Kualifikimi në Kampionatin Europian të Futbollit, përveçse një rezultat i rëndësishëm sportiv, përfaqëson edhe një mundësi për të siguruar të ardhura të mëdha për Federatën Shqiptare të Futbollit. Vetëm çmimet direkte të përfituara nga UEFA për ekipet pjesëmarrëse fillojnë nga 9.25 milionë euro dhe mund të arrijnë deri në 28.25 milionë euro, në varësi rezultateve. Kampionati Europian pritet të sjellë mundësi të shtuara edhe për sektorë të veçantë të biznesit, si agjencitë e udhëtimit apo bar-restorantet.
Kombëtarja Shqiptare e Futbollit siguroi në nëntor pjesëmarrjen në Kampionatin Europian të Futbollit që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani. Për Shqipërinë, ky do të jetë Europiani i dytë, pas atij që u zhvillua në Francë në vitin 2016.
Përveçse një rezultat i rëndësishëm nga pikëpamja sportive, një garë futbollistike madhore, siç është Kampionati Europian shoqërohet edhe me përfitime të rëndësishme të natyrës ekonomike.
Këtu përfshihen përfitimet direkte për Federatën Shqiptare të Futbollit, bonuset e mundshme për lojtarët, por edhe të ardhura shtesë për disa sektorë të veçantë të ekonomisë, të lidhur me zhvillimin e këtij evenimenti.
Të ardhurat që pritet të sigurojë Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) nga pjesëmarrja në këtë kompeticion janë të konsiderueshme për një vend si Shqipëria.
Sipas informacionit nga Federata Europiane e Futbollit (UEFA), pagesa fikse e pjesëmarrjes për secilën nga federatat pjesëmarrëse në Euro 2024 do të jetë 9.25 milionë euro. Me kualifikimin për në Europian, kjo shumë është një e ardhur e siguruar tashmë për FSHF.
Të ardhurat e tjera do të jenë në varësi të rezultateve sportive që do të sigurojë Kombëtarja.
Për çdo ndeshje të fituar në fazën e grupeve, ekipet do të përfitojnë 1 milion euro, ndërsa për çdo barazim do të marrin nga 500 mijë euro.
Në këtë mënyrë, e ardhura shtesë mund të arrijë deri në 3 milionë euro, në rast se Kombëtarja do të arrinte t’i fitonte të gjitha ndeshjet. Kjo do ta çonte të ardhurën maksimale të mundshme nga faza e parë, në grupe, në 12.25 milionë euro.
Më tej, kualifikimi për fazën e ardhshme, atë të të gjashtëmbëdhjetave, do të shoqërohej me një bonus shtesë prej 1.5 milionë eurosh.
Pra, në rast se Kombëtarja kalon fazën e grupeve, FSHF do të përfitonte 10.75 milionë euro, plus të ardhurat nga fitoret ose barazimet e mundshme. Në rastin më të mirë, pra, të arritjes së tre fitoreve, e ardhura nga faza në grupe do të arrinte në 13.75 milionë euro.
Duke pasur parasysh se në fazën e një të tetave do të kualifikohen 16 ekipe nga 24 pjesëmarrëse (dy vendet e para në çdo grup dhe katër vendet e treta më të mira) të paktën nga pikëpamja statistikore shanset për të vazhduar më tej janë të konsiderueshme.
Në rast se Kombëtarja do të arrinte të kualifikohej më tej për në çerekfinale, bonusi nga UEFA për këtë fazë do të ketë vlerën e 2.5 milionë eurove. Kjo do ta çonte përfitimin total për FSHF në të paktën 13.25 milionë euro (pa përfshirë të ardhurat nga rezultatet në fazën e grupeve).
Në rast të arritjes në gjysmëfinale, bonusi i parashikuar nga UEFA ka vlerën e 4 milionë eurove. Kjo do ta çonte të ardhurën totale nga Europiani në të paktën 17.25 milionë euro, plus shtesat e mundshme nga rezultatet e arritura në fazën e grupeve.
Skuadra që do të fitojë Kampionatin Europian do të përfitojë një shpërblim prej 8 milionë eurosh, që e çon të ardhurën totale për ekipin fitues në të paktën 25.25 milionë euro, plus të ardhurat nga rezultatet në grupe (e ardhura maksimale do të arrinte në 28.25 milionë euro)
Ekipi që do të renditet i dyti do të marrë një shpërblim prej 5 milionë eurosh, që do ta çonte të ardhurën minimale nga arritja në finale në shumën e 22.25 milionë eurove (e ardhura maksimale llogaritet në 25.25 milionë euro).
Në fakt, të ardhurat maksimale të disponueshme do të jenë më të ulëta krahasuar me Euro 2020, kur ekipi fitues mund të përfitonte deri në 34 milionë euro. Në Euro 2024, shpërblimet e lidhura me rezultatet në secilën fazë do të jenë më të ulëta.
Natyrisht që Shqipëria nuk renditet mes ekipeve favorite për të shkuar deri në fazat e fundit të Kampionatit Europian, por, në rast se Kombëtarja do të befasojë me rezultatet e saj, të ardhurat do të ishin të mëdha dhe mund të përbënin një bazë për të rritur investimet në zhvillimin e futbollit në vend.
Federata Shqiptare e Futbollit është e rezervuar në publikimin e shifrave të pritshme lidhur me të ardhurat që pritet të sjellë pjesëmarrja në Europian dhe për treguesit financiarë në përgjithësi.
Megjithatë, në një intervistë për “Monitor”, Presidenti Armand Duka, shprehet se ky kualifikim do të ketë ndikim shumë të rëndësishëm në të ardhurat e Kombëtares.
Nga ana tjetër, z. Duka nënvizon se pjesëmarrja në kompeticione të tilla ka gjithashtu kosto shumë të mëdha dhe një pjesë e madhe e të ardhurave do të shkojnë pikërisht për të mbuluar këto shpenzime.
Çmimet e biletave fillojnë nga 30 euro
Kampionati Europian i Futbollit i vitit 2024 do të zhvillohet nga datat 14 qershor deri më 14 korrik në Gjermani. Sipas shortit të hedhur më datë 2 dhjetor, Shqipëria bën pjesë në grupin B, së bashku me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.
Shqipëria do të debutojë në fazën finale të Kampionatit Europian të vitit 2024 më datë 15 qershor 2024, në ndeshjen përballë Italisë që do të zhvillohet në orën 21:00, në Dortmund.
Ndeshja e dytë, përballë Kroacisë, do të zhvillohet më datë 19 qershor, ora 15:00 në Hamburg. Ndeshja përmbyllëse e fazës në grupe, ku Shqipëria do të ketë përballë Spanjën, do të zhvillohet më datë 24 qershor, ora 21:00, në Dyseldorf.
Për ndeshjet e fazës në grup, çmimet e biletave fillojnë nga 30 euro deri në 200 euro, në varësi të vendndodhjes në stadium. Për fazën në grupe, përjashtim do të bëjë vetëm ndeshja e hapjes së Europianit, ku çmimet nisin nga 50 euro deri në 600 euro.
Në raundin e parë ku luhet me eliminim direkt, atë të tetave të finaleve, çmimet e biletave fillojnë nga 50 euro dhe arrijnë deri në 250 euro. Për raundin e çerekfinaleve, çmimet e biletave nisin nga 60 euro dhe arrijnë deri në 300 euro.
Për gjysmëfinalet, çmimet e biletave variojnë nga 80 euro deri në 600 euro.
Për finalen, çmimet e biletave fillojnë nga 95 euro dhe arrijnë deri në 1000 euro.
Shitja e biletave kryhet online, në një portal të posaçëm të hapur nga UEFA për këtë qëllim. Çdo ekip kombëtar pjesëmarrës kishte një hapësirë të veçantë ku tifozët e interesuar mund të regjistroheshin për të blerë biletat, por afati për t’u regjistruar në portal dhe për të aplikuar për bileta ishte data 12 dhjetor 2023.
Në rastin kur numri i aplikimeve është më i madh se numri i biletave të disponueshme, përzgjedhja do të bëhet me short. Çdo person i regjistruar mund të aplikojë për jo më shumë se 4 bileta në secilën kategori çmimi dhe jo për më shumë se një ndeshje në ditë.
Aplikimet për biletë do të marrin përgjigje brenda datës 31 janar 2024 dhe më tej, aplikuesve të suksesshëm do t’u kërkohet të vijojnë procedurat për pagesën e biletave brenda një afati të caktuar.
Pagesat e biletave mund të kryhen vetëm online, nëpërmjet kartave të pagesave (karta debiti ose krediti Visa dhe Mastercard) ose nëpërmjet platformës Alipay+.
Sipas UEFA, numri i biletave në dispozicion për tifozët e secilës kombëtare do të jetë 10 mijë për ndeshje. Kjo nënkupton se të paktën për fazën e grupeve, biletat në dispozicion të tifozëve të Kombëtares Shqiptare do të jenë rreth 30 mijë.
Megjithatë, biletat mund të sigurohen më tej edhe në fazën e rishitjes së tyre. Për të luftuar tregun e zi të biletave, në pranverë UEFA do të ndërtojë një platformë online të rishitjes së tyre.
Agjencitë presin dyndje të shqiptarëve drejt Gjermanisë
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Europian pritet të sjellë volume të shtuara kërkese në biznesin e agjencive të udhëtimit. Marsel Kalemi, administrator i agjencisë Kalemi Travel, thotë se këto evenimente ndikojnë shumë në kërkesën për udhëtime jashtë vendit dhe në biznesin e agjencive të udhëtimit.
“Ka një kërkesë shumë të lartë dhe besoj se evenimenti do të ketë ndikim shumë pozitiv për bizneset që operojnë në këtë fushë. Që në momentin kur u hodh shorti dhe u caktuan datat e ndeshjeve, të gjitha biletat e avionit për ato destinacione janë shitur.
Ndërkohë, menjëherë pas shortit, çmimet u rritën me afërsisht 10 herë. Nga 20-30 euro që ishin çmimet normale me Wizz Air, menjëherë çmimet arritën në 200-300 euro, pastaj pothuajse 500 euro dhe aktualisht, biletat janë të gjitha të shitura (sold out).
Të gjitha biletat e shitura janë blerë paraprakisht nga agjencitë e udhëtimit. Pra, individët që do të arrijnë të sigurojnë bileta, duhet të drejtohen detyrimisht tek agjencitë e udhëtimit.
Çmimi që ato do të ofrojnë do të jetë sigurisht më i ulët se çmimi që do të mund të merrte një klient individual në kushte të njëjta”, – thotë z.Kalemi.
Sipas tij, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me çmimet e akomodimit.
“Edhe çmimet e akomodimit dhe të shërbimeve të tjera të lidhura janë rritur shumë, por është normale për kompeticione të këtij lloji, kur ka kërkesë masive.
Kur në Tiranë u zhvillua finalja e Ligës së Konferencës, vitin e kaluar, ndodhi e njëjta gjë. Jo vetëm që u bë e pamundur të gjeje akomodim në Tiranë, por edhe në Krujë, çmimet e akomodimit ditor arritën në 100 euro nata.
Pra, është mekanizëm normal tregu: ka një rritje shumë të madhe të kërkesës që shkakton rritje të fortë edhe të çmimeve. Në momentin që do të jenë ndarë edhe biletat e ndeshjeve, edhe akomodimi do të jetë i pamundur për t’u siguruar në rrugë individuale dhe individët duhet të drejtohen tek agjencitë e udhëtimit.
Në rast se do të krijohet mundësia për të siguruar edhe bileta të ndeshjeve, agjencitë do të ofrojnë paketa të plota”, – thotë ai.
Sipas tij, numri i shqiptarëve që do të udhëtojnë do të varet nga sasia e biletave që do të vihen në dispozicion.
“E sigurt është se të gjitha biletat e përcaktuara do të jenë të shitura, sepse po shohim një interes shumë të lartë. Edhe përvoja me Europianin e tetë viteve më parë ka luajtur rolin e vet.
Nga ana tjetër, prania në Shqipëri e operatorëve ajrorë low cost ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e udhëtimeve jashtë vendit, duke përfshirë sigurisht edhe mundësinë për të ndjekur evente të këtij lloji.
Bileta e avionit, transferta, akomodimi dhe bileta e ndeshjes mund të shkojë 600-700 euro për person, për një ndeshje. Megjithatë, varet shumë nga çmimi me të cilin do të mund të sigurohen biletat.
Nëse do të ketë çmime abuzive, paketa mund të arrijë deri në 1000 euro. Pra, Europiani do të sjellë një volum të shtuar pune për bizneset e lidhura me turizmin”, – thotë z.Kalemi.
Bar-restorantet: Pak pritshmëri nga Europiani, shpresat te turizmi
Në përgjithësi, një nga bizneset më të lidhura me zhvillimin e kompeticioneve të mëdha sportive është ai i bareve dhe restoranteve. Në këto raste, historikisht ka një prirje më të lartë të individëve për t’i ndjekur ndeshjet në mjediset e këtyre bizneseve.
Megjithatë, pritshmëritë e bizneseve për Europianin e radhës nuk janë shumë optimiste. Enri Jahaj, kryetar i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, mendon se ky eveniment nuk pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në rritjen e konsumit të këtyre bizneseve.
Sipas tij, në periudhën pas pandemisë dhe veçanërisht me valën inflacioniste, konsumatorët janë bërë shumë më të ndjeshëm ndaj çmimeve. Edhe në rastet kur vendosin t’i ndjekin ndeshjet jashtë shtëpisë, ata zgjedhin lokalet në lagjet e tyre të banimit, ku edhe çmimet janë më të ulëta.
Një aspekt tjetër që z. Jahaj nënvizon është se një numër i lartë i shqiptarëve pritet të shkojnë për ta ndjekur këtë Europian në Gjermani. Sipas tij, ky kontingjent përbën edhe pjesën që në përgjithësi tenton të shpenzojë më shumë duke i ndjekur ndeshjet jashtë shtëpisë.
Largimi i këtij kontingjenti, sipas z. Jahaj, do të krijojë një boshllëk që ndoshta do të mbushet nga numri i lartë, i pritshëm, i turistëve të huaj gjatë vitit të ardhshëm.
Në këtë kuptim, pritshmëritë e sipërmarrësve të këtij sektori janë të lidhura më shumë me turizmin, se sa me Kampionatin Europian, që do të zhvillohet pikërisht në verë.
Kombëtarja, “vitrinë” edhe për sponsorët
Pjesëmarrja në një garë të rëndësishme si Kampionati Europian i Futbollit krijon potenciale përfitimesh të dyanshme edhe në marrëdhënien me sponsorët e Kombëtares.
Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group Austria, shprehet se të qenët sponsor i Kombëtares është një reklamë e mirë për kompaninë. Megjithatë, sipas tij, kostot e sponsorizimit janë më të larta se kthimi që merr kompania.
Sipas tij, deri tani Sigal i ka ndërmarrë sponsorizimet në sport kryesisht në funksion të misionit të përgjegjësisë sociale, më shumë sesa të kthimit që një investim i tillë mund të sjellë.
Sipas tij, është e domosdoshme që Shqipëria të ketë një ligj të veçantë për sponsorizimet në sport, me qëllim rritjen e lehtësive për bizneset.
“Vazhdimisht kam kërkuar një ligj të veçantë për Sponsorizimet në Sport, i cili fatkeqësisht ende mungon në Shqipëri dhe do nxiste bizneset të investonin në sport, duke e bërë këtë të fundit më tërheqës dhe më të suksesshëm.
Por deri tani, incentivat kanë munguar, pavarësisht apelit të fortë që kemi bërë. Mungesa e një ligji për sponsorizimet, vazhdoj ta them, krijon vështirësi.
Nuk e di nëse ka një vend në Europë që nuk ka ligj për sponsorizimet dhe një ligj të qartë. Ky ligj është gjithmonë i dyanshëm, pasi ai formalizon sportin në të gjitha shtyllat e tij. Pikërisht këto ligje, në shtete të tjera, e kanë çuar sportin në nivele të larta.
Suksesi i Kombëtares na tregoi edhe një herë se sporti gjeneron shumë të ardhura dhe prek thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Ndaj, nuk duhet të kënaqemi me kaq, por të mendojmë edhe ne si shtetet fqinje dhe europiane për zhvillimin e mëtejshëm të sportit”, – thotë z. Ponari.
Ai thotë se mbështetja financiare dhe sponsorizimet është e domosdoshme për të rritur nivelin e sportit.
“Nuk duhet të harrojmë se sport elitar, pa mbështetje financiare, nuk ka dhe nuk mund të ketë! Dhe Kombëtarja e Futbollit është shembulli më i mirë për ta ilustruar këtë fakt.
Sporti prodhon para”. Katari, që organizoi Kampionatin Botëror 2022, përveçse arkëtoi miliarda dollarë gjatë ndeshjeve, po njeh edhe një bum turistik.
Edhe unë jam i mendimit që Shqipëria duhet të besojë fort te filozofia “sporti në funksion të ekonomisë”. Por siç e thamë më sipër, gjithçka duhet të nisë nga Ligji për Sponsorizimet në Sport”, – thotë ai.
Kampionati i 17-të Europian
Kampionati Europian që do të zhvillohet verën e ardhshme në Gjermani do të jetë i shtatëmbëdhjeti në histori. Kampionati i parë Europian (Kupa Europiane e Kombeve) u zhvillua në vitin 1960 në Francë dhe u fitua nga ish-Bashkimi Sovjetik.
Kampionati i fundit Europian, që njihet zyrtarisht si Euro 2020, në fakt u shty dhe u zhvillua një vit më vonë, në verën e vitit 2021, për shkak të pandemisë COVID-19.
Kampione në fuqi e Europës është Italia, që mundi në finale Anglinë, pas goditjes së 11 metërshave.
Ky do të jetë Kampionati i dytë Europian që organizohet në Gjermani, pas atij të vitit 1988.
Në Kampionatin Europian 2024 do të marrin pjesë 24 ekipe, të ndara në gjashtë grupe. Prej tyre, 16 do të kualifikohen në fazën me eliminim, ndër to, dy të parat e secilit grup dhe katër vendet e treta më të mira.
Kjo formulë i rrit shanset e Shqipërisë për të kaluar fazën e grupeve.
Shqipëria ka marrë pjesë vetëm një herë në historinë e saj në fazën finale të një Kampionati Europian, në vitin 2016. Shqipëria ishte pjesë e grupit A, së bashku me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë. Shqipëria u rendit e treta në grupin e saj, me tre pikë, pas dy humbjeve me Zvicrën dhe Francën dhe një fitoreje me Rumaninë.
Edhe Europiani i vitit 2016 parashikonte kualifikimin e dy vendeve të para të çdo grupi, si edhe të katër vendeve të treta me më shumë pikë (ose diferencë golash).
Shqipëria u rendit e fundit mes vendeve të treta, megjithëse e mbylli fazën në grupe me të njëjtin numër pikësh si Portugalia, Irlanda e Veriut dhe Turqia.
Për shkak të diferencës negative të golave, Shqipëria nuk arriti të kualifikohej në fazën e një të tetave./Revista Monitor