat, nuk i takojnë, duke u marrë e pandehur edhe për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”, thotë Prokuroria e Tiranës.
Arnisa Këlliçi ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar në nëntor të vitit 2018, kur ishte ende kandidate për magjistrate pranë Shkollës së Magjistraturës.
Ajo u emërua gjyqtare në Krujë dhe, pas shkrirjes së këtij institucioni në kuadër të Hartës së re Gjyqësore, Arnisa Këlliçi u transferua në gjykatën e Tiranës.
Tashmë, pritet të sqarohen detajet se përse gjyqtarja Arnisa Këlliçi duhet të sajonte një histori kërcënimi, sipas asaj që ka konkluduar Prokuroria e Tiranës.