Një mama u informua për vdekjen e së bijës live në emision. Padyshim reagimi i saj ishte shumë prekës dhe të gjithë shikuesit e ndjenë dhimbjen e saj teksa dëgjonin britmat drithëruese.
Ky episod nxiti reagime të ashpra në publik pasi Odeta Dume, moderatore e emisionit ‘Pa Gjurmë’, edhe pse e dinte që e reja Brisilda kishte ndërruar jetë, e trajtoi emisionin, me suspancë duke e mbajtur mamanë e 23-vjeçares në ankth gjatë gjithë kohës.
Këshilli Shqiptar i Medias reagoi duke u shprehur se ngjarja është tejet e rëndë dhe përbën shkelje të etikës së gazetarit sipas Nenit 12 ku përcaktohet raporti i aksidenteve dhe fatkeqësive të ndryshme.
KSHM i bëri thirrje televizionit Report TV dhe moderatores, që t’i kërkojnë falje publike nënës së dëmtuar, si dhe gazetarëve të emisionit që të jenë më të përgjegjshëm.
Reagimi i KSHM:
“KSHM reagon me shqetësim për një episod të rëndë të ndodhur në emisionin “Pa Gjurmë” në Report TV, ku një nënë që kërkonte fëmijën e saj në lidhje Skype u informua live që e bija të cilën ajo shpresonte ta gjente përmes emisionit, kishte vdekur.
Ky rast përbën një shkelje të rëndë të Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar, përkatësisht Nenit 12, mbi “Raportimin e aksidenteve dhe fatkeqësive” ku shprehimisht thuhet: “Gazetarët duhet të respektojnë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre” si dhe “Viktimat apo personat e zhdukur nuk duhen identifikuar nëse të afërmit e tyre nuk janë informuar më parë.“
Programet e gjetjes së të humburve janë programe me vlerë të madhe shoqërore, por, kërkojnë që dhe etika e trajtimit të rasteve të jetë në maksimum.
KSHM i bën thirrje televizionit Report TV dhe moderatores, që t’i kërkojnë falje publike nënës së dëmtuar, si dhe gazetarëve të emisionit që të jenë më të përgjegjshëm.
Duke mos qenë rasti i parë kur raportimi i aksidenteve apo fatkeqësive bëhet në mënyrë jo-etike, po publikojmë të plotë nenin 12 më poshtë:
Neni 12. Raportimi i aksidenteve dhe fatkeqësive
Gazetarët duhet të respektojnë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre dhe duhet të lejojnë njerëzit të mbajnë zi privatisht duke i raportuar tema të tilla me simpati dhe vetëpërmbajtje.
Në raste aksidentesh dhe fatkeqësish, media duhet të mbajë parasysh që operacionet e shpëtimit për viktimat dhe personat në rrezik kanë përparësi kundrejt të drejtës së publikut për t’u informuar.
Media duhet të mos sensacionalizojë raportimin me foto eksplicite të katastrofave, aksidenteve apo dhunës që mund të fyejnë ndjenjat e të afërmve të të prekurve si dhe ndjeshmërinë e publikut.
Viktimat apo personat e zhdukur nuk duhen identifikuar nëse të afërmit e tyre nuk janë informuar më parë.”
Pas komenteve negative dhe reagimit të KSHM, moderatorja i kërkoi falje nënës së Brisildës, familjarëve si dhe të gjithë teleshikuesve të cilët u tronditën nga kjo histori.
Gazetarja pranoi se mënyra si ajo dha lajmin ishte e gabuar.
Reagimi i plotë i gazetares:
“Detyra jonë ishte të informomin nënën për këtë lajm tragjik dhe vendosëm ta bënim në këtë studio. Këtu ku nisi dhe mbaroi kërkimet. Por, ndodh që ka dhe histori që kanë një përfundim tragjik.
Nuk ka nëj mënyrë të duhur për ti përcjellë nënës një lajm tragjik, nuk ka fjalë të duhura, dhe ne dje gabuam, përdorëm fjalët e gabuara.
Dua ti kërkoj falje nënës së Brisildës, familjarëve teleshikuesve që u tronditën nga kjo histori. Unë marr përsipër përgjegjësinë e plotë dhe ju siguroj që për mua stafin tim ishte një tragjedi nga e cila mësuam shumë nga ajo që bëmë. Dje unë llogjikova gabim dhe ju më kryqëzuat duke ndjellë vrer dhe mallkime për familjen time”, tha ajo.
Edhe pse dhimbja ishte e madhe dhe britmat e saj drithëruese i dëgjoj e gjithë Shqipëria, mamaja e Brisildës, Merita Nexhipi, nuk fajësoi dhe vuri para përgjegjësie moderatoren për mënyrën e transmetimit të lajmit, pasi ajo e gjithë çfarë ajo dëshironte të dinte ishte fati i vajzës së saj 22-vjeçare.
“Përse duhet të kryqëzohet Odeta? Odeta që ka bërë një punë që nuk di si ta falenderoj, një punë e mrekullueshme që keni punuar kaq shumë”, shprehej ajo pak kohë më vonë e kontaktuar nga media të tjera.
Paçka se ajo ka vendosur të mos kritikojë moderatoren për mënyrën e rëndë si iu servir lajmi, kjo nuk do të thotë se këtu nuk kishte shkelje të etikës së medias.
AMA ka reaguar dhe video e këtij emisioni nuk gjendet më në platformën e You Tube, por fragmente të ndryshme nga emsioni ku shihet reagimi drithërues i Merita Nexhipit gjendet lehtësisht në “TikTok”.
Padyshim, fakti që kjo video mund të gjendet lehtësisht në “TikTok”, dhe ajo mund ta shohë sërish atë moment, mund të ketë një ndikim negativ emocional dhe psikologjik
Si ka ndikuar ky raportim tek nëna e të ndjerës dhe pasojat psiko-emocionale
Psikologia Ermela Shllaku ka dënuar pamje të tilla të cilat ndikojnë në psikologjinë e të gjithëve duke shkaktuar, mërzi, ankth, panik, etj.
Psikolgia deklaron se mamaja e së ndjerës duhet të kishte pranë një psikologe në momentin që do i transmetohej lajmi, dhe kjo nuk duhej bërë live, para një kamere që po priste të regjistronte reagimin e saj.
Shllaku shprehet se pasojat psiko emocionale që ka lënë ai episod janë të rënda.
Psikologia risjell në vëmendje disa komente nga disa shikues të revoltuar që shkruajnë “ngelëm pa gjumë pas videos”; “s’më ikën nga mendja ajo që pashë”, etj.
Më tej ajo kujton edhe pasojat që transmetimi i një lajmi në këtë mënyrë shkakton tek prindërit që kanë femijët shëndoshë e mirë, sepse truri u krijon skena të gatshme e të pavullnetshme të tipit: “po sikur të ishte fëmija im” dhe si shkak aty nis ndjenja e ankthit dhe panikut.
Kjo gjë padiskutim ka ndikim edhe tek prindërit që fatkeqsisht kanë humbur nje femijë dhe e kanë përjetuar më parë këtë situatë. Sipas psikologes, tek ta rizgjon ndjenjat negative dhe u rikujton momentet më të rënda të jetës së tyre dhe ju risjell trishtimin që kanë ndjerë në ato çaste.
“Kemi vene re te gjithe tashme qe jemi te gjjthe pa asnje perjashtim te ekspozuar perballe cdo lajmi, perballe cdo te dhene sepse na serviren ne mediat tona ne cdo orar te dites, qofshin ato edicionet qendrore te lajmeve ose jo. Lajmet qofshin ato te mira por edhe te keqija jane informacione qe padiskutim kane ndikim tek ne. Nuk jane thjesht informacione qe mund ti degjojme dhe te mos i depozitojme ne tru. Kjo ndodh pasi ne nje menyre apo nje tjeter, nje lajm apo nje tjeter na prek ne menyre direkte.
Ka lajme qe na gezojne shume duke na sjell emocione pozitive por ka edhe lajme qe na lene pa fjale por ama mendja nuk i fshin dhe i sjell si skena vazhdimisht. I tille eshte dhe lajmi ku nena merr vesh drejteperdrejte largimin nga jeta te vajzes se saj. E theksoj : Drejteperdrejte. Pra nje lajm kaq i tmerrshem e gjen ate te papergatitur.
Vdekja eshte nje proces i jetes , padiskutim, dhe si i tille eshte nje informacion qe te gjithe e dine. Por pasojat qe vdekja le jane shume te medha. Pervec humbjes se jetes te njeriut qe vdes, kjo humbje shoqerohrt me lot , hidherim, merzi, trishtim, ankth, e shpesh here e me depresion tek njerezit e afert. E te gjitha keto emocione qe konsderohen negative, duket se dyfishohen kur behet fjale per prindin. Prindi ,krijesa qe te sjell ne jete, padyshim qe eshte gjeja me e rende te marr lajm te tille prr femijen e tij.
Ne kete rast, nena e viktimes traumatizohet dhe e ze ngasherimi me lot e ulerima. Dhe padiskutim kjo eshte nje pamje e rende per tu pare nga ne (publiku i gjere).
Ne fakt do te doja shume te ishte shmangur si skene, pra mos te transmetohej drejteperdrejte ne nje television kombetar.
Perse duhej qe nena te ishte ne lidhje live me gazetaren per te marre kete lajm kaq te trishte?
Nena duhet te ishte afer nje psikologu dhe nje njeriu te afert nderkohe qe do i thuhej lajmi dhe jo te kishte kameren perballe sepse te pakten nuk do te shqetesohej per menyren e saj te reagimit kundrejt ketij lajmi.
Pasojat psiko emocionale qe ka lene ajo video jane te renda:
Si fillim ajo eshte nje video qe lehtesisht gjendet ne internet si pershembull ne YouTube ku kane akses edhe te mitur te futen.
Se dyti mjafton te lexosh komentet ne video dhe do shohesh frustrimin, merzine dhe ankthin e shkaktuar. Ka njerez qe shkruajne se “ngelem pa gjume pas videos”’ te tjere thone qe “ sme iken nga mendja ajo qe pashe” etj.
Ne fakt duhet permendur edhe demi qe shkakton tek prinderit qe kane femijet shendoshe e mire, sepse truri u krijon skena te gatshme e te pavullnetshme te tipit : “ po sikur te ishte femija im”dhe nis ndjenja e ankthit dhe panikut.
Por edhe ndikimi tek prinderit qe fatkeqsisht kane humbur nje femije dhe e kane perjetuar me pare kete situate. Tek ta rizgjon ndjenjat negative , dhe u rikujton momentet me te renda te jetes se tyre dhe ju risjell trishtimin dhe lendimim e shpirtit.
Duke qene se njeriu pervec logjikes ka dhe empatine , keto lajme nxjerrin nga pjesa emocionale e cdo personi : trishtim, ngasherim,merzi, te cilat shoqerohem fizikisht me humbje oreksi mungese gjumi, lot, te rrahura te shpeshta te zemres duke i nxjerr nga zona e komfortit. Dhe e gjithe kjo konsiderohet traume. E si e tille trauma do kohen e saj ( tek dikush me shpejt dikush tjeter me avash) per tu kaluar.
Prandaj ju lutem me shume kujdes per pasojat psiko emocionale qe shkaktohen nga lajme te tilla por jo vetem…”- deklaron psikolgia Ermela Shllaku.
Injorimi i parimeve që mishërohen në Kodin Etik të Medias Shqiptare
Kodi i Etikës është një instrument vetërregullues që synon të forcojë dhe përmirësojë cilësinë e gazetarisë dhe ndjenjën e përgjegjësisë së gazetarëve në Shqipëri.
Eksperti i medias Aleksandër Çipa shprehet se ndodh shpesh që të injorohen parimet etike dhe principet që mishërohen në Kodin Etik të Medias Shqiptare.
Çipa shton se jemi ende në kohë për të reaguar madje dhe me penalitete profesionale për rastet kur shkaktojmë lëndim publik, cënojmë shëndetin mendor të audiencës apo opinionit publik
“Në hapësirën e mediave të reja shqiptare ndodh ridimensionimi shqetësues i ndotjes etike dhe i disa dukurive të cilat kanë qenë të shumëshfaqura kryesisht në dekadën e parë të lindjes së mefiave private dhe plurale, kryesisht në shtypin e shkruar. Tri prej këtyre dukurive shprehen tek anonimiteti, thashethemi dhe fake news dhe përdorimi shantazhues dhe gjobvënës përmes shkrimeve pa autor.
Brenda këtij realiteti brengosës janë edhe akte të shpeshta të injorimit të parimeve etike dhe principeve që mishërohen në Kodin Etik të Medias Shqiptare. E kam fjalën për injorim të parimit të prezumimit të fajësisë ose pafajësisë, për mosrespektim të burimeve dhe të drejtës së mediatizimit të versionit të akuzuar apo përmendur si dhe çështje të bullizimit apo fyerjes dhe shpifjes.
Këto problematika edhe pse janë bërë më të shumëfishuara, ende nuk kanë shtyrë entitetet profesionale të ndërmarrin një reagim të strukturuar dhe gjithëpërfshirës për ngritjen e mekabizmave vetërregullues dhe sidomos te mekanizmave ekzekutues.
Mendoj se jemi në kohë për të reaguar madje dhe me penalitete profesionale për rastet kur shkaktojmë lëndim publik, cënojmë shëndetin mendor të audiencës apo opinionit publik.”- deklaron Çipa.
Gazetarët duhet të respektojnë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre dhe duhet të lejojnë njerëzit të mbajnë zi privatisht duke i raportuar tema të tilla me simpati dhe vetëpërmbajtje.
Një episod i tillë nuk ndodh për here të pare, pasi në median shqiptare kemi patur shpeshherë raste të tilla, ku moderatorë apo drejtues televizionesh kanë shkelur parimet duke transmetuar pamje të rënda për të rritur audiencën.
Kemi pafund raste, ku në fatkeqësi të tilla si aksidente apo vrasje, media ka publikuar emrin dhe fotot e viktimave ende pa u vënë në dijeni familjarët e tyre.
Nga Anduela Laçi