Pavarësisht garancive ligjore dhe vendimeve të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, personat me aftësi të kufizuar përballen ende me barriera dhe kufizime të mëdha të aksesit në institucionet publike dhe ato private.
Në një ditë të nxehtë gushti në vitin 2020, një person i ulur në karrocë me rrota mbërriti deri në dyert e Zyrës Postare nr.15 në Tiranë për të marrë një mandat-pagesë, por nuk arriti të futej në ambientet e brendshme për të marrë shërbimin.
Shkak u bë mungesa e një rampe në këtë institucion, që sipas një vendimi të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, KMD, e pengoi personin me aftësi të kufizuara që të hynte brenda zyrës së Postës.
Ai kërkoi ndihmën e një punonjëseje për ta marrë shërbimin jashtë zyrave të Postës, por mori gjithashtu përgjigje negative.
“Sipas ankuesit, punonjësja e Zyrës Postare i është përgjigjur duke i thënë se nuk ka një urdhër të tillë për t’i shërbyer atij në ambjentet e jashtme të zyrës,” thuhet në vendimin e KMD-së së vitit 2021, që e gjeti Postën Shqiptare përgjegjëse për diskriminim.
Prej vitit 2014, Shqipëria ka garantuar me ligj përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara, por në realitet kjo kategori sociale përballet ende me barriera të shumta.
Suela Lala, drejtoreshë e fondacionit “Së Bashku”, i tha BIRN se personat me aftësi të kuafizuara përballen me minimumin e aksesit fizik në institucionet publike dhe private – një realitet që ajo po lufton prej vitesh që ta ndryshojë.
“Nëse ti je me aftësi të kufizuara dhe nuk ke minimumi aksesin fizik, pra eliminimin e barrierave fizike, ti rri në shtëpi,” tha Lala.
“Kjo është një nga arsyet pse në rrugë ti nuk shikon persona me aftësi të kufizuar, jo se nuk ka, se janë 15% e popullsisë, por nëse për mua qendra shëndetësore është e paaksesueshme, teatri është i paaksesushëm, farmacia është e paaksesueshme, nëse trotuari është i tillë, transporti publik po ashtu, sigurisht që unë jam qenie inekzistente, segregohem,” shtoi ajo.
Gjatë viteve të fundit, fondacioni “Së bashku” ka dorëzuar rreth 60 ankime pranë Komisionerit kundër Diskriminimit ndaj disa bashkive, institucioneve publike dhe kompanive private që ofrojnë shërbime për publikun, por nuk zbatojnë ligjin për të krijuar aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuar.
Nëntëmbëdhjetë ankesa u dorëzuan në KMD gjatë vitit 2023, për të cilat në 10 raste u vendos që kishte diskriminim. Ndërkohë, 9 ankimet e tjera morën zgjidhje me korrigjimin e problemeve nga disa banka dhe institucione publike pa pasur nevojë për një vendim të Komisionerit.
E pyetur nga BIRN si një nga institucionet me më shumë ankesa, Posta Shqiptare këmbënguli se po merrte masa dhe se kishte parashikuar në rikonstruksionet e zyrave të saj ndërtimin e rampave.
“Janë parashikuar projektet për rikonstruksionet e 18 zyrave postare që përfshijnë fonde për ndërtimin e rampeve për këto zyra postare ( atje ku nuk ka) brenda një periudhe sa më të shkurtër,” deklaroi Posta Shqiptare për BIRN.
Bashkia e Tiranës, ndaj së cilës ka ankesa në lidhje me rrugë publike të cilat janë ndërtuar pa marrë parasysh aksesin e personave me aftësi të kufizuar, nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.
“Niveli zero”
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda i tha BIRN se aksesueshmëria fizike në institucione e personave me aftësi të kufizuar është një nivel bazik i të drejtave të këtyre personave dhe se krijimi i aksesit është minimumi që mund t’u kërkohet institucioneve shtetërore dhe atyre private.
Megjithatë, Gajda vuri në dukje se një pjesë e mirë e institucioneve dhe investitorëve e neglizhojnë këtë fakt dhe një pjesë tjetër as nuk e dinë që kanë detyrime të tilla ligjore.
“Shqipëria është mjaft larg arritjes së standardeve që duhen,” tha Gajda për BIRN.
“Gjëja që kemi parë është që ka një injorancë dhe neglizhencë të plotë të investitorëve në lidhje me detyrimet ligjore që kanë ndaj personave me aftësi të kufizuar,” shtoi ai, duke theksuar se veç aksesit fizik, këtyre personave u duhej mundësuar edhe aksesi në komunikim.
Edhe drejtuesja e Fondacionit “Së bashku”, Suela Lala, thotë se vendi është ende në hapat fillestarë në plotësimin e kushteve minimale për këta persona, që siç thotë ajo, janë automatikisht të segreguar brenda shoqërisë.
“Nëse ti je një person me aftësi të kufizuara, je i përjashtuar totalisht nga jeta social- kulturore në vend,” thekson Lala.
Ajo tregon rastin e një vajze që ndërsa u paraqit në një qendër formimi profesional për të zhvilluar një kurs gjuhe të huaj që zhvillohej aty, iu tha që duhej të zgjidhte mes kurseve që bëheshin në katin e parë, duke e privuar nga mundësia për të zgjedhur.
Lala shpjegon se Fondacioni “Së bashku” është ende duke trajtuar këto raste të dukshme të diskriminimit, pasi sipas saj format e tjera të diskriminimit janë të tërthorta dhe ende të vështira për tu provuar.
Ajo jep si shembull faktin që nxënësit në shkolla apo në universitet kanë të njëjtën kohë provimi, pavarësisht nëse kanë apo jo një aftësi të kufizuar.
“Përshembull, në sistemin universitar nëse provimi është në kohë të barabartë për të gjithë, ke diskriminuar dikë që shkruan me vështirësi. Kemi raste të personave që janë ndjerë të përjashtuar dhe të fyer,” thotë ajo.
Infrastruktura publike është po ashtu një shqetësim për personat me aftësi të kufizuar, ndërsa projektet e reja të infrastrukturës shpesh i neglizhojnë nevojat e personave që lëvizin në karroca. Lala thotë se në disa raste ata kanë ndërhyrë dhe në rrugë janë bërë punime shtesë, por e quan këtë një shpërdorim të parasë publike.
Shqetësuese po ashtu janë parkingjet. Një nga ankimet që ende është në shqyrtim nga KMD, është ndaj kompanisë që menaxhon parkingun pranë aeroportit të Rinasit. Lala thotë se ata gjetën që kompania përdorte tarifa ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe se vendet për ta nuk rezervoheshin.
Sipas komisionerit Gajda, ky ankim ishte ende në proces, por ai vuri në dukje se kishte pritshmëri që rasti në fjalë të zgjidhej pa qenë nevoja për vendim. Ai tha se kompania kishte marrë angazhim për të ndryshuar situatën, trajnuar stafin dhe ndryshuar rregullat, por kjo do të verifikohej në vijim.
Përpjekje për ndryshim
Në tre vitet e fundit, gjykatat kanë akorduar rreth 13 milionë lekë dëmshpërblim për shkak të diskriminimit të personave me aftësi të kufizuar. Çështjet përfshijnë raste të diskriminimit ndaj fëmijëve dhe të rriturve, megjithatë në gjykata ende nuk ka padi ndaj pengesave fizike si mungesa e rampave.
Drejtoresha e Fondacionit “Së bashku”, Suela Lala i tha BIRN se organizata ende nuk i kishte mundësitë për të ndjekur padi në gjykata. “Nuk jemi ende aty”, tha ajo.
Komisioneri Robert Gajda i tha BIRN se gjobat që vendoseshin nga institucioni që ai drejton si dhe dëmshpërblimet e caktuara nga gjykata, ishin një formë e mirë ndërgjegjësimi.
Gajda shtoi se kishte ende shumë institucione nuk u kushtonin rëndësi detyrimeve ligjore në këtë fushë, derisa përballeshin me masat administrative që ndikojnë në buxhetin e tyre.
“Unë mendoj që padia në gjykatë dhe dëmshpërblimi është një nga gjërat më të mira që mund të ndodhin, se vetëm dëmshpërblimet mund t’i nxisin pastaj institucionet që të ndryshojnë sjellje”, thotë Gajda.
Megjithatë, si Gajda ashtu edhe Lala pranojnë se kanë vënë re së fundmi një ndryshim të sjelljes. Mjaft prej çështjeve të ngritura pranë KMD-së nga Fondacioni “Së Bashku” në lidhje me barrierat fizike janë zgjidhur gjatë hetimit administrativ, pasi shumë prej institucioneve janë ndërgjegjësuar dhe kanë marrë masa për të siguruar akses.
“Dy tre vitet e fundit shohim që përshembull pa arritur Komisioni një vendim diskriminimi, subjekti ndaj të cilit ne jemi ankuar merr masa për ta zgjidhur,” thotë Lala.
Komisioneri Gajda përmend rastin e njërës prej bankave të nivelit të dytë, që pasi u vu në dijeni të një ankimi verifikoi gjendjen në të gjitha filialet dhe i solli KMD-së një raport të detajuar mbi masat për t’i bërë këto të aksesueshme. Një veprim të ngjashëm ndërmori edhe Ministria e Shëndetësisë, e vënë në dijeni se disa prej qendrave shëndetësore nuk kishin akses për personat me aftësi të kufizuara.
Të tjera institucione megjithatë i kanë neglizhuar këto kërkesa. Posta Shqiptare Sha, edhe pse ka vendime të komisionerit që i kërkojnë të përpilojë një raport të detajuar, nuk i është përgjigjur kësaj kërkese për disa vite me rradhë.
Në një përgjigje për BIRN, Posta pretendoi se kishte 555 filiale dhe një pjesë e tyre ndodheshin në katet e dyta të ndërtesave të vjetra me pamundësi për të pasur ashensorë dhe rampa.
Pavarësisht pengesave, Lala është optimiste që situata do të ndryshojë për mirë.
“Mendoj që puna që ne kemi bërë gjithë këto vite më në fund po jep fryte, pra e kuptojnë që është një detyrim, është parakusht për krijimin e aksesit të lirë për personat me aftësi të kufizuara,” përfundoi ajo.
/BIRN